Nga Qemal Sakajeva
Fatet e autorëve e i veprave të tyre, edhe mund të ngjasojnë, po s’mund të jenë vëllezër siamezë. Te ky lloj ndryshimi, që përbën pangjashmëri, futet edhe libri “Nëna Kosovë - Shqipëria e vërtetë”. Dr. Vasfi Samimi - Visoka, që, aspak për nostalgji, mbarti si zhguall emrin e vendlindjes për mbiemër të përngjitur, duke e shkruar atë vepër, i dha vetvetes dy përmasa të atdhetarit. Gjysmën e parë ai e përmbushi me kthimin, në Shqipëri, më 1929. Pas një shkollimi perandorak, në Stamboll, dhe gjermanik, në Berlin, me një britmë të vetme lëshuar për kthim, nxitimthi erdhi në atdhe. Firma e Mbretit Zog, në dekretin për emërimin e tij në detyrë, dukej si një nder që Mbretëria po i bënte të emigruarit që vocërrak, nga Visoka e Mallakastrës, por vitet e mëpasme vërtetuan se Dr. Samimi ishte ai që i bëri nder Mbretërisë. Shqipërisë ai i përkushtoi dijet, edhe pse i pakënaqur, në frymën e fundit, të dy bijve, Ergjinit dhe Gencit, u tha se po ikte nga kjo botë me pengun se “Nuk kam shprehur as 1/3 e asaj që kam për të thënë” dhe se “Po shkoj duke marrë me vete ¾ e asaj që desha të shpreh e komunikoj”, ndërsa ne gjendemi para habisë të 28 veprave të tij, tashmë të botuara! Kurse, më 1938 shkeli në Kosovë, të cilës i dorëzoi shpirtin pa asnjë kusht. “Nëna Kosovë”, e shkruar nga pesë udhëtimet e tij atje, e botuar libër më 1943, ishte letër, bojë, shkronja, frymë dhe ide. Është një rast i rrallë, madje fort i rrallë, se si vetëm një libër mundi të barazpeshonte, sa, me dy gjysma të barazvlefshme, të ndërtohej personaliteti i Dr. Samimit - krahas kontributit të jashtëzakonshëm në shkencën e veterinarisë, vuri vulën e tij të pashlyeshme në çështjen kombëtare, në një periudhë dramatike e tragjike për kombin. Ai ka shkruar që, “Po të mos e kisha shkruar librin për Kosovën, sytë e mi në varr do të mbeteshin të hapur”.
Libri “Nëna Kosovë” dhe autori, u përballën e u mbijetuan katër kohëve.
Koha e parë (1938 - 1944), qe klithma dhe dehja e një intelektuali të njëmendtë, duke marrë në mbrojtje gjysmën tjetër të vetvetes. Aq i ndjeshëm, romantik e racional qe, sa që, më 1968, në plazhin e Bunecit të Lukovës në Sarandë, shoferi që e ka çuar pesë herë në Kosovë, më pati treguar se, Dr. Samimi e ka shkruar “Nëna Kosovë” duke lotuar, i pushtuar fuqishëm nga mendime e ndjesi të paprovuara.
Koha e dytë dhe e tretë (1945 - 1998), kapërthuren bashkë, sepse u përftua simbioza e çuditshme, ndëshkim - mistifikim. Diktatura i goditi ashpër që të dy, Dr. Samimin e rrasi në burg për Kriminel Lufte (!) dhe përndjekjen e pati hije deri në vdekje, ndërsa “Nëna Kosovë” u varros aq thellë sa autori kurrë nuk mundi ta shohë të ribotuar e, kur i mbylli sytë përgjithmonë, ky mbeti pengu i dytë, dhe i fundit, që ua numëroi të bijve. Por përballë pushtetit, u shfaq jopushteti, i cili e mbarti jehonën asisoj sa, përveç që nuk e la të vdiste e harrohej, thuajse i mistifikoi të dy, vetëm për t’i mbijetuar. Por, si shumë gjërave në këtë botë, të cilave ndalimi i dhunshëm u bie përsipër më keq se dheu i rëndë varreve, Dr. Samimi kishte lënë pas veprën në fletë të zverdhura, mbyllur kutiave të kartonit nën pluhur, pa guxuar të besonte se bashkë me to kishte trashëguar asi djemsh të cilët, duke botuar kolanën 28 vëllimshe, libri i 3-të i të cilës është “Nëna Kosovë”, ata u vërtetuan bij të denjë e të ditur, që çmojnë e të zot të përmbushin, sepse kryen një zhvarrim të pashembullt e përjetësuan dijet që zotëroi dhe dha i ati.
