Begzad BALIU
BAZA EPIKE E LETËRSISË SHQIPE DHE LIRIZMI I VONUAR I SAJ
(Hyrje per nje monografi)
Letërsia
shqipe ashtu si edhe historia e popullit shqiptar janë simbiozë e
shumëfishtë e ngjarjeve të ndryshme historike. Prej “Historisë së
Skënderbeut” të Marin Barletit e deri në ditët tona, letërsia shqipe
vazhdon të merret me ngjarje të mëdha dhe me heronj të situatave e
bëmave të ndryshme. Mbase duke trashëguar paradigmën heroike
të eposit të saj, për të mos thënë trashëgiminë homerike të saj,
letërsia shqipe është marrë, më parë se sa me ngjarjet, me heronjtë dhe
epokat si tërësi. Nuk është e rastit që të gjitha ngjarjet dhe situatat
historike të periudhës ilire, në letërsinë shqipe janë përqendruar te
Mbretëresha Teutë; të gjitha
ngjarjet dhe betejat kundër pushtimit të Perandorisë Osmane te emri dhe
veprat e Skënderbeut; dhe të gjitha ngjarjet dhe atmosfera e shteteve
të para autonome shqiptare në fillim të shekullit XVIII te figura
komplekse e Ali Pashë Tepelenës. Kështu ka ndodhur madje edhe për
ngjarjet dhe personalitetet e shekullit XX: për epokën e Shpalljes së
Pavarësisë, Luftën e Dytë Botërore etj,; dhe kështu pothuajse po ndodh
edhe për Luftën e fundit të UÇK-së, ku në të gjitha ngjarjet dhe
situatat e saj po reflekton figura emblematike e komandantit, kur
heroik, kur tragjik, kur politik, e kur madje, thjesht, vetëm emocional,
Adem Jashari.
Pavarësisht
se në të gjitha periudhat janë shkruar më shumë se një gjini, zhanër a
lloj letrar, veprat epike vazhdojnë të dominojnë nga fillimi e deri më
sot. Po t’i referohemi letërsisë së periudhës së humanizmit do të gjejmë
veprën historiko-epike të Marin Barletit “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”[1];
po t’i referoheni periudhës së letërsisë biblike do të ndeshemi me
poezitë mitike të Bogdanit me motive legjendash hasjane; po t’i
referoheni letërsisë së periudhës së romantizmit shqiptar do të shohim
se krijuesi më i madh i kësaj periudhe më parë se
sa me lirikat e tij të veprës “Lulet e verës”, përfaqësohet me poemën
epike “Istori e Skëderbeut”, e kur e kur me poemthin gjithashtu epik
“Bagëti e Bujqësia”; po te lexohet krijimtaria artistike e letërsisë së
periudhës prej romantizmit e deri te realizmi, kur pasuria e zhanreve
dhe e llojeve letrare në gjysmën e parë të shekullit XX
është shumë e theksuar, veprat më të mira prapë shquhen ato me bazë në
eposin shqiptar apo natyrën folklorike dhe madje folklorizante të tyre.
Shikoni se si veprat me patos epik të periudhës së romantizmit, edhe në
gjysmën e parë të shekullit XX, kur në parim janë tejkaluar paradigmat
romantike, përsëri në krye të tyre, si vepra më të mira të letërsisë
shqipe shquhen: vepra epike e Gjergj Fishtës “Lahuta e Malcis”, vepra
folklorizante e Andon Zako Çajupit “Baba Tomori”, veprat me temë epike
dhe folklorike të Ernest Koliqit e Mitrush Kutelit, ndërkohë
që vihet në pyetje lirika e Lasgush Poradecit dhe heshtet poezia lirike
e Asdrenit. Nuk dua ta tejkaloj faktin se në këtë periudhë është
shkruar dhe botuar edhe proza, e veçanërisht romani, i cili nuk është
liruar prej bazës historiciste dhe kur e kur ka marrë elemente
përgjithësisht sentimentale, e cila
nuk e ka thelluar a zgjeruar në asnjë mënyrë frymën lirike të saj,
pavarësisht se ndryshe nga periudhat e tjera, lirika e kësaj periudhe,
me Asdrenin, Nolin, Lasgushin e Migjenin, mund të thuhet se ka shënuar
prirjen më të lartë të saj.
