Sokol Dobruna: Spiunët, me kënaqësi do t'i vrisja
Sokol Dobruna, ish udhëheqësi i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, ka folur sërish për të kaluarën e tij, veprimtarinë e organit që ka udhëhequr dhe arrestimet gjatë luftës. Gjatë një interviste në Klan Kosova, Dobruna mbrëmë ka folur për rastin Kuçi, duke thënë se ai shpëtoi nga ekzekutimi pasi në kohën e fillimit të bombardimeve të NATO-s nuk kishte ushtarë sa duhej për ta kryer ekzekutimin dhe nuk mund të arrihej efekti juridik.Sipas tij, dosja Kuçi i është dorëzuar Hagës. 70 vjeçari Dobruna, me profesion jurist që jeton në Gjakovë, ka folur edhe për rastin e një të arrestuari shqiptar, ish-drejtori i Burgut të Vushtrrisë, Sherafedin Ajeti, për të cilin ka thënë se ishte spiun por nuk di çfarë ka ndodhur me të gjatë luftës dhe ka dëgjuar se është vrarë.
"Nuk ka pas kurrfarë vendimi për të. Po të kishte proces gjyqësor kundër tij, me kënaqësi e kisha pushkatu. Me dorën teme e kisha kry këtë", ka thënë shprehimisht Dobruna, duke folur edhe për babanë e Ajetit që ishte ndër bashkëpunëtorët e Millosheviqit.
Në fund ai është ndalur edhe në dëshmitarin X, në rastin e Kleçkës që ka thënë se e njeh mirë. Për një moment ka përmendur nofkën Komandant Murrizi, ndërsa ka thënë se ai nuk ka mund të bëjë asgjë pa urdhrat e tij.
Sokol Dobruna: Unë e dënova me pushkatim Blerim Kuçin
Ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, Sokol Dobruna, e pranon publikisht se e ka gjykuar kryetarin aktual të Suharekës, Blerim Kuçi, dhe e ka dënuar me pushkatim. Në një intervistë për “Kohën Ditore”, ish-udhëheqësi i Shërbimit Juridik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në kuadër të të cilit shërbim ka funksionuar edhe gjykata, thotë se arsyeja pse e kishte dënuar me pushkatim Kuçin ishte dezertimi nga ushtria.Dobruna, që tashmë i ka mbushur 70 vjet flet, siç thotë ai “pa pardon”, për të gjitha ngjarjet në UÇK. Ai ka thënë se Kuçi nuk ishte pushkatuar për shkak se nuk kishte mundësi që të rreshtonte një brigadë ushtarësh para të cilëve duhej të kryhej pushkatimi dhe mungesa e plumbave të manovrave.
“Nuk është ekzekutuar për shkak se në momentin e bombardimit nuk kam pasur mundësi me dhanë urdhrin për pushkatim pa e thirrur mjekun, pa e thirrur prokurorin pa e thirrur ushtrinë, sipas rregullores dhe Ligjit mbi ekzekutimin e sanksioneve penale ushtarake. Unë nuk kam pasur mundësi t’i siguroja plumbat qorr”, thotë Dobruna. Ai shton se ndihet mirë që Blerim Kuçi sot jeton, teksa nuk e fsheh patriotizmin e njeriut që e kishte gjykuar. Sipas Dobrunës, Kuçi kishte bërë luftë të mirë pasi i ishte falur jeta.
Themeluesi i Gjykatës Ushtarake dhe i ligjeve me të cilat kishte funksionuar kjo gjykatë thotë se asnjë person nuk është ekzekutuar me vendim të saj. Ai nuk e fsheh se po të kishte kohë, shumë persona që ishin në burgjet e UÇK-së do të gjykoheshin me pushkatim dhe do të ekzekutoheshin. Dobruna që tash ushtron profesionin e avokatit në Gjakovë nuk ndien asnjë fije mëshire për disa njerëz që ai i quan spiunë. “Spiunët vriten gjithkund”, thotë ai.
Dobruna flet edhe për Gani Gecin, për rastin e të cilit shprehet se nuk ka informacion. Mirëpo, përkrah deklaratën e Azem Sylës dhe shton se nëse ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së ka urdhëruar vrasjen e Gani Gecit – ka bërë mirë!
Dobruna në këtë intervistë të gjatë të dhënë pas shumë vjetësh pranon se gjatë luftës janë bërë gabime. Gabimet më të mëdha, sipas tij, janë bërë me rastin e mosbashkimit të UÇK-së dhe FARK-ut. Po të ndodhte ky bashkim, Dobruna thotë se Kosova do të ishte në pozitë shumë më të mirë.
Ai tregon një rast të takimit me Tahir Zemajn, të cilin, siç thotë Dobruna, e kishte lutur Ramush Haradinaj të bashkoheshin duke pranuar që të bëhej edhe zëvendëskomandant. Mirëpo Zemaj, sipas Dobrunës, nuk kishte pranuar duke ikur nga Kosova me 1.800 ushtarë.
Sokol Dobruna flet edhe për procesin hetimor kundër Fatmir Limajt, të cilin e vlerëson lart. Limaj, sipas tij, nuk ka “shpirt krimineli”, ndërsa tregon raste kur ish-komandant Çeliku kishte liruar të burgosur.
Dobruna thotë edhe se i ka vizituar shpesh burgjet e UÇK-së. Po kështu shprehet se e njeh mirë dëshmitarin kundër Limajt, të koduar si dëshmitari “X”. Ia ka bërë të qartë prokurorit Maorizio Salustro se nuk do të pranojë të dëshmojë edhe po qe se do ta ketë fatin e Blerim Kuçit që të vuaj një muaj burg.