2011-05-27

Nga mbrapa shpine më ndiqnin dreqrit,.... por unë trokisja...trokisja prap.


KRIJIME POETIKE NGA POETI I MIRËNJOHUR SHQIPTAR AGIM DOÇI ..

U privatizua vargu!

Hej milet!
Dallkaukë, letrarë, bejtexhinj dhe poet
Mblidhuni tek Sheshi i Poezisë!
Erdhi momenti i shumëpritur
Privatizohen vargjet, vjerrshat, poezitë
poemat, balladat e vlerat e Letërsisë,
merrini Antologjitë Letrare ku janë e ku nuk janë
fillojmë nga ato të shkruarat në pergamenë
nga autorë me emra të lashtë Taukrik, Taulant
Vraufrik, Hespant, Iprisht, Ibrisht
Ecni ndër shekuj tek poetët me mbiemra
justinianë dhe bizantinë
Zarisht, Bogdan, Ylenec, Jeronim,
ndaluni tek arbëreshët e Moresë
Gavril, Derad, Pal, Muzak, apo Golem
Blini Fishtën, shisni Koliqin, një Mjéd ndrrohet me dy Migjen!
Mblidhuni të gjithë me lajmërimin tem!
Do ndrrohet Naimi, Chajupi,Prenushi dhe Shantoja
Me poezi shkruar nga Mao Y dhe Go Mo Zhoja(!)
Mblidhuni pra mos humbisni rastin!
Sot hapet Tenderi i Privatizimit Epokal!
Tek Sheshi i Poezisë
Shisni Ismail Kadarenë dhe blini poetin Fekal!
Ka dalë nga gjiri i popullit!
Gjyshi i tij ka qenë Këshilltar në Hekal!
Bile dhe kryetar fronti...kryeçoban i dhisë!
Rapsod i orëve të para, që me porosi të partisë..
diskretitoj puçistat në gjirin e ushtrisë..
Nxitoni se vargjet po mbarohen!
Poemat shiten, blihen, privatizohen!
Kurvat e Poezisë krihen, zbukurohen
gëzohen, pasurohen!
Në bordellet e vargut të thyer...
Mos humbisni rastin!
Poezinë kombëtare për ta këmbyer.
Nesër do privatizojmë Historinë!
Do këmbejmë Korçën e Gjirokastrën
të bëjmë Vorio Epirinë!
Mos humbisni rastin!
Sot privatizojmë Poezinë!
Nesër Historinë, Gjeografinë, emrat e mbiemrat!..etj.etj.
Nesër!...
Nesër ama!..pastaj?..
Pastaj na mbetet të privatizojmë Atdheun!
Dreqi le ta haj!
Jepen falas Eposi i Kreshnikëve
Legjenda e Murimit!
Është rinovuar koncepti për Atdheun!
Tani kemi Bashkimin Europian
Atje mund të futemi pa Skënderbeun(!)
Gjin Bue Shpatën, Kont Uranin
Adem Jasharin, Zahirin, se vallah na lodhën.
Privatizojmë fushat dhe malet e mandej
privatizojmë Kosovën!!!
(Oj medet!)
Si dikur Plavë e Guci..
Shkodrën e bëjmë Zonë të Lirë
(pa dalje në det..)
ndoshta e lemë të shkoj me Mal të Zi.
Hej milet!
Mblidhuni tek Sheshi i Poezisë!
Privatizohet vargu atdhetarë!
Shitet me shumicë !
Mblidhini kursimet tuaja shqiptarë!
Ejani dhe bleni vargjet me rimë, pa rimë.
Se Antologia do muroset si Rozafa dhe jashtë do ti lëmë vetëm një sisë...
Ka ardhur Koha e Mbrapshtë
Të pijmë qumësht të konservuar nga punishtet e Greqisë
Mblidhuni të gjithë
në Sheshin e Poezisë!

Tirana Dje...

Rrugët, bulevardet në mes të qytetit
shtruar pllaka - pllaka në kohë të Italisë
Ngriheshin madhështore zyrat e pushtetit
Ballë përballë sterronin zyrat e Partisë!

Nuk kaloje dot nëpër trotuaret
se ta bënin "psst!"...ishte e ndaluar(!)
Sharrë e Shtish Tufinë parcelat me varret...
Gjysmën e qytetit kishin spiunuar.

Oficerë të ngrysur, plot operativë
njerëz që vraponin rrugëve pa gdhirë
gjyhë zyrtare "labçia", mishi me tallon
spiunë vullnetarë, buka me racion!...

Autobuzë të shqyer, goja qelbej gjizë,
vajza bukuroshe që s'kishin haber
çfarë është deodoranti, endrrave vënë vizë
Anë e kënd parulla: "Rroftë shoku Enver!"

Nëpër mure skuqnin shkrime aq tragjike
"Jini vigjilentë!"...; "...armiku punon!"
"Nafta gjaku i zi!"..., "Rroftë Kina mike!"
Burgjet mbushur plot, jeta me tallon(!)