Po
kështu mund të thuhet edhe për periudhën e fundit, e kjo do të thotë
për gjysmën e dytë të shekullit XX, kur përjetimit krijues shume herë
historicist, i është shtuar edhe përjetimi krijues ideologjik dhe
folklorizant. Prej vlerësimeve historiko-letrare të letërsisë së kësaj
kohe mund të thuhet se kjo është periudha më e pasur e gjinive dhe
llojeve letrare në letrat shqipe. Por, kjo nuk na jep të drejtë të themi
se kulmet e saj, sipas vlerësimeve të kritikës letrare i shënon lirika.
Pra, mund të thuhet se ndiqet po ai proces i vlerësimit, që ishte bërë
dekada me radhë në gjysmën e parë të shekullit XX. Në
kohën kur krijohej kulmi i lirikës së shqipes me Asdrenin, Lasgushin,
Nolin, Migjenin e të tjerë, shkrimtarë kombëtarë shpalleshin shkrimtarët
e vonuar të romantizmit shqiptar: Gjergj Fishta, Ernest Koliqi etj. Dhe
bëhej kjo për arsye më parë jashtëletrare se sa estetike.
Kjo
ndërkaq mund të thuhet jo vetëm për konceptet e kritikës letrare por
edhe për prirjen e krijuesve të periudhës së dytë. Në krijimtarinë
letrare në Shqipëri ku mbizotëronte koncepti ideologjik dhe madje
folklorizantë, jo vetëm proza po edhe poezia gjithnjë e më shumë
krijohej mbi bazën epike të letërsisë popullore. E kam fjalën kryesisht
për ato vepra, të cilat brezi i kësaj kohe i ka vlerësuar përfaqësuese
të saj: poemën “Nënë Shqipëri” të Dritëro Agollit, “Përse mendohen këto
male” të Ismail Kadaresë, poezitë e Azem Shkrelit, Din Mehmetit e të Ali
Podrimjes. Po kështu mund të thuhet edhe për dramën, e cila përtej poezisë merr
karakter krejtësisht shoqëror, ideologjik, folklorizantë dhe historicist: “Fisheku në pajë” e Fadil Krajës, “Cuca e maleve”, e Loni Papës, “Toka e jonë” e Kolë Jakovës, “Trimi i mirë me shokë shumë” e Sylejman Pitarkës etj.
Çka
të thuhet pastaj për romanin e këtij shekulli, ku mendimi kritik që më
parë e ka konceptuar me statutin e veprës epike, për shkak se brenda tij
ka kërkuar të trajtohet hapësira, koha dhe universi si një bëtë në
botë. Pavarësisht nga kjo, kritika shqipe te proza, në të vërtetë te
romani, nuk e ka parë me përparësi shtresën lirike të tij, e të mos
flasim për detajet e përbërësve të lirizmit, si një vlerë qendrore e
tij.
Letërsisë
shqipe, ndërkaq, i mungon gjerësisht ana joepike, përkatësisht
herodotiste e saj. I mungon në kuptimin e gjerë te fjalës si përvojë a
periudhë historike, por jo edhe si vlerë. Përkundrazi. Përballë
Skënderbeut të Barletit qëndron vepra me imazhe mjaft joepike e
Beçikemit; përballë poezive përkushtuese të Budit qëndrojnë poezitë sado
pak etno-lirike të Bogdanit; përballë eposit të Jeronim de Radës,
qëndrojnë lirikat e Zef Serembes;
përballë eposeve të Naim Frashërit e Gjergj Fishtës qëndrojnë po
lirikat e tyre, e kështu me radhë.
Kam
menduar se romani do të ketë bërë hapa më cilësorë në këtë drejtim,
sado shtresa lirike e tij nuk e shton doemos edhe të veçantën për
përmasën e domosdoshme estetike të tij. As proza e kësaj kohe nuk është
liruar prej prirjeve mitologjike, etnografike, folkloristike dhe madje
historiciste të trajtimit të temave, duke u nisur këtu nga personazhi e
deri te ambienti. As veprat e shumta të realizmit socialist, si “Shembja
e idhujve” e Skënder Drinit[2],
as ato romane, që sipas mendimit të kritikës letrare sado pak e kanë
tejkaluar përqendrimin e tyre brenda këtyre koncepteve, si “Lumi i
vdekur”[3] dhe “Lulja e kripës”[4]
e Jakov Xoxës; as njëri prej romaneve më të mira të Kadaresë, i shquar
për lirizmin e pranishëm brenda tij “Kronikë në gurë”, apo romani
“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”[5], madje as romanet që kritika i ka konsideruar për përbërësit e shquar modern dhe madje postmodern, si “Vdekja më vjen prej syve të tillë”[6]
e Rexhep Qosjes apo “Oh” i Anton Pashkut, nuk i kanë përjashtuar
shtresat mitologjike dhe historike të fatit të popullit shqiptar, sado
si i pari ashtu edhe i dyti, brenda tyre kanë shtresa të pasura të
përpunimit të tyre estetik dhe përmasa të fuqishme të elementeve lirike
në realizimin e temave, motiveve dhe personazheve të tyre.
