2011-05-28

Flet Akademik Rexhep Qosja/Gazeta Telegraf /

Shqiptarë, po u privatizohet shteti!


image


INTERVISTA/ Bisedë ekskluzive e Akademikut Rexhep Qosja, me drejtorin e gazetës “Telegraf”, Engjëll Musai
                       




Çka i lejoj vetes, nuk ta lejoj ty!

Në momente të vështira për kombet, pesha e mendimit të mendjeve të ndritura merr një rëndësi të veçantë. Ndër mendjet më të ndritura të kombit shqiptar është padyshim Akademiku Rexhep Qosja. Përveçse një nga studiuesit dhe shkrimtarët më të njohur të letrave shqipe, personaliteti intelektual i Prof. Rexhep Qosjes u rrit jashtëzakonisht shumë gjatë dy dekadave të fundit. Në periudhën e ndërrimit të sistemeve në Shqipëri, intervistat e Prof. Qosjes përpiheshin nga shqiptarët kudo që ndodheshin për kthjelltësinë dhe largpamësinë e tyre. Më tej, ai vazhdoi të ishte i pranishëm në të gjitha zhvillimet politike e shoqërore mbarëshqiptare. Nuk mund të ndodhte ndryshe edhe në këto ditë të tensionuara të klimës politike në Shqipëri. Në këtë intervistë ekskluzive për “Telegraf”, Prof . Qosja analizon situatën aktuale politike në Shqipëri, ngërçin e krijuar pas zgjedhjeve të 8 Majit, duke dhënë edhe perspektivën e zgjidhjes së problemeve. Profesor Qosja prononcohet për herë të parë se çfarë mendon për letrën e shkrimtarit Ismail Kadare drejtuar kandidatit demokrat për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha. Ai flet gjithashtu, për perspektivën e çështjes kombëtare shqiptare, ku e thekson si të pashmangshëm bashkimin e Shqipërisë me Kosovën.