Koha e katërt (1999 - 2008), është e vërtetimi. Nëse klithma kundër padrejtësisë ishte revoltë e shpirtit, nëse romantizmi në Tokat e Liruara ishte dehje nga një gjendje e pabesueshme, ajo që e bëri jetëgjatë librin “Nëna Kosovë” janë idetë që Dr. Samimi ka shprehur me kurajë të pazakontë, që më 1938, ose 26 vjet pas lënies jashtë kufijve të shtetit shqiptar, të gjysmën së territoreve të tij.
Dhjetë vite kohë, që nga 24 marsi 1999, kur NATO sulmoi Jugosllavinë e mbetur, për të çliruar Kosovën, dhe deri më 17 shkurt 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë, idetë e shprehura nga Dr. Samimi në “Nëna Kosovë”, kishin dalë nga ndëshkimi e mosdëgjimi në vërtetim e jetësim. Përkushtimi i tij, në fillim të librit, mbeti i gjithëkohshëm, tek shkruante që “Ky libër u dedikohet martirëve të motshëm e të ri, të kohërave të kaluara e të ditëve të sotshme, që kanë rënë dëshmorë për lirinë e kombit e t’atdheut.
Në këtë libër nuk ka politikë, shovinizëm dhe pamje të njianëshme, por ka vetëm nji parashtrim të sinqertë për një të vërtet të shenjtë njerëzore. 1938 - 1943. Tiranë - Kosovë”. Dr. Samimi i druhej shenjimit si shovinist, siç edhe sot lëshohen shigjetime të tilla, që i stepin autorët në vetëcensurë, por ai e tha me plot gojën se, “Kosova është aq shqiptare sa nuk kishte nevojë për një vërtetim të vulosur”. Për ta pranuar këtë të vërtetë të patronditshme, ai së pari i drejtohet Serbisë, ashtu si edhe sot e gjithë ditën bëjnë autorë të tjerë, duke theksuar se, “Ky libër u zgjaton dorën të gjithëve, sidomos apelon drejt ndërgjegjes së pastër të humanistëve fqinj serbë!”, nga që ai dyshon se ata nuk ishin atëherë siç, fatkeqësisht, nuk janë as sot. Dhe druan se do të dalin njerëz e politika, kundër këtyre pikëpamjeve, por ato ai i cilëson qendrime despotike dhe absolutiste që “nuk duan të lejojnë jo vetëm një protestë për një padrejtësi, por dëshirojnë edhe të ndalojnë vajtimin mbi një viktimë”, e, sqaron me germa të mëdha pozicionin vetjak dhe të popullit në të dy anët e kufirit, duke vënë në spikamë se, “Ne shqiptarët nuk jemi shovinista dhe e dimë fare mirë se kjo nuk na përshtatet aspak. Ky vetëmohim nuk rrjedh nga vogëlsija e tokës dhe e popullsisë s’onë, por rrjedh nga madhësija shpirtërore e qënies t’onë kombetare e historike”.
Dr. Samimi ka parathënë, i zhgënjyer, atë që shqiptuan autorë dhe njerëz të zakonshëm deri në pafundësi, edhe pak para se SHBA në krye të NATO-s, të ndërmerrnin luftën e drejtë për çlirimin e Kosovës: “Qytetërimi europjan, si i kishte mbyllur sytë përpara kësaj padrejtësie që i ishte bërë një kombi të vogël e të pafajshëm? Ky vend nuk ishte as Afrikë dhe as Azi, por ishte Europë, një kënd i Ballkanit!”. Dhe, kur ky njeri, me shpirt vlues, përjetoi emocione të thella (si ne sot në Kosovën e çliruar), duke udhëtuar asaj here, në Tokat e Liruara, (ai lirim qe si lulja e brishtë para ngricës së ashpër), qe aq i ditur sa të vërente pasojat e ndarjes së padrejtë, siç edhe ne kundrojmë e kritikojmë sjellje të dyanshme, që vijnë nga ndarja e gjatë: “Historija, politika, lufta dhe e drejta njerëzore na kishin njohur hakën. Tashti çdo gjë ishte për ne. Por me gjithë këtë, Kosova e bukur ende qëndron lark. Kufijt politikë, artificjalë, të vizatuar prej të huajsh ende nuk ishin shëmbur…Shpirtërat, mendjet, zemrat t’ona ishin bashkuar si përpara, por trupi, lënda, vatrat dhe arat ende ishin lark njëri tjetrit. Me të vërtetë ky çast ironik, organizuar prej