2011-05-19

Shpalosja e flatrave në gjirmat poetik të Thani Naqos ...


PLEQTË SHULLEHEN NË DIELL
Pleqtë e rrëgjuar shullehen në diell,
mbushen stolat me kokëzbardhur,
psherëtij, përloten, me rënkim ngrihen,
cukër-cukër, cukë-cukër, ikin nga kanë ardhur.

Cukër-cukër vijnë sërish me bastunë,
në heshtje e gjejnë cili mungon,
aspak çuditen. Pleqëria është paragjumë,
dhe zilen e zgjimit ndodh që s'e dëgjon.... 
ÇDO GJË QË ZVERDH,NUK ËSHTË FLORI

(Lirikë mendimi)

Provuam sistemin me gjëmba ngjizur,
për hatër të barazisë humbëm lirinë,
pa luftë e gjak, dy gishta ngritur,
për hir të lirisë flakëm barazinë.

Liria mbetet ALTAR I SHENJTË,
shënjtëria mbart koston e lartë,
me instinktin e bletës, paguhet shtrenjtë,
në shekullin blu...dy gishta të ngratë.

Sistemet marin nga njëri-tjetri,
është herrët t'i shohish në pësosmëri,
filozofët kohërave do të pëshpërisin:
" çdo gjë që zverdh nuk është flori."

Çelësi i magjishëm hap portën ideale,
formul'e thjeshtë: mos bëj popullin nevrik,
e ardhmja trokthon në rrugë paralamentare,
ku UNI tretet dhe vdes një ditë... 
2006
ÇAST I TRISHTËM  MIDIS DY KOHËVE

Kukudh' i harruar mbetur mes fushës,
fashoja e dritës tej në atë dritare,
më bën të mbledh rrotull fundin e bluzës,
të thëthij përhumbjen në bisht cigare.

Braktisja vajton nën vellon e muzgut,
mbi mezhda rënkon dhe shelgu qyqar,
përshpirtjen ia dëgjova djaloshit larg-humbur,
drithëronte për të edhe bryma mbi bar...
PYLLI NË VJESHTË

Vjeshtave, përmes pyllit, sa herë kaloj,
rrethuar nga drurët e zhveshur krejt,        
tok' e burime nën jorganin gjethor,
e gjelbra vetmitare në pishë a bredh.

Fundvjeshta lakuriqe shëtit mbi mal,
gjithësinë trishtëzon edhe sfondin blu,
nëse jam kaluar, unë kalin e ndal,
kqyr pajën e brishtë e plagët mbi dru.

Bryma përzhit barin, drithëron mbi tokë,        
thinja bore të imta vijëzojnë gjithandej,
majëmalit ia qëndisin qeleshen mbi kokë,
në rrugën e kthimit kokën pas nuk kthej.

S'jam i zemëruar me pyllin në vjeshtë,
virgjëresha lakuriqe s'di pse më trishton,
i pagjumë mbetem gjersa bora të zbresë,
dhe jorgani i bardhë gjithësinë mbulon...

1974

BALADA E ÇUÇURIMAVE
 
Shkrin dëbora n' ato pllaja,
ujrat rrjedhin nga Morava,
e përenjtë zënë e mblidhen,
nëpër shtrate llokoçiten.

Del graria hallemadhe,
mbi çakëlle edhe sfrate,
lumi sot ka mbushur shtratin,
çuçurimat zgjojnë fshatin.

Shtroja dimri kopanisin,
gojëmëdhatë gagarisin,
duket se janë vënë në garë,
kush ka tri e kush një vajzë.

I harruan grindjet e vjetra,
për ca fjalë koti-shkreta,
ç' isha unë e ç' ishe ti,
vite të shkuara në rini.

S'është turp në zallishtë,
pulpëbardhoshe mbi aliçë,
fustanngrehura përmbi gjunjë,
s' kanë turp nga asnjë burrë!

Sapuni shkon dorë më dorë,
magjistari-shuk-dëborë,
shkumbon tymrat që lë dimri,
lan inatet kur vjen Prilli!

Zemrëk-zemrat janë kurdisur,
lëvdojnë çupat që janë rritur,
vesh në vesh me njëra- tjetrën,
çuçurisin dhe për djemtë.

Derdhen fjalët e një viti,
sa i gjatë qe ky dimri,
thashetheme e të vërteta,
mos shani vajzat e shkreta!

