2011-05-25

DR IBRAHIM RUGOVA KULTIVUES I MODERNITETIT


Mr.sci.Flori Bruqi

Shkrimet e para në letërsi Ibrahim Rugova i filloi me poezi, ashtu siç veprojnë të thuash të gjithë shkrimtarët, kur fillojnë të merren me letërsi. Ai botoi nja njëzetë poezi , të cilat ishin në nivelin e poezive që botoheshin në atë kohë. Por shumë shpejt e braktisi këtë gjini për t’iu kushtuar studimit të letërsisë, veçmas kritikës letrare.


 Madje qysh në përmbledhjen e tij te parë të shkrimeve në këtë lëmi, në atë “Prekje lirike’’ 1971, dëshmoi për një prirje drejt letërsisë se avancuar perëndimore duke e iu shmangur asaj të realizmit socialist, që kishte përfshi një pjesë të letërsisë së kampit të ashtuquajtur socialist, trevë kjo së cilës i takonte edhe Shqipëria por edhe Kosova si pjesë përbërëse e Jugosllavisë së atëhershme. Të shtojmë se punimet e këtij libri se pari u botuan në të përkohshmen ‘’Fjala’’ me mbititull “Zenite letrare’’, ku shihej orientimi i tij që të merrej me kulmet e letërsisë, kryesisht asaj botërore. Në këtë kontekst duhet shikuar edhe përpjekjet e këtij krijuesi që të lirohet nga dogmat e realizmit socialist,që e kishin kapluar letërsinë që krijohej në atë kohë, veçmas atë që krijohej në Shqipëri e që në njëfarë mënyrë ndikonte edhe në krijimtarinë letrare që krijohej në trojet e ish Jugosllavisë, ku jetonin dhe vepronin shqiptarët. Është thënë dhe shkruar se Ibrahim Rugova ishte ndër të parët që e kundërshtoi këtë drejtim letrar me shkrimet e tij të botuara në shtypin e kohës. Në të vërtetë që në shkrimet e botuara në librin e tij paralajmëronte orientimin e tij që synonte nga kulmet e letërsisë botërore, të asaj pjesë më progresive të kësaj letërsie. Këtë orientim të tij ai do ta përsosë pas qëndrimit disa muajsh në Paris të Francës. Madje mund të thuhet lirisht se krijimtaria e tij lidhet me modernitetin në kulturën shqiptare, me modernitetin e kritikës letrare dhe shkencore, jo vetëm të asaj që krijohej në trojet e ish Jugosllavisë, ku jetonin shqiptarët, por në të gjitha rasone botërore, ku flitet e shkruhet shqipja. Në këtë mënyrë veprat e tij bëhen fanar që ndriçojnë aspekte të ndryshme të letërsisë, shikuar nga aspekte që deri më atëherë nuk ishin kultivuar në letrat shqipe.


Libër   për Rugovën  –  Engjëll Koliqi :  Dr.  Ibrahim  Rugova: Arkitekti i  Dardanisë  së  Re




