Bashkësia ndërkombëtare po shqyrton tri opsione si rrjedhojë të mundshme të bisedimeve ndërmjet Serbisë e Kosovës: ndarjen e Kosovës, status kuon dhe zbatimin e modelit të dy Gjermanive, me ç’rast Beogradi nuk do ta njihte Kosovën, kurse Prishtina nuk do të merrte karrigen në KB, citon gazeta “Blic” një burim të saj në Qeverinë e Serbisë.
Qëndrimi zyrtar i Serbisë në bisedimet me Kosovën është në përputhje me Kushtetutën e Serbisë dhe qëndrimin se Serbia nuk njeh Kosovën, por Beogradi pret që në kuadër të dialogut të shqyrtohet çështje statusore, para se gjithash statuti i ardhshëm i veriut të Kosovës.
Ndarja nuk hedhet poshtë si një zgjidhje e mundshme, por kjo është e detyrueshme të arrihet përmes bisedimeve e dialogut, vazhdon “Blic” të citojë burimet e saj në qeveri. Tash për tash kjo çështje është shumë larg.
Hans Ola Urstad, këshilltar në Ministrinë e Jashtme të Norvegjisë, në një bisedë dje me gazetën “Blic” ka konfirmuar se ideja për ndarjen e Kosovës ekziston një kohë të gjatë në bashkësinë ndërkombëtare.
“Është e nevojshme të arrihet marrëveshja që do të kënaqte të dy palët. Nëse Kosova e Beogradi merren vesh, kjo do të ishte e pranueshme edhe në BE. Nuk mund ta merr me mend se pse evropianët nuk do të mbështesnin e pranonin diçka për të cilën janë marrë vesh dy palët e interesuara”, citon “Blic” Urstadin.
Si ish-ambasador i OSBE-së në Beograd, ai konsideron se kjo zgjidhje do të mund të siguronte stabilitet në rajon.