- Profesor, pas zgjedhjeve të 8 Majit, në Tiranë është krijuar tension i ri politik. Cili është perceptimi juaj për këtë tension dhe si e keni përjetuar atë?
- Është shumë e rëndësishme që dukuritë, proceset, veprimet, sjelljet, mendimet, idetë në jetën politike dhe shoqërore të emërtohen mundësisht sa më saktë, sa më përpiktë. Si për organizmin e njeriut, ashtu edhe për organizmin shoqëror vetëm diagnozat e sakta bëjnë të mundshme që të gjendet terapia përkatëse. Shqipëria ishte në krizë dhe ishte në një krizë të përgjithshme, që zgjat shumë, shumë. Kjo që ju quani, tani, “një tension i ri politik” në të vërtetë është një shkallë më tej, një ashpërsim i dukshëm më i madh i kësaj krize të përgjithshme, sepse është, njëkohësisht, krizë që me ashpërsinë e vetë lëndon fort organizmin shoqëror! Për mendjen time dhe për shpirtin tim kjo është një fatkeqësi për Shqipërinë dhe për shqiptarët!
- Në një situatë të tillë, Presidenti i BE-së, Barroso, anuloi një vizitë në Tiranë ditët e fundit. Kë bëni përgjegjës për këtë vizitë të munguar dhe pse?
- Evropa sot apo, më saktë të thuhet, tani e disa vjet ka dy kriza: njëra krizë quhet Bjellorusi, kurse kriza tjetër quhet Shqipëri. Në qoftë se bëhemi objektivë, realistë, jo mashtrues ndaj vetvetes, do të themi: kriza e quajtur Shqipëri është po aq e madhe dhe po aq e gjithanshme sa kriza e quajtur Bjellorusi! Anulimi i vizitës së Kryetarit të Bashkimit Evropian, Hoze Manuel Barozo, në përbërjen e delegacionit të të cilit ishte edhe komisionari për Integrim, Shtefan Fyle, në Tiranë është masë e rreptë ndëshkuese që i shqiptohet politikës shqiptare, që i shqiptohet regjimit shqiptar, që i shqiptohet Shqipërisë. Kjo është masa më e rëndë ndëshkuese, me pasojat më të mëdha, që i është shqiptuar Shqipërisë prej BE-së pas vitit 1997. Më pyetni se kë bëj unë “përgjegjës për këtë vizitë të munguar dhe pse”? Unë, natyrisht, e di përgjegjësin, por unë nuk e kam fuqinë ligjore të shpall përgjegjësin. Sepse, po të kisha fuqi që të shpall përgjegjësit unë do të merrja edhe masat përkatëse ndaj përgjegjësit a përgjegjësve. Gjendja në të cilën është Shqipëria, kriza e përgjithshme në të cilën gjendet ajo, pamja e saj tepër e padëshiruar në Evropë dhe në botë përgjithësisht, e tregojnë përgjegjësin, e shpallin përgjegjësin. Dhe, ky përgjegjës është regjimi shqiptar; dhe ky përgjegjës është protagonisti i këtij regjimi; dhe ky përgjegjës është sundimtari i këtij regjimi; dhe ky përgjegjës është Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Pse? Sepse është pushtetmbajtës. Sepse është sundimtar. Sepse në duart e tij janë të gjitha levat e pushtetit në Shqipëri! Sepse është autokrat. Sepse është autokrat i tipit më anakronik, më fyes për një shoqëri që pretendon të quhet evropiane, bashkëkohore! Sepse është shkelës i Kushtetutës dhe i ligjeve!
- Si e konsideroni rolin e ndërkombëtarëve në situatën aktuale politike të Shqipërisë?
- Sipas mendjes sime, edhe ndërkombëtarët janë fajtorë për krizën në të cilën është e zhytur Shqipëria, prandaj edhe për ashpërsimin e tashëm të kësaj krize. Mua më çudisin shumë sjelljet e tyre të lara e të lyera, kjo do të thotë sjelljet e tyre të mëndafshta ndaj të këqijave të vazhdueshme që prodhon klasa politike në Shqipëri; më çudisin shumë sjelljet e tyre dyfytyrëshe ndaj krizës së përgjithshme në Shqipëri; më çudisin shumë sjelljet e tyre të “figurshme”, “poetike”, bën ashtu e bën kështu, ndaj regjimit shqiptar fare qartë autoritar; nuk më çudisin sjelljet e tyre mostoleruese (me shumë vonesë) ndaj regjimeve autoritare në Afrikën Veriore, por më çudisin sjelljet e tyre toleruese ndaj regjimit autoritar në Shqipëri. Më çudisin e, ndoshta, nuk do të duhej të më çudisin: atje ka naftë shumë e në Shqipëri nuk ka naftë as për Shqipërinë!