Në ndërkohë Ibrahim Rugova botoi edhe veprat tjera ‘’Kah teoria’’ - 1971, ’’Strategjia e kuptimit’’- 1980, ’’Vepra e Bogdanit 1675-1685’’ - 1982, ’’Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983’’- 1983, ’’Refuzimi estetik’’ - 1987 dhe është koautor i dy veprave të tjera “Kritika letrare’’(bashkë me Sabri Hamitin) – 1979, si dhe “Bibliografia e kritikës letrare shqiptare, ‘44-‘74” (bashkë me Isak Shemën) - 1976. Shtëpia botuese ‘’Faik Konica’’ e Prishtinës e botoi kompletin e veprave të tij për të dëshmuar kështu vlerat e pakontestueshme me të cilat disponon kjo krijimtari e që nuk e kanë humbur aktualitetin as sot e kësaj dite. Në të gjitha këto vepra hetohet mprehtësia e tij për t’i kapë gjerat, për të shqyrtuar me mjeshtri dhe aftësi të rrallë çështje që i shtron në këto punime. Në të gjitha këto vepra duket qartë prirja e tij për të ndriçuar sa më mirë çështjet për të cilat shkruan, duke i qëndruar besnik orientimit të tij primar, që veprën ta analizojë nga aspekte e artit dhe të rolit të saj në zhvillimin e dijes. Ibrahim Rugova ka bërë zgjedhjen dhe përgatitjen për shtyp të vjershave të zgjedhura të poetëve bashkëkohorë, si Din Mehmeti, Ali Podrimja, Beqir Musliu etj, të cilat i shoqëronte me parathënie, që në realitet janë analiza të thukta të vlerave të këtyre veprave.
Dy janë veprat më të çmuara të këtij krijuesi, e që me duket se janë kryeveprat e Ibrahim Rugovës dhe ato “Vepra e Bogdanit 1675-1685’’ dhe “Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983’’. Derisa në të parën ai do merret me studimin e gjithanshëm të veprës së këtij humanisti dhe shkrimtari, në të dytën Rugova do të merret me rrugët e zhvillimit të kritikës letrare në letërsinë shqipe. Sipas tij mendimi kritik për veprat e artit të fjalës së shkruar në letrar shqipe është shumë i hershëm, madje ai zë fill me paraqitjen e shkrimeve të para të shkrimtarëve shqiptarë. Kështu, për shembull, ai ka shkruar edhe këta rreshta: ’’Po ashtu në vijën e humanizmit kemi edhe poetin dhe filozofin Mikel Maruli (1453-1500), i cili shkruante poezi në frymën e elegjive të Katulit dhe bënte interpretimin poetik të botës sipas Lukrecit. Më 1497 botonte dy vepra të njohura «Epigrame» dhe «Himnet e natyrës», si dhe la në dorëshkrim veprën «Mbi edukimin princëror». Duke vepruar kështu ai dëshmonte për përkushtimin e tij që të gjurmojë dhe të gjejë elemente të mendimit kritik për vepra letrare, edhe në vende të tjera e ndër popuj të tjerë, që ishin të botuara më herët.