Menxat e puntorëve pihej ujë me brrokë!
Margarina luks, vaji me racion!
Ligja 55 si skifter mbi kokë
Shkruar nëpër mure: “Kllasa edukon!”

Populli festonte me aq shumë “gëzim”
Festat e Partisë, festat e nëntorit
Dilnim që pa gdhirë në parakalim
Me surrat-zgërdhirë – para Diktatorit!

Iknin vitet shkonin, nè brenda kafazit.
skllevër të Partisë, robër të Enverit!
Armiqt rreth e rrotull plasnin prej marazit
Shqipëria shkëmb nën Dritë të Fenerit…

Ishim zemër pula, ishim lepurusha
Askujt nuk ia mbante, që të çelte gojën
Komb pa dinjitet, shefa veshllapusha
Që të nxinin jetën, e të merrnin bojën!!!

Shkruanin gazetat, vu Radio Tirana:
“Novatorët e shquar, e shpikën traktorin!”
Dikush vriste vehten me 4 – 5 plumba
Nè s’na zinte gjumi kurrë për Diktatorin!

“S’kishte gjumë Partia! S’kishte gjumë Enveri!”…*
“Frynte erë e malit si grykë maliheri!…”…*
Popull frikacak që nuk flinte gjumë 
Jeta një batak – gjithandej spiunë!!!

Kjo ishte Tirana, kryeqyteti ynë
“Moj Parti e Punës, ty ta hangsha synë!”
Populli në këmbë, Partia në ballë
Ndaj e morra pendën, që tok të qajmë hallë!...



Parodi e Pleshtit

Pleshtit nuk i vjen mërzi.
A je qen, apo njeri 
A e ke leshin t’bardhe a t’zi,
Por gjen vend për mrekulli.

Ndonse kruhesh pa ja nda
Gjithsekush një plesht e ka!
Bile thonë se rraca e pleshtit
Mbijeton vetëm prej leshit.

Kam ndigju se ka do pleshta
Që zen rrushi nepër vreshta
Ka dhe pleshta nepër lopë
Pleshta plehu në çdo gropë.

Unë ksaj here kam mendu
Për do pleshta të tjerë me shkru
Për këtë rracë tejet mizore
Që bezdisë rracën njerzore!

Askërkush nuk dëshiron
Ta ketë pleshtin nepër shtat
Sepse pleshti frekuenton
Në veçanti leshin e gjatë.

Ndaj dhe rruhen mbahen pastër 
Mos me e rritë leshin ma shumë
Sepse pleshti s’mban me hater
Je në qytet, a je në katund.

Me i ra shkurt pra miqt e mij
Po u tregoj një histori
Që i ka ndodhe pleshtit qyqar
Tuj shetit kombin shqiptar.

Pra ky plesht kishte ndigju
Se në Ballkan, qefli me u kru
Janë shqiptaret në troje të veta
Që për lesh s’u dhimbset jeta!

…Filloj pleshti punë për s’mbarit
Me zgjedhë leshin ndër shqiptarë
Iu fut mjekrës së Kryetarit
Mjekërkuqit, lesh pa larë!

Por nuk mundi të qëndronte
As një dite në mjekër të tij
Sepse leshi kundërmonte
Wiscky, brandy dhe raki!

Ku të futej pleshti i ngratë!?
Lesh të dredhun kanë dhe gratë.
Ndaj u fut në Qeveri
Që t’a zgjidhë hallin e tij!?

Sallë luksoze, e mikrofon
Kryeministër kokë bidon
Por pranë tij një leshraverdhë
Floku i saj, me dorë ish dredhë.

Ah! - tha pleshti,- të qofsha falë
Se prej teje s’kam me dalë!
Dhe u fut në mes të shalëve
Që ma mirë t’u ruhej fjalëve!

Frrup! Frrup! Frrup mezi arriti
Iu ngroh zemra, iu ngroh shpirti!
çfarë arome, oh ç’deodorant!
Ndonse shumë interesant!

Aj soj vendit i preferuar
Për dreq leshin e kish rruar!
Ndaj dhe Pleshti mbet i habitur
Që ai vend, s’kish lesh të rritur!

Ban vaki,- mendoj i shkreti,
Ndoshta këto… i ka pushteti!
Dhe e zuri pa e kuptuar
Gjumi i embël, në lesh të rruar!

Pa kaluar as gjysëm e natës
Sheh një endërr i turbulluar
Që leshverdhës, oh të ngratës
I vjen mjekrra lesh pa rruar…

I del gjumi plesht fatziut
Dhe gjen vehten për çudi
M’u tek mjekrra e njeriut
Wiscky, Brandy e Raki!

Dreq o punë, - tha, - po këtu isha
Ndaj kërkova transferim!
Vërtet leshin nuk e kisha!
Ama kisha Qeverin!

S’e kuptonte plesht hajvani
Se ku ishte në fakt sekreti!
Për një plesht digjet jorgani
Rruhet leshi! Por jo Pushteti!

