2011-05-24

Thanas Mustaqi :(Auto)biografia e Shkëlzen Maliqit


(Auto)biografia e Shkëlzen MaliqitNë javën e nxehtë elektorale në tryezat televizive dhe në prononcimet e politikanëve, kryesisht të majtë, është lakuar emri i Gani Bobit, a thjesht, Ganiut, me ngarkesë të rëndë pexhorative.
 Filozofi dhe sociologu i ndjerë kosovar, Gani Bobi (1943-1995) është identifikuar me përpjekjet e partisë në pushtet për të manipuluar rezultatin zgjedhor në bashkinë e kryeqytetit.

Në Shqipëri për herë të parë Gani Bobi u bë i famshëm me exit-pollin e zgjedhjeve të 2009-ës. Por Gani Bobi ka pësuar dështim spektakolar në sondazhe dhe ka fituar një nam të keq. Por padrejtësisht. "Gani Bobi" është një institut anketimesh. Pas tij fshihet një emër tjetër. 64-vjeçari Shkelzen Maliqi, filozof dhe publicist kosovar, është president i këtij Instituti. Të dy i bashkon miqësia, filozofia dhe Beogradi.

Por më shumë në Kosovë Maliqi është më i "sajdisur" dhe më "i mallkuar". Partitë politike kanë pasur rezerva ndaj sondazheve të Maliqit të "Gani Bobit". Ia kanë zënë për të madhe faktin që Shkelzeni është djali i një njeriu të urryer në Kosovë, Mehmet Maliqi, si kryepolic, krye-udbash dhe vegël e bindur e jugosllavëve. Kjo përkon dhe me 30-vjetorin e demonstratave të Prishtinës.

Shtypi perëndimor i viteve 1980 është marrë dhe me deklarimet e sekretarit të punëve të brendshme të ish-krahinës së Kosovës. Me këtë rast, po botojmë disa fragmente të dy studimeve, të 15-16 shkurtit 1982, të emitentit amerikan Radio "Evropa e Lirë".

Analist i mprehtë, Shkelzen Maliqi, gjithsesi, është figurë autoritare. Por është spekuluar për lidhje të hamendësuara me shërbimet sekrete të Beogradit, ku shkoi në moshën 19 vjeç dhe u kthye në Prishtinë në moshën 35 vjeç. 16 vjet studime, punë dhe jetë në kryeqytetin serb. Për këtë periudhë ka folur pa shumë dorashka vetë Maliqi (fragmente të rrëfimit po i botojmë në këtë numër).

Ndërkaq zëra të ndryshëm në Prishtinë kanë shprehur habinë pse "trioja" e publicistikës prishtinase: Maliqi, Surroi dhe Haxhiu, bij funksionarësh të regjimit komunist, bërtasin më shumë për hapje dosjesh.

Nga ana tjetër, në Kosovë, sërish është lakuar emri i Maliqit të "Gani Bobit" lidhur me një kallzim penal dhe ndaj të atit të Shkelzenit, Mehmet Maliqi. Deputeti Nait Hasani, ish-i burgosur politik, ka paditur në prokurori ish-ministrin e brendshëm për gjenocid dhe bashkëfajtor për masakrën e Tivarit. Por Kuvendi i Kosovës nuk ka dashur të hetojë për këtë fakt.

Kuvendi i Shqipërisë ngriti një komision hetimor, i cili pas një zhurmënaje të madhe, ka rënë "squkë". Burime të pakonfirmuara pranë PD-së në Tiranë hamendësojnë se Shkelzen Maliqi mund të ketë vendosur kusht për t'i shërbyer selisë blu nëse ajo heq dorë nga hetimi i masakrës së Tivarit. Pas kësaj, "Gani Bobi" punoi për të shpallur Lulëzim Bashën fitues të zgjedhjeve të 8 majit me 58.4 për qind.

***

Koalicioni "Aleanca për Qytetarin" 'fiton' Tiranën, jo vetëm në bashkinë e madhe të kryeqytetit, por edhe 10 nga 11 njësi bashkiake, shkruante më 9 maj shtypi afër qeverisë. Sipas sondazhit të bërë publik nga Instituti "Gani Bobi" fitues në Tiranë, shpallej kandidati Lulzim Basha me 58.4 për qind të votave, përballë kandidatit kundërshtar Edi Rama me vetëm 39.8 për qind.

Ndërkohë, Presidenti i Institutit Hulumtues "Gani Bobi", Shkelzen Maliqi, theksoi se një pjesë e konsiderueshme e personave të anketuar nuk janë përgjigjur fare dhe ata kapin shifrën 30 për qind. Maliqi, sqaroi se ishte parashikuar që në këtë sondazh të pyeteshin 5.000 persona, por 30 për qind e tyre kanë refuzuar të përgjigjen. Ky fenomen, theksoi Maliqi, haset për herë të parë në këtë lloj anketim dhe pse anketuesit nga Prishina u prezantuan "si një ekip neutral", tha Maliqi. Marzhi i gabimit 10 për qind.