dreqvet të skëterrit ishte “drama më mallëngjyese” e historisë shqiptare”. Pulsimin e përbashkët për çështjen e zhvillimit, ai e sheh fort qartë, tek shkruan se, “Atdheu jonë tashti fillon prej lindjes dhe mbaron në perëndim, agon në “Fushat e Kosovës” dhe perëndon në “Detin e kaltërt të Vlorës”, apo po ta shprehim me mendimin e sotëm, janë autostrada ose Rruga e Kombit Durrës - Prishtinë dhe Shëngjini që bëhet porti i Republikës së Kosovës në brigjet e Adriatikut. Dr. Samim u thërriste njerëzve, siç u thirret edhe sot e gjithë ditën, që të shkunden, të hapin sytë, siç shkruante, drejt “qytetërimit modern europijan…Bëje kryengritjen shoqërore dhe kulturore. Nuk duhet të mbetesh në mes të Europës si një element i huaj, i braktisur dhe i hedhur në një anë. Për ndryshe të pret një rrezik i math. Përfito nga shpëtimi dhe bashkimi i sotëm. Kërko një ardhmeni të re…Ti me kryengritjen t’ënde kulturore e shoqërore duhet të ndryshosh krejtësisht qënien t’ënde. Vetëm në këtë mënyrë do ta fitosh të drejtën e ekzistencës e të jetës. Çoji sytë nga dheu në diell! Vetëm atëherë mund të ndryshohesh prej “Njeriut orjental në njeriun oksidental, dhe vetëm atëherë do të jesh i fortë dhe i lumtur”!”.Ai e dinte aq thellë gjendjen e shoqërisë sa, siç në mjekësi njihte sëmundjen dhe këshillonte barnat, edhe në përparimin e vendit, e shihte gruan si gjysmën tjetër të fuqisë, dhe jo vetëm si të tillë, por rrëfen mënyrën e zhvillimit, kur qartëson se “Shoqërinë tonë mundet ta lartësojë vetëm një grua europiane me një botëkuptim perëndimor”.
Edhe sot e kësaj dite, si në kohën kur shkruante Dr.Samimi, kishte një ethe e, sëmundja nuk i lëshon politikat në Beograd e mbështetësit e tij, duke akuzuar se, Serbisë i qenkan marrë territoret, se ështe shkelur e drejta ndërkombëtare, se Kosova është “Jeruzalemi serb”, se është bërë ndryshimi i kufijve me armë, se NATO ka kryer një luftë pushtuese ndaj Serbisë, Dr. Samimi shtronte si detyrë të madhe që, “Përpara botës duhet të tregojmë që nevojat t’ona më të mëdha kombëtare nuk janë as sulmet, as grabitjet, as sundimet dhe as gjakrat, por dëshirat dhe idealet t’ona të larta përmblidhen rreth një revolucioni shoqëror dhe ekonomik, për një lumturi, qytetërim perëndimor… këto mendime e ndjenja nuk janë vetëm për Shqipërinë t’onë të vogël e të gjymtuar, por përmbledhin edhe Shqipërinë e re, Shqipërinë e vërtetë! Ky është ndryshimi rrënjësor që na ndan nga kolonialistët shovinistë jugosllavë dhe nga udhëheqësit absolutë të Beligradit… Çdo njeri, nga poli i veriut në atë të jugut, nga lindja në perëndim duhet ta dijë se populli shqiptar, i sigurtë për të drejtën e tij etnike mbi Kosovën, është gati për një plebishit të drejtë sqaronjës!” dhe, politikanëve, intelektualëve shovinistë dhe kishës serbe, të sotme, Dr. Samimi u është përgjigjur që atëherë, se Kosova për serbët “…ishte vetëm e vetëm një koloni, thjeshtësisht një koloni e asgjë tjetër!...” Dr. Samimi është matematikisht i saktë, duke shprehur të vërtetën kundër sajuesve të tezës së Shqipërisë së Madhe, e cila sorollatet edhe sot e kësaj dite, e shtyrë nga serbët dhe mbështetësit e tyre, nëpër tavolina politike, për të mundur të pengohet njohja edhe më e shpejt ndërkombëtare e Republikës së Kosovës dhe përparimi i saj. Dr.Samimi theksonte që, “… duhet ta dijë e gjithë bota që ne jemi një komb mikpritës dhe si një familje e tillë nuk duam të kapërcejmë asnjë “milimetër” kufirin tonë dhe nuk duam të grabisim asnjë “milimetër” tokë jashtë caqeve tona etnike që janë caktuar prej natyrës, historisë e fatit hyjnor… Ne duam t’ia respektojmë dhe ta realizojmë miqësinë vëllazërore me fqinjët tanë…Çdo njeri duhet ta dijë se ne nuk duam asnjë Shqipëri të vogël, asnjë Shqipëri të madhe, por duam vetëm e vetëm një Shqipëri të vërtetë!...”