Prej
kësaj pjese të letërsisë, përkatësisht prej strukturave dhe imazheve të
lirizmit të saj, më parë se sa referencat heroike të këtyre periudhave,
do të mund t’i njihnim në histori dhe t’i shijonim estetikisht
zhvillimet materiale dhe shpirtërore: sociale, ekonomike, etnohistorike
të ilirëve, përkatësisht arbërorëve apo shqiptarëve të këtyre
periudhave. Prej temave dhe qasjeve në këto periudha, ngjarje dhe
situata etnike dhe historike, do të mund të mësonim më shumë për
tkurrjen historike të paraardhësve tanë gjatë antikitetit të vonë, për
sulmet sllave gjatë mesjetës, për dramën e madhe të pushtimeve osmane
dhe shpërnguljeve përtejdetit, për shpërnguljen e madhe nga Sanxhaku i
Nishit
dhe dramën e madhe të kalimit në Turqi, për shpërnguljet masive në
gjysmën e parë të shekullit XX dhe për trenat e shpërnguljes së
shqiptarëve nga Kosova në fund të shekullit XX.
Pa
dashur të merremi me analizën e tyre, dua që në këtë ese hyrëse të
sjell vetëm shembujt e disa prej veprave më të realizuara të romanit
shqiptar, në prizmin e ndërtimit të përmbajtjes dhe pamjes epike të
personazheve të tyre, pa hyrë në detaje, si dhe njëkohësisht të
paralajmëroj faktin se këtë gjendje tashmë e ka tejkaluar proza e Fatos
Kongolit dhe sidomos romani univers, por jo edhe epik i letërsisë
shqipes “Bijtë e askujt” i Rexhep Qosjes.
[1] "Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut" (Historia de vita et rebus gestis Scanderbegi, Romë midis 1508 dhe 1510).
[2] Lulja: Floku
i saj hahej për bukuri me diellin. Kush ishte më i artë? Syri i saj
hahej me lumin. Kush ishte më i kaltër? Dhëmbët e saj haheshin për
bardhësi me gurëzit e lumit që i ka shpërlarë ujët e borës. Kurumi i
saj përzihej me hijet e lisave të drejtë dhe ishte ta ndaje nga ato.
Zëri i saj u ngjallte lakmi zanave dhe shtojzovalleve. (221) ; S. Drini,“Shembja e idhujve.
MARTINI: Veshur
me tirq. Thembrat e tij ishin të mëdha të veshura me opinga lope...(24)
Ku gufonin muskujt e fuqishëm të pulpave në belin e hollë që gati e
këpuste në dysh. Veçse caliku fshihte një pjesë të asaj shpine të gjerë,
supet, shpatullat e fuqishme ishin krejt të lira dhe tregonin një
gjallëri të pazakontë. Ndërrimi i thembrave bëhej me aq rregull dhe
përpikmëri (25). „Një mendje fëmije në një trup vigani...edhe këto male
po kështu. Një mendje fëmije në një trup vigani...“ Kështu mendoi
udhëtari (26). Po malësori nuk kishte vetëm mendje fëmije, po edhe
fytyrë të tillë (27). Në ata sy të kaltër e të thellë tani më nuk
dukej as tmerr, as frikë nga e panjohura (27). Nga Kalca. Sa mbaj mend
brez pas brezi... Martin më quajnë, Martin Kaloshi (27).Tani opingat me
lëkurë lope sikur shfrynin me tërbim pas tokës, fërkoheshin rëndë, si
çeliku në gurë stralli (29). Dhe ai alamet Martini, që e kishte frikë
edhe ariu në pyll, vërtitej si flutur, shkelte lehtë në truallin e
kthinës dhe përpiqej të zbatonte urdhëratë sa më shpejtë (32). Tani
ishte bërë burrë, i kishte dal mjekra... S. Drini ,“Shembja e idhujve“ 1974:107.