Është për t'u nxjerrë në spikamë fakti që exit-polli i Shkelzen Maliqit, që studioi, u doktorua dhe jetoi për 16 vjet në Beograd, nuk ishte paralajmëruar. Ai u thirr çastin e fundit. Qarqet politike serbe janë të interesuara për përçarje ndërshqiptare, në mënyrë që të pengohet integrimi mbarëkombëtar.

Pohime të Shkëlzen Maliqit
"Babai im, ushtar i spikatur i revolucionit"
... Kam studiuar dhe jetuar në Beograd që nga viti 1966 gjer më 1982. Në studime kam shkuar në moshën 19-vjeçare, ndërsa u ktheva në Prishtinë kur i kisha mbushur 35 vjet. Edhe më vonë kam qëndruar shpesh në Beograd, kryesisht me punë, si bashkëpunëtor i Fondacionit "Soros". Ne që nga viti 1993 e kishim kancelarinë e Fondacionit në Prishtinë, selia e të cilit ishte në Beograd.

... Unë e kam njohur dhe përjetuar Beogradin në fund të viteve '60 dhe '70. Për fatet tona vendoste ende në atë kohë politbyroja komuniste. Në vitin kur u shkarkua Aleksandër Rankoviq, më 1966, unë e mbarova shkollën e mesme në Prishtinë dhe u nisa për studime në Beograd. Midis katër opsioneve për studime që më tërhiqnin, pikturës, dramaturgjisë, letërsisë dhe filozofisë, e zgjodha këtë të fundit.

... Pas vitit 1968, gjithnjë deri në mbarim të vitit 1969 ose fillim të vitit 1970, unë isha njëri ndër pjesëtarët më të rinj dhe me siguri më naivë të të ashtuquajturit grup studentor anarkist-liberal në Fakultetin e Filozofisë...

Në vitin 1970 ky grup yni ishte pak a shumë i shpërndarë, ashtu siç qe thyer edhe lëvizja studentore... Unë në atë kohë isha tërhequr tashmë nga grupi, më shumë për arsye familjare (babai im ishte në atë kohë ministër në qeverinë kosovare dhe anëtar i Këshillit të Federatës, dhe pasi e kishte ofruar dorëheqjen në të gjitha funksionet politike për shkak të aktiviteteve të mia politike, unë dilemën e madhe morale që e kisha për shkak të vuajtjeve të mundshme që mund t'i pësonte e tërë familja e zgjidha ashtu që dola nga grupi. Këtij vendimi i kishte kontribuar edhe ndjenja e zhgënjimit dhe mungesës së perspektivës në lëvizjen studentore, si dhe zhgënjimi me angazhimin politik përgjithësisht).

... Diku në fund të viteve '70, duke i zgjatur vazhdimisht studimet dhe duke u marrë me gjithçka ngapak (letërsi, film, filozofi, estetikë, art, politikë...), por me asgjë dhe përfundimisht në mënyrë serioze, e kisha një periudhë kur e zbulova praninë kërcënuese të një Beogradi tjetër nëntokësor, të tulitur dhe të egër, të cilin nuk e kisha vënë re më parë.

... Babai im ishte një ushtar i spikatur i revolucionit dhe shef i policisë kosovare në vitet pesëdhjetë, kur edhe në Kosovë zhvillohej lufta klasore kundër "reaksionit borgjez" dhe të tjerëve, çka nënkuptonte burgosje dhe tortura për kundërshtarët e regjimit, dhe pastaj për të dytën herë, që nga viti 1981 gjer më 1984, kur u burgosën në masë dhe iu nënshtruan torturave me mijëra "kundërrevolucionarë" kosovarë, "irredentistë" dhe "nacionalisë" shqiptarë. Por... e kisha fatin, ose më parë privilegjin, që nuk u detyrova ta paguaj edhe personalisht çmimin për mashtrimet dhe mëkatet e babait tim, jo aq për arsye të disidencës sime beninje të mëhershme të vitit 1968 ose, më vonë, për shkak të angazhimit politik dhe publicistik që nga viti 1983 gjer më tani, sa për shkak të rrethanave të tjera që mbretëronin në Jugosllavi dhe në Kosovë, ku regjimi totalitar ishte shumë më selektiv, që të gjitha format revanshiste prej mollohu dhe të tjerat i ushtronte në mënyrë më selektive. 
Korrik 2000

Vjen i vdekuri me të gjallë
Qendra për Studime Humanistike apo Instituti Hulumtues "Gani Bobi" është një OJQ, themeluar në dhjetor 1997. Në shtator 1999 u shkëput nga financimet e Fondacionit Soros dhe KFOS-it (Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur).

GANI BOBI
Vjen i vdekuri me të gjallë. Po kush është ai që merret si kreu i një instituti sondazhesh? Njerëzit mendojnë se "Gani Bobi" është një njeri real. Në fakt është "ndajshtim" i një instituti që mban këtë emër, apo një "pseudonim" i publicistit dhe filozofit të përgatitur në Beograd, Shkelzen Maliqi. Të dy, Bobin dhe Maliqin, i bashkon kryeqyteti i ish-Jugosllavisë dhe Serbisë, ku janë lart-arsimuar për filozofi. Gani Bobi (1943-1995) ka qenë filozof dhe sociolog shqiptar nga Kosova.

