2011-05-29

Panairi Ndërkombëtar i Librit në Prishtinë nga 3-8 qershor 2011

Pesë ditë para se të nisë për të 13-ën herë me radhë ekspozita më e madhe e librit në Prishtinë, organizatorët po seleksionojnë listën e pjesëmarrëseve. Ata kanë siguruar se do t’u japin tezgë me qira vetëm shtëpive të mirëfillta botuese.
Besian Zeneli nga Shoqata e Botuesve të Kosovës ka thënë se panairi i sivjetmë do të jetë një festë e vërtetë e librit, e jo vetëm tregti me të. Ndër ngjarjet që ai ka përmendur që do ta veçojnë edicionin e sivjetmë, është lansimi i botimit në shqip të librit autobiografik të aktorit të madh shqiptar, Bekim Fehmiu, “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme”. Librin në panair e sjell “Botimet KOHA”. Në Panairin Ndërkombëtar të Librit që do të mbahet nga 3 deri më 8 qershor, sipas Zenelit, pjesëmarrjen e kanë konfirmuar diku 60 deri në 70 shtëpi botuese.
“Shoqata ka marrë vendim që në Panair të ketë vetëm botues të mirëfilltë, e jo vetëm libërshitës. Është kusht që librat të shiten vetëm në stendën e vet. Dora e dytë e shitjes së librave nuk mund të ketë zbritje në çmim, e përshtypja që krijohet është se panairi nuk po ka zbritje”, ka thënë Zeneli.
Ai ka thënë se është kërkuar nga botuesit që të kenë zbritje së paku 20 për qind.
“Por disa na kanë thënë se do të kenë zbritje deri në 30 e 40 për qind”, ka thënë Zeneli.
Nënkryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës nuk ka mundur të konfirmojë mysafirët që do të jenë prezentë për këtë panair.
“Nuk mund të jap ende emrat, sepse me ata të cilët jemi në negociata deri në momentin e fundit nuk e dimë nëse do të mund të vijnë”, ka thënë Zeneli, teksa ka përmendur se këtë vit do të ketë së paku 6 përvjetorë të shkrimtarëve shqiptarë që do të festohen në këtë panair. Por Zeneli ka dalluar një të veçantë që do ta shënojë panairin e sivjetmë.
“E veçanta është se njerëzit me padurim e kanë pritur librin e Bekim Fehmiut, dhe lajmi që ky libër do të vijë në shqip, pikërisht në këtë panair, është mirëpritur shumë. Kjo e madhështon edhe panairin”, ka thënë Zeneli, teksa ka shtuar se në panair do të prezantohen edhe tituj tjerë të rinj.
Gjatë këtij muaji në Prishtinë qe mbajtur edhe një tjetër panair libri, të cilin për herë të parë e kishte organizuar Unioni i Botuesve të Kosovës, i formuar rishtas. Shoqata e Botuesve e Kosovës kishte reaguar se mbajtja e një panairi paralel, vetëm pak kohë para se ajo të organizojë për të 13-ën herë panairin tradicional po shkakton konfuzion te botuesit.
“Ishte shkaktuar konfuzion dhe shumë botues mendonin se panairi tradicional nuk do të mbahet fare. Por tashmë kemi informuar njerëzit”, ka thënë Zeneli.
Alban Zeka, përfaqësues i shtëpisë botuese “Dukagjini”, që nuk kishte marrë pjesë në panairin e organizuar nga shoqata, ka thënë se do t’i thonë “jo” edhe pjesëmarrjes në këtë panair.
“Nuk kemi dashur të kuptohet se po përkrahet njëri grupacion, ndërsa ne kemi qenë kundër ndarjes dhe organizimit të dy panaireve”, ka thënë Zeka.
Arsim Hashani, përfaqësues i librarisë “Artini”, që përfaqëson shtëpinë botuese “Toena”, ka thënë se do të marrin pjesë edhe në këtë panair.
“Harxhimet e shumta që kanë qytetarët në këtë kohë për gjëra tjera, bëjnë që libri në njëfarë mënyre të mbetet në rend të dytë, megjithatë ne do të marrim pjesë edhe në këtë panair”, ka thënë Hashani.
Edhe këtë vit Panairi Ndërkombëtar i Librit do të mbahet në sallën e kuqe, në galerinë dhe korridorin e Pallatit të Rinisë në Prishtinë. Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sporteve, për panairin e sivjetmë ka ndarë 2 500 euro, ndërsa kishte mbështetur edhe panairin që gjatë këtij muaji është mbajtur në Prishtinë.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...