[3] VITA: Vajzë myzeqare,e ndershme dhe me moral të fortë; e bukur; sy të zi; këmbë të gjata; Fustan të grisur Jakov Xoxa, Lumi i vdekur:
54.
ADILI: Djalë kosovar me një plis në kokë që i jepte nder; veshur me tirq; vrullshëm; trim; me bukuri të një djali të kujdesshëm.
[4] GRUAJA E MALLKIMIT: Shtëpia
e Gruas së Mallikimit ndodhej hequr me një ane nga fshati peshkatar
(40) E ndara ishte shume e pastër dhe çdo gjë në
vendin e vet. Gruaja qe veshur me një fustan portokalli, të gjatë e
pala-pala, i cili derdhej gjerë te kockat e këmbeve të zbathura (40).
Ishte e veshur kokë e këmbë në të zeza dhe mbante në dorë stapin e vet
të trashë që e detyronte krruljen e të merrte trajtën e një gruaje
kurrizdale. Nga goja e saj, si nga gryka e një mitralozi vazhdonin të
dilnin mallkime të fuqishme, drejtuar Arhondit të madh te Nafores (42).
Gruaja kishte një trup të gjatë e të ajthëm, si gjithë naforiotet. Ajo
ishte e prirë pakëz përpara si hënë që mezi ndihet. Edhe në këtë qëndrim
ajo nuk dilte jashtë rregullsisë se grave naforiote që thyheshin se
vogëli mbi gratë tërbunjeshin nëpër ullishta dhe qe nuk kishte ç’tu
bënte me baritja drejt mbi Bulevardin e Ujit e te Dashurisë që të mos u
binin shtambat nga koka (135). Fytyra e gruas ishte e bardhë karta dhe
nga thinja e flokëve ajo dukej edhe me e bardhe. Përjashta me diell
ajo nuk dilte dhe lëkura i kishte marrë ngjyrën e ullinjve te papjekur
mirë, të regjur me thinje. Vetëm sytë i kishte shume te zinj e shume te
gjallë, si ullinjtë e papjekur në degë. Ata të shihnin së thelli, si nga
thelloma e detit, e qetë përjashta dhe e vrudullushme përbrenda nga
rrymat nënujse (136).Gruaja kishte rënë në gjumë të thellë. Fytyra e
saj, e bardhe dhe pa asnjë reliev, si rrudhe varri, qetësohej nen hijen
hirit te bardhë të nusërisë varur te kryet e shtratit, një të zgjatur
dore. Buzët e thara nga lodhja e mallkimeve te vazhdueshme ngjiteshin e
hiqeshin vazhdimisht nga frymëmarrja dhe dukej sikur shpërthenin andej
pa pushim urime. Vetëm herë pas herë trembej në gjumë dhe fërkonte
Duarte, duke i quar larte dhe duke i hapur përpara syve të mbyllur.
Pastaj i ulte menjëherë dhe rrehej t’i fshihte poshtë çarçafi, siç bënte
kur qe zgjuar dhe i fuste nën përparëse (146). Vijat e fytyrës se
saj kishin harruar qysh kur të buzëqeshnin ajo nuk qeshte as në gjumë
(150) Jakov Xoxa, Lulja e kripës, 1983: 150.
[5] STALLA E VIQAVE TË KOORPORATIVËS: Ndihej era e këndshme e barit të thatë. (57) Ismail Kadare”Gjenerali i Ushtrisë së vdekur” Botimi
i katërt-Prishtinë 1980.
NIK MARTINI: Malësor
i pa njohur, i thjeshtë(163); Doli dhe luftoj i vetëm në katër pikat të
ndryshme, gjersa u lodh dhe u këput. Vdiq. Nuk ka varr as shenjë as
kryq. Vetëm një këngë ka për të.(165); Ismail Kadare”Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Prishtinë 1980.
PLAKA NICË: Fytyrë thatime, të verdhë me sy te çakërritur plot me lot, trup fare të vogël, të imët (210); Ishte
plak e shushatur, mbetur qyqe se ne luftë batalioni i kolonelit Z. I
kishte varur të shoqin dhe pastaj koloneli Zi morri vajzën e saj ne
çadrën e tij dhe që vajza ishte katërmbëdhjetë vjeçe u mbyt në pus pa
arritur akoma në shtëpi. Ismail Kadare”Gjenerali i Ushtrisë së vdekur”, Prishtinë 1980: 212.
