Dr.sci.Fatmir Terziu
Patriarkaliteti
gjithmonë përpiqet të gjejë forma dhe metoda të ndryshme për të
pikturuar gratë me tre qëndrime diversive dhe të debatueshme. Tre
qëndrimet që vetëm diktohen me ‘grua të devotshme’, ‘grua për burrë’ dhe ‘grua model’
janë vetëm pjesë e një ajsbergu me të cilin ushqehet dhe është ushqyer
politika. Këto në fakt, janë qëndrimet e fshehura që bazohen tek
‘shijet’ që diktohen nga epshe mashkullore, epshe që vijnë e diktohen
pas dëshirash të sëmura që shpesh riskohen pas të qënit një “femër me aromë” apo ‘perëndeshë e perëndeshës’.
Thjesht objekte frymore, vetëshpallëse për syrin e mashkullit. Kjo në
disa raste edhe për syrin bashkëshortor. Pra, edhe kur ky është bashkëshorti
i saj (?!) Në këtë patriarkalitet shpesh gjejmë një "vetquajtje më pak
njerëzore, pra një njeri që në fatin diversiv të tij, vjen si një
modulitet i pakapshëm, më saktë si një ‘Perëndeshë’, duke harruar këtë
femër se duhet të jetë ajo me atë që së pari lidhet me kuptimin e
mirëfilltë ‘një nënë të përkushtuar’, dhe një femër tipike, pra një njeri, thjesht me sensin: njeri të pastër. Këto ide që shkrimtarja Vilhelme Vranari (Haxhiraj) tenton t’i fusë në kalibrin e saj dialektik me romanin e ri “Dritëhijet e medaljes enigmë…”
janë aspekte filozofike me të cilat ajo tenton të zbulojë botën e
ndrydhur femërore në lidhje me mjaft situata të zhdërvjellta, por
gjithmonë nga këndi i vëzhgimit mashkullor. Duke vënë personazhin e saj,
Edlirën, në rolin e paramenduar bukur, Vranari sfumon atë varg që
lidhet me aspektet që sipas mendimit tim, janë mjete të politikës
seksuale që patriarkaliteti i sëmurë i një sistemi të kalbur është
përpjekur t’i vendosë në siparin e tij politik e më pas me to të luajë
si një modul intrigues apo si një mostër-politikë të shpallur për gratë e
të gjitha moshave. Ky lloj patriarkaliteti gjithmonë tenton t’u bëjë
kurth grave, me një ‘ideal’ të sëmurë, duke mohuar individualitetin e
tyre. Në të gjitha këto tri qëndrime, grave thjesht u mohohet
sublimiteti jetik, që është qëllimi origjinal i lirisë së tyre. Këto tre
qëndrime e kanë kthyer gruan, pra atë grua që trajton shkrimtarja
Vranari, thjesht në objekt. Në rastin e parë, objekti është vetë kjo
grua, në rastin e dytë është ndjenja e saj për të dashur dhe në rastin e
tretë, është ajo që lidhet nga shtypja e nevojave fizike dhe
psikologjike të saj si qënie njerëzore. Jo më kot e gjithë kjo strukturë
e plotë filozofike vjen tek pjesa e parë e romanit nën titullin
kuptimplotë “Shkëlqim i rremë”.
Në këtë shkëlqim të rremë, është stili i veçantë i Vranarit që paraqet
melosin e gjuhës së bukur, simbolikën e qartë dhe të goditur, atë
simbolikë që vjen mes një semantike të përsosur, ku çdo fjalë plotëson
një kuptim shtesë, ku çdo grupfjalësh ka një mesazh më vete. Aroma është
një kompleks përshkrues. Aroma është një dukuri që vjen dhe prek
ndjenjat. Senset diktohen dhe drejtohen nga spektri i njohur për
lexuesin, por aroma si një fjalë me shumë kuptime nuk vjen thjesht për
të treguar togfjalëshat ‘aromë e shampos’, ‘aromë pranvere’, aromë
manushaqeje’, apo ‘aromë mahnitëse’, ajo vjen si një ritëm në tërë
aspektin metafizik, për të ndikuar në sensibilitetin tonë të ndjenjave,
për të shtuar kurreshtjen për botën që konvergon dhe dirigjon ndjesinë
tonë. Është aroma, kjo fjalë që të bën të ndjehesh e nuhasësh tërë atë
përshkrim model, por është kjo fjalë që vjen me tërë forcën e saj për të
diktuar një aspekt që ndriçon më shumë se duhet në atë hapje për të
ndjekur me kërshëri ngjarjen: “Hyra në banjë. Afshi i ngrohtë i ujit m’u
përplas në fytyrë. Gjithë ëndje nuhatja aromën e shampos, kremit të
flokëve, apo të trupit që përdorte ime shoqe. Një aromë mahnitëse, të
cilën ajo e ka për zemër, aromë manushaqeje, që edhe gjatë dimrit, të
sjell ndërmend hapat e para të pranverës.“Sa kënaqësi! Aromë pranvere!