Në vazhdim të këtij studimi Ibrahim Rugova do të përqëndrohet në vlerësimet që janë dhënë për letërsinë dhe për veprat letrare në kohë dhe në hapësira të ndryshme. Një vend të rëndësishëm në veprën e tij zë mendimi kritik i shkrimtarëve të Rilindjes kombëtare dhe kontributi i çmuar i shkrimtarëve të kësaj periode, të cilët kishin botuar vepra të shumta në poezi, prozë apo edhe gjini të tjera të krijimtarisë artistike, por që kishin dhëne edhe vlerësime për veprat e botuara, në mesin e të cilëve ai do të përmendë Jeronim De Radën, mandej Faik Konicën, të cilin e radhiste në mesin e kritikëve më të çmuar të mendimit estetik në letrat shqipe, i cili që në shkrimin e tij në “Kohëtoren e letrave shqipe’’ dëshmonte për një vetëdije të lartë për nevojën e kritikës letrare shqipe, si pjesë e letërsisë, të cilën edhe e ndihmon në zhvillimin e saj .Mund të themi lirisht se Faik Konica çmohet si njëri ndër kritikët më të mprehte dhe një ndër ata që i ndihmoi zhvillimit të mendimit kritik në letërsinë shqipe.
Në këtë vazhdë duhet përmendur edhe shumë bashkëkohanikë të Konicës, në  mesin e të cilëve po përmendim Fan S. Nolin, i cili veprat e përkthyera nga gjuhët e ndryshme në shqip i shoqëroi me introduksione, andaj edhe kritikat e tij ai i quan kritika introduktore. Pa dyshim se këto interpretime të Nolit janë një thesar i çmuar në zhvillimi dhe rritjen mendimit kritik e estetik në letrat shqipe.
Si do që të jetë konsolidimi i kritikës letrare shqiptare fillon më mjaft vonesë. Ai nis të zhvillohet dhe të kultivohet pas fillimit të botimit të shumë revistave letrare në gjuhën shqipe, qoftë në Shqipëri apo edhe në diasporë. Në këto gazeta e revista fillojnë të botojmë shkrimet e tyre shumë penda që më vonë do të bëhen të njohura , duke i ndihmuar kështu kultivimit të kritikës letrare si pjesë përbërëse e letërsisë. Kjo ndodh në vitet ’20 dhe të ’30 të shekullit të kaluar kur edhe fillojnë të botohen revistat “Djalëria’’, ’’Shqipëria e re’’, ’’Minerva’’, Illyria’’, ’’Hylli i Dritës’’ etj. Në faqet e tyre do të gjejmë shkrimet e Eqrem Çabejt, Justin Rrotës, Mitrush Kutelit, Krist Malokit, por edhe ato të Dhimitër Shuteriqit, Gjergje Fishtës e shumë e shumë emrave të njohur të letërsisë shqiptare. Një pjesë të mirë e  studimeve të Ibrahim Rugovës i kushtohet kritikës bashkëkohore, veç asaj që u krijua në Shqipëri e veç asaj që u krijua në Kosovë, gjegjësisht në ish Jugosllavi. Autori i veprës në shqyrtim ka sjellë analiza të hollësishme për orientimet dhe vlerat e kritikëve bashkëkohor, qofshin ata që punimet e veta i botuan në shtypin e Shqipërisë apo edhe të Kosovës, bashkë me orientimet e tyre në këtë lëmi të krijimtarisë.
Vepra e veta Ibrahim Rugova i ka përcjellë me aparaturë shkencore, duke cituar fusnotat për burimet e shfrytëzuara, ashtu siç ka vepruar edhe me numërimin e literaturës së shfrytëzuar, treguesin historik të termave, treguesin e emrave e të ngjajshme me këto. Në dy veprat tjera, në njërën ai e ka botuar edhe listën e përmbledhjeve të poezive bashkë me vlerësimin e shkurtër për secilën veç e veç, kurse në tjetrën, në atë të fundit “Refuzimi estetik’’ i ka numëruar romanet e botuara nga viti 1949 deri në vitin 1986, pra vetëm një vit para botimit të veprës në fjalë. Të gjitha këto e bëjnë veprën e tij me vlera të larta jo vetëm estetike, por edhe shkencore.

