1. Çështje të historisë së kërkimit
Një
shekull më parë, saktësisht në vitin 1897, Faik Konica tërhiqte
vërejtjen për varfërinë letrare të letrave shqipe, duke shtuar se ajo
nuk kishte më shumë se pesë a gjashtë libra cilësor[1].
Ky
konstatim për letërsinë shqipe nuk do të dukej shumë i rëndësishëm për
kohën tonë, sikur të mos ishte përpjekja e parë për të sjellë sintezën e
plotë të pasurisë historiko-letrare në letrat shqipe dhe sikur ky
vlerësim të mos na bëhej sinonim i mendimit tonë kritik për gjendjen
shkencore të studimeve albanologjike, sot, një shekull më vonë.
Pas
këtij konstatimi të Faik Konicës, përpjekjet për të vlerësuar shkencën
dhe kulturën shqiptare nuk kanë munguar, por ka munguar përpjekja për
të organizuar atë në nivel të institucioneve shkencore kombëtare dhe të
instituionalizuara. Në vitin 1940, bëhet përpjekja e parë për të
themeluar një institucion shkencore, i cili do të merrte përsipër jo
edukimin arsimor, misionin e të cilës e kryente Normalja e Elbasanit, po
kërkimin shkencor, përkatësisht institucionalizimin e tij në shkallë
kombëtare. Po në këtë vit organizohet ne Tirane një Kongres i Studimeve
Shqiptare, në të cilin merrnin pjesë, përveç shqiptarëve, edhe
albanologë të shquar, sado për fat të keq, vetëm të proveniencës
italiane. Nga ky kongres lindi
Instituti i Studimeve Shqiptare me qendër në Tiranë[2].
Pas
Luftës së Dytë Botërore, janë bërë përpjekje sistematike për formimin e
institucioneve arsimore dhe shkencore në fushë të albanologjisë. Në të
njëjtën kohë janë organizuar takime shkencore për të caktuar orientimet
teorike, metodologjike dhe madje ideologjike të së ardhmes së shkencës
shqiptare.
Në
vitet 1948–1952, në Tiranë dhe në Prishtinë, janë bërë përpjekje për
të parë gjendjen e studimeve (më shumë ideore) brenda institucioneve
shkencore në Tiranë dhe në Prishtinë, me theks të veçantë të ardhmen e
shqipes standarde.
Në
vitin 1962 organizohet Konferenca e Parë e Studimeve Albanologjike, në
të cilën bardi shkencor dhe ideologjik i kryeprojekteve albanologjike
kombëtare Androkli Kostallari përvijonte në kryereferatin e tij
sintezën e madhe, drejtimet, fushat dhe kufijtë e studimeve
albanologjike, ndërsa veç tjerash premtonte se do të bëheshin objekt
studimi edhe vepra e “atyre shkrimtarëve të njohur të së kaluarës, si
Gjergj Fishta, Faik Konica, Zef Skiroi etj.”[3]
Pavarësisht nga ky premtim, sikur dihet, veprat e disa krijuesve dhe
rezultatet e disa projekteve jo vetëm nuk do të studiohen, por do të
bëhen objekt harrese dhe sulmi. Institucionet shkencore në Tiranë do të
bëhen strumbullar i disa prej projekteve të mëdha shkencore, si:
Kongresi i Drejtshkrimit, Konferencat e studimeve ilire etj., por nuk do
të arrijnë të dalin nga gëzhoja ideologjike e sistemit, dhe më shumë se
reflektuese ato u bënë refuzuese të arritjeve të reja.
Në
këtë rrjedhë, në Tiranë institucionet shkencore, arsimore dhe kulturore
shënojnë një mbyllje të jashtëzakonshme brenda kufijve politik dhe
ideologjik, duke përjashtuar madje edhe letërsinë e shkruar në Kosovë
nga Historia e letërsisë shqipe e gjysmës së dytë të shekullit XX[4],
ndërsa të njëjtin mision kryejnë edhe studiuesit shqiptarë në Europë
dhe Amerikë. Ndonëse vërehen hapa të rëndësishëm bashkëpunimi dhe
komunikimi,
sidomos në përpjekjen e përbashkët për shqipen standarde, pikërisht në
këtë dekadë vërehen hapa tepër të veçantë për projektimin separatist të
kulturës shqiptare. Mirëpo, reagimet edhe kësaj here nuk kanë munguar. Në fushë të gjuhës shquhet insistimi i Profesor Idriz Ajetit që në Seminaret e albanologjisë të projektojë kontekstin ballkanik[5] dhe ai i Profesor Rexhep Qosjes për projektimin evropian të gjuhës, letërsisë dhe përgjithësisht kulturës shqiptare. Profesor Rexhep Qosja, që në vitin 1969, veç tjerash kishte shkruar traktatet për studimet albanologjike,
institucionet dhe perspektivën evropiane të tyre[6],
që mund të quhen edhe përgjigje koncepteve të Androkli Kostallarit të
paraqitura në Konferencën e parë të studimeve albanologjike (1962).
