JA DHE DOKUMENTI SE JAM I DIPLOMUAR PËR HERË TË DYTË NË UNIVERSITETIN SHTETËROR TË TIRANËS!
Ka kohë që shpifet kundër meje se nuk kam as arsimin e lartë. I pari që e ka bërë këtë shpifje publikisht, përmes gazetës enveriste të Tiranës JEHONA, i ftuar për këtë gjë nga mafia e enveristëve dhe me blagoslovin (bekimin) e UDB-së jugosllave, është ulqinaku Bahri Brisku. Për antologjinë e shpifjeve të tija, të botuara në atë gazetë sapo dola prej burgut shqiptar, e hodha B.Briskun në gjyq, aty në Ulqin. Gjykata e Ulqinit, e instruktuar nga UDB-a, e sorollati padinë time rreth katër vite me radhë pa më dhënë asnjëfarë përgjigjeje, duke më provokuar e pritur kështu që problemin ta zgjidhja vetë, me vetëgjyqësi. Sigurisht që do t’i kenë bërë gadi edhe hekurat për të më arrestuar rishëm, që kështu të më eliminonin. Atëherë unë nisa sulmet e mija mbi qeverinë e Cërna Gorës, duke përdorur edhe faktin që nuk po e shqyrtonin padinë time. Në revistën ULCINJ Viti I, Nr. I, Ulqin 1994, f. 33, ndër të tjera kam deklaruar: „ Padia ime kundër Bahri Briskut është regjistruar tek Osnovni sud në Ulqin me 13.09.1993. Po hyjmë në vitin 1995, e nga gjykata asgjë. Në rast se është Bahri Brisku edhe sot në shërbim të UDB-së, ai nuk ka asnjëfarë të drejte të fyejë e të turpërojë me gënjeshtra askend, as të provokojë. Aq më pak ka të drejtë të thërrasë Shqiptarët edhe përmes shtypit kundër Jugosllavisë e jugosllavëve, kundër Cërna Gorës e cërnagorasve…ai duhet të përgjigjet penalisht për shkeljen e Kushtetutës e të ligjeve të Crna Gorës…edhe për dëshmi të rreme para gjyqit në Tetovë kundër meje…“
Duke parë se unë nuk po e haja atë kokërr ulliri, pra nuk po bija në grackën e tyre që t’i bëja vetëgjyq dhe, nga ana tjetër, duke u shtirur se ja, po i respektonin ligjet – pas katër vitesh e morën atë padi në shqyrtim dhe e ftuan B.Briskun para gjyqit, ku ai „burrërisht“, „trimrisht“ e „heroikisht“ (ashtu siç e kishin instruktuar ata të UDB-së dhe avokati i tij Radovan Vukmanoviq!) e pranoi se kishte gënjyer, duke shtuar: „Disa nga ato gënjeshtra i kanë shtuar ata të Redaksisë së gazetës JEHONA…Unë kam gënjyer edhe para gjyqit në Tetovë kundër Kapllan Resulit, ku më kanë qitur përdhunimisht ata të UDB-së, pasi më kanë mbajtur 10 ditë në burg…I lutem Kapllan Resulit të më falë!“
Hollësira për këtë gjyq, si dhe tekstin e VENDIMIT, ku theksohet se B.Brisku më kërkon të falur, i keni në librin tim KRIK RASPETOG, Gjenevë 2003, faqet 47-61.
I instruktuar nga UDB-ja, nga Bahri Brisku, apo nga Mark Shkreli, ka dalë në sajtin INTERNET NOVINE SERBSKA DIJASPORA, me dt. 20.VII.2010, gjoja si „komentator“, edhe kushëriri im Agim Spuzha, që poashtu pretendon se unë nuk paskam as arsimin e lartë. Përgjigjen e merituar ia ka dhënë Ashim Reviq përmes librit RADIOGRAFIJA JEDNE MRNJE, botuar në Beograd dhe në Ulqin me 2010.
