Prof.dr. Eshref Ymeri
Më
12 qershor të vitit në vazhdim, mbushen 12 vjet që nga koha e
përfundimit të luftës në Kosovë. Që asokohe dhe deri tani, Kosova
vazhdon të ndodhet nën një administrim ndërkombëtar, i cili duhej të
kishte marrë ngjyrime simbolike pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Normalisht, çdo qytetar i thjeshtë i Kosovës, gjatë kësaj periudhe, ka
pasur të drejtë të shpresonte dhe të besonte se
vëmendja e bashkësisë ndërkombëtare, sidomos asaj evropiane, duhej të
përqendroj tërësisht te Kosova, pas gjithë atyre krimeve që kreu
kundër saj shovinizmi serbomadh, të cilat zanafillën e kanë te Kongresi
famëkeq i Berlinit dhe Konferenca po aq famëkeqe e Ambasadorëve në
Londër. Por, çuditërisht, pas përfundimit të luftës, ndodhi krej e
kundërta në qëndrimin ndaj Kosovës. Shefi i UNMIK-ut, zoti Lamberto Zanier, siç bëhet e ditur nga faqja e internetit e 16 prillit 2011, ka deklaruar se “pas
ndërhyrjes ushtarake, një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare mori anën e
Serbisë. Me shpalljen e pavarësisë, Kosova nisi rrugën e saj, por nuk ka
mundur ende t’i shkojë deri në fund. Aktualisht është e bllokuar në mes
të rrugës”.
Me pjesë të bashkësisë ndërkombëtare, sipas fjalëve të zotit Zanier,
duhet nënkuptuar Bashkimi Evropian, i cili filloi të përkëdhelte
Serbinë, në vend që ta vinte para përgjegjësisë për krimet e rënda që
kreu në Kosovë.
Botimi i librit të Karla del Pontes dhe raporti i senatorit Dik Marti,
të cilët kërkojnë të vendosin shenjën e barazisë mes kriminelit dhe
viktimës, janë dëshmia më e pastër e faktit se Bashkimi Evropian, nën
presionin e neocarizmit rus, është radhitur përkrah Serbisë dhe kërkon
që edhe Kosovën ta ndëshkojë pa të drejtë për krime lufte, duke akuzuar,
çuditërisht, për një gjë të tillë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Në
këto kushte, ka ardhur e është krijuar një rreth vicioz për
perspektivën e Kosovës. Qëndrimi përkëdhelës i Bashkimit Evropian ndaj
Serbisë ka sjellë si pasojë që kjo e fundit, në veriun e Kosovës të
krijojë një vatër të përhershme infeksioni politik që e ka bërë të
pamundur stabilizimin e situatës për gjithë këto vite me radhë. Qoftë
UNMIK-u, qoftë EULEX-i nuk kanë bërë asgjë për zbatimin e rregullave të
një shteti ligjor në këtë pjesë të territorit të Kosovës.
Veç
kësaj, fryma e platformës së Ahtisaarit për një Kosovë multietnike, i
ka dhënë krah pakicës serbe që ajo të mos njohë dhe të mos zbatojë
kurrfarë normash juridike. Shpallja e Kosovës si një vend multietnik
është një blasfemi që përdoret kundër së vërtetës historike. Është për
të ardhur keq që korit të multietnizmit i bashkohet edhe klasa politike
kosovare që deri tani ka qeverisur dhe vazhdon të qeverisë formalisht
vendin.
Prandaj,
për të dalë nga ky rreth vicioz ku është katandisur Kosova, bëhet më se
i domosdoshëm ribashkimi i saj me atdheun amë, çka është një ëndër
shekullore e popullit shqiptar të Kosovës.
Por
ribashkimi i Kosovës me atdheun amë nuk është shpëtimtar vetëm për
Kosovën. Ai po aq shpëtimtar është edhe për atdheun amë, Shqipërinë
Londineze. Për ta nënvizuar edhe më shumë rëndësinë historike të këtij
ribashkimi edhe për atdheun amë, dëshiroj të ndalem në një fakt konkret.
