2011-05-30

SENAD GURAZIU -POEZI



NUK ËSHTË "RELIGJION"


Të gjitha zemrat në errësirë rrahin
burgosur përjetshëm, në vetmi
por në vetvete fanarë dritësie janë,
si xixëllonjat e qiellit - dhe
Dielli jep shumë dritë, përmasat
pakëz "problematike",
por megjithatë ligj i natyrës,
diversitet frutash, larushi rruazash
dimensionesh, s'është rastësi,
disa zemra janë të vogla... si gogla,
fare "mini", ndoshta sa një lajthi.
 
Nuk besoj kësaj radhe
në kriteret, në ndihmën e shkencës -
me rreze Rentgen t'i masim,
apo me pompë t'i fryjmë, si maskota,
tullumbace Diznilendi, dikush
tjetër mbase beson në zemra "vakum"
si poç i Edisonit - nuk di,
ndoshta thjesht t'iu flasim, absolutisht,
çdo rrahje ta miratojmë, çdo
impuls ta ndiejmë, t'iu besojmë
sikur zemra të ishte vetë Zoti - u bu bu
gjithë ato zemra të botës, konfuze,
por nëse secila zemër xixëllon
për të tjerët, pandalshëm si Diell
ndoshta dhe është një portë
jona e dritës, një shpresë.
 
Ndonëse nuk është "religjion", siduket
prapë s'na mbetet aq shumë:
vetëm lutja - luteni pra o njerëz
të botës, çdo ditë zemrën
tuaj të rritet - ku i dihet, ashtu së paku
mund të jemi një ditë si Dielli
më afër Zotit.
 
- - -
MATRICË  PROFETIKE

(Bisedë post-futuriste me George Orwell)
 

 
Sot vetëm një Huble lart që kërkon Zotin,
por një milion sonda dhe satelitë
"big brothers" të tu kthyer nga ne
për ta spiunuar dhe gjetur vetveten
miku im Orwell nuk them se ishe naiv, por shih
deri në alivanosje insistohet, kërkohet
nga të gjithë tokësorët (dhe nga alienët)
që t’i kapin valët eterit të turbulltë,
ndotur e ngulfatur me të gjitha ndytësitë
e shekullit XX - më të turpshmit shekull
nga i cili njerëzimi do të turpërohet
ndoshta dhe nëntë shekuj që vijnë.
 
Duhet të pajtohet poeti, dymijë vjet
pas Krishtit, me gënjeshtrat e shekujve –
i ngrati, ndoshta s’ka shteg, ai vetëm klith:
nuk dorëzohem, mund të ndodhë…,
por më parë duhet t’më verboni,
gjithë pluhurin e dunave të Saharasë
syve t'ma hidhni, me akullin e Antarktidave
zemrën t'ma mbështillni! - bah...
bukur ia thonë poetët por sa të marrë janë!
 
E nesër i dashur Orwell, as idenë nuk e ke,
kush mund ta dijë sekretin e Agralit
çmim Nobel për një kod të ri, relikt "davinçian"
kod që rrotullon nëntë mekanizma titani,
"çelikosur" me titanium, nëntë shtresa diamanti,
nëntë metra të trashë, sarkofag atomik
ngjashëm si për ndonjë Çernobill-tragjedi
dhe nëntë palë çelësash-enkriptuar
prapë blinduar nëpër gyptha hermetikë
për të hapur ose, sipas nevojës,
për të fshehur të vërtetën e shekujve.
 