Ka lindur në fshatin e Lybeniqit të komunës së Pejës. Një nga profesorët e parë shqiptarë të sociologjisë dhe të filozofisë në Universitetin e Prishtinës (1981). Ka punuar edhe si redaktor i filozofisë në "Koha" të Prishtinës. Doktoraturën në sociologji e mori në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Beogradit në vitin 1986 pas mbarimit të studimeve për gjuhë dhe letërsi në Universitetin e Prishtinës. Ka jetuar në Prishtinë.

Botimet e tij janë përmbledhur në pesë vëllime të Veprave. Ndër botimet kryesore janë "Sprovimet e modernitetit" (1982), "Paradoks kulturor" (1986) dhe "Konteksti i vetëkulturës" (1994), disa prej tyre të përkthyera në anglisht dhe serbisht.

SHKELZEN MALIQI
Shkelzen Maliqi (i lindur më 1947 në Rahovec), filozof shqiptar, kritik arti, analist politik dhe intelektual kryesor në Kosovë. Është djali i ish-sekretarit të Punëve të Brendshme të Krahinës Autonome Socialiste të Kosovës të Federatës Jugosllave, Mehmet Maliqi, i njohur dhe ndërkombëtarisht për ashpërsinë ndaj "irredentistëve" dhe "nacionalistëve" kosovarë. Shkëlzen Maliqi studioi dhe u doktorua për filozofi dhe ka jetuar në Beograd që nga viti 1966 gjer më 1982.

Edhe më vonë ka qëndruar shpesh në Beograd, kryesisht si bashkëpunëtor i Fondacionit Soros. Që nga viti 1993 zyra e Fondacionit në Prishtinë selinë e kishte në Beograd. Gjatë viteve 1990 u përfshi dhe në politikë. Një nga themeluesit e Partisë Social-Demokrate të Kosovës dhe kryetar i saj i parë në vitin 1991-1993. Ka mbajtur pozicione drejtuese në organizatat e shoqërisë civile si Fondacioni Kosovar për Shoqërinë Civile (1995-2000) dhe Komiteti i Helsinkit i Kosovës (1990-1997).

Ka botuar disa libra mbi artin dhe politikën në shqip, anglisht, italisht, spanjisht, dhe serbisht. Nga fillimi i viteve 1980, Maliqi ka qenë një kontribues i rregullt në mediet më të rëndësishme në Kosovë dhe ish-Jugosllavi. Jeton në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës. Ai tani kryeson "Gani Bobin", Instituti për Studime Sociale.

Konsekuent kundër UÇK-së
Në vitin 1998, vetëm disa muaj para ndërhyrjes së NATO-s, me cilësinë e drejtorit të Fondacionit Soros, kishte tubuar disa gazetarë e intelektualë. Shkëlzen Maliqi, mes tjerash, tha: "Nuk ka moment më të pavolitshëm se ky në histori se me e nis tash luftën me Serbinë".

Kurse, më 28 mars 2011, një muaj para sondazhit të porositur nga TV Klan për zgjedhjet vendore në Tiranë dhe 30 vjet pas demonstratave të studentëve të Prishtinës, Shkëlzen Maliqi (atëherë prej 16 vjetësh me studime dhe punë në Beograd), shkruante: "Nëse, p.sh., ndëshkohen Ramush Haradinaj ose Fatmir Limaj, që janë komandantët më të spikatur të UÇK-së dhe që po ndiqen si të dyshuar për krime lufte, kjo nuk do të thotë se me këtë do të ndëshkohet edhe vetë UÇK-ja dhe se kjo çon në revidimin radikal të historisë. Ndëshkimet eventuale të Haradinajt, Limajt dhe të tjerëve që akuzohen, do të jenë një tagër që ata e paguajnë për idetë dhe praktikat parademokratike që i kanë pasur për luftën në ato rrethana të vështira të rebelimit dhe rrezikut permanent, gjatë viteve të konfliktit 1998-1999.

Njëfarëdore, pozitën e komandantëve të UÇK-së që po gjykohen e shoh si një ndeshje të dy koncepteve të luftës dhe të drejtësisë - njëra tradicionale dhe paramoderne e rebelit dhe kaçakut që është trim i pashoq, por luftën e sheh si suspendim të ligjeve ku ai vetë e merr rolin e arbitrit, që vendos mbi jetën dhe vdekjen e armikut dhe atyre për të cilët dyshon se janë bashkëpunëtorë të tij dhe tjetra moderne, që për luftën ka vendosur konventa dhe rregulla, sipas të cilave betejat e ushtrive konsiderohen të paevitueshme, por ndalohen ekzekutimet dhe trajtimet çnjerëzore të ushtarëve të zënë rob dhe të civilëve të paarmatosur.

Sipas pikëpamjes së parë dhe meritave, ata janë padyshim heronj. Por, pikëpamja e dytë thotë "na falni, trima, por ky është shekulli XXI dhe edhe në Kosovë sot duhet të sundojë ligji"".

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...