Qytetari
shqiptaro-francez, gazetari Ervin Baku, para disa vjetësh, ka dërguar
nga Brukseli këtë informacion mjaft domethënës për një të përditshme
shqiptare:
“…Shqipëria
me origjinë është e krishterë. Sot ajo është 70% myslimane… Kjo e
shqetëson shumë Evropën Perëndimore ku aspirojmë të integrohemi. Po e
them troç dhe pa doreza: nuk është as korrupsioni, as krimi i
organizuar, as trafiqet që po na vonojnë kaq shumë hyrjen në Evropë. Jo.
Aderimi dhe vazhdimi në Konferencën e Vendeve Islamike përbën një
handikap tejet të konsiderueshëm drejt Evropës së Bashkuar.
Kjo
nuk do t’u thuhet kurrë zyrtarisht politikanëve shqiptarë nga
interlokutorët e tyre evropianë. Por mua personalisht më është thënë më
se një herë në tavolinat e Brukselit dhe Strasburgut. Dhe më është thënë
nga personalitete eminente të Bashkimit Evropian. Ndaj dhe vendosa t’i
ndaj këto radhë me lexuesit e mrekullueshëm të “Koha Jonë” (Citohet sipas: Gazeta “Koha Jonë”, 15 gusht 2006).
Klasa
politike që ka drejtuar dhe vazhdon të drejtojë Shqipërinë Londineze,
domosdo që e ka ndier këtë presion të nëndheshëm që i është bërë nga ana
e strukturave të Brukselit dhe të Strasburgut dhe ka marrë masa për t’u
ardhur atyre në osh. Në vitin 2003, parlamenti kaloi ligjin për
gjendjen civile, sipas të cilit duhet të bëhet regjistrimi i popullsisë
përmes vetëdeklarimit të gjuhës, përkatësisë etnike dhe fesë. Gjatë
këtyre tetë vjetëve që kanë kaluar, këtij ligji paradoksal, të pahasur
kund në legjislacionin ndërkombëtar, nuk i është bërë kurrfarë
publiciteti në mjetet e informimit masiv të Tiranës. Por një ditë të
bukur, një ministër i qeverisë Berisha,
zoti Genc Pollo, aty nga fundi i vitit 2010, njoftoi publikisht se në
prill të vitit 2011, do të fillonte regjistrimi i popullsisë, sipas atij
ligjit të sipërpërmendur që deri tani ishte vënë “nën surdinë”.
Për kryerjen e këtij regjistrimi, domosdo paradoksal, Brukseli dhe Strasburgu paskëshin “emëruar” Athinën si “dado” të Tiranës. Dhe qëllimin e “përkujdesjeve” të veta për punën e këtij regjistrimi, Athina e shprehu publikisht përmes deklaratës shoviniste të konsullit grek në Korçë Teodoros Ikonomus, i cili kërkoi që popullsia e Korçës të vetëdeklarohet si popullsi greke.
Në
pikësynimet e heshtura afatmesme të Brukselit dhe të Strasburgut,
pikësynime këto që përputhen tërësisht me strategjinë e kahershme të
shovinizmit grekomadh, fshihet një manovër tepër djallëzore: të bëhet
regjistrimi i popullsisë me vetëdeklarim të kombësisë, në mënyrë që të
realizohet një rritje skandaloze e numrit të elementit ortodoks, të
blerë me asprat e Athinës, me të vetmin qëllim që të arrihet në
shpalljen edhe të Shqipërisë Londineze si një vend multietnik. Dhe
qëllimi final i këtij aksioni politik është shndërrimi i kombit shqiptar
në një bashkësi laramane multietnike, pa fizionomi kombëtare. Pra,
sipas finales së këtij aksioni politik, në Evropën
Juglindore nuk ekzistuaka një komb shqiptar, çka përbën një shtrembërim
të së vërtetës historike për ekzistencën mijëravjeçare të etnisë shqiptare në trojet e veta etnike kompakte.