Lihen mënjanë huqet e fisit,
hidhësi' e gjemb murrizit,
siç ka lule ka edhe ferra,
ka puntorë e dembela!

Pa vjen vjeshta me bereqet,
kaq nga mollët, kaq nga qepët,
nga zhumbrica n' ato pllaja,
në çdo ferrë fshihet paraja...

Mburr sikush vajzat e veta,
lakror me hithra e lëpjeta,
dinë t' arnojnë e çorrape,
rrobevjetrat ndër dollape.

Mbulesa leshi e pambuku,
arne mbi arne rrobe bujku,
kundërmimi i dollapëve,
vjen nga djers'e baballarëve.

Thurrin pajat plot me ngjyra,
i rrëmbejnë nga natyra,
me lëng lisi e çaçanikë,
ngjyejnë penjët vajzëritë!

Nën mbulesa e nën çarçafë,
flenë çapkënë, flenë tuhafë,
ca me grep, ca me gjilpërë,
një model ka fshat' i tërë!

Oh, sa mirë iku dimri,
plot fejesa do ketë prilli,
pa do hidhemi e në valle,
të harrojmë se kemi halle!...

       *   *   *

Nënëzemrat çuçurisin,
qesh' e shkriu, kopanisin,
s' ka inate, s' ka zili,
vesh në vesh lidhin krushqi...


1973-2008
 
KTHEJE PAKËZ KOKËN

Ika papritur, të lashë ballërrudhur,
shëmtia e tyre nuk të shkon ty,
mbase je plakur e ri përgjumur,
tek qoshk'i ballkonit, ku rinim të dy.

Nuk di si je. Nuk di në jeton,
ç' mendim i marrë më çuket në kokë!,
ti je gjallë e patjetër përgjon,
në ç' skutë kam mbetur, diku nëpër botë.

Në zemrën tënde lashë pak vënd bosh,
aq fare pak sa, e mbush një pleqëri,
sa herë ty të mer malli e, unë s' vij dot,
ktheje pakëz kokën, më ke përbri...

 
SHAKA E MARRË

Ç' bëre, shakanë e marrë,
tregove një yll me bisht,
" atë yll, me bisht të zjarrtë,
kape e, tek unë të vish!"

Kërkoj në yllësinë e dendur,
galaktikat ngatëruar keq,
ndonjë dashnor i çmëndur,
i kish trazuar për dreq!

Veç kur mesnata shkau,
i zjarrti bisht mbi bri,
turfëlloi një dre, e ngau,
ylli yt vraponte pas tij...


NUDE 1)

Jetoj mes afshit të nxehtë tropikal,
hijet mashtruese nuk veshin mantel,
në Qytetin Lakuriq vendosa të dal,
shëtita si mbret, në trup asnjë tegel.

Pata ndjesinë, hap-pas-hapi më ndjek,
i famshmi rrobaqepës nga vëndet nordike,
mantelin e tij hoqi, ma dha mua ta vesh,
ai, lakuriq, humbi mes turmës lakuriqe...
1)nude=angl. i zhveshur lakuriq
MËNGJESET I SJELLIN KËNDESAT

Mbushini gotat! Le te ndjekim sonte telat,
Kitarat e drunjta kanë tingull real.
Mengjeset nën këngë këndesash,
Netët e dashurisë i kthejne mall.


Me fund, o miq, t’i pimë këto gota,
Le të turbullohemi njëherë sadopak,
Zgjuar le të mbetet sonte e gjithë bota
Fundi i saj kurdoherë është larg.


T’i këndojmë këngët kur kemi dashuruar
Edhe kitarave t’u këputen sonte telat,
Kështu do të harrojmë se kemi mërguar,
Nga mëngjeset qe i sjellin këndesat.

2006


MAR PJESË NË CEREMONINË E PAGESAVE MUJORE

Me pamjen e një burri që nuk do t’ia dijë,
Për borxhet familjare dhe deficitin shtetëror.
Gruan me të re se vetja. Dy të rritur fëmijë,
I duruar. Martuar njëherë.
Tejet optimist!
Ëndërr te jesh kreditor!

Dukem gjë fondamentalist?
2007


ËSHTË NJË NATË SI GJITHË TË TJERAT

E padurueshme mbërritja në shtëpi,
Ditëgjata tërhiqet llastikë,
Lodhja kërkon prehje e qetësi,
E njëtrajshmja shfaqet cdo ditë
Dhe hënorja blasfemi.


