NGA REXHEP SHAHU,PUBLICST NGA TIRANA
Ka disa ditë që në media e
foltore të ndryshme po bëhet politikë e atdhedashuri sakllam sakate me pataten
e Kosovës.
Ka akuza pa fre e doganë, të
tipit, shaj shaj se diçka do mbetet, ose të tipit, mbama nënë t’i them kurvë pa
më thënë, për me gjetë traun në sytë e tjetrit, pa mundë me gjetë fijën e qërpikut
në syrin tënd.
Kjo tollovi mjerane fjalësh të
palame me hedh llom në fytyrën e tjetrit, buron, po due ta besoj nga padija dhe
nga një deshirë e mire, dhe nuk buron nga ndonjë porosi fort dashakeqe
për me u sha shqiptarët ndër veti, me u sha dy shtetet shqiptare ndër veti.
Tituj bomba të tipit, Shqipëria
bllokon patatet e Kosovës dhe favorizon patatet e Serbisë, apo, Lufta serbo –
shqiptare në tregun e patates…, mjerisht tregojnë mungesë të madhe informacioni
dhe kompleks të madh shumëplanësh. Sa të mëdhenj kostumet e sa të vegjel burrat
që i veshin. Thashetheme hesapi.
E para gjë që nuk mund e duhet ta
harrojnë fjalimtarët e tribunave është fakti i thjeshtë, edhe i trishtë po të
doni, se as Shqipria e as Kosova nuk janë kërthiza e botës, nuk janë prodhuesit
e patates botërore, nuk janë as konsumatorë, as importues e as eksportues të kushediçfarë
sasie patatesh. Jemi treg i vogël, i papërfillshëm edhe në rajon.
Nuk e kemi pataten edhe bukë edhe
gjellë siç thoshte dikur Enveri inë.
Rregullat ligjore ndërkombëtare,
marrëveshjet e nënshkruara mes shtetesh, me hir e pahir, janë ato që diktojnë
kushte. Por ato nuk na fshehin dot dobësitë, pamundësitë e deshtimet tona. Dështimet
e askujt.
Para se më nxjerrë deklarata
bomba e me i derdhë nëpër faqe dhe ekrane mediash, ndoshta edhe me marrë ndonjë
gradë patriotike, folësit duhet të marrin informacion dhe të binden, nëse nuk
janë të sigurtë, se nuk ka armiqësi mes Shqipërisë e Kosovës, nuk ka shkopinj nën
rrota, nuk ka ligësi dhe as dashuri të fshehtë Shqipëri-Serbi në dëm të Kosovës.
Dhe më kryesorja, të gjithë duhet
ta dinë se tregtia ka rregullat e ligjet e veta dhe nuk funksionon me parulla
atdhedashurie.
Ndërkohë që ia fusin kot
deklaruesit patriotikë, po ju përcjell të dhënat zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë,
Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të Shqipërisë, lidhur me pataten.
Shqipëria prodhoi 208 mijë ton
patate në vit, e dhëna vjetore e vitit 2010. Sepse edhe Shqipëria prodhon
patate dhe nuk ushqehet me patate eksporti.
Kjo sasi prodhimi varion me ulje
ngritje të vogla nga viti në vit por kjo është sasia e përafërt e prodhimit në
6 vitet e fundit.
Për vitin 2010 Shqipëria importoi
27464 ton patate dhe eksportoi vetëm 248 ton patate.
Konsumi mesatar në vit, në 6
vitet e fundit është 250 mijë ton patate, sepse shtohen disa sasi të vogla
kopshtesh që nuk hyjnë dot saktësisht në statistika.
Shqipëria importon nga 19 mijë
ton patate, sasia më e vogël para 4 vitesh,
deri në 27464 ton patate në 2010 që ishte sasia më e lartë e importit.
Nga Kosova bëhët pjesa e luanit të
importit të patates. Për vitin 2010 nga Kosova u importuan për në Shqipëri
17322 tonë patate.
Patriotët e patates duhet ta dinë
se nga Serbia
janë importuar për në Shqipëri, për vitin 2010, vetëm 277 ton patate.
