2011-06-02

Një plagjiaturë dhe një gënjeshtër


My Photo

nga Lis Bukuroca(Naser Aliu)


Një plagjiaturë dhe një gënjeshtër

Disa fjalë për plagjiaturën e gazetarit Sadedin Çeliku dhe mashtrimin e gazetarit të “Setimes” Muhamet Brajshori. I pari ka vjedhur shkrimin tim “Shteti privat” dhe e kishte botuar në dy gazeta, i dyti kishte bërë intervistë me mua!

Para se ta dërgoj jashtë një shkrim, puna e parafundit që bëj, është të shikoj në internet a ka  ndonjë artikull të publikuar, që mund të ketë titullin e njëjtë. Nëse ndodh kjo, atëherë e ndryshoj timin. Kohëve të fundit lexova shpesh nëpër shkrime përdorimin e togfjalëshit “ shtet privat”. Me këtë titull qe publikuar një sprovë e imja më 24 dhjetor 2009  në gazetat fizike “Shqip” dhe pak ditë më vonë edhe tek “Shekulli”. Online u bë publike tek “zemra shqiptare”, “tribuna shqiptare” dhe “gazeta kritika.” 

Mua nuk më zemëroi se ky togfjalësh disa muaj pas publikimit, nisi të përdoret dendur pa u përmendur askund burimi, por u preka thellë nga sjellja e keqe e një gazetari me emrin  Sadedin Çeliku. Nuk dija se ekziston, por meqë qenka i pranishëm në këtë botë, ra kjo vjedhje dhe u njohëm, atëherë, i uroj jetë të gjatë dhe të ndershme. Ky zotëri ma kishte përvetësuar shtetin tim privat dhe e kishte botuar me emrin e vet. E kishte shkurtuar dhe i kishte vënë këtë titull: “ Shteti privat dhe ai publik”. E kishte botuar tek “Gazeta Sot” në Tiranë më 4 maj 2010 dhe tek “ Bota Sot“ në Zvicër. Gati pesë muaj pas shtetit tim privat. Kur pash këtë, nuk dija si ta shpjegoj: ta merrja si kompliment apo të ndjehesha i ofenduar pse nuk e kishte vjedhur të tërin, por e kishte shkurtuar, redaktuar.
Në Gjermani, kjo pirateri, dënohet me ligj. Tek ne, përgjithësisht në mendësinë ballkanike, nuk quhet vjedhje, por marrje, përvetësim. I ka pëlqyer filanit dhe e ka marrë!

Nuk përfundon këtu. Pasi u qetësova nga vjedhja e parë, vendosa të hulumtojë në google edhe për një sprovë tjetër të kritikuar shumë ashpër nga Muhamet Kelmendi: “Rugovizmi nuk është gandizëm”, shkruar më 23 janar 2006 dhe kjo ishte befasia e radhës: gjeta një intervistë me mua të realizuar më 3 shkurt 2011. Tani hajdutëria kalonte nga Shqipëria , në Kosovë. Gazetari Muhamet Brajshori paska bërë intervistë me mua për faqen e internetit “SETimes. “ Nuk dija gjë për këtë faqe. Ajo po financuaka nga SHBA dhe BEE. Muhamet Brajshorin nuk e njoh, por meqë edhe ky zotëri po ekzistuaka, edhe këtij i uroj jetë të gjatë dhe të ndershme. Atij i paska lënë mbresë nocioni “rugovizëm” dhe paska vendosur të bëjë intervistë me mua dhe më paraqet si bashkëpunëtor të Rugovës. Unë nuk kam qenë kurrë bashkëpunëtor i tij, por isha kryetar i LDK-së në qytet, që e braktisa në vitin 1993 derisa po lexoja përgjigjen që më kishte dërguar kabineti i kancelarit Helmut Kohl. Pas kërcënimeve të tre apo katër vetave, që kërkonin ndërprerjen e leximit, dola dhe nuk qesh kthyer kurrë më në LDK. At vit, i pata shkruar edhe Papës në Vatikan, edhe kryetarit francez për gjendjen tonë në ish-Jugosllavi. Nuk është vetëm ky atribut që më ngjet  gazetari i “SETimes.” Unë atij gazetari i paskësha thënë edhe këtë: “Ndërsa mendimi i Gandit pasqyronte traditat e jogës të Indisë, idetë e Rugovës qenë të vendosura në etikën dhe humanizmin kristian, tha Aliu (mbiemri im i vjetër, nënvizimi im). Të tjerë janë dakord por shtojnë se nacionalizmi gjithashtu luante një rol kyç.”

Këtu desh pëlcita. Joga, në mes të tjerash, është një filozofi medituese, e cila synon njësimin e shpirtit dhe trupit, njësimin me Zotin: një çlodhje e brendshme, thënë me pak fjalë. Është edhe më shumë, por këtu nuk është nevoja të ndalemi. Gandi pat zhvilluar një filozofi të veten e cila quhej “satiagraha” dhe kishte këtë qëllim: të preket në ndërgjegje, në vetëdije pushtuesi dhe të cytet për ta ndryshuar qëndrimin dhe pastaj të përfitohet si mik. Duke pranuar dhunën, por jo duke iu përgjigjur me dhunë. Pastaj bindjet e tija fetare ia ndalonin vrasjen e njeriut, siç ia ndalonin edhe ngrënien e mishit...
http://4.bp.blogspot.com/-CLT0X2v9YU4/TeZDPTD2KTI/AAAAAAAAAoE/CpENDWLWH7Q/s1600/drejt%2Bmurit.png

Nëse keni lexuar citimin me vëmendje, keni parë se intervistuesi thotë se të tjerë kishin rënë dakord me mua. E kush ishin të tjerët? Donik Sallova. Nuk e njoh. Nuk kam dëgjuar kurrë për të. Sabri Hamiti. E njoh nga vepra. I treti, Nexhat Daci, politikan, dikur biolog. E pse paskësha braktisur unë LDK-në? Ja si përgjigjet ai që paska bërë intervistë me mua: “Ai thotë se ai la partinë që themeloi Rugova sepse shumë atje nuk duken të kenë kapur thelbin e mendimit të udhëheqësit të ndjerë.” Këtu përfundon intervista e tij me mua, zhvilluar më 3 shkurt të këtij viti, të cilën e gjeta dhe lexova ditëve të fundit të majit 2011.
Çka na mëson kjo plagjiature dhe ky mashtrim? Kjo na tregon se google i gjen të gjitha, prandaj është e rekomandueshme që intelektualët të pushojnë me vjedhje, sepse një ditë zbulohen të gjithë.

01.06.2011, Gjermani



From: LIS Bukuroca <lisbukuroca@t-online.de>
To: floribruqi@yahoo.com
Sent: Wednesday, 1 June 2011, 21:14
Subject: Një plagjiaturë dhe një gënjeshtër

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...