Po
në këtë periudhë, në Kosovë bëhen përpjekje individuale dhe kolektive
për të dalë nga rrethimi. Në vitin 1968 rihapet Instituti Albanologjik
dhe po këtë vit organizohet Konsulta Gjuhësore e Prishtinës. Në vitet
’70 themelohet edhe Universiteti i Prishtinës, ndërsa në vitin 1974
fillon punën Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën
Shqiptare. Në fushë të
ndërkombëtarizimit të albanologjisë Seminari paraqet institucionin më të
rëndësishëm nacional, përmes të cilit bëhet i mundur popullarizimi i
albanologjisë si shkencë dhe historisë e kulturës shqiptare si pjesë e
kulturës universale. Po në këtë kohë hapet edhe Akademia e Shkencave në Prishtinë dhe në
Tiranë.
Përpjekjet
për të vlerësuar e rivlerësuar studimet albanologjike dy dekadat e
fundit janë bërë kryesisht në fushë të historisë dhe të letërsisë, me
qëllim të çlirimit të saj nga konceptet ideologjike[7].
2. Vendet dhe institucionet
Duke
iu kthyer edhe njëherë identifikimit të hapësirës ku janë krijuar
institucionet shkencore dhe arsimore në fushë të albanologjisë, duam që
njëkohësisht të bëjmë edhe një sistemim të tyre historik dhe
kronologjik. Sikur është konstatuar shumë herë deri më tash, nga gjysma e
dytë e shekullit XX, institucionet e kërkimeve albanologjike nga
hapësira e kolonisë se arbëreshëve të Italisë dhe nga hapësira
gjermanofone e Austrisë dhe e Gjermanisë kaluan në hapësirën shqiptare:
Tiranë, Prishtinë, Shkodër, Shkup e kështu me radhë.
Në Tiranë, tashmë një gjysmë shekulli, ku më parë e ku më vonë, janë themeluar: Universiteti
i Tiranës, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Qendra Enciklopedike,
Instituti i Gjuhësisё dhe i Letërsisë, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja,
Instituti i Folklorit, Instituti i Historisë, Instituti i Arkeologjisë
dhe revistat shkencore: Buletini i Universitetit të Tiranës, Studime historike, Studime filologjike, Iliria, Kërkime folklorike etj.
Një qendër po kaq e organizuar në fushë të albanologjisë, madje me një
traditë të fortë gati njëshekullore në fushë të filologjisë, po në të
njëjtën kohë u bë Shkodra. Në këtë qytet të Veriut të
Shqipërisë me kohë u themeluan Universiteti “Luigj Gurakuqi”,
Biblioteka “Marin Barleti” dhe më vonë Seminari i Albanologjisë, Muzeu i
Shkodrës, Seminari ndërkombëtar “Shkodra në Shekuj”. Brenda tyre u
botuan disa revista dhe kolana shkencore: Kolana e botimeve të
trashëgimisë, kryesisht e botimeve para Luftës së Dytë Botërore e Kishës
Katolike, Buletin shkencor, Pheonix, Hylli i Dritës, Kolana e seminarit “Shkodra në shekuj” etj. Pas rënies së komunizmit shkollat e larta pedagogjike u kthyen në universitete. Në Elbasan u themelua Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, dhe filloi botimi i Buletinit të Universitetit; në Korçë u themelua Universiteti “Fan Noli” dhe filloi botimi i Buletinit të Universitetit, ndërsa tash së fundi po punohet për themelimin e një qendre të studimeve ballkanike; në Gjirokastër u themelua
Universiteti “Eqrem Çabej” dhe filloi botimi i Buletinit të Universitetit, ndërsa në Vlorë u themelua Universiteti “Ismail Qemali” dhe filloi botimi i Buletinit të Universitetit.