Aromë dehëse! Aromë gruaje…Aromë dashurie. Gjithçka që më dhuron çasti, i
bën shqisat e mia të ndjeshme. Madje, kënaqësia e beftë e atij
mëngjesi, sikur më ftonte drejt mëkatit. Kjo aromë ndjell tek unë
ndjenja sensualiteti. Çudi e madhe me ne meshkujt! Mjafton një aromë
dehëse dhe kërkojmë ta shijojmë çastin me të gjitha shqisat,”- mendoja
ndërsa prekja mjekrrën. Dola nga banja. Aroma e kafesë më gudulisi
hundën. Isha ende me rrobdeshambër, kur nxitova drejt kuzhinës. Zhurma e
kafetjerës që vinte deri aty, më tërhoqi si magnet. Kur hyra, ime
shoqe ishte duke hedhur kafenë nëpër filxhanë. Bashkë me aromën e kafesë
që avullonte në tavolinë, u përzie dhe aroma e mirë e pas rrojes ose më
mirë me freskinë që dhurohet pas një tualeti të kujdesshëm. E dija që
Edlirës i pëlqenin shumë këto, ndaj iu ...”
Në
tërë këtë shkëlqim të remë filozofia e qëlluar e Vranarit lidhet me
atë aspekt tejet jetik që prek përditshmërinë. Vetë në këtë aspekt ajo
thekson “Nganjëherë njeriut i duhet të harrojë gjithçka; lodhjen,
ngjashmërinë mes ditëve, edhe që jemi të rritur apo me përgjegjësi të
shumta, sepse rutina është e lodhshme. Herë pas here çiftet duhet të
dalin nga vetja, të harrojnë vitet, hallet dhe të shndërrohen në moshën e
pakthyeshme të fëmijërisë. Është e domosdoshme të bëhet diçka e tillë,
pasi shpesh herë jeta kthehet në monotoni. Madje nganjëherë sikur kemi
nevojë të harrojmë edhe veten, për të qënë tjetërkush në çaste të
caktuara.” Me gjithë këtë mesazh shkrimtarja plotëson atë anë të
psikanalizës që lidhet me dukurinë e jetës. Jeta në tërë aspektin e saj
merr një frymë të lehtë, kur depërtohet mes një origjinaliteti të
pafryrë, mes një larmie gjërash të prekshme deri në detajin më të vogël.
Duke udhëtuar mes këtyre detajeve sublime e të prekshme, “Dritëhijet e medaljes enigmë…”
bëhet një bashkëudhëtar i qetë nga fjala në fjalë, nga grupfjalëshi në
togfjalësh, nga fjalia në fjali dhe nga faqja në faqe. Kapitujt bëhen më
të kapërcyeshëm dhe leximi të jep kënaqësi. Mes fletëve të romanit,
dashuria, lakuriqësia, butësia e lëkurës, freskia dhe aroma e trupave,
po aq edhe koha, aspektet që lidhet me çiftin burrë e grua, ajo që
lidhet me ndjesinë, kohën, profesionin, suksesin, biznesin, fëmijën e
çiftit me emrin Igli, pastaj gjeografia që lidhet me masterin e
studimeve të Edlirës, e që fillon me tërë ato emra Itali, Çeki, Greqi,
Rumani e përfundon në Angli, është një arsye më shumë që të lehtëson
udhëtimin filozofik për të kuptuar të plotë lidhjen jetike dhe arsyen me
profesionin e bukur të gazetares, të gazetares së lidhur edhe me
ATSH-në.