Ndaj ky plesht qe u zhgenjye
Dhe kujtoj se gjet xhehnetin.
Nga kish ardhur na u kthye
Se nuk kruhej dot me Pushtetin!  



KU KEMI LERË !?… 

- elegji sipas stilit Çajupian - Në ç’vend kemi lerë
Krenarë dhe të dhjerë !...
Në Shqipëri !...
Ku të hedhin më shumë baltë
Dhe fajdet të grinë paratë ?
Në Shqipëri !...
Ku ka vlerë më shumë gomari
Se shkenctari apo shkrimtari
Në Shqipëri!...
Ku ka bakër, krom dhe ar’
Po s’ke ujë as për t’u lar’
Në Shqipëri!...
Ku jetojmë aq të gëzuar
Xhepat bosh – derën e blinduar
Në Shqipëri!...
Ku qeveria punon me banda
E na mban gjallë veç kontrabanda?
Në Shqipëri!...
Ku i veshin në kokë çorapet?
Ku kallashi lan hesapet
Në Shqipëri!...
Ku s’punojnë hiç Kombinatet
Ku hajdutë ngremë pallatet!?
Në Shqipëri!...
Ku pa punë fitohet leku?
Ku pëllcet kërrcet dyfeku?
Në Shqipëri!...
Ku hedh valle sërbi e greku
Ku të luan tepeleku!...
Në Shqipëri!
Ku spiuni bën transparentin
Ku vampiri bën Parlamentin
Në Shqipëri!…
Ku t’a vrasin Deputetin?
Ku s’e pjerdhin Presidentin !?
Në Shqipëri !
Ku ka një Komb e nuk gjëndet i dytë
Që ban sherr me vehten, e vehtes i nxjerr sytë
Në Shqipëri !...
Ku vishet populli ma trim i botës
Me plaçka të vdekurish të Europës!?
Në Shqipëri!... 





Nuk kam kohë të merrem me ty!

Mjaft më bezdise me xhelozinë tënde!
Gjeta pak kohë të ta them ndër sy:
Bota ime është më e madhe se çdo dhëmbje
Lermë të lutem, nuk merrem dot me ty!

Unë vij të përkëdhel e ti kurr nuk ngopesh
Ankohesh, psherëtin e pastaj thua: - më ke xhan?
Vërtitesh brenda vehtes e prej saj friksohesh
Nuk kam kohë të merrem me ty taman!

E di se do trishtohesh dhe do kërkosh pardon
Por unë e ndjej nga larg, do mbetesh po ajo!
Sa më shumë të të dua, ti përsëri dyshon
Më ndjek nga pas si hije, pastaj pyet: - a më do!?

Tani fli dhe pafsh endrrat më të bukura
Unë do vij fshehurazi e të të puth në sy
Se lulet mezi presin, mbi to, të ndalet flutura…
Ika…sepse nuk kam kohë të merrem me ty!




Kisha vdekur…nuk e dija!?

Kisha shumë vite që kisha vdekur
Erdhën plot njerëz dhe në varrim
Sa fjalë të bukura që kishin gjetur
I kishin shkruar mbi varrin tim…

Sa turp më vinte, sa më peshonte
Rrasa e varrit me ato fjalë.
Ndonse parajsa nuk më pranonte
Ndoshta dhe shpirti s’më kishte dalë…

Sa isha gjallë më ndenjën ftohtë
Nuk e kuptoja çfarë kisha bërë
Doja nga njerzit një fjalë të ngrohtë
Vetëm më iku, jeta e tërë…

Tani që s’jam, mos u friksoni!
Se larg prej jush vendin e gjeta.
Rri kuvendoj me Perëndinë
Ai s’paska frikë nga e vërteta!


Letrës së bardhë…

Ajo që mbeti gjithë jetën e virgjër
Më ra në dorë krejt rastësisht.
Dhe unë rrugaçi i poezive
E zhvirgjërova përfundimisht

Katër stinët

Katër stinët e krrusura,
ecin e ndrrohen pafundsisht
Mbyllet viti, fillon tjetri,
e kështu çapitemi në pafundsi...
Si buall i palodhur,
mpreha pendën në letër sinqerisht
Dhe doja që me afshin e shpirtit,
t'a falja njerzve veç Dashuri!

UNË DHE “POETËT”
Ama "poetë" ishin ahere,
kur thurnin hymne për Partinë!
Tani liria është prapa dere,
Ata më shajnë veç Shqipërinë!

Ndaj dhashë e dhashë e më s'durova!
Duke e lënë at' vend të lik!
"Poetëve" vendin ua lëshova
Përplasa derën, e thashë: - Po ik!

Kalova udhë, kalova dete
Më ngjante vendi si një greminë!
E morra vargun, dhe vrava vehten,
rrëzuar jam sot mbi vetminë!

Kur të kujtohen që unë kam ikur
Do jetë shumë vonë, por s'ka rëndsi!
Më mirë larg tyre, Qiri Pa-fikur
Se bajgë e shkelur, pa Poezi!