Të
një moshe me disa nga institucionet e larta arsimore dhe shkencore me
të Tiranës janë edhe disa nga institucionet arsimore dhe shkencore të Prishtinës. Nga fillimi i viteve ’50 në Prishtinë kanë filluar të themelohen disa nga institucionet më të rëndësishme shkencore:
Universiteti i Prishtinës, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës,
Instituti Albanologjik i Prishtinës, Instituti i Historisë së Kosovës,
Arkivi i Kosovës, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe
Kulturën Shqiptare. Brenda tyre janë botuar dhe kanë fituar moshën e
pjekurisë edhe disa nga revistat më të mira shkencore në fushë të
albanologjisë: Studime, Vjetari, Filologjia, Kosova, si
dhe seria e revistave Gjurmime albanologjike dhe Gjuha shqipe.
Ndonëse
të përshkuara nga një trysni e skajshme politike, në Shkup, e më pas
edhe në Tetovë, janë bërë përpjekje për të organizuar institucionet
shkencore dhe arsimore. Brenda Universitetit të Shkupit që nga vitet ’50 funksionon Katedra për Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe, ndërsa brenda saj janë të organizuara drejtimet studimore për pedagogji
dhe për përkthyes e interpretues në gjuhën shqipe dhe maqedonase. Në
gjuhën shqipe dhe në gjuhën maqedonase studiohet dy dekadat e fundit
edhe në Universitetin e Tetovës dhe në atë të Europës Juglindore në
Tetovë e tash së voni edhe në Shkup. Në të tri qendrat nuk ka ndonjë
aktivitet të dendur shkencor në fushë të
albanologjisë edhe pse në Universitetin e Europës Juglindore funksionon
një Qendër e Kërkimeve Shkencore, ndërsa kohëve të fundit ka zënë të
organizohet Seminari i Gjuhës Shqipe edhe nga Universiteti i Tetovës. Në
këtë rrjedhë duam të theksojmë se brenda hapësirës ish-jugosllave
albanologjia studiohet edhe ka një traditë të mirë sidomos në Seminarin e
Albanologjisë në Beograd, themeluar nga linguisti i njohur i përmasave
ballkanike Henrik Bariq, pastaj në Podgoricë sapo është themeluar
Fakulteti i Mësuesisë, e në Ulqin ka një revistë (Lemba) themeluar më shumë se sa një dekadë më parë, e cila albanologjinë e ka bërë mision dhe vizion në këtë hapësirë.
Studimet
albanologjike sot, as nga aspekti historik as nga aspekti i arritjeve
shkencore nuk mund të merren me mend pa njohjen e kërkimeve shkencore në
hapësirën italiane dhe gjermane.
Në Romë që nga mesi i shekullit XX funksionin Katedra
e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe e Universitetit tё Romёs (1957) dhe
pranë saj Instituti i Studimeve Shqiptare, ndërsa rol të rëndësishëm zë
njëra prej revistave shkencore dhe kulturore e mjeshtrit të madh të
letrave shqipe Ernest Koliqit, Shejzat (La Pleidai). Në Palermo vepron Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe, themeluar në vitet 1930–1931, nga historiani i letërsisë Gaetano Petrotta. Brenda saj ndërkaq dalin tri kolana botimesh: Albanica me 27 vëllime; kolana Studi i testi albanesi me katër vëllime; kolana e sapohapur Balcanistica me
dy vëllime të botuara. Brenda këtij
institucioni rëndësi të posaçme ka projekti BESA për mbledhjen dhe
digjitalizimin e leksikut të veprave të autorëve arbëreshë; si dhe të
projekteve të hartuara në kuadër të ligjit të miratuar në vitin 1999 mbi
“Mbrojtjen e të drejtave te pakicave gjuhësore në Itali.” Në Napoli kemi Universitetin e Napolit “L’Orientale”.
Brenda tij kemi katedrën e gjuhës shqipe në të cilën ligjërohet lënda e
gjuhës dhe e letërsisë shqipe dhe filologjia shqipe. Titullari i
lëndëve Profesor Italo Costante Fortino është edhe drejtor i
Departamentit të Evropës Lindore, ku bëjnë pjesë të gjitha gjuhët e
lindjes: shqipja, hungarishtja, rumanishtja, serbishtja, maqedonishtja,
greqishtja, rusishtja, bullgarishtja, çekishtja etj. Punimet shkencore
botohen në kuadrin e departamentit. Posaçërisht për shqipen del revista
voluminoze Albanistica. Një
lektorat i gjuhës shqipe gjendet edhe në Kozencë, ndërsa në
Universitetin e Leçes albanologjia është organizuar në shkallë të
Katedrës.