- Për zgjidhjen e kësaj krize, ditët e fundit Ismail Kadare i drejtoi një letër të hapur kandidatit demokrat për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Bashës, ku i kërkonte tërheqjen nga gara. Në këtë pikë, a jeni ju në një mendje me Kadarenë për zgjidhjen e krizës dhe uljen e tensioneve politike?
- Krizat politike e institucionale, shtetërore, zakonisht, nuk zgjidhen me letra e thirrje, të cilat mund të sjellin, kur e kur leverdi për shkruesin, kur e kur leverdi për marrësin e, kur e kur leverdi për protagonistët e krizave. Nuk po i paragjykoj “frytet” e letrës që përmendni, por dua të them: intelektuali e ka për obligim mendor dhe etik ta thotë të vërtetën pavarësisht sa e hidhur mund të jetë ajo, pavarësisht sa kanosen interesat e tij nga ajo, pavarësisht sa e keqpritur prej të tjerëve, prej opinionit, mund të jetë ajo. Ai që e quajmë intelektual nuk bën kalkulime, kurrfarë kalkulimesh. E, e vërteta për dramën e zgjedhjeve të 8 Majit në Shqipëri është fare e qartë, fare e dukshme. Tregimi për këtë dramë është ky: më 21 janar të këtij viti janë vrarë 4 protestues, të pafajshëm dhe të varfër. Atë ditë kur janë vrarë ata, Lulzim Basha ishte ministër i Punëve të Brendshme të Shqipërisë. Në çastin kur janë vrarë këta katër qytetarë të varfër, thuhet se ministri Lulzim Basha gjendej në ndërtesën e Kryeministrisë së Shqipërisë. Në ata katër protestues të pafajshëm e të varfër nuk ka mundur të shtihet me armë pa dijen e Lulzim Bashës (dhe të Kryeministrit Sali Berisha).Por, edhe po të ishin vrarë pa dijen e tij, ata, megjithatë, janë vrarë derisa ai ishte ministër, derisa ai u lëshonte urdhra Policisë dhe Gardës së shtetit. Kur kalin e vret shala mendja e shëndoshë e popullit, e filozofëve të demokracisë, e intelektualëve dhe e shkrimtarëve e thotë: fajtor është kalorësi. Domethënë: Lulzim Basha, të cilin unë kurrë nuk e kam takuar, kundër të cilit unë, që përpara, nuk mund të kem asgjë, objektivisht është vrasës i katër protestuesve të pa armë në dorë. Në botën demokratike ai ministër, domethënë ai fajtor për vrasjen e katër protestuesve, nuk mund të kandidohet për kryetar të bashkisë së kryeqytetit, as për kryetar të asnjë qyteti, as për ndonjë pozitë tjetër politike. Kandidimi i tij, e kam thënë edhe njëherë tjetër dhe po e përsëris prapë, nga ana e Partisë në të cilën është anëtar, në të vërtetë nga ana e Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, është provokim i mendjes demokratike, i mendjes kundërdespotike. Kandidimi i tij, rrjedhimisht, është cenim i rëndë i kulturës politike të popullit shqiptar. Po të mendonte për interesat e vendit, ai nuk do të pranonte të kandidohej. Po t’i mendonte interesat e Shqipërisë, Kryeministri i Shqipërisë, nuk do ta kandidonte një njeri me barrë aq të madhe politike e morale në karrierën politike e në ndërgjegje, po do të kandidonte një anëtar tjetër të Partisë Demokratike të Shqipërisë, e cila ka anëtarë shumë më të merituar, më të çmuar e me më shumë përvojë politike e qeverisëse se Lulëzim Basha. Një njeriu të tillë, që është bërë shkak për zhytjen e vendit në krizë të rrezikshme politike e shtetërore nuk i çohet letër me lutjen që të tërhiqet prej garës politike e pushtetore sepse edhe mendja më e virgjër do t’i tregonte: ai që me barrë të tillë politike