Sërish turbullira për ata që i kërkuan,
Mbikoha paguan haraçin e tërbimit,
Në daç per te rindërtuar,
Formulën e ozonit drejt shkatërimit,
Planeti në blu tjetërsuar.


Tymos cigare në oborrin e pasmë,
Shqetësimet i lë në thithjen e natës.
Kështu dhe euforizmin e një dasme,
Dhe klithmën briskprerese të gatës,
Mes vringëllima metalesh.


Lodhja m’i kthen sytë nga shtrati,
Prehet shurdhërimi me pakëz naivitet,
Vecoj ëndrrat sfondblu, ku fati
Gjahtar i regjur në natën që shket.

2006


MENGJES, ORA 6-TE
 
Përpiqem të gjej me probabilitet
Mendimin para se t’i dorrëzohesha gjumit,
Sikur të plakeshim, e dashur, në tjëtër kontinent,
Çfarë do të ndodhte në fund të fundit?!...


Shpresa, si gjithnjë, do të gjallonte,
Ditët dhe netët e zakonshme.

2006


NENA
Më pret gjithnjë tek prag’i portës,
Duart nën përparëse sikur fsheh dicka,
Njëlloj si nënat në mëhallet e botës,
Nëna ime, e plakura.


Ndodh që kthehem vonë nga puna
Pret dyshimzëmërdredhur.
“Mbasi im bir pi raki me cunat,
dhe sonte vjen në shtëpi i dehur”.


Njëmijë këshilla mban në gjuhë,
Pret sa të kaloj pragun e portës,
Por, oh, sa shpejt i kalon ai duf!...
Njëlloj si nënat e mëhallëve të botës.

1980


HESHTJA ËSHTË ZOTËSI E GRUAS SË HESHTUR

Ndarja e punëve gjymton ato dëshira,
Ndër vite iluzive me kotësi mbuluar.
Në fillesën e ëndrrës shpërrthen dashuria,
Në konusin e rritjes gjithnjë ka kërkuar
Largimin e anemisë që sjell errësira,
Me pluhur dekadash ngarkuar.


Hije të heshtura përqark venë e vijnë,
Janë kuajt e kaltër në vrahun e jetës,
Bukën e përditshme në vrahe shijnë,
Përzgjedhin majanë me instiktin e bletës,
Mes lulesh dimërore, ku shpesh ngrijnë
Kotësitë e të vërtetës.


S’ka pse mbeten dëshirat në harresë,
Rizgjimi vjen me cicërima sqepverdhësh,
Shpalosja e flatrave përreth folesë
Me të parën krenari imitim shpendësh,
End vellon e padukshme në rrathë dehëse
Me fije të magjishme shprese.

2006



TROKASHKAT

Jam ngjitur në katin e njëqind e nëntë,
Prek retë e Cikagos me mustaqe e gishta.
Në majë të gratacielit ç’ m’ i morën mëntë,
Valltaret spanjollka me pulpët e brishta.


Trokojne trokashkat, shpalosen fustanet,
Nën sombrerot 1) strehëgjëra tunden kitara.
Spanjollkat e bukura c’m’i kujtuan stanet,
Mullinjtë pas lumenjve, andej nga Morava.


Trokashkat trokojnë me rrahjen e ujit,
Uji rreh pendën e derdh forcën mbi gur.
Vocëraket vallëzuese nxitin rrjedhën e grurit
Dhe pah’i miellit vesh mullirin me nur.


Trokashkat e kitarat në maje gratacieli,
Gdhendur prej druri, nga pylli kanë dalë.
Sombrerot strehëgjëra dhe tingujt e fyellit,
Nën trokthin e kuajve vrapit ia kanë marë.

2007
1)sombrero= kapele strehegjërë e popujve latinë


ENIGMA E MADHE
Ç’prill marroz bën në Alaskë!
Bardhesi vrastare. Mbi gjigantin ajsberg,
Trupin e akulluar ma ndez një kuqalashkë,1)
Mulrlan i tërbuar mbi ne dëbore hedh.


Me duart e saj me thuri mokasina, 2)
Të etur ramë pas gjurmëve të Londonit. 3)
Me harta të vjetra kërkonim nëpër humbëtira,
Jatakun iluziv mbi flori cdo natë e shtronim.