Studimet
albanologjike janë formuar, janë organizuar, janë bërë shkencë më vete
dhe kanë arritur përmasat e studimeve europiane, që nga mesi i dytë i
shekullit XIX me shkollën austro – gjermane. Sot ajo studiohet në Munih (Munich) pranë Institut
für Vergleichende und Indogermanische, Sprachwissenschaft sowie
Albanologie, Departement II für Sprache und Kommunikation, Fakultüt für
Sprach- und Literaturwissenschaften. Ludwig – Maximilians -
Universität München. Në Munih botohet edhe vjetari shumë i pasur me
studime albanologjike: Indogermanische Forschungen, një nga kolonat
më të rëndësishme të historisë së albanologjisë të shekullit XX. Edhe në Leipzig (Lajpcig) gjuha shqipe mësohet në kuadër të Katedrës së Ballkanistikës, ndërsa në Vjenë (Wien), albanologjia është
mësuar e vazhdon të mësohet në Institutin e Indoeuropeistikës të
Universitetit të Vjenës. Në Vjenë botohet në gjuhën gjermane revista për histori, kulturë, letërsi e politikë Dardania, të cilën e drejton ish-lektori i gjuhës shqipe në këtë qendër Skënder Gashi.
Ndryshe
nga shumë qendra ku shqipja mësohej dhe studiohej në përmasa të
studimeve ballkanike dhe europiane, por se sot aktivitetet rreth saj
janë zbehur, në qendrat universitare dhe shkencore në Poloni, ky interesim shkon duke u zgjeruar.
Në këtë vend shqipja ekziston si lektorat sot në tre institucione
edukuese në Poloni: në Universitetin e Torunjit “Mikollaj Kopernik”, në
Universitetin e Varshavës, pranë Shkollës së Gjuhëve Lindore është
mësuar për dy vjet në filialin e Universitetit “Adam Mickievic” tё
Poznanjit, i cili quhet Collegium Europaeum Gnesnense, dmth. Kolegji
Europian në Gniezno. Në këtë shtet, vendin e mëparshëm të bardëve të
albanologjisë: Cimohovskit,
Profesoreshës Savicka etj., po e zë një brez i ri, në mesin e të cilëve
edhe një shqiptar, Rigels Halili. Po kështu mund të thuhet edhe për
qendrën e studimeve albanologjike në Universitetin e Sofjes. Në këtë
institucion të lartë universitar ekziston Dega
e Ballkanologjisë, e krijuar në vitin 1994 në Fakultetin e
Sllavistikës së Universitetit të Sofjes “Shën Klementi i Ohrit” pranë
Katedrës së Gjuhësisë së Përgjithshme nën udhëheqjen e Profesoreshës
Petja Asenova. Albanologët e kësaj qendreje, drejtuar nga Profesoresha
Rusana Bejleri, kanë krijuar edhe web-faqen elektronike, ku botohen
studime, recensione dhe tekste letrare, në gjuhën shqipe dhe në gjuhën bullgare.
Në këtë krah të studimeve albanologjike bie edhe njëra nga qendrat më
të fuqishme të studimeve albanologjike dhe ballkanologjike
në Shën Petërsburg (Sankt-Peterburg), ku shqipja është organizuar në nivel të Katedrës
së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe dhe ku vendin e bardëve të studimeve
albanologjike, si Agnia Desnickaja e brezi i studiuesve të saj, po e zë
një brez i ri në krye me studiuesin e përmasave ballkanike Profesorin
Rusakov.
Ndonëse
në përmasa më të vogla dhe madje kryesisht në nivel lektoratesh të
mësimit të shqipes standarde, albanologjia studiohet edhe në disa qendra
të Europës qendrore, perëndimore dhe në Amerikë. Gjuha shqipe mësohet
në Londër, pranë Degës së Studimeve Sllave dhe të Europës Lindore,
ndërsa po në këtë qytet punë të mirë në hulumtimin, studimin dhe botimin e veprave në fushë të albanologjisë bën Instituti
i Studimeve Shqiptare, drejtuar nga studiuesi dhe editori Destan
Bejtullahu. Gjithashtu, lektorati i gjuhës shqipe funksionon edhe në Universitetin e Arizonës, ndërsa Katedra
e Gjuhës Shqipe edhe në Paris. Deri më tash, në Budapest për më se një
gjysmë shekulli kurset e shqipes i ka organizuar filologu i përmasave
ballkanike Ishtvan Shvits (István Schütz).