Nuk tallem miku im, duhet të besosh
në Cyber-Tron, Orakull Silikon, direktivë
në "matrix" - Hamurab i Babilonisë
nuk pajtohet me asnjë kod, nuk i do
hardhucat mimetike, as skorpionët metalik,
kobrat-magnum si nata tek gjuajnë, kërkojnë
kërminj silikoni për industrialistët,
për eliten dhe për politikanët "cyborg"
ndërsa këta sa kënaqësisht i falin fytyrat e buta
si prapanicë bebesh, për sise Venerash
kirurgji plastike aty për aty, virtualisht,
doza të programuara XTC, ekstazë
kolektive për votat në "Facebook"
turistë kozmik na përgjojnë në akuarium,
hieroglife zhurnalistike nga shtatë dimensione,
kodikë-gurë të xhamtë, medalione,
Hazreti Musa si neo-Bill Gate mutant
bart pllaka digjitale gjithkah, predikon
nëpër stere dhe ujë, tabanit të kontinenteve,
oqeaneve peshqit hanë fiber-optiket,
si spageti digjitale, dhe në Playstation
ta bëjnë tetë me dy - beso i dashur Orwell
madje dhe sirenat e Sarandës do ta kenë
nga një super-kompjuter në bebzë.
 

AERO-POEZI PËR TITULLIN MISS

Ngjesha ca balona të "lazdruar"
nga ditëlindja e djalit
lloj-lloj ngjyrash, lara-lara
i mbusha me fjalë e vargje
lidha penjtë me një shirit
i lash të pezullojnë - pezull në ajri
projeksion plazmatik-hermetik
drithërime të padukshme
instruksione pro-komunikative
kod me tendenca dinamike
pezullim pendël - pendëlsisht
lehtësi e butë artifiça-plastica
ngrohur sa mrekulli...
le të çmenden "kritikët"
pse jo edhe fansat
ata me shije të sofistikuara
për timen aero-poezi

S'vonoi shumë mendja më tha
mirë-mirë por jo dhe aq mirë
nuk të pëlqejnë balonat
prej llastiku të lirë
s'janë edhe aq të besueshëm
provo njëherë me prezervativë

Kisha të drejtë – s'isha kujtuar
me kohë të fryja ca të tillë
100% të sigurtë...
të markës më të mirë
të papërshkueshëm, “energy shield”
prezervativët s'janë balona ordinerë
por... materiale speciale
testuar njëmijë herë, “high-pressure”
prapëseprapë transparentë
masë brenda masës së fryrë
ajër thuaj brenda vetë ajrit
mund të shihen “accessoires”
të vargjeve... o la la, fluiditet
telat e kuq a të kaltër
si telefonat klasikë prej qelqi
dhe njëkohësisht të flesh i qetë

HIDRO-POEZI PËR TITULLIN MISS

(jo)natyrshmëri estetike
E dashura ime s'ka dhëmbë të vërtetë
dhëmbët e saj janë mobil (s'janë stabil)
artificialitet janë, art i dentistit specialist,
manufakturë artizanale e përkryer, si lodër
ashti në punëtorinë e Mickey Mouse - dhe
çdo natë dalin nga goja... mëngjeseve
kthehen prapë, në trajektoren e zakonshme
nga gota plot ujë çezme mbi komodinë
në gojën e saj plot "aromë pepermint-i"...
Aty në gotë bëjnë gjumin sterilizues, relaksim
nate - natyrisht, rrugëtim rutinor i përkohshëm
për në hidro-laboratorin e mirëmbajtjes
një lloj gjumi vullnetar jashtë elementit, ose
gjumë i lëngshëm - kjo shpikje moderne
hidro-ambient i qëllimshëm për gjumësinë,
patjetër dhe prehje analitike për bardhësinë,
pastrim kimik deri në atomikën e fjetur, proces
i konsoliduar tashmë për bukurinë natyrale,
funksional deri në vrasjen mikro-organike,
në esencë i padukshëm (veç fluskave),
askush nuk sheh çfarë ndodhë më tej
brenda kimisë, s'është as nevoja të kërkohet
brenda thelbit të natyrshmërisë - dihet
çdo gjë do të ndodhë pashmangshëm, cikël
në emër të perfeksionizmit denta-material
deri në imtësitë e pakapshme strukturale
kërkohet thjesht pamje perfekte dentale,
bardhësi natyrale, sa më shumë shkëlqim
për një dite të re - kur të jetë kthyer prapë
ky mekanizëm kyç... aty në vendin e vet!

S. Guraziu - "Terraforma Poetica - I", 2010

Për kontakt dhe reagime: letrat1@yahoo.com