[6] TRASHJA: Trashja kishte rreth dyzet vjet por, kush e di, mund të kishte më shumë apo më pak: budallenjve s’mund t’u caktohet saktësisht mosha vetëm prej pamjes së jashtme për shkak se ata, shpesh, mund të duken më të rinj ose më të shtyrë në moshë se ç’janë në të vërtetë. Emri që kishte u përgjigjej jashtëzakonisht mirë vijave të jashtme aq sa edhe cilësive të saj shpirtërore: ishte e trashë, si thesi i mbushur miell; i kishte këmbët si shtylla e
Teqes së Madhe; i kishte llërët më të trashë se qafa e buallicës së Makës; i kishte vithet e gjëra, si të mushkës së Ramizit të
Nurës; i kishte cicat e mëdha si të lopës së Canit të Kastratit. Pjesët e trupit të saj, megjithëse për ne atëherë të zmadhuara pa masë, tani më
duket se kishin njëfarë harmonie të çuditshme, që dëshmonin se në rini kishte qenë shumë e pashme. Trashja e fëmijërisë sime kishte një palë buzë të trasha e të plasaritura, në pjesën më të madhe të kohës të mavijosura që, kur bënte vapë, mbuloheshin prej një shtrese shkrumbi që rridhte
vazhdimisht si një lumë i vogël jargësh të verdha dhe i shpërndahej mjekrës dhe qafës vija-vija bojëkafe. (22); Ajo na i paskësh kofshët si dëbora të bardha dhe si dardha të
forta; ajo na i paskësh gjinjtë e plotë, të njomë, si molla e pjekur; ajo na i paskësh buzët e ëmbla si sheqeri i Shkodrës; ajo na e paskësh barkun e ardhur si fletët e pjeprit; ajo na qenkësh e nxehtë si furra e Hajros së Boshnjakut. Dhe, ç’ishte kryesorja ajo dinte të sillej e të mbështillej, duke bërë oh, oh, oh si ta kishte kaluar rininë në ndonjërin prej atyre haremeve turke dhe arabe, ku gratë e mësojnë njëra tjetrën, në çastet e kotësisë, se si të jenë më tërheqëse për sulltanin, apo sheikun e tyre të çmuar.(19); Trashja, vërtet, lahej shumë rrallë, zakonisht kur
nuk ishte e zënë me ndonjë punë që ishte e detyruar ta bënte, por kur vendoste t’u hynte këtyre telasheve në lumin e afërm, atëherë lahej me një kujdes të zhuganëve. Me një të pastruar ajo hiqte shkrumbin, jargët, zdralin që ia kishte pllakosur lëkurën dhe gjithë këtë pisllëk e hiqte me rrënjë dhe për disa muaj të ardhshëm. Lahej
me sapun të teshave kur i zbutej zemra dikujt t’ia falte, por, herëve më
të shpeshta, me hi të qarrit, që ia tëhollonte lëkurën si maza e qepës. Flokët e saj të zbehta, të kripura me pluhur, fije të sanës, kashtë, lesh, baltë, tani shkëlqenin si pendlat e korbit. Edhe ngjyra e fytyrës i ndryshonte: më parë e zezë si jevge, tani bëhej e kuqe në të bardhë. (24); (...). Prej pamjes së saj rrezatonte njëfarë pafajësie që i stolis vetëm fëmijët dhe ajo, hëpërhë, dukej më e re se ç’ishte në të vërtetë. (24); Trashja kishte lindur ugurzezë, se njeriut, shpesh,
me çastin e lindjes i fillojnë të bardhat ose të zezat e jetës. Ishte bijë e një familjeje të madhe, agallarësh,
të lodhur prej madhësisë së vet. Kishte tre vëllezër, katër motra, dy xhaxhallarë, dy teze dhe tri halla. I
ati i kishte vdekur kur kishte qenë e re, vajzë trembëdhjetëvjeçare, por shtëpia akoma thirrej sipas emrit të tij, meqë kishte qenë një prej
njerëzve të shquar të Vajazanit. E ëma, Nafia, ndërkaq, i kishte vdekur tre vjet pas të atit, duke e lënë në kujdesin e të vëllezërve, meqë të motrat iu kishin martuar me kohë. Trashja kishte
