DANIEL GAZULLI
URTËSI
Më ndodh shpesh t’i drejtohem lashtësisë, ose të paktën kohëve
gjithësesi të largëta, sepse sot, në botën e një komunikimi marramendës (tv,
internet etj.) reflektojmë ma pak se paraardhësit tanë.
Mendoj se kemi nevojë të reflektojmë disi të patrysnuem nga ritmet shokuese
bashkëkohore.
1) DO T’ISHTE MIRË
Kalo me qetësi përmes poterës dhe nxitimit,
dhe kujto sa paqë ka në heshtje.
Sa të mundesh, por
pa u përulë, mbaj marëdhanje të mira me
të gjithë.
Parashtro opinionin tand me qetësi e
qartësi, dhe dëgjo të tjerët, edhe nëse janë të mërzitshëm e
të padijtun: edhe ata kanë një histori të tyne.
Shmangu prej personave vulgarë e prepotentë: ata
janë një stërmundim i vërtetë për shpirtin tand.
Nëse
kambëngulë të ballafaqohesh me të tjerët, rrezikon të bahesh kapadai e i helmtë,
sepse do të ketë gjithmonë njerëz ma të mirë e ma të këqijë se ti.
Gëzoju sukseseve që arrin e projekteve
tueja. Rueje interesin për profesionin, sado i përvujtë të
jetë; ai asht një pasuni e vërtetë në ecejaket e fatit në jetë.
Tregoju i matun në punë tueja, sepse
bota asht e mbushun me mashtrues. Por kjo nuk duhet të të bajë të verbër ndaj
virtytit: janë të shumtë ata që u përkushtohen idelave të nalta dhe jeta asht
plot heroizma.
Të jesh gjithmonë vetvetja. Sidomos
mos u shtijë në dashuni. Mos trego cinizëm ndaj dashunisë, sepse, edhe nëse
përjeton zhgënjime, ajo mbetet përjetësisht pema e vetme gjithmonë e gjelbër.
Prano urtësinë e moshës, leni
pa keqardhje dëshirat rinore.
Kultivo forcën e shpirtit per
t’u mbrojtë në rast fatkeqësishë të paprituna.
Mos
e mundo veten me fantazina: shpesh frika
lindë nga lodhja dhe vetmia.
Mbaj
në jetë një disiplinë të shëndetëshme, por të jesh njëherësh edhe tolerant me
vetveten.
Ti je bir i gjithësisë jo ma pak se pemët
dhe yjet, dhe ke plotësisht të drejtë të egzistojsh.
Dhe,
i bindun apo jo i bindun ti të jesh, nuk ka dyshim që gjithësia evolon ashtu si
duhet.
Prandaj të jesh në paqë me Zotin, pavarësisht nga konceptimi i Tij prej
teje. Dhe, cilatdoqofshin shqetësimet dhe aspiratat tueja, në konfuzionin e
zhurmshëm të egzistencës, ruej qetësinë shpirtnore.
Pavarësisht nga mashtrimet, shqetësimet e
andrrat e thyeme, kjo asht gjithësesi një botë e mrekullueshme.
Jij i kujdesëshëm.
Përpiqu të jesh i lumtun.
Dorëshkrim i vitit 1692 gjetë në
Baltimora
në Kishën
e vjetër të Shën Palit.
2) QUHEJ FLEMING
Quhej Fleming dhe ishte një
fshatar i vorfën skocez.
Një ditë, ndërsa po punonte,
dëgjoi një thirrje për ndihmë, që vinte nga një kënetë aty afër. Atje, i zhytun
deri në brez në baltën e murrme, ishte një fëmijë i terrorizuem që bërtiste e
përpiqej të lirohej.
Bujku Fleming e shpëtoi djalin nga
një vdekje e ngadalëshme dhe e llahtarëshme.
Të nesërmen një karrocë e bukur
përshkoi arat mjerane të skocezit; zbriti prej saj një zotni i veshun me
elegancë, që u paraqit si baba i djalit që Flemingu kishte shpëtue një ditë ma
parë: "Do të doja t’ju shpërbleja", i tha zotnia, "Keni shpëtue
jetën e birit tim".
"Nuk mund të pranoj asnjë
pagesë për ate që kam ba”, ia ktheu fshatari skocez tue zmbrapsë ofertën.