e penale në karrierë e në shpirt hyn në garë politike për pozitë të re, më të lartë, ai prej asaj gare nuk tërhiqet i gjallë! Një njeriu të tillë i çon  letër vetëm ai që letrën politike e shkruan duke menduar jo për të vërtetën që në të thuhet, por për frytet e saj vetjake. Megjithatë, kjo letër e I.Kadaresë ka një vlerë politike: ajo e tregon vetëdijen e autorit për fajin e Lulëzim Bashës, por kjo  vetëdije, mjerisht, s’është bërë  ndërgjegje që e tregon qartë dhe e mbron pa kalkulime të vërtetën për krizën e tashme në Shqipëri, kryeprotagonisti i së cilës është Sali Berisha.
- Po për valën e re të protestave të opozitës, ç’mendim keni?
- Siç është parë më shumë herë, krizën politike, shoqërore, institucionale të Shqipërisë, nuk po e zgjidhin, fatkeqësisht, as bisedat, as bisedimet, as institucionet e pavarura, as ndërhyrjet e paqarta të BE-së. Në qoftë se faktorët ndërkombëtarë, në qoftë se BE-ja, vazhdon të jetë e paqartë, e pavendosur, e larë dhe e lyer si deri tani, në qoftë se Kolegji Zgjedhor s’e zgjidh krizën, atëherë mbetet vetëm një mjet për zgjidhjen e saj: protestat demonstratat, grevat, në të vërtetë mosbindja qytetare. Tani nuk mund të flitet më vetëm për truket e Sali Berishës në zgjedhje siç fliste për të ish- ambasadori amerikan në Tiranë. Tani kemi të bëjmë me rrëmbim, me plaçkitje të rezultatit të zgjedhjeve, me turli-turli makinacionesh! Tani kemi të bëjmë me shkelje të ligjit; tani kemi të bëjmë me shkelje të Kodit Zgjedhor; tani kemi të bëjmë me privatizim të plotë, brutal, të shtetit, domethënë me cenim përfundimtar të shtetit! Atë që ia mohoi opozitës  gjatë dy vjetëve, Kryeministri i Shqipërisë tani ia lejoi vetes; dhe kipcit të tij, Lulëzim Bashës! Dhe, kështu ndodhi përbuzja, fyerja më e rëndë e opozitës shqiptare, në të vërtetë e gjysmës së Shqipërisë!
- Ç’mund të thuhet tani? Ç’duhet të thuhet tani?
Për hir të ardhmërisë demokratike të Shqipërisë, opozita shqiptare, Kolegji Zgjedhor, institucionet e pavarura, nuk guxojnë të lejojnë që padrejtësia, dhuna të bëhen të ligjshme, siç po do ta bëjë Sali Berisha duke shkelur Kodin Zgjedhor dhe ligjin dhe siç e ka bërë edhe sa herë më parë. Për hir të ardhmërisë demokratike të Shqipërisë, opozita shqiptare, Kolegji Zgjedhor, institucionet e pavarura të Shqipërisë, nuk guxojnë të lejojnë që në skenën politike shqiptare të ngrihet paligjshëm e të bëhet politikisht i qëndrueshëm edhe një Sali Berishë i dytë, i cili, siç e dëshmoi më në fund, do të zbatojë teknologjinë politike e pushtetore të gënjeshtrës, të mashtrimit, të falsifikimit, të rrëmbimit, të mësuar prej mësuesit dhe padronit të tij. Opozita shqiptare, Kolegji Zgjedhor, institucionet e pavarura të Shqipërisë, nuk guxojnë të harrojnë devizën themeltare të demokracisë, në të cilën mbështetet gjithë historia demokratike e popujve historikë liridashës: është mëkat t’i bëhet e padrejtë tjetrit, por po aq është mëkat edhe të durohet padrejtësia. Protestat, demonstratat, grevat e urisë, mosbindja qytetare paqësore, prandaj, jo vetëm se janë të ligjshme, por ato janë të domosdoshme për të shpëtuar dinjitetin shtetëror të Shqipërisë, për ta nxjerrë Shqipërinë prej krizës, për të filluar shërimi i Shqipërisë: shërimi politik, etik dhe shtetëror i Shqipërisë. Por, kam drojë se opozitës i mungon frymëmarrje mjaftueshëm e gjatë për ndërmarrje të tillë historike. Po ta kishte këtë frymëmarrje nuk do ta ndërprente grevën e urisë dhe nuk do të pranonte të mashtrohej prej përfaqësuesve të BE-së në restorantin “Krokodil” në Strasburg!