Banale

Kur ju të tjerët
arrini deri tek endrrat
dhe të nesërmen
i tregoni të lumtur.
Unë i jetoj endrrat e mija
bile dhe tuajat.
Padyshim që këtu
ua kam futur!..

Lajthitje poetike

Nëse një femër mrekullohet
Vetëm nga vargu im i thjeshtë
Unë jam Romeo që dashurohem
Sapo të bëhet ajo Xhulietë!....

Sepse e di se çfarë është endrra
Dhe dashurinë unë e kuptoj!
sa fantastike që ësht' femra
E di veç ZOTI që e krijoi!

Unë mirë e di çfarë do një grua!
Një fjal të ngrohtë dhe çiltërsi.
Brenda në shishe më futi mua!
Se isha Djalli në Dashuri!.....

Kush jam unë...

Unë milingonë kam qejf të isha
Sa forcë të madhe ajo ka!
Se mban mbi supe të tilla pesha
Shtatë herë nga vetja më të mëdha

Do kisha qejf të isha buall
Të çel ugaret ku mbillet drithë
Të hiqja pas qerret me gurë
Të kishte Bukë..Bukë për të gjithë!

S'do ishte keq të isha zog
Dhe krahë të kisha për fluturim
Por jo ama të isha korb,
që kërmat ha në pikëllim...

Dhe peshk me hala do ta pranoja
në det të kripur...o në liqen,
por midis shokëve kurrë s'do doja
të isha unë një peshkaqen!

Ndaj jam më i lumturi shqiptar
Madje dhe shkruaj poezi.
Se mbaj mbi supe të thjeshtën fjalë
Të madhërishmen fjal' NJERI.

DIVERSIONIZËM…..
i shkela telat e kufirit shpirtëror
dhe hyra në poezi me varg “interesant”
u dënova: - Me pushkatim vjerrshëror!
bile Gjykata e Poetëve më quajti diversant!...

E pranova dënimin se më erdhi mirë
Po ende nuk kam zgjedhur ku do më flakin
Nëse at Fishtën e hodhën në Lumin Kir...
mua nëpër këngë le të ma coptojnë shtatin!...



ZHGËNJIMI I POETIT

E dija botën shumë të sinqertë
Dhe vehten time – një pjesëz të saj!
Por kur zhgënjehesh, s‘qenka e lehtë
Të ulërij apo të qaj?!……

U fola njerzve gjithmonë ndër sy!
Kaq hidhur vallë u erdhi vërtetë?….
Zhgënjimi im, I madh për Ty
Ndaj thashë: - Ti botë je e padrejtë!

Ndaj kërkoj, sot po kërkoj
Nga ju të gjithë një fjalë të ngrohtë
Dhe nuk dyshoj, aspak s‘dyshoj
Nuk ekziston një tjetër Botë….

Dhe qielli, edhe toka
Dhe bora lart në mal
Dhe dielli do të thosha
Dhe deti plot me val‘
Dhe shiu me gjëmime
Dhe era me furtunë
Janë pjesë e botës time
Ashtu siç jam dhe unë!

Pra njerëz shumë ju dua!
Më doni edhe Ju!!!
Të gjitha dashuritë
Shijojini këtu!
Dhe flakni tej mëritë!
Të bëhemi më të mirë
Në doni që fëmijtë
Të jenë vërtetë të lirë
MËRGIMTAR
Eh ç’më vdiqën baballarët
jashtë truallit të gjithë!
Ku t’ua gjej varret, eshtrat
ku ju prehen baballarëve?
Fusha e lënë djerr, magja pa brumë,
hambari pa drithë.
Kokën nën sqetull.
Krismat mbi vetull
ky paska qenë fati i shqipëtarëve...


RROFTË SHQIPËRIA!

Rroftë Shqipëria e lirë“
dhe e coptuar!

Rroftë Shqipëria e kioskave,
e vjedhur dhe e përcëlluar!

Rroftë Shqipëria e krisur në tru,
e goditur në zemër,
as mashkull as femër!
E tradhëtuara në lëkurë,
Rroftë Shqipëria që nuk vdes kurrë…
E plagosur nga gazetat,
nga ethet E PUSHTETIT e sëmurë,

Rroftë Shqipëria e ndotur,
e përlotur.
Nga deti e mallkuar,
e palarë, e parruar!

Rroftë Shqipëria natyrore që po harrohet,
që trishtohet edhe kur dashurohet(!)
Gjysma martire
Gjysma pa fat!
Rroftë Shqipëria lakuriq
Që s‘e pati hak!
Koskë e lëkurë
Me absurdin Pajtim - Gjak!

Rroftë Shqipëria lugat
Magjia që mbijeton
me korrupsion!
Shqipëria me 3 Fé,
që trembet nga ne!

Rroftë Shqipëria - Atdheu i fëmive!
Shqipëria e 3 milion Partive!



VARGJET DHE NJERËZIT!….

