2011-06-02

Lexime të këqija





ARDIAN VEHBIU

Mbi leximin e gabuar që i është bërë librit "Shqipja totalitare" të Ardian Vehbiut.

Autori: "Koncepti që ushqejnë Memushaj dhe Kadareja për raportet e gjuhës me shoqërinë dhe kulturën nuk përputhet me timin; por kjo mospërputhje aspak nuk provon, në vetvete, se teza ime është e gabuar, ndërsa të tyret të drejta.

Për mua, shqipja publike sot e kësaj dite nuk i ka bjerrë tiparet që iu imponuan nën totalitarizëm."

Kohët e fundit, ndoshta edhe ngaqë po afrohet data e Konferencës për çështje të standardit të shqipes që do të organizojë QSA-ja në dhjetor të këtij viti, është zgjuar interesi kritik ndaj librit tim "Shqipja totalitare", të botuar në vitin 2009.


Sikurse e merr vesh lehtë kushdo që i hedh një sy kopertinës, eseja ime mëton të përshkruajë "tipare të ligjërimit publik të shqipes gjatë viteve 1945-1990"; dhe pikërisht mënyrën dhe trajtat e reflektimit të pushtetit komunist në komunikimin gjuhësor publik në Shqipëri.

Ky aspekt i kopertinës, dhe i librit vetë, duket t'i ketë shpëtuar gjuhëtarit Rami Memushaj, i cili në një artikull të botuar në "Shekulli", titullin "Shqipja totalitare" e lexon sikur unë epitetin dhe cilësinë "totalitare" ia kam blatuar krejt gjuhës shqipe në hapësirë, në kohë dhe në shoqëri; me fjalë të tjera, se mos unë kam gabuar dhe e kam konsideruar shqipen, dhe më saktësisht shqipen e njësuar të sanksionuar nga Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972, si totalitare dhe njëlloj të meritueshme për buldozer sa edhe piramida e ish-muzeut Enver Hoxha.

Ndoshta Memushajt nuk do t'i ketë dalë koha për ta shfletuar librin, për të parë që unë atje merrem fare pak me çështjen e standardit të shqipes: vetëm në kapitullin ku ndalem kalimthi në aspektet totalitare të politikës gjuhësore që u ndoq nga regjimi për t'ia imponuar këtë standard shoqërisë dhe kulturës shqiptare, duke i dëbuar nga përdorimi publik format alternative, si gegërishten letrare të Shkodrës.

Për mua totalitar nuk është as ka qenë standardi si tërësi rregullash, por standardizimi, ose mënyra si u imponua standardi në kulturën shqiptare të asaj kohe - por kjo çështje ka të bëjë para së gjithash me politikën gjuhësore të regjimit të Enver Hoxhës, ose me KQ të PPSh, jo me Fjalorin drejtshkrimor të shqipes.

Së njëjtës çështje, ose komentimit të titullit të librit tim, i është kthyer edhe shkrimtari I. Kadare, në librin e tij "Mosmarrëveshja", të botuar ditët e Panairit të Librit në Tiranë. Kadareja në atë vepër i shpenzon disa faqe për ta mbrojtur standardin nga sulmet e "albanologëve të rinj", siç i quan ai, për t'iu përveshur pastaj, në një shënim të gjatë, librit tim të lartpërmendur, ose, më mirë, titullit fatal të atij libri.

Kadareja e krahason shqipen e përdorur gjatë regjimit komunist me gjermanishten e kohës së nazizmit dhe rusishten sovjetike, duke vërejtur se këto dy gjuhë nuk janë quajtur ndonjëherë totalitare; edhe pse unë, në bibliografinë e librit, kam përmendur disa studime të rëndësishme në lidhje me çfarë ndodhi me rusishten, përkatësisht me gjermanishten, kur këto gjuhë u vunë, madje u rekrutuan në shërbim të pushtetit politik totalitar; studime që i kushtohen njëri "ligjërimit sovjetik" (nga Patrick Seriot) dhe tjetri "gjuhës së Rajhut të tretë" (nga Victor Klemperer); madje ky i fundit përshkruan edhe raste të shumta kur zhargoni politik nazist përfundoi i përdorur në komunikimin e përditshëm, jopolitik. Shkruan Klemperer në hyrje të librit:

"Nazizmi depërtoi në mishin dhe gjakun e njerëzve, përmes disa fjalëve, shprehjeve dhe strukturave të fjalisë, të cilat iu imponuan atyre nëpërmjet një milion përsëritjeve dhe u përvetësuan mekanikisht dhe pa vetëdije...