(Vijon)

Nesër do të lexoni:
- Cili është shkaktari i mosmbajtjes së zgjedhjeve të lira në Shqipëri dhe pse duhet të largohet ai.
- Pse shqiptarët janë kombi më i vonuar i Evropës.
- Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën është i pashmangshëm.

REXHEP QOSJA
Rexhep Qosja ka lindur më 25 qershor 1936 në Vuthaj të Kelmendit, Malit i Zi. Shkollën fillore e përfundoi në fshatin e lindjes, tetëvjeçaren e mbaroi në Guci. Shkollën normale e mbaroi në Prishtinë. Më 1964 diplomoi në degën Gjuhë-letërsi të Universitetit të Prishtinës. Studimet pasuniversitare i kreu në Universitetin e Beogradit, Beograd ku në vitin 1971 mori titullin "Doktor i shkencave filologjike" me temën "Asdreni-jeta dhe veprat". Ishte punonjës shkencor në Institutin Albanologjik të Universitetit të Prishtinës dhe drejtor i këtij Instituti prej vitit 1972 deri më 1981. Që në fillimet e veta, duke folur për rolin e kritikës dhe modernitetit, Rexhep Qosja pohoi se, "realizmi socialist nuk është as realizëm, sepse është romantizëm". Duke mbrojtur dhe ushtruar një kritikë të tillë dhe duke hequr dorë nga glorifikimi i një orientimi të vetëm u siguroi studimeve të veta dimensione të reja që i përkasin të gjitha kohërave. Si një nga personalitetet më të shquara të kulturës dhe shkencës shqiptare është zgjedhur anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, si dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Në krijimtarinë letrare të tij shquhet romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, që është përkthyer në disa gjuhë të huaja, për të cilin autori është cilësuar si Kafka i Lindjes. Fusha kryesore e studimeve të tij është historia e letërsisë shqiptare, së cilës i ka kushtuar një varg veprash përgjithësuese. Është autor i shumë shkrimeve kritike dhe publicistike, disa dramave dhe eseve. Për çështjen kombëtare shqiptare Rexhep Qosja ka botuar një numër veprash, në të cilat trajtohet me thellësi historia dhe strategjia e bashkimit kombëtar, rruga drejt lirisë e demokracisë.

Tituj të veprave

    * Episode letrare - (1967)
    * Dialog me shkrimtarë - (1968)
    * Antologjia e lirikës shqipe - (1970)
    * Kontinuitete - (1972)
    * Asdreni - jeta dhe vepra - (1972)
    * Panteoni i rralluar - (1973)
    * Vdekja më vjen prej syve të tillë - (1974)
    * Shkrimtarë dhe periudha - (1975)
    * Anatomia e kulturës - (1976)
    * Mite të zhveshura - (1978)
    * Prej tipologjisë deri te periodizimi - (1979)
    * Morfologjia e një fushate - (1980)
    * Nocione të reja albanologjike - (1983)
    * Historia e letërsisë shqipe i - (1984)
    * Historia e letërsisë shqipe II - (1984)
    * Antologjia historike e letërsisë shqipe - (1985)
    * Historia e letërsisë shqipe III - (1986)
    * Porosia e madhe - (1986)
    * Populli i ndaluar - (1990)
    * Strategjia e bashkimit kombëtar - (1992)
    * Çështja shqiptare: Historia dhe politika - (1994)
    * Ligjërime paravajtëse - (1996)
    * Fjalor demokratik - (1997)
    * Paqja e përgjakshme: Konferenca ndërkombëtare për Kosovën - (1999)
    * Një dashuri dhe shtatë faje, roman, bot. “Toena”, Tiranë, (2001)
    * i ringjalluri i penduar, tregim satirik. “Toena”, Tiranë, (2002)
    * Realiteti i shpërfillur (Vështrim kritik mbi pikëpamjet e Ismail Kadaresë për identitetin shqiptar) - (2006)
    * Rilindja e dytë
    * Prej letërsisë romantike deri te letërsia moderne - 2007
    * Nata është dita jonë, - 2007