Tashti, në sajtin LAJME NGA ULQINI, me dt. 17.XI.2010, edhe ky gjoja si „komentator“ i artikullit tim GRADAT E MIJA SHKENCORE DHE TITULLI AKADEMIK na u paraqit personalisht Mark Shkreli (në qoftë se nuk kemi të bëjmë me ndonjë pseudonim!), i cili, duke mos e parë gjatësinë kilometrike të „komenteve“, që i bëhen shkrimit tim (Të cilin ma tejkalojnë gadi 10 herë!), bën pyetjen: „Zoti Resuli, në këtë shkrim mjaft të gjatë, unë nuk gjeta asnjë provë se kur dhe në cilin universitet i keni marre diplomat…“
Në shkrimin tim të përmendur unë nuk bëj fjalë për diplomat, se as që më kishin provokuar në këtë sajt për atë gjë. Aty është fjala vetëm për gradat shencore dhe titullin akademik! Vallë, nuk e paskët kuptuar këtë gjë, o z. Shkreli?! Po me që edhe juve shprehni dyshim se nuk qenkam i diplomuar, ja ku po jua dokumentoj se jam diplomuar jo vetëm një herë, por dy herë:
Për herë të parë jam diplomuar në shtator të vitit 1957 në Albanologjinë e Skopjes, në Makedoni, megjithqë UDB-a (Kjo mikesha ime e kaherëshme dhe besnike, që kurrë nuk m’u nda!), bëri çmos që të mos diplomohesha: u futën edhe në sallën e provimit dhe për krahësh deshën të më nxirrnin, gjoja për të kryer shërbimin ushtarak. Përfitoj nga rasti që edhe një herë të shpreh falenderimin dhe mirnjohjen time ndaj shefit të Katedrës, prof. dr. Petro Janura, i cili ndërhyri menjëherë e energjikisht në mbrojtjen time dhe i nxorri banditët e Rankoviqit nga salla e provimit e më firmosi diplomën.
Po të keni fijen e dyshimit, urdhëroni e verifikojeni këtë gjë. Vetëm në amzën e të diplomuarëve atje më kërkoni me emrin Kaplan RESULBEGOVIĆ. Më duket se kështu quhen edhe ata kushërinjtë e mi në Ulqin, që ju me siguri i njihni edhe personalisht. Apo jo?! Kolegët tuaj nga Shqipëria e Kosmeti kanë shpifur e shpifin, bile edhe më kanë akuzuar se mbiemrin RESULI e paskam shkinizuar në RESULBEGOVIĆ! Ju me siguri i keni lexuar ato blasfemira dhe – ç’keni bërë?! U keni thënë që të më lënë rehat, apo keni fërkuar duart nga kënaqësia që edhe mbiermrin tim të vërtetë po e përdorin për të më përgojuar, shqetësuar e satanizuar?!
Kur arrita në Shqipëri, prekursorët tuaj, o Mark (ndoshta dhe instruktorët tuaj!), enveristët, ma mohuan arsimin e lartë, po gojarisht e pas shpine, se për me shkrim, ia kishin lënë B.Briskut që ta bënte. Unë kërkova diplomën nga prindët, që e kisha lënë në shtëpi, në Ulqin, se kur u nisa për në Shqipëri, as që më shkoi mendja që Enver Hoxha i besonte më shumë firmës së Josip Broz Titos, se sa fjalës dhe fakteve që paraqitsha unë se jam me arsim të lartë. Dhe ndërsa mua më kërkonte diplomën, nga ana tjetër nuk i lejonte prindët e mi që të ma dërgonin: letrat e mija babës, me të cilat kërkoja diplomën, nuk ia jepnin. Gëzim Dini ka shkruar qysh me kohë se „Sigurimi Shqiptar, në vazhdën e persekutimeve dhe të trajtimeve ma të kundërligjshme që i ka ba Akademikut Resuli, nuk ia ka njohë arsimin e naltë, tue dashtë kështu me e goditë jo vetëm materijalisht-ekonomikisht, por edhe psikologjikisht, për me i ulë prestigjin në sytë e masës së popullit, ku mbas shpinës së tij pëshpëritej se asht vetëm me arsim të mesëm“. Kështu më detyruan t’u them enveristëve: „Më lejoni të jap provimet në Universitetin tuaj, e t’jua vërtetoj se jam me arsim të lartë!“
SIGURIMI shqiptar, duke menduar se unë kurrë nuk do të arrija të diplomohesha në Universitetin e tyre, më lejuan dhe i instruktuan profesorat që të më rrëzonin në provime. Dhe njëri prej tyre, i gatshëm që të zbatonte urdhërat e SIGURIMI-t, më rrëzoi, më dha notën 4. Kur u paraqita për herë të dytë në lëndën e tij – më dha notën nëndë. Atëherë lëndën e tij e zgjodha edhe për temë të mbrojtjes së diplomës, ku Komisioni Shtetëror, në krye të të cilit ishte akademiku prof. Mahir Domi, më dha notën më të lartë – dhjetë.