Një
shtrirje më vete ka marrë mësimi dhe studimi i gjuhës shqipe edhe në
institucionet arsimore e shkencore të Greqisë. Në Selanik, pranë Institutit
të Gjuhëve Ballkanike, krahas gjuhës serbe, bullgare, ruse dhe rumune,
mësohet edhe shqipja. Në Janinë dhe në Follorinë kemi lektoratet e shqipes, ndërsa në Athinë ka zënë rrënjë të mira Shoqata shkencore “Lidhja Filologjike Shqiptaro-Greke”, brenda së cilës del edhe revista shkencore Albanogrekica.
3. Orientimet
Shkenca
e albanologjisë i ka tejkaluar tashmë disa çështje, që vetëm disa
dekada më parë i konsideronte themelore në projektet nacionale të saj.
3.1. Në fushë të historisë:
albanologjia
problemin e dikurshëm të gjenezës së popullit shqiptar e konsideron të
mbyllur dhe të pranuar në institucionet ndërkombëtare pa
domosdoshmërinë e mitizimit të saj; çështjen e formimit të kombit
shqiptar tashmë e diskuton në kontekst të identitetit të saj evropian;
projektimin e historisë së popullit shqiptar e konsideron jo si një
histori të Shqipërisë, që në të vërtetë ishte histori e kufijve
shtetëror e politik, po si një histori kombëtare e popullit shqiptar në
kufijtë e saj etnografik. Brenda këtyre kritereve metodologjike pritet
të realizohet projekti i ri i historisë së popullit shqiptar,
enciklopedisë së popullit shqiptar etj., ndonëse për shkaqe të caktuara
në periudhën tranzitore të
kësaj kohe në Tiranë kanë përfunduar të ashtuquajturat projekte
kalimtare Historia e popullit shqiptar deri në vitin 1912 dhe Fjalori enciklopedik shqiptar.
3.1.1. Tema të reja:
rihapja
e çështjes shqiptare; studimet për historinë dhe çështjen çame;
rikthimi i epokës së Skënderbeut (në 600-vjetorin e lindjes); mbështetja
në literaturën ballkanike (përkthimet); kërkimet e Robert Elsies në
arkivat dhe bibliotekat e proveniencës Perëndimore, kërkimet e Musa
Ahmetit në Arkivat e Vatikanit, kërkimet e Iliaz Rexhes në Arkivat e
Turqise, kërkimet e Dhori Qiriazit në Arkivat e Greqisë, kërkimet e
Oliver Shmitit në arkivat italiane dhe austriake, paraqesin kontribute
të veçanta në kërkimet e kësaj fushe.
3.2. Në fushë të gjuhësisë:
albanologjia
ka tejkaluar studimin me çdo kusht të problemeve gjuhësore me karakter
historik dhe madje me metodologji historiciste, ndërsa gjithnjë e më
shumë merret me çështje pragmatike të nevojave të saj: fjalorët
elektronikë, fjalorët terminologjikë, diskutimin e standardit gjuhësor
në kontekst të rrethanave të reja, problemin e standardizimit të
onomastikës etj. Qendrat e studimeve albanologjike në Prishtinë tashmë
janë pjesë e projekteve mbarëkombëtare, sikur është Komisioni
Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, në të cilin tash sa kohë po diskutohen
jashtë prirjeve ideologjike dhe dogmatike disa çështje të standardit të
shqipes, ndërsa pas disa vitesh pune një komision ekspertësh në shkallë
Kosove i ka dhënë fund draftit të
parë të standardizimit të emërvendeve të Kosovës.