Atë çast i biri i fshatarit u duk
tek dera e kasollës së tyne.
"Asht djali juej?",
pyeti zotnia. "Po", u përgjegj krenar fshatari.
"Po ju propozoj një
marrëveshje: më lini që të kujdesem unë për t’i dhanë djalit tuej të njejtin
nivel shkollimi që do të ketë edhe im biri. Nëse djali i ngjet babës, nuk ka
pikë dyshimi se do të bahet një burrë për të cilin që të dy do të jemi krenarë
".
Dhe kështu ndodhi.
I biri i bujkut Fleming ndoq
shkollat ma të mira të asaj kohe, u diplomue pranë shkollës së mjeksisë të
Spitalit St. Mary të Londrës dhe u ba i shquem në botë si sër Alexander
Fleming, zbuluesi i penicilinës.
Vite ma vonë, po ai djalë i
zotnisë së pasun, që fshatari Fleming e kishte shpëtue nga këneta, u smue nga
polmoniti. Kësaj here qé penicilina që i shpëtoi jetën. Emni i zotnisë ishte
lord Randolph Churchill dhe ai i të birit sër Winston Churchill.
3) VIRTYTI
VOLTAIRE: FJALORI FILOZOFIK
Çfarë asht virtyti? T’i bajsh
mirë të afërmit. A mund ta quej virtyt diçka që nuk më ban mirë? Unë jam i
vobektë, ti je bujar; unë jam në rrezik, ti më vjen në ndihmë; më mashtrojnë,
ti më thue të vërtetën; jam i shpërfillun, ti më ngushllon; jam i padijtun, ti
më mëson: do të të quej pa ngurrim i virtytshëm. Po si do t’i bahet me virtytet
themelore e teologjike?
E ç’më duhet si ti je njeri i përkorë? Asht një normë shëndetësore, që ti e respekton; do të
ndjehesh ma mirë e unë do të gëzohem për ty. Ti beson e shpreson, e unë gëzohem
edhe ma shumë për ty. Ato do të të sigurojnë jetën e amshueme. Virtytet tueja
teologjike janë dhunti qiellore; virtytet tueja themelore janë të një cilësie
të shkelqyeshme e do të të shërbejnë për të rregullue jetën; por ata nuk janë
virtyte në marëdhanje me të afërmin tand. Matunia
të ban mirë vetë ty, virtyti u ban mirë të tjerëve. Shën Pali ka pasë të drejtë
të thonte që dhimbshunia vlen ma shumë se sa besimi dhe shpresa.
4)HIMN DHIMBSHUNISË
Shën Pali: Nga letra dërgue korithnsave (fragment)
Dhuntitë shpirtnore nuk
vlejnë asgja pa dhimbshuninë.
Kur unë flas gjuhën e njerëzve dhe të engjëjve, nëse nuk kam
dhimbshuni, jam si një bronz që tingullon e një dajre që zhurmon.
Edhe nëse kam gjithë profecitë, dhe njoh të gjithë misteret e çdo
shkence, edhe kur zotnoj gjithë besimin fetar, deri sa me luejtë edhe malet,
nëse nuk kam dhimbshuninë, jam një asgja.
Edhe nëse shpërndaj gjithë pasuninë time për të ushqye të vorfnit,
edhe nëse sakrifikoj trupin tim e të digjem, nëse nuk kam dhimbshuninë, asgja
nuk më gëzon.
Karakteri i dhimbshunisë
Dhimbshunia asht e durueshme, asht bamirëse, dhimbshinia nuk njeh
smirën, nuk asht e pacipë, nuk mburret, nuk asht ambicioze, nuk shikon
interesin e saj, nuk rrëmbehet, nuk mendon keq, nuk i gezohet padrejtësisë, por
i gëzohet së vërtetës.
Dhimbshunia nuk do të mungojë kurrë
Dhimbshunia nuk do të mungojë kurrë. Profecitë do të kalojnë, gjuhët
do të shuhen, shkenca do të ketë një fund. Sepse njohim në mënyrë jo të
përsosun e në mënyrë jo të përsosun profecojmë, e kur të vijë përsosmënia çka
asht jo e përsosun do të zhduket.
Mbesin tashti për tashti që
te tria: besimi, shpresa dhe dhimbshunia; por ma e madhja ndër to asht
dhimbshunia.