I lodhur, mërdhirë, mbështjelle me lekurë,
Londoni inatçor më shkul veshin e thërret fort:
-Me Ethet e Floririt mos u bëj dhëndër kurrë,
Në jatakun e gënjeshtërt nuk zgjohesh dot!


Plasaritur qielli, me yje të cifluar,
Thërmohet Kasht’e Kumtrit diku mbi Dauson. 4)
Habitem: “Kaq larg, o Thani, ç’dreqin ke kërkuar!”
Dhe hëna anemike mbi kokë më mërmëron....

2007

1)kuqalashkë= indiane e Alaskës
2)mokasina= qiklla, rrathë që lehtësojnë ecjen mbi dëborë
3)Londoni= Xhek London (1876-1916), shkrimtar amerikan.
4)Dauson=krahine ne Alaske, mban emrin e lumit Dauson.



BALADA E ZOGUT TË NATËS
Fle ditën dhe del natën,
Zog’ i shekullit të pagjumë,
Cakërdisur kërkon fatin,
Në qytetin dritëshumë.


Brylmbështetur në dritare,
Ankth’ i nënës kthimin pret,
Zog’ i natës s’erdhi fare,
Gjersa nata krejt u tret.


Ëndërrkeqja përmbi drurë,
Folen’e zbrazët diku sheh,
Zog’i n’çuar s’kthehet kurrë,
Kur folenë era e rreh...


Ankth’i ëndrrës ballin mpiu,
Dhe cepsyrin plot me rrudha,
Lotët nënorë aty i ngriu,
Mblodhi dhimbjen në dy gurëza...

2007


MJAFTON T’I TRAZOSH...

Hej, ke shkuar atje ku mbolle puthjen e parë?
C’aromë dhe c’ngjyrë ke sot lulen dashuri?
Nën hirin e vjetër thëngjij mbeten mbuluar,
Mjafton t’i trazosh dhe ato ndizen përsëri...

2007


PLAKUSHI JU BËRI ME BAHCE E VRESHTA
(mesazh për bahcevanët e botës)
Hej, mos harroni të famshmin Miçurin,1)
Në bahçet tuaja bustin t’ia ngrini.
Mrekullira, o miq, bëri ai me shartim,
Belica dhe kumbulla dhe fruta si gjinj!


Mjaft i shtrënguat paraçkat e shkreta,
Bustin e tij ta porositni menjëherë.
Plakushi ju bëri me bahçe e vreshta,
Damixhanat me raki dhe butet me verë!


Të hiqni kapelen dhe ta pershendetni:
-Tungjatjeta, mbreti ynë, në shekuj ti rrofsh.
Që nga moll’e kuqe dhe gjer tek pjepri,
Në çdo kokër frutë, i madhërishëm ti qofsh!


Hajt, mjaft i shtrënguat paraçkat e shkreta,
Hiç mos u mërzitni kur të bini në pleqëri.
Miçurini ju bëri me bahce dhe vreshta,
Butet me verë, damixhanat rrafsh me raki!

2008

1)Ivan V.Miçurin (1855-1935)= seleksionist dhe ortokulist rus me famë botërore në prodhimin e më shumë se 300 llojeve hibride te pemeve frutore.

MËNGJES I FLORIZUAR

Thëllëzkat e n’cuara ia morën këngës,
Firon nata nëpër korijet.
I përhimti agim shtrin drapërin e hënës,
Kosit pllajave dritëhijet.


E kaltra qiellore po shkrin e venitet,
Yjet treten porsi thëngjij.
Hën e gjysmuar lëkundet e përdridhet,
Florizon mbi kashtë dhe kallinj.


Florizon çatitë dhe kalldrëmet e fshatit,
Përmes kortinave shkon e vjen.
Dhe kur dielli drtitëson kokën e shtratit,
Dalt’ e qerpikëve ëndrra gdhend.

1972

OQEANI

...E prek, i flas edhe lutje i pëshpëris,
I tregoj per Moravën, m’i bukuri në botë.
Malësor isha dikur dhe atë mal kisha mik,
Male s’shoh gjëkund dhe miku im bëhu sot...


Është krejt e kotë të flasësh me dallgët,
Duf’i tyre, pa mëshir, bregun godet.
Unë mbyll sytë dhe shoh Moravën e largët,
Nën dëborë gjumash, i fresket nën gjeth.