 

image


INTERVISTA / Pjesa e dytë e bisedës ekskluzive të Akademikut Rexhep Qosja me drejtorin e “Telegraf”, Ëngjëll Musai


Shqipëria ka çfarë të mësojë prej Kosovës sot

Po botojmë sot pjesën e dytë të bisedës me Akademikun Rexhep Qosja. Ata që njohin veprën dhe pozicionimin intelektual dhe shoqëror të Prof. Qosjes, kjo bisedë është më se e natyrshme. Intelektuali i madh që mbart një mision të rëndësishëm mbi supe për kombin e tij, nuk mund të jetë indiferent ndaj zhvillimeve shoqërore e politike në vend. Me mënyrën dhe stilin e tij të të shkruarit, Prof. Qosja ka qenë dhe mbetet një polemist i pashoq, i hapur, kurajoz dhe largpamës. Kjo pjesë e dytë e intervistës me Prof. Qosjen e përforcon këtë.

- Pse edhe pas njëzet vjetësh ne nuk jemi në gjendje të bëjmë zgjedhje të lira dhe të ndershme sipas standardeve evropiane?
- Pse? Pse nuk mund të bëjmë zgjedhje të lira e të ndershme? Sepse në politikë janë mbledhur shumë njerëz të pandershëm, disa prej të cilëve, madje, skajshëm të pandershëm. Sintezë e pandershmërisë në politikën shqiptare është Sali Berisha. Shikojeni kur flet, si flet dhe si sillet! Ai e gënjen popullin thuajse po gënjen një fëmijë a një të padijshëm Ai prodhon dhunë me gojë e me sjellje, duke cenuar pandërprerje idenë e lirisë dhe idenë e demokracisë! Ai me çdo gjë fyen kulturën politike dhe idenë demokratike në jetën shqiptare. Largimi i Sali Berishës prej jetës politike shqiptare është kushti  i parë që të mund të mbahen zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri. Çdo kohë ka njerëzit e vet. Sali Berisha dhe disa të tjerë nuk janë njerëz të kësaj kohe: ata janë njerëz të një kohe të shkuar, që duhet të shkojnë sa më parë në harresë. Shqipërinë do ta shërojë plotësisht vetëm brezi i ri, pjesëtarëve të të cilit në asnjë mënyrë nuk po u krijojnë hapësirë politike dhunëtarët me në krye Sali Berishën.
Duke i shqiptuar këto fjalë, e ndiej të nevojshme që t’ia bëj një sqarim opinionit shqiptar: nuk kam asgjë kundër Sali Berishës për shkak të Sali Berishës, por kam kundër Sali Berishës për shkak të Shqipërisë dhe shqiptarëve. E dua Shqipërinë, prandaj nuk e pranoj Sali Berishën në politikën shqiptare. Të përsëris: për mendjen time, për bindjen time, shpëtimi i Shqipërisë prej konflikteve rrënuese njëzetvjeçare, pasojat e të cilave janë tepër të mëdha, janë, madje, afatgjata në jetën shqiptare, mund të fillojë vetëm kur Sali Berisha të largohet prej politikës. E ai vetë nuk largohet: atë duhet larguar prej politikës. Sa më parë aq më mirë për Shqipërinë.
- Ju keni qenë vazhdimisht kritik ndaj politikës shqiptare, ndërkohë që, ajo duket se ka ndryshuar pak ose aspak gjatë këtyre viteve. Kjo ka bërë që në shumë procese ne të jemi ndër kombet më të vonuar të Evropës. Sipas jush, nga se buron kjo kryeneçësi e politikës shqiptare?
- Politika shqiptare jo se nuk ka ndryshuar për të mirë, por ka ardhur duke u vrazhdësuar, duke u egërsuar, duke u korruptuar, duke u autokratizuar gjithnjë e më shumë. Dhe, më tej: në shumë procese nuk mund të thuhet se ne jemi ndër kombet më të vonuar të Evropës; e vërteta është kjo: ne jemi kombi më i vonuar i Evropës. Edhe Mali i Zi, edhe Maqedonia, edhe Serbia, edhe Bosnja janë para Shqipërisë (dhe Kosovës) në të gjitha proceset evropianizuese. Shkaqet e vërteta të këtij vonimi janë më të shumta, më të ndryshme dhe më të thella. Dhe, këto shkaqe gjithnjë po mbulohen me retorikën pseudoevropiane të disa pseudoeuropianëve tanë, të cilët përfitojnë ose shpresojnë të përfitojnë qoftë në politikë qoftë në fusha të tjera nga kjo retorikë e rrejshme. Për sociologët, për psikologët, për politikologët tanë ka shumë tema në jetën shqiptare sot, me trajtimin shkencor të të cilave do të mund të luhej rol posaçërisht i çmuar orientues në jetën tonë politike, shoqërore, kulturore.
- Sidoqoftë , situata në Kosovë, ndryshe nga ajo në Shqipëri, duket më e qetësuar pas zgjedhjeve të fundit, apo jo?
- Është siç thoni ju. Situata në Kosovë dhe situata në Shqipëri nuk mund të krahasohen së paku jo ende. I lejoj vetes të shpresoj se të ngjashme për nga e keqja këto situata nuk do të jenë ndonjëherë. Ballafaqimet kritike gjatë fushatës zgjedhore, gjatë zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve në Kosovë ishin shumëfish më të buta se ato në Shqipëri.
            Në Kosovë ka kohë që nuk ka gjakmarrje. Dhe kjo është shumë e rëndësishme. Në Kosovë urrejtja nuk është përbërës i pafrenuar në marrëdhëniet ndërmjet njerëzve. Ndodh kështu, ndoshta, pse në Kosovë, gjatë, shumë gjatë, shqiptarët ishin të ballafaquar me mosdurimin, shtypjen, kur e kur përbuzjen dhe urrejtjen e regjimit pushtues serb e jugosllav.