3.2.1. Botimet:
botimi
i Atlasit Dialektologjik; përfundimi i botimit të veprave të Çabejt në
fushë të etimologjisë; seria e botimeve albanologjike në gjuhën shqipe
dhe gjuhë të tjera (anglisht e gjermanisht) të cilat nën drejtimin e
Profesor Rexhep Ismajlit po botohen në Akademinë e Shkencave dhe Arteve
të Kosovës; seria e botimeve të trashëgimisë albanologjike drejtuar nga
studiuesja Ledi Shamku në Tiranë; fillimi i botimit të veprave të Jup
Kastratit (Bibliografia albanistike I)[8];
veprat studimore në fushë të fonetikës së shqipes nga Profesor Kolec
Topalli; studimet gjuhësore në fushë të shqipes nga Profesor David Luka;
botimi i veprave të Kole Ashtës Leksiku historik i gjuhës shqipe,
dhe sidomos botimi e ribotimi i shumë fjalorëve dygjuhësorë:
anglisht-shqip, italisht-shqip, gjermanisht-shqip, greqisht-shqip e
anasjelltas, paraqesin disa nga arritjet më të rëndësishme në fushë të
gjuhësisë shqiptare etj. Një fjalor i madh hungarisht-shqip, i Profesor Ishtvan Shvic (Istvan Schvici), i cili pritej të botohej shpejt, tashmë edhe pas vdekjes së autorit ende gjendet në dorëshkrim.
3.3. Në fushë të letërsisë:
përveç
kthimit të autorëve të ndaluar, në Tiranë është zgjeruar metoda
shkencore e studimit, ndërsa në Prishtinë gjithnjë e më shumë, madje
edhe nga brezi i ri i studiuesve, po provohet i ashtuquajturi “studim
personal” i autorëve dhe veprave letrare. Studimet letrare në Tiranë
shkojnë drejt ristrukturimit brenda teorive bashkëkohore të kërkimeve
evropiane, ndërsa në Prishtinë drejt prirjes për të ndërtuar prirjet e
studiuesve të veçantë, sado ato edhe më tej mbeten në nivel të përsiatjeve dhe sikur thuhet të “kërkimit të esencave”.
3.3.1. E veçantë:
studimet
tekstologjike për letërsinë arbëreshe të Matteo Mandalasë dhe projekti
BESA për mbledhjen dhe dixhitalizimin e veprave të autorëve arbëreshë,
drejtuar nga Profesor Françesko Altimari; kërkimet e dr. Zymer Nezirit në Fondin e Eposit të Universitetit të Harvardit, etj. Mbi
tridhjetë vëllime me ligjërata e studime të Seminarit Ndërkombëtar për
Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare paraqesin arritjet më të reja
në fushë të studimit, konferencave dhe kërkimeve postkomuniste në fushë
të albanologjisë.
4. Revistat
Kanë përfunduar “misionin” e tyre letrar: Jeta e re, Nëntori, Jehona, Fjala, Drita etj., dhe vendin e tyre kanë zënë: Përpjekja, Mehr Licht!, Poeteka, Sfidë, Ars, Fjalа, Aleph. Është rikthyer edhe Hylli i Dritës.
5. Perspektiva e kërkimeve albanologjike
Nëse
perspektiva e studimeve albanologjike varet prej perspektivës së
kërkimeve shkencore në vende dhe arkiva shkencore, si dhe prej metodës
së studimit të tyre, atëherë kërkimet albanologjike, përveç në hapësirën
e njohur shtetërore dhe shkencore të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë
dhe Malit të Zi, duhet drejtuar edhe në hapësirën etnike, gjuhësore dhe
etnografike të banuar nga shqiptarët në Greqi; në arkivat mesjetare dhe
antike greke; në hapësirën etnografike dhe gjuhësore e shqiptarëve në
Itali, si dhe në arkivat shtetërore, kishtare, shkencore dhe kulturore
të tyre; në arkivat shtetërore dhe kishtare të zonës bregdetare të
Kroacisë; në Arkivat Shtetërore Turke dhe në Arkivat e Vatikanit, ku po
bën kërkime kryesisht
studiuesi Musa Ahmeti. Pranë Arkivave të Vatikanit dhe Arkivave të
Turqisë është me shumë interes që të themelohen edhe Institutet
shkencore nacionale, të cilat do të merreshin vetëm me kërkimet e kësaj
natyre.