Hapësira ovale shtrihet tej mbi oqean,
Rreth e qark s’ka përrenj, as lumë sheh.
Shpina ujore ngrihet lart si Ivan, 1)
Vec dallgëve o mik s’u venke dot fre!

2007

1) Ivani= mal në Devoll

TE BURIM' I LLËNGËS

Burimit të Llëngës vajzat mbushin ujë,
Unë fshihem rrakitave në tjetrin breg.
Monopatit të ngushtë, plot gaz e bujë,
Shfaqen pulpë lavrake që dielli i pjek.

Koken e burimit e hijezon një kumbull.
Degëvarur nga kokrat e kuqe plot lëng.
Gjersa stomnat mbushin barkun e rrumbullt,
Fustanet e vajzave mbi gjunjë zënë vënd.

Mendoj jam i vetëm, asnjë djalosh tjetër,
Kurmet femërore t'i shohë ka fat.
Por hijet tradhëtare pas shelgjeve të vjetër,
Ngjasojnë me siluetat kur bien në mëkat.

Pas bregut te lumit, me shelgje e rrakita,
Hajdutçe ikin, hajdutçe çapkënë vijnë.
Përkëdhelin kallëpët e arave me misra,
Ua shkulin mustaqet, pëllëmbët i nxijnë!...


UNE, PERANDORI I PERANDORISË SË GJELBËR

Jam zhytur i vetmuar në jeshil livadhi,
Aromë lulesh atdheu dhe freski ahu.
Poleni më pudroi dhe me spërka nektari,
Nën tumba fierishtash mbeta tulatur.


Mbi krye kam qiellin krejtësisht të gjelbër,
Ndihem perandor i botës me klorofil.
Nuk ka hënë të më shohë vëngër,
Me brirët e turpshëm më këqyr një kërmill.


Këtu s’ ka presidentë dhe as kryeministra,
As gjeneralë dhe buzëqeshje djallëzore.
Gushëkuqët vocërrakë thurin kanistra,
Dhe vargan’ i milingonave zënë për dore.


Me perandorinë time pa ndrojtje krenohem,
Dirigjoj sinfonitë e thëllëzave dhe bilbilave.
Në hotelin e fierishtave të fle e të mos zgjohem,
Gjersa t‘më trokasë m’e bukura e dëshirave!

2007


MANTELI MË I BUKUR NË BOTË

S’përgjova diellin kur u fsheh pas shpatit,
Muzgu grizoi pyllin dhe me nxit për rrugë.
Si fshatar i regjur unë gjej rrugën e fshatit,
Mar rrjedhën e lumit mbi zhavorre dhe gurë.


Pllaq-plluq nëpër ujra dhe mes lumit ndal,
Kur do t’ia dëgjoj sërish zërin fëshfërimës?!
I mbërthyer mbeta brenda guaskës – metal,
Zhgënjimpërzhitur nga stina e brymës...


Ndjeva se ky cast ishte gjumi im më i gjatë,
Klithma e mëllënjës nga hutimi më shkund!
Ngadalë muzg’i mbrëmjes po zbriste mbi fshat,
Më të bukur mantel nuk kisha parë kund!

2007



KUR DITËT FIROJNË RRUGËVE TË BOTËS

Pas shpinës ujore diell’ i pjekur perëndon,
Përpëlitet dita në kthetrat e fillimmbrëmjes.
Cdo perëndim i tij kujtesën më ngacmon:
“Të iku dhe një ditë nga dekada e plakjes!”

Koha firon dhe bëhem më i kërrusur,
Kryeneç dhe m’ i ashpër në ditën që vjen.
Pasqyra hakmerret me fytyrën e tejrrudhur,
Thinjën e së djeshmes nëpër flokë m' a gjen.


Shpend shtegtar ndjehem çdo dite,
Zemra arakate pulson mes stilit të modës.
I rreshtuar në karvanin ku çapiten pleqëritë,
Shgarravis kalendarin rrugëve të botës...

2009


SHËTIS RRUGICAVE, FSHATI SHKRETË

Shëtis rrugicave, fshati shkretë,
Çapitem mbi kalldrëme porsi plak.
Hëna përndjek dhe syri i saj nga retë,
Shënja më bën dhe mbas reve fshihet prap.