            Në Kosovë, gjithashtu, ka një faktor që luan rol të theksuar qetësues, paqësues sot; dhe ky faktor është trashëgimia politike e partiake e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E keni vërejtur, besoj edhe ju, se si pjesëtarët e UÇK-së në qeverisjen e Kosovës u përgjigjen qetë, në të gjitha pikëpamjet butë, u përgjigjen me kulturë demokratike, kundërshtarëve politikë, pjesëtarëve të opozitës edhe në Kuvendin e Kosovës, edhe në Qeverinë e Kosovës, edhe në fushatat zgjedhore. Krahasojeni gjuhën e tyre, krahasojini sjelljet e tyre me gjuhën dhe me sjelljet e zyrtarëve në Shqipërinë shtetërore, në mënyrë të veçantë me gjuhën e me sjelljet e me dhunën e Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha! Nuk krahasohen dot. Në këtë pikëpamje - po e theksojnë edhe intelektualë edhe ish- politikanë të Shqipërisë shtetërore - Shqipëria ka çka të mësojë prej Kosovës sot.
- Duket se ka një ngecje për njohjen e shtetit të Kosovës. Përveç arsyeve të njohura botërisht, a ka përgjegjësi klasa politike e Prishtinës për këtë?
- Klasa e sotme politike në Kosovë ka trashëguar një politikë të gabuar, shpërfillëse ndaj botës islamike, që e bënte klasa politike, para luftës çlirimtare dhe pak vite pas luftës. Kjo politikë e gabuar tani është mënjanuar dhe nuk kanë munguar frytet: shumë vende islamike e kanë njohur Kosovën shtet. Serbia, Rusia dhe miqtë e Serbisë e të ish-Jugosllavisë në botë vazhdojnë ta ngadalësojnë, kur e ku edhe ta pengojnë njohjen e Kosovës, por këto përpjekje me kohë do të bëhen gjithnjë e më të komprometuara. Numri i shteteve që po e njohin Kosovën po rritet, ngadalë, por po rritet. Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, Qeveria e Kosovës, Kuvendi i Kosovës po bëjnë krejt ç’mund të bëhet që të rritet numri i vendeve që do ta njohin Kosovën shtet. Edhe Shqipëria shtetërore po u kontribuon përpjekjeve për rritjen e numrit të vendeve që e njohin Kosovën. Posaçërisht i madh është roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për njohjen e Kosovës.
- Profesor, çfarë konsideroni si më të rëndësishme për momentin në rrafsh kombëtar, në mënyrë që të përshpejtohet procesi i bashkimit me familjen evropiane? Pra cili është mesazhi Juaj për këtë?
- Shqipëria duhet të bëhet dhe të funksionojë si shtet vërtet demokratik, si shtet vërtet i qytetëruar, si shtet vërtet evropian. E për të qenë e për të funksionuar ashtu ajo duhet të bëhet shtet i së drejtës, shtet në të cilin respektohet ndarja e pushteteve, shtet në të cilin respektohen, pa përjashtime, të drejtat e njeriut, shtet në të cilin respektohet dhe mbrohet mendimi i lirë dhe liria e mediave, shtet në të cilin nuk do të varësohen mediat prej qeverisë, qoftë me trysni të ndryshme, qoftë me shantazhe, qoftë me leverdi ekonomike, siç janë varësuar disa media elektronike e disa gazeta, shtet në të cilin do të parandalohet korrupsioni – ky shkatërrues i tmerrshëm i bazës së demokracisë, shtet në të cilin do të parandalohet krimi i organizuar, shtet në të cilin do të zbatohet ndëshkueshmëria për fajet, gabimet, papërgjegjësinë politike.
Që të mund të ndodhin këto, që të mund të bëhet e të funksionojë Shqipëria si shtet vërtet demokratik dhe si shtet vërtet i qytetëruar, domethënë si shtet në të cilin çmohen e mbrohen vlerat evropiane, ka një parakusht dhe ky parakusht është: largimi i Sali Berishës prej politikës dhe pushtetit. Largimi i tij do të bëjë të mundshëm fillimin e stabilizimit dhe të funksionimit demokratik dhe qytetërues të Shqipërisë.
- Sipas jush kombi ynë po përjeton orën e fatalitetit apo të shpresës?
- Dikush e ka thënë para meje: për individin mund të mos ketë rrugëdalje, por për popullin gjithmonë rrugëdalje ka. Populli shqiptar me përvojën e tij historike, me mendjen e tij kolektive, megjithëse kur e kur lejon të jetë i përdorur e i shpërdorur prej demagogëve, mashtruesve e dhunëtarëve politikë, do të gjejë rrugëdalje prej çdo situate, çdo drame, çdo  rruge të pakrye, në të cilën e fusin ata demagogë, mashtrues e dhunëtarë. E ardhmja jonë do të jetë pakrahasueshëm më e mirë se e kaluara. Me çlirimin e Kosovës, me  vënien e  themeleve kushtetutare juridike për ndërtimin e një rendi të ri, demokratik, në Shqipërinë shtetërore e në Kosovë, shqiptarët në përgjithësi, kanë hyrë në epokën e re të përpjetës, të rritës së përgjithshme si Komb. Me një popull kryesisht të ri, theksueshëm gjallërues (dinamik), me një popull që e shquajnë nismat dhe dhuntitë krijuese, me një popull, i cili pashmangshëm do të bëhet gjithnjë e më i vetëdijshëm për rëndësinë e jashtëzakonshme të shëndetit të vet etik, me një popull, i cili ka trashëguar atdhetarizëm shembullor të ndërtuar në kohën e Rilindjes së madhe kombëtare, Shqipëria dhe Kosova do të dinë të dallojnë qartë përparësitë e tyre kombëtare dhe të përzgjedhin qëllimin historik. Tregimi për fatalitetet historike shqiptare është tregim i kryer; tani jemi në epokën e rrëfimit e të përmbushjes së tregimit për Shpresën shqiptare. Dhe kjo shpresë në të cilën duhet të jenë të përmbajtura përparësitë dhe qëllimi është bashkimi i pashmangshëm i Shqipërisë dhe i Kosovës -  si pjesë etnike dhe gjeografike e Shqipërisë.
- Ju faleminderit, Profesor!