Ishte
pikërisht arsyeja paradoksale e regjistrimit të kësisojshëm të
popullsisë në Shqipërinë Londineze, që bëri të dilte në skenë zoti Kreshnik Spahiu dhe Aleanca Kuq e Zi, që deri tani ka grumbulluar mbi 30 mijë firma për hedhjen poshtë të ligjit të gjendjes civile për regjistrimin e popullsisë.
Nga
sa u parashtrua, bëhet urdhëruese domosdoshmëria e ribashkimit të
Kosovës me atdheun amë, për ta shpëtuar kombin shqiptar nga fryma e
multietnizmit që kërkohet t’i imponohet, për të kënaqur epshet
shoviniste të fqinjëve tanë sllavogrekë. Sepse ribashkimi i Kosovës me
Shqipërinë Londineze do të krijojë kushte për afirmimin edhe më me forcë
të identitetit të kombit shqiptar, si një komb unik, me perspektiva të
shkëlqyera zhvillimi, me troje kompakte në Evropën Juglindore, për
hapjen e perspektivës edhe për ribashkimin e trojeve të tjera etnike në
Maqedoni, në Mal të Zi, në Serbinë Jugore dhe në Greqinë
Veriperëndimore.
Është
e qartë se Unioni Gjithkombëtar Shqiptar do të hasë në shumë pengesa
për arritjen e këtij objektivi madhor. Pengesat kryesore për arritjen e
këtij objektivi të shenjtë do të hasen, para së gjithash, në radhët e
elementit brendashqiptar, të përfaqësuar nga një takëm intelektualësh që
hanë bukë në trojet shqiptare, por që bëjnë duanë e shovinizmit
serbogrek, i cili përçarjen e kombit shqiptar e ka pasur në qendër të
strategjisë së vet shekullore. Këta intelektualë le të mos harrojnë një
amanetporosi që u ka lënë brezave pasardhës Shoqata “Vatra”, e cila, më 28 janar 1918, në
letërprotestën e vet, drejtuar kryeredaktorit të gazetës “Mançester Gardian”, shkruante:
“Shqiptarët u detyruan t’i përuleshin vendimit të Evropës, por ata nuk i quajnë tokat e aneksuara si të humbura përgjithmonë” (Citohet sipas: Arben Puto. “Çështja shqiptare në aktet ndërkombëtare të periudhës së imperializmit”. Shtëpia Botuese “8 nëntori”, vëll. II. Tiranë, 1987, f. 663).
Nënkuptohet
që Unionit Gjithkombëtar Shqiptar do t’i duhen mjete të fuqishme
financiare për ta jetësuar objektivin madhor që i ka vënë vetes përpara.
Këto mjete financiare do të jenë të nevojshme jo vetëm për përballimin e
një pune të drejtpërdrejtë sqaruese në radhët e popullit të thjeshtë,
por edhe për hapjen e një kanali të posaçëm televiziv, përmes valëve të
të cilit do të komunikohet drejtpërsëdrejti me teleshikuesit për
domosdoshmërinë e ribashkimit me atdheun amë. Prandaj duhet kërkuar edhe
ndihma e biznesmenëve kosovarë me orientim kombëtar. Në të njëjtën
kohë, Unioni Gjithkombëtar Shqiptar duhe të përgatitet edhe për
zhvillimin e një referendumi
mbarëkosovar, në mënyrë që të vilet drejtpërsëdrejti mendimi i çdo
qytetari për domosdoshmërinë e ribashkimit të Kosovës me atdheun amë dhe
klasa politike në pushtet të vihet para një fakti të kryer.
Santa Barbara, Kaliforni
20 maj 2011
-------------------------------
*
Kjo kumtesë është lexuar prej zotit Cenë Pushkolli në Tribunën
Politiko-Diplomatike që organizoi Unioni Gjithkombëtar Shqiptar në Hotel
Grand në Prishtinë më 24 maj 2011.