Paqtia – braktisje, fshatin ka mbuluar,
Asnjë qen nuk leh. Gjithësia pipëtin.
Rrugicave të njohura dikur kam lodruar,
Edhe gurët ua kam dashur, njëlloj si vajzërin.


Sa shpejt rriten djemtë edhe vajzat sa shpejt!,
Pleqtë e dikurshëm, (ehu!), janë tretur qëkuri!
I përlotur shëtis në fshatin tim mbetur shkret,
Braktisja më bren mua dhe sofatet prej guri...


Leviz nje hije...mbase është koti vizion,
Një plakë dërdënge, me gjuhën shpoti.
Në xhepat e përparëses arra dhe oshafe kërkon,
Cinglamingla dhe... gjithe fëmijëria futur aty!


U shfaq një siluetë me ecje drenushe,
Nallënet e drunjta trokuan mbi gurë.
-Ndiqe!- më pëshpëriti plaka djallushe,
Bëje atë nuse, bëju edhe ti burre!


Prisni!... Mu bë se pas xhamave dikush përgjon,
Njoha gërrshetin e asaj që kam adhuruar!...
Lëvizin kortinat...Mos gjë hëna sonte frymon?
Dhe tallet nga qielli me yje arnuar?!...



PEISAZH DIMRI PAS MESNATE

Krëk-krëke dërgon thellësi e pyjeve,
Dimri rëndon edhe trarët ankohen.
Spërkatur gjithësia me kristalet e yjeve,
Gjer tej, ku malet me qiellin takohen.


Thik’ era skalit pirgjet e bardha,
Dëborën e ngjesh, mbi gjerdhe e hedh.
Përmes skalizmave si kafshë të gjalla,
Një dhelpër e hutuar rrugicave  bredh.


Çati dhe oxhaqe mbuluar nga dëbora,
Perëndeshë e virgjër shëtit shpate e kodrina.
Pemët nusërojnë dhe se ç’ bëjnë ca nojma,
Pagjumë lënë vajzërinë që përgjon nga kortina...


Befas, zëplotë ja mori këndesi i parë,
Oxhaqet frymojnë me gushet e tymit.
Mbi trungun e vjetër cak-cuk një sëpatë,
Dhe amvisat e fshatit nxitin zjarret e dimrit...

1970


MBRETËRIA-MËMËDHE

Mos kisha marë rrugët e kurbetit,
Në vëndlindjen time mbretërine do t’a ngrija.
Gjoksin të nxirrja e të mburresha si mbretërit,
Zot i asaj vatre me prush e shkëndija.


Mbret i pyjeve dhe mbret i maleve,
Asnjë burim nuk do lija pa e puthur.
Me mikun të hapesha kur të kisha halle,
Në mbretërinë e tij, askush nuk ka humbur!


Mbret i kodrave dhe i fushave të isha,
I vlagës magji në brazdën e porsahapur.
Princ i korijeve me dushqe e lajthishta,
Dhe dashnor i natyrshëm me ato që kam dashur.


Qejflinjte mblidhen ku pikon rakia,
Zëlartë t’ja marim këngëve tona të vjetra.
Princave t’u themi se c’ligj bën dashuria,
Dhe ç’janë iluzionet dhe ç është e vërteta.


Kontinenteve të largëta, tej oqeaneve të kripur,
Për mbret e princ s' gjëndet një këmbëdhe.
Mbretëri e paqësisë është ku je lindur dhe rritur,
Dhe kjo mbretëri, shqiptarçe, quhet Mëmëdhe!



HËNA PLOT PESËMBËDHJETË

Shkau mesnata, hëna pesëmbëdhjetë
Edhe hijet e natës i spërkat me flori.
Sofatet e drunjta s’kanë mbetur shkretë,
Bijen kitara dhe këndojnë ca të rinj.


Trishtuar ri plaku. I ve ka mbetur,
Duart pleksur mbi harkun e bastunit.
Vështrimin pleqëror qiellit e ka tretur,
Për hatër të hënës, ka shtyrë orarin e gjumit.


Rrezaton florihëna dhe kthjellon sytë e tij,
Mbi kulmin e catisë sonte ka qëndruar,
Soditmë, sikur i thotë, për ty po vij,
Capkën i dikurshem, o plak i vetmuar!