Dy-tri ditë para se të më caktonin datën për t’u paraqitur para Komisionin Shtetëror, agjentët e Sigurimit, duke m’u paraqitur si shokë e dashamirë, më morën me vete nga Tirana dhe më çuan në Kukës, gjoja për festën e Kuksit. Sapo kam mbërritur në Kukës, urdhërojnë Sekretarin e Fakultetit që të niste për Lushnje telegramin, ku kishin shkruar se me datën 13 shtator duhej të paraqitesha në Fakultet për të mbrojtur diplomën. Kështu ishte bërë plani që unë të mos e merrja atë telegram dhe të mos paraqitesha datën e caktuar. Rrjedhimisht, mbrojtja e diplomës do të shtyhej për vitin tjetër. Ndërkohë ishte planifikuar që unë të arrestohesha e keshtu të mbetesha pa diplmën e Universitetit të Tiranës.
Mirpo telegrami bie në Lushnje në duar të një shokut tim, që e dinte se isha në Kukës. Ai e dinte se atje, në Kukës, kisha mikun tim Kudusi Shehu, nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv në Kukës. Kështu e mori urgjentisht atë në telefon dhe i tha që të më njoftonte se me 13 shtator duhet të paraqitesha për mbrojtjen e diplomës. Shoku Kudusi më lajmëroi dhe më krijoi edhe mundësinë që urgjentisht të kthehesha në Tiranë, për çka më ka ndihmuar shumë edhe Shaban Braha. Ky oficer i SIGURIMIT, duke mos ditur asgjë për kurdisjen që më kishte bërë SIGURIMI, në gazin e SIGURIMIT më liron vendin e tij dhe unë arrita në Tiranë në kohën e duhur. Kështu mafia shqiptare në pushtet dështoi dhe unë, përmes të gjitha sabotimeve dhe pengesave, u diplomova për herë të dytë. Ma dhanë edhe diplomën.
Disa ditë pasi u bëra me diplomën e Universitetit Shtetëror të Tiranës, më arriti nga Ulqini edhe diploma e Albanologjisë së Skopjes. Cinizmi i SIGURIMI-t nuk ka kufij, as metër për ta matur dhe as peshore për ta peshuar!
Deri ditën e arrestimit të dy diplomat i kam patur në banesë. Mbasi më arrestuar, jeniçerët e Enver Hoxhës, ashtru siç më rrëmbyen gruan me të dy fëmijtë, m’i rrëmbyen edhe të dy diplomat. Se ç’i kanë bërë nuk di. Me siguri do t’i kenë djegur.
Kur dola prej burgut, shkova në sekretarinë e Fakultetit Filozofik në Tiranë dhe kërkova një kopie të diplomës, apo një vërtetim se isha diplomuar. Kisha me vete bodigardin tim të armatosur A.Z. dhe kushërirën M.D. me një çomage të maskuar si çadër shiu. Ata më shoqëronin në çdo hap nëpër Tiranë e më ruanin nga enveristët, se disa herë kishin tentuar të më vrisnin. Ishin aty edhe plot studenta e studente, të cilët, kur morën vesh se kush isha, mbetën të frapuar, sikur të kisha ardhur nga bota e përtejvarrit: ata më dinin të vdekur!
Kryesekretarja e Fakultetit, Xhulieta Luarasi, sapo hapi amzën e regjistrimit të diplomava, zgurdulloi sytë e fanepsur. E si të mos fanepsej e shkreta? Atje, pranë emrit Kapllan Resuli, në vend të shënimit se isha diplomuar me 13.IX.1969, shkruante: „Përjashtuar për qëndrim të keq politik“.
-Ua!- bëri ajo, e pas saj edhe studentët e studentet.
Unë ruajta gjakftohtësinë, me që tani e dija se kush ishin ata të klikës së Enver Hoxhës.
Xh.Luarasi më tha menjëherë:
-Mos u shqetësoni shoku Resuli! Do të bisedoj me anëtarët e Komisionit të Shtetit para të cilëve keni mbrojtur diplomën! Ejani nesër!