Vranari
kështu luan jo thjesht me atributet e artit dramatik në prozën e saj,
por në mënyrën më të përsosur të arsyes gatuan fabulën mes dramaciteteve
të jetës bashkëshortore për të plotësuar mesazhin sublim. Janë këto
mesazhe sublime që merren me tema të tilla dhe me interes të pranishëm
për publikun, për të cilat ato janë të shkruara, ashtu si edhe të
luajtura në heshtje me dramatizim të madh. Për një audiencë shqiptare të
kohës sonë, marrëdhëniet bashkëshortore shfaqen me interes vital, por
janë edhe marrëdhënie që diktohen me problematikën e tyre. Për një
audiencë të ditëve të sotme, në rrafshin më të gjerë, lidhja e cituar
nga Vranari me tërë problematikat e saj është e një rëndësie të lartë
edhe për kultura të tjera. Marrëdhëniet shoqërore, të cilat janë duke u
bërë gjithnjë e më të theksuara në mendjet e njerëzve, dhe të cilat mund
të jenë të destinuara të jenë subjekt tjetër i madh për artin, i
nënshtrohen jo rastësisht penës së mjaft penave sot në botë. Shumica
prej nesh janë ende në mes të luftës së përzgjedhjes për tema të tilla
në të lexuar. Aspektet morale të pyetjes, kërkesat etike dhe
altruistike, po aq edhe ato kërkesa praktike janë shumë këmbëngulëse për
ne që të shohim këtë përzgjedhje si një të tërë, ose për ta parë atë në
mënyrë të qartë, si material për artin, për ta parë atë si të bukur në
tërë kompleksin që lidhet me kulturën, identitetin, globalizmin në art,
por edhe me stilin, strukturializmin, postmodernizmin dhe mjaft kritere
të tjera që duhen apriori vënë në dritaren e duhur të vlerësimit. Duhen
vënë në atë dritare me xham të pastruar mirë, me qëllim që koha të mos
‘qërrohet’ duke vëzhguar kohën për brezat. Në këtë pikë fjala e Vranarit
në këtë roman është jo thjesht pikasje, as përzgjedhje e gabuar, por
një art më vete. Dhe arti i përket artistit. Artisti, që ecën larg,
shumë larg, ndoshta edhe pak përpara moshës së tij, duke treguar
bukurinë dhe kuptimin, këto dy aspekte metafizike të jetikes, natyrshëm
janë vetë flamuri i përzgjedhjes, që ndodhet në një majë të pakapshme.
Ky artist kurrë nuk kalon pa rënë në sytë e gjeneratës së re, dhe me
veprën e tij dikton vendin ku flamuri është vendosur, jo me dëshira e
stile tashmë të perënduara ‘politiko-miqësore’ të rrëfimit kritik-mik.
Brezat gjejnë kështu mesazhin e këtij artisti duke pritur atje ku është
ngulur flamuri, për ta shijuar atë arritje si të gjitha gjërat e bukura
që presin gjetjen dhe zbulimin, përzgjedhjen e tyre. Vranari është
artistja, e cila jo vetëm i ka vënë pikërrëfimin rrugës së bukur
prozaike shqiptare, por është edhe arsyeja që rrëfen vendin ku është
ngulur flamuri në një mjedis më të gjerë krijues, e pse jo me nivel
tashmë botëror për forcën e mesazhit dhe fabulës së saj. Ajo, më shumë
se çdo tjetër në këtë pikërrëfim, përdor për bazë të artit të saj ndjesi
të interesit jetik, jashtë moshës së saj, por në një pikëtakim me
kohën, vendin dhe situatat që gatuhen nga fabula dhe mesazhi. Në këtë
pikë ajo është një model!
Në
unitetin, kohë dhe vend, gjithashtu, ajo përmbush idealet sublime të
lidhjeve në çift, por edhe hapësirat që groposin fate të ndjeshme, duke
simbolizuar aspekte patriarkale në kushte moderne, në kushte ku liria e
individit dhe epshi janë aspekte të ndikueshme. Në tërë këtë fabulë
veprimi gjithnjë është i mbyllur në një moral, dhe në asnjë aspekt të
ndikuar nga kjo hapësirë, lidhjet apo dyzimet mes elementit burrë dhe
femër, edhe kur në mes është e panjohura, ‘kamerrierja’, janë lidhje që
ndikojnë dhe reflektojnë art. Çdo akt i një shfaqjeje të tillë na jep
para syve skena përditësie, ku çdo skenë është dhënë pa shumë ndryshime
të sfumuara dhe na vihet përpara memorjes si në një skenë. Në roman
veprimi është i hapur dhe aspak i kufizuar në aritmetikë kohore, ai nuk
funksionon spontanisht, por as nuk ndjehet si në shtëpinë e një kukulle
për të prezantuar trupa të ngurtë, apo edhe të zjarrtë që thjesht
ndjejnë, shijojnë dhe bëjnë dashuri, dhe në asnjë rast apo çast nuk
është shfaqja e jashtëzakonshme, apo e papritura, por ndjenja vjen si
kahera, aq e zakonshme dhe e natyrshme, me më shumë se dy apo tre
kuptime të fuqishme.