. Dr.Samimi, edhe pse ka shkruar kthjelltësisht për të ardhmen, qysh më 1938, në mënyrë parashikuese ka thënë për 80 vite më pas, sikur të mos kishte udhëtuar atëherë në Tokat e Liruara, por sot tek shkruan që “Çlirimi i Kosovës,.. për ne, nuk është vetëm një ndreqje politike, një fitim lufte, ose një çështje historike!...Jo! Përkundrazi. Kjo për ne është një gjë më e madhe! Është një diell që na rrëmben të gjithëve së bashku, pa ndonjë ndasi, si atë të riun, ashtu edhe të vjetrin e të paditurin, positivin e negativin, aktivin e pasivin, sosjalin dhe asosjalin, të gjithë shqiptarët në gjirin e vet, për një lartësim jetik dhe për një lumturi të përgjithshme kombëtare”. Si të jetonte m’u në kohën e pasçlirimit dhe të paspavarësimit, Dr. Samimi përpiqet të kthjellojë mendjet e njerëzve që dolën të vuajtur nga kolonializmi serb dhe lufta barbare që ai zbatoi për ta spastruar, duke thënë që serbët “shkencën e kanë përdorur si një vegël grabitëse, planin si një vjedhje shfaruese, programin dhe sistemin si një kurth të ndyrë për zhdukjen e një pjese të kombit të vogël, kurse neve të gjitha këto mjete të qytetërimit e të përparimit do t’i përdorim si një vegël të sinqertë e fisnike për lartësim, lumturi e qytetrim…Prandaj Kosova për neve nuk është një Siberi, por është një Tempull, ku ngjallen dhe jetojnë të gjitha vlerat tona kombëtare!...”
Libri “Nëna Kosovë”, i përfshirë në volumin nr.3, të kolanës së veprës 28-të vëllimshe, është botuar përpikmërisht, me tërësinë e elementëve, që nga kopertina deri në kopertinë, si herën e parë, më 1943, në shenjë homazhi për një dëshmore. Ai nuk ka më shumë se 150 faqe, por aq shumë sa e ka të spikatur frymëzimin romantik entuziastë gjatë udhëtimeve në Tokat e Liruara, më shumë se aq në të janë hedhur ide të shumta, të cilat mbeten problematika për intelektualë të fushave të ndryshme, politikanë, gazetarët, mjekët, juristë, arsimtarë, sociologët. Nëse Dr. Samimi do të kishte jetuar deri në përjetimin e çlirimit të Kosovës dhe pavarësimit të saj, vështirë se mund të thurte mendime më të thella, më të ndjera, më të sakta e më të vërteta, nga ato që ka shprehur 80 vjet më parë, siç, tek shkruante që, “O Kosovë… Tani të dashuroj më tepër se çdo herë, por jo si një shovinist i verbër, jo si një nacionalist i flaktë, por të dua më tepër si njeri i thjeshtë, si njeri që adhuron të drejtën!”
Filozofi Rene Raymond ka shkruar që, “Historia e ideve nuk rregullohet vetëm dhe kryesisht përmes determinizmit të jashtëm, nëse ato nuk u bëjmë jehonë ideve të kohës. Shpesh e vërteta shkencore është sharë dhe pështyrë, por ajo ruan gjithmonë aspektin autonom, pavarësisht ngjarjeve, sukseseve dhe disfatave. Pushtetet politike janë të përkohshme”.
Edhe me “Nëna Kosovë”, dhe vet Dr. Vasfi Samim-Visokën, ndodhi poashtu: Koha e parë qe suksesi. Koha e dytë dhe e tretë qenë dënimi, sharja e pështyrja kundër qendrimit ndaj një të vërtete historike. Por autori dhe libri mbartën ide të drejta, të mëdha, të pazhbëshme, ndaj u mbijetuan pushteteve politike dhe, ja ku jemi sot: Kosova është e çliruar, ndërsa libri “Nëna Kosovë” mbetet një mbrojtëse e paepur e saj.