2011-06-03

Kuçi, fusha e vdekjes

Nga: Bedri  BLLOSHMI

Këtë shkrim dua ta nis me një falënderim të veçantë. Falënderoj pa masë drejtorin e Arkivit, zotin Kastriot Dervishi i cili bëri të mundur gjetjen e hartës së vend-groposjes së Sokol Sokolit dhe Tom Ndojës. Është hera e parë që atij vendi iu gjend njeriu i duhur. Hera e parë që i gjendet punës njeriu dhe jo njeriut punë.Të gjithë e dinë se në 22 maj 1984 në minierën e burgut të Qaf-Barit ndodhi një revoltë. E kam përshkruar disa herë se si ndodhi dhe çfarë pashë unë atë. Presioni dhe dhuna e paparë që praktikohej mbi të dënuarit u bë e padurueshme dhe të detyronin të punoje tre turne rresht kur nuk arrije të realizoje normën operative. Ishte data 22 maj, ishim turni i tretë në të njëjtën brigadë pune dhe po ktheheshim nga galeria për në kamp. Policia u afrua të nxirrte me forcë nga kampi një të dënuar i cili nuk kishte realizuar normën. Në këtë çast shokët e tij ndërhynë për të ndaluar policinë e cila po qëllonte mbi të dënuarin. Pas kësaj forca të tjera policore hynë në kamp. Acarimi kishte arritur kulmin. Policia po qëllonte mbi të burgosurit me ç’të kishte në dorë. Të burgosurit reaguan gjë e cila e detyroi policinë të tërhiqej dhe të dilte jashtë rrethimit të kampit. Në këtë kohë oficeri i rojës hapi zjarr brenda në kamp dhe goditi të dënuarin Kostandin Gjordeni duke e plagosur në shpatullën e majtë. Ndërkohë komanda e burgut kishte njoftuar degën e brendshme të Pukës si dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme. Kampi u rrethua në kohë rekord nga civilë dhe çetat vullnetare të gjithë të armatosur. Pas një ore mbërriti edhe helikopteri që pasi bëri dy-tri xhiro mbi kamp u ul diku dhe prej tij zbritën disa civilë që hynë në komandë. Siç u mor vesh më vonë njëri prej tyre ishte këshilltari i ministrit të Punëve të Brendshme. Ndërkohë komandanti i kampit lexonte emrat e atyre që duhet të dorëzoheshin. Lista e emrave fillonte me Sokol Sokolin, Tom Ndojën, Haxhi Baxhinofski etj. Të dënuarit që duhet të dorëzoheshin ishin 12 vetë.
Komanda pasi bëri disa herë thirrje për t’u dorëzuar tha se kishin 5 minuta kohë për t’u dorëzuar, përndryshe ajo që do të ndodhte në kamp ishte e paimagjinueshme. Sokol Sokoli që ishte ulur përballë Tom Ndojës i thotë: “Tom, eja dorëzohemi, të mos i marrim më qafë të gjithë shokët!” Sokoli u ngrit i pari i ndjekur nga Toma, u afruan tek rrethimi i brendshëm i futën duart në kuadratet e telave me gjemba ku nga ana tjetër e telave policia u vuri prangat. Pasi i prangosën të 12 personat të cilët ishin në listën që lexoi komandanti, policë e civilë të panumërt u derdhën brenda në kamp. Të 12 të lidhurit i futën në dhomën e takimit ku i dërrmuan në dru duke u thyer këmbë e duar. Pas kësaj i kapën kë për duarsh e kë për këmbësh duke i hedhur në karrocerinë e një makine të zbuluar. Makina u nis duke u zhdukur në kthesën përpara kampit. Civilët dhe policët filluan dhunën mbi të gjithë të dënuarit që gjendeshin në kamp.Pas disa ditësh na mblodhën në mensë ku komandanti i policisë Mond Caja na komunikoi vendimin e gjykatës së rrethit të Pukës: “Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja dënohen me vdekje, pushkatim, të tjerët me dënime të rënda. Po ka trima të tjerë të maten me ne, le ta provojnë dhe ata!” Pak a shumë kjo ishte shkaku dhe pasojat e revoltës së Qaf-Barit të datës 22 maj 1984.Para dy vjetësh më ra në dorë proces verbali i pushkatimit të Sokol Sokolit dhe Tom Ndojës. U lidha