Mesjeta shqiptare dhe mesjeta evropiane

Studimi i Ibrahim Rugovës, “Vepra e Bogdanit”, ku është studjuar në mënyrë integrale vepra e njërit ndër krijuesit më të mëdhenj të mesjetës shqiptare, Pjetër Bogdani, bën pjesë në ato arritje kulturore përgjithësisht, e shkencore veçanërisht, që pos të tjerash, ngjallin respekt edhe për objektin e studimit. Njeriut të kohës sonë, të kësaj ngutie e hutie sikur nuk i mbetet kohë të merret edhe me trashëgiminë kulturore, shkencore, filozofike dhe letrare të stërgjyshërve. Kjo mund të jetë edhe pasojë e mentalitetit tonë se gjoja çdo gjë fillon me ne ose së paku ka arritur zhvillimin e lakmushëm me ne. Andaj, vështruar nga ky kënd, studimi i Ibrahim Rugovës hap dritare të reja të dijes, duke shpaluar në këtë mënyrë errësirën shekullore, sidomos të Mesjetës, ku edhe si faktografi, ende nuk dihet për gjithë thesarin e trashëgimisë sonë shpirtërore. Më tutje, “Vepra e Bogdanit” heq, pos të tjerash, edhe napën e mosnjohjës së trashëgimisë, e që është burim dialektitk i njohjës së drejtë edhe të së tashmes, që bën të mundur të gjenden rrugë për perspektivat e ardhmërisë.Studimi i Ibrahim Rugovës insiston me ngulm në këtë çështje. Çështjet që ka bërë përpjekje t’i ngrisë në nivel interesimi e interpretimi, t’i analizojë e t’i zgjidhë janë çështje të mëdha, që dalin para studiuesit, e në të njëjtën kohë janë edhe pjesë e trashëgimisë sonë shpirtërore, por edhe të mira shpirtërore, në fondin e arritjeve kulturore europiane. Duke u marrë me veprën e Pjetër Bogdanit, autori i studimit ka hetuar vlerat madhore të saj në fusha të ndryshme të dijes, në plane të ndryshme të dijes dhe në plane të ndryshme të arritjeve të mendjes njerëzore.Vepra e Bogdanit “Cuneus Prophetarum”, e botuar për herë të parë në vitin 1685, në Padovë, në shtypshkronjën e Kardinal Barbarigos, është dëshmia më e mirë e zhvillimit të artit, të shkencës e të filozofisë mesjetare shqiptare. Duke e vështruar këtë çështje, autori ka hetuar pararendësit shqiptarë dhe pararendësit europianë, për të krijuar hallkat e kontinuitetit të këtij zhvillimi. Në planin europian ky zhvillim është moshatar i mendjeve të ngritura të Dekartit, Mellbranshit, Spinozës, Paskalit. Në planin e zhvillimit nacional, është pjellë e arritjeve dhe e përpjekjeve të Barletit, Buzukut, Budit e Bardhit.
Në studimin “Vepra e Bogdanit” është ndjekur një metodologji e ngultë shkencore, që e ka kushtëzuar edhe objekti i studimit. Të dhënat e shumta historiografike, që i ofrohen lexuesit të sotëm, mund të duket se e rëndojnë studimin, por kjo është e domosdoshme për veprat e lartësisë, sepse vetëm në këtë mënyrë arrihet ai kontinuitet i mundshëm ndërmjet nivelit që i ofron objektit, i cili shqyrtohet në nivelin e arritjeve të mendimit shkencor në kohën e sotme.
Studimi “Vepra e Bogdanit”, hiq “shtojcat”, ndahet në dy pjesë. Në pjesën e parë autori është marrë me gjenezën e veprës, kurse në pjesën e dytë me analitikën e veprës së Pjetër Bogdanit. Këto ndarje kryesore i shqërojnë pastaj nëndarjet e shumta të mëpastajme, që theksojnë çështje të shumta të planeve të veprës. Në pjesën e parë janë trajtuar çështje që janë kushtëzuar nga rruga e mundimshme e deri te krijimi i veprës së parë origjinale kombëtare “Cuneus Prophetarum”. Autorit të studimi i është dashur të merret edhe me çështjet e përkufizimit të letërsisë së vjetër shqipe, do të thotë me probleme të sistematizimit të letërsisë. Më tutje, me klasifikimin e zhanreve dhe të formave që janë zhvilluar brenda letërsisë së vjetër, edhe me biografinë e autorit, vepra e të cilit është bërë objekt studimi. Për të hetuar kohën e tij, rrethanat shoqërore dhe kulturore të asaj kohe, është marrë edhe me anë të tjera jashtë natyrës së veprës, për të kompletuar kësisoji jo vetëm kërshërinë shkencore, por edhe kërkesën e opinionit kulturor të kohës sonë. Sepse, siç ka thënë Shekspiri, e që e ka cituar edhe autori, “t’i kthehemi të vjetrës (antikës) se do të jetë një progres”.