Ai
lexues, kritik, studiues apo analist, i cili është mësuar të mendojë
për komplot dhe mes veprimit të tij si sinonim i fjalës, i duhet të
veçojë dy terma në marrjen e plotë të kuptimit të fabulës së Vranarit në
këtë roman. Fjalët e përzgjedhura dhe fjalitë e këtij romani kanë
komplot në bollëk, por asgjë nuk ndodh në to, më shumë se çdo gjë në
faqet e tij është dialektika e pjekur e fabulës dhe mesazhit
kuptimplotë. Veprimi bëhet në shpirtin e një karakteri ose në lidhje të
plotë në mes të karaktereve. Ka disa incidente të ndjeshme që fuqizojnë
fabulën dhe natyrshëm përveç tyre që shijohen si të tilla, nëse një
lidhje të tillë do ta deshifronim me aventurat e shpirtit njerëzor,
[nëse do ta quanim si të tillë] ku koincidenca lidhet me momentin
psikologjik. Kjo koincidencë e momentit psikologjik dhe simbolik është
aq e vazhdueshme, sa që i jep romanit një hapësirë të gjerë metaforike
me plot detaje në lidhjet aq të vjetra e të reja të sfondit patriark.
Këto lidhje të vjetra e të reja e transformojnë më tej idenë e autores në një shtrat tjetër ku derivatet fshihen pas një ‘shkëlqimi të remë’
e dominohen nga e dukshmja dhe e padukshmja, që mbetet një gangrenë mes
jetës dhe profumit të saj. Në pjesën e dytë autorja zgjedh si një
tematikë të ndërlidhur korrupsionin. Këtë plagë të ndyrë, të keqe e të
përbotshme Vranari e sheh në aspektin global. Në këtë aspekt globalizmi
nuk është vetëm një parashtrim, por edhe një shtysë retorikë në planin
parësor. Kjo e keqe e përbotshme që del në faqet e romanit është një
shkatërruese e ashpërr e tërë strukturës pas së cilës qëndron ajo që
autorja e ka vizatuar pas shkëlqimit të rremë të jetës. Në faqet e
romanit krimineli bën ligjin, pronari dhe i pafajshmi burgosen. Dhe kur
mendohet të vendoset drejtësi (ku djali i formuar jurist me
magjistraturë të kryer në Britaninë e Madhe, arrin dhe dënon nënën e
tij, një ishprokurore kriminele). Por vetë ky djalë me edukatën dhe
kulturën e mësuar në Angli mëson se ajo, nëna e tij dhe të tjerët e
ndëshkuar nga drejtësia dhe ligji marrin pafajësinë. Në tërë këtë
amplitudë të trajtuar në mënyrë të tendosur dhe mjaft interesante,
fabula dhe mesazhi janë dy derivate filozofike, që mposhtin çdo ndjenjë,
që ftillojnë deri në maksimum interes. Djali i specializuar në Angli
pas kësaj skene joligjore jep dorëheqjen, sepse mëson se ligjin e bën
paraja dhe korrupsioni i gjallë.
Autorja
me këtë stil të kombinuar dhe jolinear ka prurë një veçori tipike të
prozës që lëvrohet sot, duke argumentuar mes dy ideve dhe duke kombinuar
mes tyre me anë të paralelizmës së dy ngjarjeve, ku njëra zhvillohet në
Angli dhe tjetra në Shqipëri.
Gjeografia që sjell autorja është një dëshmi vlerash dhe mes dy
kulturave prezanton dy identitete në dy hapësira të ndryshme. Ajo kështu
kërkon të godasë mjeshtërisht dhe fuqishëm fenomenin e korrupsionit,
këtë temë që po e shkatërron vendin, shoqërinë, individin dhe pengon
integrimin. Duken si dy tema të ndara, por janë në varësi të
nëjra-tjetrës. Me këtë “Dritëhijet e medaljes enigmë…”
mbetet natyrshëm një roman me vlera unikale, ku Vranari na sjell
shansin e përzgjedhjes së vlerave mes mesazhit dhe fabulës duke
konkuruar ndjeshëm në hapësirën krijuese botërore.