Po, po!
Vargjet janë njëlloj si njerzit dhe nuk është aspak çudi!
Ka vargje të shkurtër,
vargje të gjatë
vargje të revoltuara !
vargje plot me dashuri.
Ka vargje rrebele,
vargje të sakatuara
vargje të pisëta
Vargje të ëmbëla si …karamele
Ka vargje pa kuptim
Vargje që të mashtrojnë
Ka vargje që u vjen era që përtej…
Vargje përçmim
Vargje që të gabojnë !
vargje që kurvërojnë…

pa dilni në bulevardet e mbretërisë së poezisë
të takoni Naimin, At Fishtën a Chajupin
merrni dy vargje prej
autostradës Migjeni
se shëtitorja Jeronimit dhe Gavrilit
thellësive të legjendave
vargjet nuk di ku i humbi !
Kërkoni në shkëmbenjt
e Xhevahirit
të gjeni mademet e vargut të protestës
zbrisni në fushat e Myzeqesë
të merrni pak humus prej vargut të Visar Zhitit
Ndaluni tek balta e Devollit
Dhe merini falas vargje prej Driteroit.
Se matanë Bjeshkëve të Namuna
Azemi Shkreli nuk b’zan…
U çliruen bjeshkët…

Vargjet janë si njerzit!
Ka njerëz të shkurtë dhe të gjatë,
Barkalecë, mistrecë,
Njerëz të llangosur
Njerëz gjenial
Ka edhe njerëz vrasës, njerëz viktima
Njerëz të pangopur
Njerëz që u kruhet…
Njerëz pa vlerë, të ftohur
Njerëz të lirë !!….ah ? çfarë the ?… vargje të lirë ???
Ah po më fal !
Harrova t’a marrë dreqi!
Vargjet janë si njerzit!


A e dini?
E dini që mbrëmë ma vranë vehten time
A e dini që sot e tutje do mungoj gjithandej!?
Më ka mbetur vetëm një kartë telefoni
Agjensisë së Funeraleve një telefonatë t’i bej…


Tak, tak, tak...

Trokas në derën e Shën Pjetrit
Dhe pas dy orësh dera s’u hap...
Nga mbrapa shpine më ndiqnin dreqrit
Por unë trokisja...trokisja prap.

Dhe nuk shikoja në majë të kokës
Që ishte shkruar një lajmërim
“Lajmërojmë të gjithë njerzit e Tokës
Parajasë nuk ka për Shqipërinë!”

Absurd i shkruar me kompjuter
Tek porta e mbyllur e atij Xheneti
Dhe një shigjetë: Rruga për Ferr
Ku do kalojë i gjithë mileti!

Pra s’ishim popull, ishim milet
Dhe s’meritonim aspak më shumë!
Xhehnemi ndoshta mezi na pret
...kishte qenë endërr...isha në gjumë.