Në
gjuhën, letërsinë, folklorin, historinë dhe etnografinë shqiptare ka
shumë interes të bëhen kërkime në disa qendra shkencore të Evropës
Qendrore: Vjenë, Grac, Mynhen dhe sidomos në fondin “Gangala” të Kopenhagës. Biblioteka Mbretërore e kryeqytetit të Danimarkës (Kopenhagë), në të cilen gjendet edhe Koleksioni “Gangala” (sipas lektorit të shqipes Giuseppe Gangala, 1898–1978),
mund të përmbysë konceptin për themeluesit gjerman të albanologjisë
shkencore. Arbëreshët mund të bëhen jo vetëm prijës të letërsisë së
romantizmit dhe mbledhës të folklorit e përshkrues të etnografisë
shqiptare, por edhe themelues të
shkencës së albanologjisë në gjysmën e parë të shekullit XIX, brenda të
cilës hynë edhe teoria e prejardhjes ilire të popullit shqiptarë e të
gjuhës shqipe.
Në
kërkime të dorëshkrimeve të panjohura deri më tash apo të identifikuara
ndërmjetshëm, përveç veprave të shkruara para Buzukut, në historinë e
re, gjetja e dorëshkrimit të Fjalorit etimologjik të Norbert Joklit, sigurisht paraqet interes të madh për albanologjinë.
6. Rikthimi te Faik Konica
Pas
reagimit të lexuesve për konstatimin e tij se “letërsisë shqipe nuk
kishte veç se pesë a gjashtë vëllime të holla”, Konica “përmirësoi”
mendimin e tij, duke u përgjigjur se kur kishte konstatuar një vëllim
kaq të varfër të letrave shqipe nuk kishte menduar për personalitetet,
por për veprat. “Kultura kombëtare kishte shumë personalitete të rëndësishme që nga ana kombëtare shqiptare janë me rëndësi, – “por ne, – shtonte Konica, – patëm për qëllim të theksojmë vetëm ato vepra që kanë vlerë me vete.”[9]
Kush
do të kundërshtonte sot mendimin e Konicës një shekull më vonë, po të
përpiqeshim të bënim një vlerësim të kontributeve tona shkencore të
karakterit nacional. Nëse sot konstatojmë se kontributet shkencore
nacionale nuk janë veç se një numër më i vogël vëllimesh, se ato që
kishte theksuar Faik Konica një shekull më parë dhe se në mesin e atyre
veprave të rëndësishme nuk janë as veprat themelore: Fjalori i madh i gjuhës shqipe, e të mos flasim për Fjalësin kombëtar të shqipes (ndërkohë që në kohën e Konicës shqipja kishte në dorëshkrim Fjalorin e Kristoforidhit dhe madje Fjalorin etimologjik të Gustav Majerit); se në vend të Enciklopedisë nacionale kemi Fjalorin e vogël
enciklopedik; se në vend të Historisë së popullit shqiptar kemi gjysmën e parë të saj; se në vend të Historisë së letërsisë shqipe kemi disa pjesë të saj; se ende nuk kemi një vepër akademike për letërsinë popullore, etnografinë, muzikologjinë, arkeologjinë, se edhe Gramatikën e shqipes standarde
nuk arritëm ta botojmë të plotë; se edhe ai numër i vogël leksikonësh
të botuar deri më tash janë rezultat i punës individuale të disa
“iluministëve”, po jo edhe punës shkencor të institucioneve shkencore,
të cilat janë themeluar pikërisht për këto synime, si do të reagonin sot
individët dhe institucionet shkencore.
Duke
e ditur që më parë se edhe ndaj këtyre konstatimeve reagime do të ketë
edhe një shekull pas reagimeve që iu bënë Faik Konicës, dëshiroj të
përgjigjem që më parë: në kohën tonë, kemi jo vetëm individualitete të
shquara shkencore, kulturore, filozofike, letrare etj., por kemi edhe
institucione shkencore kombëtare: akademike, universitare, shkencore,
institute të specializuara etj., të cilat, kudo me emrin e tyre i
nderojnë popujt e qytetëruar të botës, por edhe këtu fjalën e kishim për
ato vepra themelore, të cilat i mungojnë shkencës së albanologjisë,
dmth. shkencës nacionale.