menjëherë me familjarët e tyre dhe shkuam menjëherë në Kuç të Shkodrës në vendin ku ndodhet sot e kësaj dite antena e radios. Kërkuam për tri ditë me radhë. Fadroma zhvendoste dheun pa pushim aty ku thuhej se ishin ekzekutuar Sokoli dhe Toma, por më kot. Pas kësaj nxorëm njoftim në media se kush dinte apo kishte informacion rreth kësaj çështje të na kontaktonte. Asnjë përgjigje. Askush nuk u bë i gjallë. Më 25 maj 2011, më telefonoi zoti Simon Miraka dhe më tha se i kishte rënë në dorë harta e vend-groposjes së Sokol Sokolit dhe Tom Ndojës. U lidhëm sërish me familjarët dhe shkuam në vendin që gjendej në hartë. Kur mbërritëm atje, vendin e gjetëm të rrethuar me shirita të verdhë të cilët mbanin mbishkrimin “Vend krimi, mos kaloni!”. Filluam punimet dhe gërmuam të gjithë vendin e rrethuar, gati 100 m2, por nuk gjetëm asgjë. Ndërkohë morëm në telefon dhe kërkuam të vinte një topograf i cili nuk vonoi të vinte. Pasi pa hartën ai na shpjegoi se vendndodhja e saktë gjendej në krah të kundërt të vendit që ishte rrethuar dhe që kishim gërmuar ne. Filluam të gërmonim në drejtimin që na tha topografi. Përsëri asgjë, por familjarët nuk u dorëzuan. Ata vazhduan gërmimet edhe të nesërmen dhe kova e fadromës këtë radhë nxori kokën e njërit prej të vrarëve. Familjarët ndërprenë menjëherë punimet dhe më morën në telefon. Unë bashkë me zotin Simon Mirak u nisëm urgjent për në Kuç. Rrugës morëm në telefon edhe mjekun ligjor të morgut i cili kishte qenë me ne edhe një ditë më parë. Çfarë pamë? Çfarë gjetëm?Gropa nuk ishte e thellë jo më shumë se 1,10m. Pasi pamë skeletet, sipas meje, i pari ishte ekzekutuar Sokol Sokoli. Tek këmbët e Sokolit u gjend kafka e Tom Ndojës. I kishin hedhur njërin nga koka e tjetrin nga këmbët. Po çfarë kishte mbetur nga eshtrat dhe rrobat e tyre të trupit? Si i dalluam kush ishte njëri e kush tjetri? I njohëm lehtësisht sepse Sokoli ishte më trup madh nga Toma. Në skeletin e Sokolit nuk kishte mbetur asnjë copë rrobë përveç çorapeve të najlonit që mbanin brenda kockat këmbëve dhe çizmet e gomës me qafë të prerë. Kafka e Sokolit ishte tepër e dëmtuar nga plumbat. Pranë saj u gjend një shishe peniciline e cila mbante brenda një copë letër që ishte tejet e zverdhur dhe shkruante emrin Sokol Sokoli, ndërsa shishja që u gjend pranë kafkës së Tom Ndojës ishte e hapur dhe bosh. Te kafka e Tomës në nofullën e sipërme mungoni dy dhëmbët e parë gjë e cila të bën të mendosh se këto ia kanë thyer gjatë rrahjes në hetuesi ashtu siç tregon edhe fotografia e Sokol Sokolit i cili është me një sy. Skeletin e Tomës e gjetëm të mbuluar nga dy trikot ende të pakalbura. Ndërsa tek eshtrat e këmbëve nga këpucët kishin mbetur vetëm shojet. E çuditshme! Atë çka toka treti për Sokolin nuk e kishte tretur për Tomën, por një gjë duhet thënë: ata dy djem kur ishin gjallë rrinin bashkë, hanin bashkë, të dy dolën në krye të revoltës duke kundërshtuar dhunën, bashkë i arrestuan, bashkë i çuan në qelitë Pukës, bashkë i dënuan dhe po bashkë i pushkatuan në mesnatën e errët kur data 8 ia linte vendin 9 qershorit.Mjeku ligjor bëri ndarjen e eshtrave, i futëm nëpër qeset e zeza të najlonit dhe u nisën për në morg ku do të bëheshin veprimet e mëtejshme ligjore.Ky ishte sekreti që ruajti thellësia a tokës për 27 vjet rresht.Pushofshi në paqe o të papërkulurit që sfiduat diktaturën më 22 maj duke e paguar me jetën tuaj!Qoftë lëvdue Jezu Krishti!Tani lamtumirë!

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...