PËRGATITI PËR BOTIM FLORI BRUQI




Nga Dr. SciFatmir Terziu


Ekonomia e gjuhës në poezi

image Agim Doçi


Kur ndjen ritmin e poezi-këngës së Agim Doçit




         Rrugët e jetës dhe dritëhijet e saj, janë ‘epitafi’ që ‘ngjiz’ tërë vargun e poetit shqiptar, Agim Doçi. Janë dimensionet që fuqizojnë vargun me muzikalitet të këtij autori, përpos ekonomisë së gjuhës. I cilësuar diku në median e shkruar si ‘gjenerali’ i këngës, duket qartë se ai meriton më shumë vëmendje në poezi. Një autor i tingëlluar në veshin e dëgjuesve radiotelevizivë, por edhe i fiksuar në syrin e tyre, ndoshta do të dukej se është lehtë të perceptohej në kuadratin linguistik dhe të leximit. Por, jo. Jo sepse vetë autori dhe vargu janë pjesë delikate e udhës nëpër të cilën ka kaluar pikëpamja mbi poezinë. Ajo pikëpamje tek e cila u ndal hershëm studiuesi Latif Berisha (Gjurmime Albanologjike; Prishtinë, 1976) duke analizuar pikërisht ato pikëpamje të Luigj Gurakuqit mbi poezinë shqiptare, normalisht brenda sistemit të metrikës dhe atij linguistik. Në këtë teori të shtruar herët, por edhe të fuqizuar nga mendimi estetik i De Radës, apo i mendimit kritik të A. Stratikoit dhe A. Markianoit, shohim qartë se ashtu si aspekti linguistik edhe ai estetik në poezinë e Doçit, janë binomë të shtruar paralelisht në jetëudhëtimin poetik dhe atë jetik, që karakterizohen nga ekuivalenca e fabulës dhe syuzhet. Si ekuivalentë të jetës dhe shqetësimit, vargu dhe poeti, janë ekuivalenca e vetë normave që sfidojnë mjaft aspekte të ngurta, që vetë poezia e Doçit i sjell në majë të shigjetës, ose i transferon në udhën e kanalin e debatit adekuat. Është një udhëtim në një udhë që stimulohet mes idesë dhe mjeshtërisë, mes rimës dhe filozofisë, për të ardhur tek lexuesi si një mesazh i gjallë si tek “Zhgënjimi i Poetit”, “Unë dhe prometheu…”, “Kisha vdekur…nuk e dija!?” e mjaft poezi të tjera. Është në fakt ajo që poeti i madh Wordsworth, e ka përcaktuar poezinë: “instrumentim spontan i ndjenjave të fuqishme”. Apo më tej se si britanikja e mirënjohur, Emily Dickinson, është shprehur: “Nëse unë lexoj një libër dhe leximi i tij e bën trupin tim të ftohtë, aq të ngrohtë sa s’përshkruhet, pikërisht kur nuk ka zjarr, unë e di që është poezi”. Në një përcaktim tjetër më afër asaj që i ngjizet poezisë së Agim Doçit, natyrshëm do të shkonte përshtat postulati i Dylan Thomas: “Poezia është ajo që më bën të qesh, apo të qaj, apo si një gjë e mërzitshme, është ajo që e bën ballëkrenarinë time të ndrisë, ajo që më bën të dua ose të bëj këtë apo atë, ose më detyron të bëj dhe të dua fare, asgjë.” Është pikërisht poezia e Doçit, “Burrel…”, që flet me dilemën e kufët historike, me fatin e lirisë së fjalës nën diktaturë, por është edhe poezia “Nga dritarja ime” me të cilën poeti Agim Doçi sheh ndjesinë dhe ballëkrenarinë e tij duke shtruar retorikën e një dilemë-debati natyral mes logjikës së pyetjes “Nga na erdhi ky prift grek?.
              Sipas leximit të poezisë së Doçit, “Nga dritarja ime”, shohim se të tre kuotimet e poetëve britanikë, po aq edhe pikëpamjet e studiuesit shqiptar, Latif Berisha, kanë një arsyetim tipik që e sjellin poezinë e këtij autori në brazdën e duhur, ku kuptohhet se poezia është një ekuacion me shumë të njohura e të panjohura, për shumë njerëz, e për shumë arsye. Për shumë arsye me të cilat Emily Dickinson dhe TS Eliot sollën e transmetuan postmodernizmi, eksperimentalizmin e tërë dimensionin që vjen mes vargut, udhëjetës dhe dritëhijeve (kiaroskurove poetike, disi të ngjashme apo analoge me dritëhijet e pikturave).
            Apoteza  e gjerë poetike dhe shumëkuptimëshe
         Karakteristika qendrore e poezisë së Doçit, karakteristika kryesore në fakt në përcaktimin e poezisë së tij, është apoteza e gjerë dhe shumëkuptimëshe me të cilën ajo përkufizon fatet, jetën, historinë dhe historiken, jetën dhe përcaktimin e saj, jashtë etiketimeve, apo gozhdimeve mediokre të artit të bukur të fjalës, disa herë në letra të bardha ku vetë autori thumbon me poezi të tilla si “Letrës së bardhë…”: “Ajo që mbeti gjithë jetën e virgjër/Më ra në dorë krejt rastësisht./Dhe unë rrugaçi i poezive/E zhvirgjërova përfundimisht” apo edhe me poezi të tilla si “U privatizua vargu!”: “Hej milet!/Dallkaukë, letrarë, bejtexhinj dhe poet/Mblidhuni tek Sheshi i Poezisë!/Erdhi momenti i shumëpritur/Privatizohen vargjet, vjerrshat, poezitë/poemat, balladat e vlerat e Letërsisë,/merrini Antologjitë Letrare ku janë e ku nuk janë/fillojmë nga ato të shkruarat në pergamenë/nga autorë me emra të lashtë Taukrik, Taulant/Vraufrik, Hespant, Iprisht, Ibrisht/Ecni ndër shekuj tek poetët me mbiemra/justinianë dhe bizantinë/Zarisht, Bogdan,/Ylenec, Jeronim,/ndaluni tek arbëreshët e Moresë/Gavril, Derad, Pal, Muzak, apo Golem/Blini Fishtën, shisni Koliqin, një Mjéd ndrrohet me dy Migjen!”
