Nga Alfred Beka
Boshtin kryesor tematik të këtij numri të revistës “Loja” e përfshin rubrika “Laboratorët teatrorë”, në të cilën, përmes shkrimeve të autorëve të tillë si: Franco Ruffini, Beatrice-Picon Vallin, Zbigniew Osinski, Nando Taviani e Mirella Schino, në rreth 70 faqe, për herë parë në shqip, përmes disa shkrimeve me karakter analitik, jepet një pasqyrë e plotë e lindjes, rritës dhe zhvillimit të orbitës së laboratorëve teatrorë në shekullin 20 nga mjeshtrit e mëdhenj të skenës teatrore botërore, të tillë si: Konstantin Stanislavski, Vsevolod Meyerhold, Jerzy Grotowski e Eugenio Barba.
Rubrika pasuese i kushtohet Teatrit Laborator Loja, në të cilën, krahas shkrimeve me karakter informativ mbi themelimin, fizionominë dhe formatin artistik të këtij teatri, kanë zënë vend edhe disa shkrime kritike të autorëve Jeton Neziraj, Arian Krasniqi, Besim Rexhaj, Elizabeth Gowing e Jovan Qirilov për shfaqjen “Këmisha e gjakut”.
Më tutje, në kuadër të rubrikës “Teatri i Grotowski-t”, ka zënë vend shkrimi autorial “Nga kompania teatrore te arti si mjet” i Jerzy Grotowski-t, i cili është një paraqitje e detajizuar e ideve, koncepteve dhe bindjeve krijuese për teatrin e këtij regjisori dhe mjeshtri të shquar të përmasave botërore.
Ndërkaq, te rubrika “Teatri i Shakespeare-it”, për herë të parë në shqip, nën titullin “Harrojeni Shakespeare-in” botohet cikli i përmbledhur i disa ligjëratave të regjisorit Peter Brook.
Një shtojcë më vete paraqet rubrika “Studime krahasimtare”, në të cilën ka zënë vend shkrimi komparativ “Struktura etike e tragjedive të Eskilit dhe Sofokliut” e studiuesit japonez Kazuhiko Yamamoto, i cili, veç tjerash, njihet edhe me studimet e tij të veçanta krahasuese për traditën zakonore shqiptare.
Përvoja e gjithanshme dhe jashtëzakonisht interesante krijuese e aktorit japonez Yoshi Oida shpërfaqet, në kuadër të rubrikës “Studioja e aktorit”, përmes shkrimit “Në prapaskenë dhe në skenë”.
Në rubrikën “In Memoriam”, përmes biografive të përmbledhura, evokohen dy artistët e shquar, tashmë të ndjerë, të skenës teatrore e filmike kombëtare, Agim Qirjaqi e Bep Shiroka, si dhe aktori i shquar i përmasave botërore, Bekim Fehmiu. Jeta dhe vepra krijuese e Bekim Fehmiut dhe e Agim Qirjaqit kanë zënë një vend të veçantë edhe në faqet e rubrikës “Portrait & Memory”, në të cilën, përmes disa shkrimeve autoriale dhe intervistave, ndriçohen dhe paraqiten detaje, aspekte dhe dimensione të veçanta të jetës krijuese e artistike të këtyre dy artistëve të mëdhenj. Në kuadër të kësaj rubrike, për herë të parë në shqip, botohen edhe tri fragmente nga libri i Bekim Fehmiut “Shkëlqim dhe tmerr”. Ky numër i “Lojës” përmbyllet me rubrikën “Drama”, në kuadër të të cilës, në përkthim të Eqrem Bashës, për herë të parë në shqip botohet drama e njohur e Fernando Arrabal-it “Varreza e veturave”. Pjesë përbërëse e kësaj rubrike janë edhe shkrimet “Dramaturgjia e re e Kosovës” dhe “Enea i historisë sonë”.