Gjuha jo vetëm shkruan dhe mendon për mua, por edhe, gjithnjë e më tepër, dikton ndjenjat e mia dhe qeveris krejt qenien time shpirtërore, sa më shumë unë i dorëzohem asaj, me bindje dhe i pandërgjegjshëm.

Por çfarë ndodh kur gjuha e lëvruar përmban elemente helmuese ose i përcjell këto helme? Fjalët veprojnë si doza të vogla arseniku: ato gëlltiten si pa u vënë re, duket sikur nuk kanë efekt, por më pas, pas një farë kohe, e japin efektin toksik gjithsesi.


Rajhu i tretë... ua ndryshoi vlerën fjalëve dhe dendurinë e përdorimit, rekrutoi në shërbim të pjesës çfarë ishte më parë pronë e të gjithëve dhe në proces e sipër i mbushi fjalët, togfjalëshat dhe strukturat e fjalive me helmin e vet." [Victor Klemperer, The Language of the Third Reich: A Philologist's Notebook, Continuum, 2006, f. 14.]

Nuk ka dyshim se as rusishtja, as gjermanishtja, as shqipja nuk janë totalitare në vetvete, sikurse nuk ka dyshim se të tri këto gjuhë, në periudha të caktuara historike, u kanë shërbyer regjimeve totalitare, duke u dhënë formë, duke i ndihmuar të riprodhohen dhe duke përçuar, me anë të çdo akti komunikimi publik, raportet midis shtetit nga njëra anë dhe publikut ose individit nga ana tjetër.

(Për të njëjtën arsye, jemi të lejuar ta quajmë një armë krimi "thika vrastare", edhe pse kjo vegël kuzhine deri atëherë ishte përdorur për të qëruar mollë.)

Më tej, duke kundërshtuar tezën time se përdorimi politik i gjuhës nga regjimet totalitare mishërohet në tipare, trajta dhe rregullsi të caktuara në ligjërimin publik, Kadareja vëren se "makina gjuhësore", siç shprehet ai, "shërben në mënyrë krejtësisht asnjanëse"; po këtë metaforë, këtë herë në trajtën e "mekanizmit gjuhësor", ai e merr sërish, për të shpjeguar si dëshirorja e shqipes vihet në shërbim të bekimit ose të mallkimit me të njëjtën shpërfillje.

Edhe Memushaj i drejtohet për ndihmë metaforës së gjuhës si vegël ose instrument, madje duke cituar një pasazh timin nga libri, ku përsiat se "përdorimi që i bëhet një instrumenti sjell ndryshime në instrumentin vetë"; me çka ky autor nuk pajtohet, meqë "[t]jetër gjë është ligjërimi dhe tjetër gjë sistemi që shfrytëzohet në ligjërim".

Natyrisht, të gjithë biem dakord se regjimi totalitar e përdori shqipen publike (ligjërimin publik në shqip) për qëllimet e veta; para së gjithash, për të riprodhuar pushtetin. Çështja është nëse ky pushtet i përcjellë dhe i ndërmjetësuar nëpërmjet ligjërimit publik ka lënë aty gjurmë të shumta të cilat meritojnë të studiohen (siç jam përpjekur të bëj unë); dhe sidomos, nëse ky ligjërim publik i veshur me uniformë ka ndikuar apo jo, me kalimin e kohës, në strukturat dhe rregullsitë e gjuhës vetë.

Nëse ka pasur një ndikim të tillë përçudnues, dhe unë besoj se ka pasur, atëherë ai ka vepruar dhe është manifestuar në nivelet më të larta të shqipes: retorik, stilistik dhe pragmatik, ose në rregullsitë e përdorimit të shqipes në komunikimin publik, siç edhe më ka rezultuar.

Për Memushajn dhe Kadarenë, gjuha funksionon si bisturia, të cilën njëlloj mund ta përdorësh për të shpëtuar një jetë në sallë të operacionit, për të këputur një bistak rrushi nga dega e hardhisë në vreshtë, ose për të prerë damarët në vaskë të banjës.