Nënqesh pleqërishte. Zemra i troket shpresë,
Sa vite, muaj, a ditë, mbetur akoma?
Nën hënë ka lindur dhe hënë do kur të vdesë,
“ Si sonte, o Zot, -psherëtin- mos harro, dërgoma!...”


Florizon hëna mbi harkun e bastunit,
Yll’i Mëngjesit u tret në sytë e tij të mekur.
E plotë, pesëmbëdhjetë, kjo ishte hën’e fundit,
Ndërsa kitarat tingëllonin me telat e dredhur...



MAGJIA E KËNGËVE TË SERENATAVE

... mos pandeh se s'gjej një tjetër...
Shigjeta dashurie nga serenatat vijnë,
Gërvishtin koren e plagës së vjetër,
Kryqëzohen shikimet dhe aty ngrijnë,
Lulebardhat e dimrit të qelqtë.


...që t'a ketë syrin e zi...
Bebëzat errëson nën të lagurit qerpikë,
Dyshimet gjurmohen marrëzisht!
Yll'i mekur afrohet dhe lëshon drite,
I harruar n'errësirë, cuditerisht!


...veç buzëqeshja jote e ëmbël...
Mbi buzl cel lulen e vonuar,
Magjilulja kthen femrën në ëngjëll,
Flladon dhe ndez thëngjijte e shuar
Dhe vatrën e ngrohtë t'a sjell në prehër...



E TRISHTUARA

Përherë e trishtuar, kështu e mbaj mend
edhe flokët porsi vurbulla reje.
Në zemrën e saj s'pati një copëz vënd,
për një tingull kitare prej meje.


Përherë e trishtuar. Ajo s'qeshte kurrë,
as ditëve e netëve pranverore.
Në lojën dritëfikur " grua dhe burrë",
ish m'e ftohta stinë dimërore.


Përherë e trishtuar, vinte dhe ikte,
mjegulla asnjëherë s'ju nda.
Ca vorbulleza më ndjekin mua ndër vite,
nga trishtim'i cuditshëm i saj.



HERËS TJETËR S'DO TË MUNGOJ

Kur unë mungoj disa orë,
diku do të jem penguar,
klubit plot tym, me hamejte e gjorë,
pi raki me cironka fërguar.


Kur unë mungoj edhe një ditë,
patjetër dergjem diku,
i dehur të vij, nga unë ti ke frikë,
këndoj e flas kuturu.


Mbase s'mund të vij dot as sonte,
njëmijë dyshime mbaj ti,
rrodhe, gjithë veset e kësaj bote,
i jane qepur të dashurit tim.


Përgjon errësirën dhe pret drithëruar,
kërcitjen e portës së vjetër,
ti s'ke pse t'a gdhish më natën e zgjuar,
une s'do të mungoj heres tjeter.



SHKEL PELLGASHET SI DHËNDËR I PRAPË

Hëna pellgasheve është shumuar,
kalldrëm i pafund me pogaçe.
Unë dhëndr'i varfër, eci menduar,
s'kam as dollibash dasme.


Përmbi pellgashe dredhoj kokëulur,
me duhet e  një gjerdhan.
Për gishtin e saj, unazën më të bukur,
ah,s'kam flori anjë gram!


Hëna gremiset atje lart mbi kodrina,
e florinjta pemëve ka ngecur.
Hajdutçe e ndoqa, qiellit iu kacavira,
dhe hënën e ngjesha nën sqetull.


Leshoj pllazin n'errësire , as dua t'ja di,
pogace s'më duhen këtë natë.
Nën sqetull shtrëngoj hënën e nxehtë flori,
shkel pellgjet si dhëndër i prapë!

1980
 
MOS ZGJO NE DIMER LULEN E NGRIRE

C’te shtyn qe kerkon me te ti te perballesh?
Kurre s’i pikoi loti mbi gurin ku shkel
I mjaftueshem bishtsyri dhe ti shpermallesh
Vetullngrehura iken dhe koken pas nuk kthen

Rrugicave,qoshkave,apo mullareve me kashte
Treten endrrat e rinise qe s’kthehen perseri
Meshkujt s’dyshojne ne ndjenjen e mbrapshte
U mjafton ledhatimi qe s’eshte dashuri

Dekadat ikin dhe me to u largo
Zemra e akulluar s’ka per t’u shkrire
Sekuenca kureshtjeje nga ajo mos kerko
Te lutem!,mos zgjo ne dimer lulen e ngrire!

2008

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...