mbetur ashtu në shtëpinë prindore, si virgjëreshë, mbasi askush s’kishte ardhur ta kërkonte për shkak të shenjave të sëmundjes, që iu kishte shfaqur që në vegjëli. Me vdekjen e prindërve, sëmundja e Trashes ishte keqësuar më tepër, por askujt prej burrave të shtëpisë nuk i kishte shkuar mendja që ta dërgonte te mjeku, megjithëse i kishin thirrur hoxhallarët që t’i shkruanin hajmali apo edhe t’i frynin. Nuk e kishin mjekuar, ndoshta, pse besonin se kurrfarë mjeku nuk do t’i ndihmonte, ndoshta pse në atë kohë edhe nuk kishte ndonjë mjek të mirë, që dinte diçka për sëmundjet e tilla të njerëzve që në pamje duken të shëndoshë si topi e, ndoshta, gjë që mund të ishte më e vërtetë, pse u dhimbseshin të hollat që do të shpenzoheshin rreth saj në ato vite kur ishte qesat i madh. Fqinjët thoshin se ata nuk ishin aspak të interesuar të shërohej teveqelja e trashë, që i kishte turpëruar dikur me barkun e saj të fryrë, por që ishin të interesuar ta përcillnin sa më parë në atë jetën tjetër. Është për të besuar se për këtë shkak ia kishin shtuar zullumin Trashes. (24); Trashja hante vetëm dhe nuk përbënte farë sofre të tretë, së cilës do të duhej shërbyer si dy të tjerave. Vetëm kur kishte fasule apo lakra pa mish, edhe Trashes i çohej si edhe të tjerëve, sado në enë dhe me lugë të tjera. Thuaja, gati gjithmonë, për bajram e ramazan, për natë të madhe e
synetllëk, asaj ia mbushnin një kalenicë, të gjetur diku skaj mureve të avllisë, me lëng të verdhë që do ta digjte
edhe gurin e thatë, nëpër të cilin notonin disa grimca të rralla djathi. Sot, besoj, se për këtë shkak Trashja
ishte gjithnjë e etshme, pinte ujë kudo haste dhe ndalej të pshurrte më shpesh se pleqtë e lodhur, që kalonin nëpër meranë e Mulla Jusufit. / Edhe pse për lëkurën e saj shpenzohej më së paku, Trashja bënte disa punë, të detyruara, që s’i bënte askush tjetër, mashkull apo grua, në atë shtëpi. Ajo, në të vërtetë, edhe nuk bënte punë grash se, thoshin, nuk di lopa të punojë ç’punojnë gratë. / Trashen e shihnim shpesh duke çuar drithë në mulli dhe barra e saj ishte më e madhe se e Arifit të Hamallit, që ishte i fortë si demat e Aqifit të Kasapit. Ia mbushnin një thes të dhirtë me gjashtëdhjetë-shtatëdhjetë kilogram grurë, apo më shpesh, misër, ia shtrëngonin grykën mirë e mirë me një lak liri, ia
vinin në shpinë duke ia lidhur me një konop në atë mënyrë që do të mund ta zgjidhte vetëm mullisi kur të mbërrinte, ose ndokush tjetër po t’i ndodhte të rrëzohej dikund rrugës, çka nuk i ngjante shpesh, ndonëse i kishte ngjarë ndonjëherë. Kështu, një të shtunë korriku e kishin ngarkuar më tepër se zakonisht duke ia vënë, siç kishte konstatuar kandari i mullisit, tetëdhjetë e dy kilogram dhe e kishin nisur në pikë të zhegut kur të tjerët nuk duronin lehtë as nën hije. Trashja kishte mbërritur deri afër livadhit të Mulla Jusufit dhe, kur kishte provuar ta kalonte kapërcyellin, ishte rrëzuar me thesin përmbi. / Trashja gati gjithmonë kishte ndonjë plagë apo vurratë tjetër të keqe, të freskët, në trup: herë farë fshikëze në ballë, herë farë vregne në këmbë, herë njërën buzë
të ënjtur e herë njërin sy të mavijosur. Kur kalonte Trashja nëpër meranë e qytetit, dhe i dalloheshin njollat e gazepit në trup (...) (26); Kur i qemë afruar vendit të kundërmimit patëm vërejtur se mbi një kodër të vockël dheu, që kishte trajtën e varrit, ishte një kufomë e kalbur, rreth së cilës bënin rojë sorrat, që ishin ngritur në qiell teksa na kishin diktuar. Ishte kufoma e Trashes. Rexhep Qosja, Vdekja më vjen prej syve të tillë, Rilindja Prishtinë, 1974: 32.