8. Në vend të përfundimit
Nëse
rezultatet e reja të studimeve albanologjike varen prej perspektivës së
kërkimeve shkencore në vende të ndryshme dhe arkiva shkencore, si dhe
prej metodës së studimit të tyre, atëherë kërkimet albanologjike, përveç
në hapësirën e njohur shtetërore dhe shkencore të Shqipërisë, Kosovës,
Maqedonisë dhe Malit të Zi, duhet drejtuar edhe në hapësirën etnike,
gjuhësore dhe etnografike të banuar nga shqiptarët në Greqi; në arkivat
mesjetare dhe antike greke, në hapësirën etnografike dhe gjuhësore e
shqiptarëve në Itali, si dhe në arkivat shtetërore, kishtare, shkencore
dhe kulturore të tyre. Në arkivat shtetërore dhe kishtare të zonës
bregdetare të Kroacisë, në Arkivat Shtetërore Turke, në Arkivat e
Vatikanit, të
Rumanisë, të Bullgarisë, të Austrisë, të Rusisë dhe të Egjiptit,
Greqisë. Pranë Arkivave të Vatikanit dhe të Turqisë është me shumë
interes që të themelohen edhe Institutet shkencore nacionale, të cilat
do të merreshin vetëm me kërkimet e kësaj natyre.
RESUME
THE STATUS OF ALBANOLOGY AND ITS PERSPECTIVE
If
the new outputs of Albanology depend on scientific research in other
countries and on their archives, as well as on methodology, then,
besides Albania, Kosova, FYROM and Montenegro, the Albanology research
must be extended also in the Albanian ethnic, linguistic and
ethnographic area in Greece, in the medieval and ancient Greek archives,
in the Albanian ethnographic and linguistic area in Italy, as well as
in their state, church, scientific and cultural archives. It is
indispensable that research must be carried out in the Croatian Riviera,
in the Turkish, Rumanian, Bulgarian, Austrian, and Russian state
archives, as well as in the Vatican archives.It is of much interest the
establishment of national scientific institution in the Vatican and
Turkish archives, that would deal exclusively with this kind of
research.
[2] Më
8 prill 1940 Sekretari i Pcrgjithshëm i Kryesisë së Këshillit të
Ministrave miratoi krijimin e fondacionit "Skanderbeg" si dhe statutin e
Institutit të Studimeve Shqiptare. Sipas këtij statuti, Insituti i
Studimeve Shqiptare kishte për qëllim t'i jepte hov e të bashkërendonte
lëvizjen intelektuale shqiptare në fushën e shkencës, të letrave e
arteve. Të përkujdesej për pasurimin e kulturës kombëtare, duke marrë si
shëmbull kombet e përparuara të Europës, por duke ruajtur njëkohësisht
dhe karakterin kombë'tar
sipas mendësi ve dhe traditave më të mira kombëtare (AQSH, F. 200, V.
1940, D. 10., sipas Gentiana SINOJMERI, Arkivi Shqiptar, Viti 5, Nr.
1-2, 2004.
[3] Androkli Kostollari, Gjendja e Studimeve Albanologjike në Shqipëri, probleme dhe detyra të reja, Konferenca e Parë e Studimeve Albanologjike, Universiteti Shtetëror i Tiranës – Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë, Tiranë 1965, f. 57; 1969:
[4] Shih, Grup autorësh, Historia e letërsisë shqiptare e realizmit socialist, ASH e RPS të Shqipërisë - IGJL, Tiranë, 1978.
[5] Shih, Fjala e përshëndetëse e prof. dr. Idriz Ajetit, drejtor i Seminarit të
Kulturës Shqiptare për të Huaj, SKSHH 1, Universiteti i Prishtinës – Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë, 1975, f. 7.
[6] Shih fjalën e tij “Studimet albanologjike dhe institucionet e tyre” (1969), në “Nocione albanologjike”, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1984, f. 32.
[7] Po këtë temë, por në një aspect tjetër e kam trajtuar edhe në kumtesat: Studimet gjuhësore në Kosovë në gjysmën e dytë të shekullit XX: shkollat, domenet, problemet, metodat, në Simpoziumin Ndërkombëtar të Organizuar me rastin e 50-vjetorit të themelimit të Institutit Albanologjik, Prishtinë,ë 2003”, si dhe Gjendja e studimeve albanologjike në fillim të
shekullit XXI, (fjala hyrëse), në Konferencën vjetore të Institutit Alb-Skenca, Tetovë, 2 shtator 2009.
[8] Prof. dr. Jup Kastrati, Bibliografi albanistike,
I, (Përkujdesja dhe parathënia e mr. Begzad Baliut), Shb. ERA,
Prishtinë, 2001.Për kontributin e Profesor Jup Kastratit shih gjerësisht
monografine: Begzad Baliu, Vepra bibliografike e Profesor Jup Kastratit, Institutin Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2005.
[9] Cituar sipas, Jup Kastrati, Faik Konica, Gjonlekaj publishing Company, New York, 1995, f. 300-301.