              Pra, çfarë është poezia mes vargut të Doçit?
              Poezia e Agim Doçit, është mermer i fortë e i lëmuar i gjuhës. Por, është edhe një kanavacë pikturëbukur, ku poeti përdor fjalët e tij të zgjedhura në vend të bojës. Kjo lloj këngë-poezi e latuar mermershëm është edhe lajtmotiv poetik. Më qartë lajtmotive poetike që mes këtij lloji të poezisë ngjajnë si spirale në thumbimin më intelekt. Le të bëjmë një përcaktim më të arritshëm mes vetë poezisë së këtij autori, thjesht duke kërkuar në formën e saj dhe mes qëllimit të saj.
              Një nga karakteristikat më të dallueshme e formës poetike të Doçit, është ekonomia e gjuhës. Poeti nuk është vërtet dorështrënguar me gjuhëpërdorimin e tij, por është kritik në mënyrën se si ua ndan të tjerëve, lexuesve të tij, fjalën kyçe dhe mesazhen në një kënd-ide. Kujdesi për zgjedhjen e fjalëve dhe për ngjeshjen e tyre në vargje është bërë me qartësi dhe është brenda normës standarde, madje edhe për poezi të shkurtra, me të cilat operon shpesh Doçi. Ai shkon në disa poezi përtej kësaj norme të vetë poezisë së tij, duke pasur parasysh cilësitë emocionale të fjalës, vlerat e saj muzikore, ndarjen e saj, dhe po aq, edhe marrëdhëniet e saj spaciale në varg. Doçi, nëpërmjet inovacionit në të dy mënyrat, tregon kujdes edhe për fjalëzgjedhjet edhe për të formuar mesazhin, ku për të me sa duket rëndësi ka ushqimi i fjalës nga ajri i freskët e jo ai spontan. Ky ajër e bën poezinë e tij evokative. Kjo cilësi zakonisht ngjall tek lexuesit një emocion të fortë: gëzim, pikëllim, zemërim, katarsis, dashuri etj. dhe nga ana tjetër, kjo poezi ka aftësinë për të depërtuar papritur lexuesit jashtë një “Ha Ah!”, siç ndodh sot me disa lëvrues në ‘pemën’ e madhe të ashtuquajtur poetike,shpeshherë fare pa kokra.  Përvoja, shpallja, njohuria, kuptimi i mëtejshëm i së vërtetës thelbësore dhe bukuria, janë elementë që sjellin pranë lexuesin tek poezi të tilla si: “Qyteti pa Dashuri ….”. Agim Doçi udhëton gjetkë për të parë jetën e një qyteti pa Romeo. Udhërrëfimin e tij metaforik e gjen mes shpalljes, njohurisë, kuptimit të së vërtetës thelbësore por edhe bukurisë: “Qyteti mbeti pa një Romeo/Askund nuk gjëndet qoftë një Zhulietë/Ku ikën çiftet e dashuruar/Gjithshka beton…pemët pa fletë!?.../Një stol i hedhur në mbeturina/Më tej dëgjoj një ulërimë…/Zgjebosur qentë…macet stërvina/Një vajzë e fishkur merr…petidinë/Deti i pshurrun…traget i ndryshkur/Policë që qelben veç era gjizë/Ikin…veç ikin, kush mbet pa ikur/Nuk ka gomone…nuk ka as vizë/Shoh djem e vajza, që shkojnë tek Blloku/Vend i mallkuar për krim të fshehtë…(!)/Mesnata çmëndet nën ritëm rroku/Nuk ka Romeo…nuk ka Zhulietë”.
              Pra këtu shihet qartë se si poezia e Doçit nuk është thjesht një imagjinatë, por një metaforë që thyen pranga, heshtje, jetëvdekje, amorfitete dhe ato zinxhirë të kalbët jete, më shpejt se sa ju mund të thoni “Harlem Rilindjes jetike”. “Qyteti mbeti pa një Romeo/Askund nuk gjëndet qoftë një Zhulietë/Ku ikën çiftet e dashuruar?”, ripyet pastaj zhurmshëm poeti. Mes kësaj retorike kjo poezi shndërrohet në gjëzë të mbështjellë fatesh:  “E dija botën shumë të sinqertë/Dhe vehten time – një pjesëz të saj!/Por kur zhgënjehesh, s’qenka e lehtë/Të ulërij apo të qaj?!...”
·               Dhe përsëri diku lexojmë atë që më pas del nga vetë goja e poetit: “Ndonëse të gjithë e dinë se është i lindur dhe i rritur si personazh që ka përshkruar të gjithë Shqipërinë, ai datën e lindjes 9 majin e përmend me krenari “Kjo do të thotë se unë erdha në këtë jetë si një ogur i mirë në triumfin ndaj çdo diktature, si ajo që mori fund në 9 majin e 45 ashtu edhe të tjerat që do të vijonin pas saj”, thotë Agimi që ka dëshirë ta përmend gati në çdo bisedë ditën e lindjes.” Mbase edhe mes vargjeve të tij si një kurreshtje që nuk shuhet vjen tërë misioni i tij simbolik: “U fola njerzëve gjithmonë ndër sy/ Kaq hidhur vallë u erdhi vërtetë?…./Zhgënjimi im, i madh për Ty/Ndaj thashë: - Ti botë je e padrejtë!             