Të dy këta autorë i falen, duke e marrë për të mirëqenë, një nocioni statik për gjuhën si vegël, makinë ose mekanizëm; i cili nuk është doemos i gabuar, por nuk është i vetmi, as më i përshtatshmi për të shpjeguar si funksionon gjuha në komunikim; dhe aq më pak për të shpjeguar si ndërmjetëson ligjërimi, për t'u dhënë formë institucioneve shoqërore, mes të cilave edhe gjuhës vetë.

Duke arsyetuar ab absurdo, Memushaj vëren se "Të flasësh për shqipe totalitare, do të thotë të pranosh se para saj ka ekzistuar një shqipe 'mbretërore' dhe sot një shqipe 'demokratike', dmth. të thuash marrëzira."

Në të vërtetë, ndryshe nga monarkia dhe demokracia, shteti totalitar, nëpërmjet pushtetit, jo vetëm merr kontroll të plotë mbi të gjitha aspektet e jetës sociale dhe individuale, duke përfshirë edhe përdorimin që i bëhet gjuhës; por edhe e ushtron këtë kontroll në mënyrë të dhunshme ose me rrugë policore, duke i mbytur alternativat në shpërgënj.

Kjo do të thotë edhe se në totalitarizëm çdo aspekt i komunikimit publik kontrollohet nga pushteti dhe i shërben para së gjithash riprodhimit të marrëdhënieve të pushtetit, çfarë nuk mund të thuhet as për monarkinë, as për demokracinë.

Edhe monarkia, edhe demokracia i japin ngjyrë karakteristike ligjërimit publik; por as njëra, as tjetra nuk orvaten ta rekrutojnë këtë ligjërim, me forcë të pakundërshtueshme, në shërbim të riprodhimit të vetvetes.

Kadareja, nga ana e vet, sjell një argument disi të ndryshëm: meqë shumë forma dhe trajta dhe klishé të shqipes totalitare, të identifikuara në librin tim, mund të përdoren lirisht edhe në kontekste jototalitare, ai vëren se karakteri totalitar i ligjërimit publik në atë periudhë të historisë shqiptare nuk përcaktohej as përkufizohej aq nga mjetet e shumëllojshme gjuhësore të shtëna në punë madje edhe sistematikisht, por nga qëllimet specifike të përdoruesve.

Koncepti që kanë dhe ushqejnë Memushaj dhe Kadareja për raportet e gjuhës me shoqërinë dhe kulturën nuk përputhet me timin; por kjo mospërputhje aspak nuk provon, në vetvete, se teza ime është e gabuar, ndërsa të tyret të drejta.

Për mua, shqipja publike sot e kësaj dite nuk i ka bjerrë tiparet që iu imponuan nën totalitarizëm; jo vetëm ngaqë kultura shqiptare pas vitit 1990 nuk ka arritur të organizohet dot në kundërvënie me sistemin kulturor totalitar të para 1990-ës dhe ka vazhduar të riprodhohet në mënyrë inerciale, por edhe ngaqë agjencitë dhe organizmat e propagandës politike dhe mediat ende besojnë se teknikat totalitare të komunikimit mund t'i ndihmojnë për t'i përçuar frytshëm mesazhe, të drejtpërdrejta dhe subliminale, opinionit publik.

E gjithë kjo, e kotë ta shtoj, nuk ka ndonjë lidhje organike as me drejtshkrimin e vitit 1972, as me nevojën për ta ndryshuar ose reformuar standardin ekzistues të shqipes, prandaj le të mos i turbullojmë ujërat pa nevojë; rrënjët e problemit duhen kërkuar aty ku komunikimi dhe kultura riprodhohen ndërsjellazi, duke përftuar edhe rolet sociale të ligjëruesve publikë.

Debatit për shqipen totalitare i kërkohet të ndriçojë, para së gjithash, raportet e komunikimit me pushtetin, të ligjërimit me dhunën psikologjike dhe propagandën, të fjalës me manipulimin gjatë gjysmë shekulli diktaturë komuniste; nuk ka vend në të fetishizimi i gjuhës, as adhurimi romantik për shqipen, që kemi trashëguar nga Rilindja.

Edhe Memushaj, që është gjuhëtar, edhe Kadareja, që gjuhëtar nuk është, mbeten, hë për hë, larg pozicioneve konstruktive në këtë debat.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...