Më poshtë autori ka dhënë të gjashtë botimet që ka pasur vepra e Bogdanit duke filluar nga viti 1685 e deri më 1977. Deri sot dihet se me veprën e Bogdanit nuk janë marrë shumë njerëz, mendojmë në mënyrë studimore, edhe pse vepra nuk ka pushuar të jetë objekt i interesimeve të ndryshme që nga botimi, 1685, e deri në ditët tona. Vepër e veçantë që dihet deri sot mbi Bogdanin dhe veprën e tij është ajo e Matteto Sciambra me titull “Bogdanica” II, botuar në Bolonjë më 1965, ku janë dhënë shumë dokumente të reja për Bogdanin, kurse analizon aspektin gjuhësor dhe aspektin filozofik të veprës së Bogdanit. Mirëpo, si objekt i interesimeve të ndryshme, vepra e Bogdanit ishte përherë në qendër të vëmendjes. Sipas autorit të studimit “Vepra e Bogdanit”, ndër studjuesit e shumtë mund të veçohen disa prej tyre: Mark Harapi, i cili transkripton dhe e pajisë me shënime pjesën e parë të Cunesit, të cilën e boton në Shkodër më 1940-43. Duhet përmendur pastaj kontributi i Prof. Alberto Sratigonit, Anton Santorit, Zef Jubanit, Sami Frashërit, Faik Konicës, Gaetano Potrotta, Eqrem Çabejt, Justin Rrotës, Injac Zamputit, i studiuesit serb Radoniqit, ku janë me interes fotografia e pasur rreth Bogdanit dhe familjës së tij. Studimi i Jovan Radoniqit, më sa duket, është rezultat i polemikës që pati me Çedomir Mijatoviqin rreth origjinës së Bogdanit dhe familjës së tij, të cilën Mijatoviqi bëntë përpjekje ta nxirrte me origjinë serbe.
Në pjesën e e dytë janë trajtuar çështje të shumta që dalin nga struktura e veprës. Kjo strukturë, siç del nga studimi i Ibrahim Rugovës, nis që me organizimin e jashtëm e formal të veprës “Cuneus Prophetarum” (Çeta e Profetëve) e që i shëmbëllen organizimit të Bibiliotekës, duke shkuar deri te ndarja në shkallë e rrathë të veprës, për ta interpretuar, analizuar e vlerësuar pastaj veprën e Bogdanit.
Për të hetuar të gjitha këto aspekte të vlerave të veprës së Pjetër Bogdanit, autori ka përcaktuar drejt edhe shtrirjen brenda kontekstit kohor, kur është krijuar ajo. Ky kontekst ka dy kahe: Mesjetën europiane dhe traditën nacionale. Siç shihet, plani krahasues ka qenë i pashmangshëm, sepse ai ka bërë të mundshme që të kuptohet drejt, dhe jo vetëm çështja e krijimit të veprës, por edhe niveli shkencor, filozofik e artistik i saj. Këto dhe çështje të tjera, të analizuara e të interpretuara me njohuri nga Ibrahim Rugova, e bëjnë studimin e tij ndër ato vepra që vëjnë bazat e studimit të trashëgimisë sonë shpirtërore. Duke hulumtuar shtresimet e vlerave të veprës, autori ka trajtuar çështje të estetikës e të poetikës, të retorikës e të semiotikës, të semantikës e të poetikës, të retorikës e të semiotikës, të semantikës e të etikës. Të gjitha këto janë të shoqëruara me argumente të mbështetura, në radhë të parë në vlerat burimore që i ka ofruar Vepra e Bogdanit.
Në traditën e shkrimit dhe të botimit të Mesjetës, dihet se brenda botimeve të natyrave të ndryshme janë futur edhe shkrimet në poezi. Autori i studimit poezinë që është botuar në Cuneus e quan praktikë poetike. Në këtë rrafsh autori ka folur edhe për stilin, për figurat, kurse në tërësinë e veprës edhe për tipa të ligjeratës e që, sipas tij, janë dy: ligjërimi shkencor dhe ligjërimi artistik. Këto dhe plane të tjera të vështruara në veprën e Pjetër Bogdanit kanë bërë të mundshme shpalimin e këndeve të ndryshme të vlerave, që kanë kushtëzuar gjallërimin e saj nga Mesjeta deri në ditët tona. Autorit të studimit, duke mos iu mbushur mendja se ka prekur të gjitha rrafshet e Cuneus-it, në fund sjell një ese. Me këtë vepër, autori ka bërë përpjekje ta shqyrtojë praninë kreative të veprës së Bogdanit në krijimtarinë e mëvonshme të krijuesve tanë. Këtë interesim e nis me De Radën e Naimin dhe vazhdon me Nolin dhe Lasgushin, e vjen deri në ditët e vona, me Sabri Hamitin e ndonjë tjetër. Edhe pse këtë prani e quan si një punë që duhet të hulumtohet, del fakti se madhështia e Veprës së Botimit, me praninë e saj nuk ishte fiktive, por kreative.
(Botuar në librin  e autorit Engjël Koliqi”Dr.Ibrahim Rugova Arkitekti i Dardanisë se re-Republika e Kosovës”,Botues “Rugova Art”,Prishtinë,maj 2011,fq.55 deri fq.60).


Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...