Prishtinë, 24.5.2011

Rexhep Qosja – Nderi i Kombit
Lindi më 25.VI.1936 në Vuthaj të Malit të Zi. Katër klasat e para të fillores i kreu në Vuthaj, kurse gjysmëmaturën në Guci. Më 1959 mbaroi Shkollën Normale në Prishtinë, ndërsa më 1960 u regjistrua në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik të Prishtinës ku u diplomua më 1964. Në vitin 1967 pranohet asistent në Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe gjatë viteve 1967/68 specializon shkencën e letërsisë në studimet e shkallës së tretë në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit. Më 1969 zgjidhet bashkëpunëtor shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Në vitin 1971 mbrojti tezën e doktoratës mbi jetën dhe krijimtarinë e Asdrenit. Pas doktorimit, më 1972, është zgjedhur, një herë bashkëpunëtor i lartë e, pastaj, këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik, profesor inordinar dhe, mandej, profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Ishte drejtor i Institutit Albanologjik prej vitit 1972 deri në vitin 1981, shef shumëvjeçar i Degës së Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filozofik dhe, gjatë viteve 1974-1975, kryeredaktor i jashtëm i revistës letrare “Jeta e Re”. Ka botuar një numër të madh recensionesh, vështrimesh, artikujsh, sprovash, trajtesash dhe studimesh nëpër shumicën e revistave shkencore dhe letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe e të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Deri tani ka botuar 16 libra , në mesin e të cilëve edhe Historinë e romantizmit shqiptar, në tri vëllime. Punime apo vepra të veçanta i janë përkthyer në disa gjuhë. Libri Letërsia dhe kritika i është botuar në serbokroatishte, kurse romani Vdekja më vjen prej syve të tillë i është botuar në serbokroatishte, në sllovenishte dhe në bullgarishte. Drama Sfinga e gjallë i është botuar në serbokroatishte, kurse drama Beselam pse më flijojnë, në arabishte. Proza ese e studime i janë botuar edhe në rusishte, në frëngjishte, në rumanishte, në turqishte, në maqedonishte e në hungarishte. Është përfaqësuar në antologjitë e prozës shqipe të botuara në Jugosllavi, në Paris, në Moskë dhe në antologjitë e eseve të kombeve e të kombësive të Jugosllavisë, të botuar në Lubjanë. Për krijimtarinë shkencore dhe letrare është çmuar me: Shpërblimin e qytetit të Prishtinës, më 1968; me Shpërblimin Krahinor të Dhjetorit më 1969; me dy shpërblime të SHSH të Kosovës, më 1972 dhe 1974 dhe me Shpërblimin e RS të Serbisë – 7 Korriku, më 1975. Është marrë edhe me veprimtari politike; në periudhën 1998-2000 drejtoi një parti politike në Kosovë. Në vitin 2000 Presidenti i Republikës së Shqipërisë i ka dhënë çmimin “Nderi i Kombit”.

Krahasimi mes Londrës e Librazhdit
Shkrimtarët Besnik Mustafaj, Diana Çuli, Ylljet Aliçkaj, Behar Gjoka pohojnë se letërsia shqipe ka arritur nivel artistik evropian. Besnik Mustafaj është aq zemërgjerë ndaj meje, saqë edhe romanin tim Vdekja më vjen prej syve të tillë e shpall roman të nivelit artistik evropian. Por, mua nuk më duhet ky kompliment i tij i pavërtetë. As romani Vdekja më vjen prej syve të tillë, as romanet e mi të tjerë, që vetë mendoj se janë më të mirë se ai, nuk kanë vlerë letrare artistike të nivelit evropian. Jo. Nivelet letrare artistike evropiane, nivelet shkencore dhe filozofike evropiane, besoj se i njoh pak a shumë. Gjithë jetën kam punuar që t'i njoh. Niveli letrar evropian, fjala vjen, është niveli, që kanë caktuar Eskili, Dante, Servantesi, Shekspiri, Monteskie, Volteri, Didroi, Rusoi, Rasini, Molieri, Gëteja, Shileri, Shatobriani, Manconi, Balzaku, Hygoi, Dikensi, Floberi, Bodleri, Tolstoi, Dostojevski, Prusti, Xhojsi, Kafka, Niçeja, Herman Brohu, Muzili. Niveli letrar evropian është njëkohësisht niveli që sot caktojnë Kamyja, Tomas Mani, Sartri, Margarit Jursenar, Gynter Grasi, Umberto Eko, Hoze Saramago, Salman Rushdi, Mishel Furnie, Zhan d'Ormeson... Kënaqësinë e jashtëzakonshme që më sjell leximi i veprave të tyre vazhdimisht ma përcjell një shqetësim i madh: sa modeste janë veprat e mia në krahasim me ato të tyre! Sa modeste është letërsia shqipe në krahasim me letërsinë që kanë krijuar dhe krijojnë ata! Njohësi i letërsive të mëdha evropiane dhe i letërsisë shqipe do të mund të thoshte: të krahasosh, për nga vëllimi dhe për nga cilësia letërsinë shqipe me letërsinë franceze, gjermane, angleze, italiane është si të krahasosh, për nga madhësia dhe për nga vlera arkitekturore, Librazhdin me Londrën, si të krahasosh Lipjanin me Parisin! Por, për Besnik Mustafajn, Diana Çulin, Ylljet Aliçkajn dhe Behar Gjokën nuk është ashtu. Prej reagimit të tyre del se për ta Librazhdi është si Londra, kurse Lipjani si Parisi. Dhe, le të kënaqen me të vërtetën e tyre: se Librazhdi dhe Lipjani janë si Londra dhe Parisi. Ajo është kënaqësia e tyre dhe ajo është shija e tyre.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...