Kur shkova të nesërmen, Xh.Luarasi e kishte bërë gadi VËRTETIMI se jam diplomuar në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, dega Gjuhë-Letërsi shqipe, pranë Universitetit të Tiranës. Kisha sjellë me vete edhe aparatin fotografik për ta fotografuar shënimin e bukur që kishin bërë bijtë e Enver Hoxhës pranë emrit tim, mirpo Xh.Luarasi më tha se e kishte fshirë atë shënim dhe atje kishte shkruar atë që duhej shkruar qysh me kohë, se jam diplomuar. Shenjat e fshirjes shihen qart dhe shkrimi i shënimit është i Xh.Luarasit, e cila, në vitin 1969, kur jam diplomuar unë, nuk ka qenë sekretare e atij Fakulteti.
Ja faksimili i atij VËRTETIMI:
Tani më thoni, o shqiptarë, kur Enver Hoxha me bandën e tij më të zezë e më kriminale falsifikonte edhe dokumentacionin e Universitetit të Tiranës, ka lënë gjë pa falsifikuar në dosiet e të burgosurve politikë? Dhe në mënyrë të veçantë në dosien e këtij Kapllani, që kryetarin e trupit gjykues në Tiranë, kur e ballafaqoi me falsifikimet e SIGURIMIT, bëri që t’i shkonin djersë të ftohta e të deklaronte 20 minuta pushim!
Po ju jap edhe unë juve jo 20 minuta pushim, por sa të doni, që të mendoheni në shërbim të kujt jeni me shpifjet, intrigat, gënjeshtrat e falsifikimet tuaja kundër meje. Mos ndoshta mendoni se jeni vetëm në shërbim të bandës Enver Hoxha-Ramiz Alia?! Po në shërbim të bandës po aq të zezë dhe po aq kriminale Tito-Rankoviqit nuk jeni?! Apo për ju nuk ka rëndësi se në shërbim të kujt jeni?! Për ju ka rëndësi të jeni kundër Kapllan Resulit, t’i sabotoni atij jetën dhe krijimtarinë, afirmimin, që të mos jua eklipsojë Kadarenë dhe të mos demaskojë krimet e klikës, të mafies së Enver Hoxhës. Siç po shihni, përmes të gjitha pengesave e sabotimeve tuaja, unë kam çarë e po çaj. Klika e Enver Hoxhës tuaj u demaskua, kurse tezat e mija albanologjike po aprovohen edhe nga vetë shqiptarët e ndershëm e parimorë. Ende nuk e keni kuptuar këtë gjë?!
Mirupafshim, o shpirtzinj, në betejat e ardhshme klasore!
Gjenevë,
me 22 nëntor 2010.
Akademiku,Prof. Dr. Kapllan RESULI,- dy herë i diplomuar!!!
******
I dashur Kapllan,
Une nuk jam kurrefare enveristi, as qe emri im eshte pseudonim. Permes shokeve te tu te vjeter, une jam njoftua me ty qe nga viti 1962/63, kur isha ne sherbinin ushtarak ne Knin. Per here te pare kam lexua shkrimet tua te cilat me pelqenin shume. Me vone mora vesht se ti ke oikur ne Shqiperi per t’ju shmangur persekutimeve te UDB-se. Une kam kaluar neper te njejtat persekutime (duke iu falenderuar kushiririt tend Hodo Resulbegoi-VIQIT. Me 1968 edhe nune, sikur ti me pare, ika, por jo ne Shqiperine komuniste por ne italine kapitaliste.
Sidoqofte, komenti im ishte dashamires. Per t’ua mbyll gojen kritikeve, ne lidhje me titujt tuaj, vetem jepni emrin e entit dhe vitin kur e keni mbrojtur disertacinin e magistratures dhe ate te doktoratures. Njekohesisht, per te vertetuar titullin “prof”, ne cilin universitet keni qene mesimdhenes i rregullte.
Me vjen shume keq kur degjoj kritika ndaj disidenteve, duke qene nje nga ata. Andaj kerkoj nga idhulli im Kapllan Kallushivertetimin e titujve akademike.
Me respekt,
Mark Koliq Shkreli,nga Shen Gjergji, Ulqin (i arratisut me 28 dhjetor 1968)
NJ,25 nëntor 2010