Epo bëjeni vetë krahasimin të
nderuar lexues dhe ju patriotë të patates dhe thoni pastaj se kush e mbytka me
patate Shqipërinë, Kosova apo Serbia.
Dhe çfarë favoresh tregtare po i krijoka Shqipëria Serbisë sa i përket patates.
Ej, nuk jetojnë shqiptarët e asnjërit
shtet shqiptar me patate, ej. Ndalni lodrat edhe fyejt.
Pra Serbia sillka në Shqipëri aq patate
sa eksportoka në një vit gjithë Shqipëria.
A mund të ndalohet patatja serbe
të vijë në Shqipëri? A mundet Shqipëria ta bëjë një bllokadë të tillë. Edhe
mundet. Por vetëm atëherë kur në Kosovë të mos hyjë asnjë lloj malli nga Serbia,
nga Kroacia, nga Sllovenia, nga Bosnja etj.
Pra, duhet me ia këputë të dy
telat çiftelisë patriotike. Sepse nga Kosova hyka në Shqipëri 17322 ton patate
në vit dhe nga Serbia
277 ton patate në vit. A krahasohen këto shifra?
Sa i përket pastaj çmimeve të
referencës, kësaj i thonë të lajmë teshat me fij. Shqipëria, Kosova dhe çdo
shtet, sipas praktikave të veta, të lejueshme nga marrëveshjet e direktivat ndërkombetare,
vendos sipas rastit çmime reference për të mbrojtë prodhimin vendas, Brenda të mundshmes së
lejueshme ligjërisht e ndërkombëtarisht.
A duhet apo jo? A bën të shtrohet
çeshtja kështu siç është shtruar, që Shqipëria të mos bëjë asnjë politikë
mbrojtëse për fermerët e saj që prodhojnë patate (mbi 200 mijë ton në vit) dhe
të lejojë pa asnjë pengesë të furnizohet tregu i Shqipërisë vetem me patatet e
Kosovës. A e bën dot Kosova që të mos prodhojë asnjë vile apo kalavesh rrush
dhe gjithë sasinë e rrushit që don populli i Kosovës ta marrë nga Shqipëria??!!
Kumbulla të tharta po duam të hamë
por dhëmbët të mos na mpihen, i thonë kësaj.
I përkas asaj kategorie njerzish
që mendoj dhe synoj të mos kemi asnjë lloj kufiri e dogane mes Shqipërisë e
Kosovës dhe raportet e tregut le ti
rregullojë kërkesë-oferta mes fermerëve të hapsirës shqiptare, shoqatave
të tyre.
Por pa asnjë lloj çiftelie në këtë
mes, pa asnjë lloj parulle, pa asnjë lloj akuze të ndërsjelltë e të rëndë ndaj
shteteve shqiptare. Jetojmë në një botë të hapur. Jemi treg i vogël, kemi pak
konsumatorë, se ndryshe do të na mbysnin prodhuesit e mëdhenj botërorë të patates
e të gjithçkaje dhe do të na i linin djerrë tokat shqiptare.
Lajm i mirë për gjithë prodhuesit
e patates është se patatja në tregun e pakicës në Tiranë është rreth një dollar.
Pra një çmim shumë i lartë. Çmim që i sjell shumë më shumë përfitime tregtarit,
ndërmjetësit, për fat të keq dhe jo prodhuesit të patates. Çmim i pandershëm
sepse nuk e nxjerr fitues të parë prodhuesin por tregtarin.
Por ky çmim i lartë do të sjellë
patjetër shtim prodhimi por dhe këmbëngulje nga prodhuesit e tregtarët e Kosovës
për të sjellë patate në Shqipëri.
Unë dua që fermeri të shesë shtrenjtë, të fitojë fermeri se kështu
ai do të punojë, do të shtojë prodhimin, do të ulë çmimet ky prodhim i
shtuar, por nuk dua që fermeri të lëpijë
gishtat dhe mishin e produktit të tij ta marrin tregtarët.