              Kush është Agim Doçi           
               Diplomuar në korrik të vitit 1971 me notën 10 duke patur temë diplome antenat lartësimatëse të stacioneve radiollokativë të PRV 10 ndien kënaqësi që në kursin 6 mujor për oficer të instruksionit për oficer – komandant baterie të artilierisë kundërajrore 37 m/m me zjarr të përqëndruar me ADZAKA. Filloi punën si përgjegjës montimesh në objekte industriale si: Fabrika e çimentos, fabrika e pasurimit të Bakrit, Uzina Metalurgjike dhe objekte të tjera industriale, ku për 11 vjet si krye energjitik, drejtoi punën në kombinatin kimiko-metalurgjik të Laçit . Po ndërkaq njeriu i këngës që do t’ja bënte folenë thellë në shpirtin e tij, ka përjetuar edhe një metamorfozë disi të veçantë në jetën e tij. Ndërkohë që ka qënë djali i një ish fuksionari të lartë dhe njërës prej figurave të shquara të lëvizjes antifashiste në jug të vendit, do të mbetej disi në periferinë e vëmendjes së emërtesave të kohës për faktin se katër prej xhaxhallarëve të tij, ish akademikë të shkolluar jashtë shtetit do të arrestoheshin nga diktatura në burgjet politike. Për zbehjen e “besnikërisë” ndaj sistemit dhe partisë do të ndikonte më vonë edhe përjashtimi nga partia i të vjehrrit dhe degdisja e tij në malësitë e Burrelit
               Ndërkohë që pak kush e di se Doçi zotëron disa gjuhë të huaja, të gjithë e dinë që është “kampioni i poezisë së këngës” në kujtesën e të gjithëve vjen si autori i hiteve shqiptare. Kujtojmë Parashqevi Simakun me fëmijët “E duam lumturinë”, sjellim ndërmend këngët e muzikës së lehtë dhe çmimet në Festivalet Kombëtare, “Marshin e UÇK-së”, këngën që 3.000.000 fëmijë shqiptarë nga të gjitha trevat tona “A vritet pafajsia” interpretuar mrekullisht nga Leonora Jakupi, çmimet e panumërta me Manjola Nallbanin, Morena Rekën, Aurela Gaçen, Bashkim Alibalin, Lejdina Çelon, Era Rusin dhe majën kulmore si fitues i vendit të 6-të në festivalin Europian 2004 me të magjishmen Anjeza Shahini. Agim Doçi shprehet: “Jam poeti personal i mjeshtrit dhe minierës të këngës magjike Shqiptare Edmon Zhulali. Ai është magjistar në kompozimin e tingujve që shprehin mrekullisht fjalët poetike. Por përpara poetëve të vërtetë si Xhevahir Spahiu, Gjok Beci, Hysni Milloshi, Arben Duka, Betim Muço dhe punëtorit të palodhur e të suksesshëm pse jo rekordmen çmimesh Jorgo Papingji – Unë jam shumë i vogël”. Dikujt mund ti ngjaj si modesti e tepruar, por prej 35 viteve pjesëmarrës dhe konkurues në festivalet e këngës në Radio Television, Festivalet Folklorike, apo ato Lokale që nga Gjirokastra, Tepelena, Vlora, Durrësi, Dibra, Kukësi, Tropoja, Shkodra dhe sidomos në ato të Fëmijëve, emri i tij figuron si autor i 2012 këngëve të arkivuara në fonotekat që nga Radio Shkodra, Radio Kukësi e Radio Korça, si autor tejet i veçantë që i këndoi vetëm jetës, njerëzve, ndjenjave njerëzore duke adhuruar moton e princit të muzikës së lehtë shqiptare të paharruarit Agim Prodani, i cili u thoshte të gjithëve: “Mos të kompozojmë për çmim more djema, por të bëjmë këngë që t’ua vëmë njerëzve në buzë” . Ai ka bashkëpunuar gjatë me artistin e popullit Avni Mula, dhe me dhëndrrin e tij Pirro Çakon, i cili falë poezisë së Agim Doçit, nga 8 këngë që ka bërë, për të teta ka marrë çmime. Ka bashkëpunuar me të gjithë penat e arta të Muzikës Shqiptare, me: Tish Dainë, Agim Krajkën, Spartak Tilin, Ferdinand Dedën, Shpëtim Saraçin, Alfred Kaçinarin, dhe i është mirënjohës siç e quan ai princeshën e poezisë së këngës Zhuljana Jorganxhi. “Nuk isha më shumë se 23 vjeç, kur Zhuljana më hapi dyert e autorësisë në festivalet kombëtare. Poetët janë më të pasurit në shpirt, më të varfërit në xhep”.
                 Punoi rreth 10 vite si K/Energjitik në Kombinatin e Drurit Misto Mame. Pas viteve 90-të ka punuar si këpucar, peshkatar, dhe në fund të vitit 1996 Drejtor i Menaxhimit dhe Marketingut Publik në TVSH. Emigroi rreth vitit 1998 në Zvicër ku punoi 7 vjet si Drejtor i ATV Media Company. “U ktheva në Shqipëri sepse nuk kam Atdhe rezervë”, përmend shpesh ai. Sot drejton Informacionin dhe Shtypin në MM, duke adhuruar ushtarakët me shprehjen e sinqertë: “Ushtarakët janë pjesa më e hijshme e kombit shqiptar!” Gëzon respektin e njerëzve. 

http://www.fjalaelire.com/index.php/http-fjalaelire-com-analiza-php/7659.html

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...