2011-05-24

“Heu, bre, or Vullnet Mata, shkrimtar i madh në atdhe!”


4 POEZI  NGA VULLNET MATO
 
KANARINA E TREMBUR

S’më harrohet
kur te supi im në rini,
më erdhi një kanarinë
me krahë të shkruar.
Ajo filloi të cicëronte
me aq ëmbëlsi,
sa nga padurimi
zura ta trazoj me duar.

Zogëza plapuriti krahët
para syve të mi
dhe fluturoi e trembur
tutje moskthimit.
M’u duk sikur më la
një pendë në sy,
nga e cila m’u mbulua
rrezja e shikimit.

Kjo zgjati derisa
gabimin kisha kuptuar,
se afrimi i zogave
me sqepin plot gaz,
nga dëshira instinktive
për të kënduar,
nuk qenka dorëzim
për të hyrë në kafaz...





 
KËNGA PËR MUA

Rapsodi i madh Agim Gashi,
kosovar i njohur në Gjermani,
më ka bërë këngë dollibashi,
kënduar aq ëmbël me sharki.

Kur jam i lodhur e pa honorar,
vë në audio këta tinguj kënge,  
çelur me tonalitet aq gjëmimtar,
sa gruaja klith: Ule se më çmende!

“Heu, bre, or  Vullnet Mata,
shkrimtar i madh në atdhe!”
Ajo thotë: Ç’më duhet lëvdata,
kur ti nga shkrimet para s’ke!

Por unë pres hakën t’i marr,
gruas që nuk i dalin lekët.
Sidomos kur flet me ton të lartë,
se i prish në kanape jastëkët:

Mos më bërtit, moj gruaja ime,
se vura Agim Gashin të tregojë,
kush jam unë që duroj qortime!
Atëherë ajo nuk pipëtin me gojë...



 
TERRORIZIMI AKUSTIK

Bie në sy njeriu
me daulle te shpuar,
te balli i thellë
i kërmillit të veshit,
sepse bërtet kurdoherë
duke menduar,
se nuk e dëgjojnë të tjerët
aty pranë sheshit.

Dëgjuesit e tronditur
në daullet e veshëve,
pyesin pse na shkallmon
nervat ky njeri,
kur ne dëgjojmë
shushurimat e gjetheve,
dhe kuptojmë fare qartë
hallin e tij?...

Dhe kur bashkohen
defektozët e kësaj natyre,
që nuk dëgjojnë
zërin e logjikës së kohës,
pas terrorizimit akustik
nga britmat e tyre,
ruajna, o zot,
nga mentë e kokës!...





 
SHKARRAVITJA E VETËVETES

Njeriu lind si faqja e pashkruar e letrës,
pa asnjë njollë në bardhësinë e shpirtit,
siç lind rrezja në qiellin e kthjellët të verës,
nga gjaku i bardhë i mitrës së diellit.


Kur njeriu me rrezen e vet shpirtërore,
Shkruan mbi letrën e pastër të vetvetes,
duke kaluar mes reve të bardha pupëlore,
mbetet gjithë dritë faqja e tij gjatë jetës.


Por kur rrezen e ngjyen nëpë re bloze,
dhe shkruan bardhësinë e shpirtit me sterrë,
nxin tërë jetën faqja e tij jetësore
dhe bëhet i urryer për njerëzit e tjerë.


E habitshme pse disa tipa plot dritë,
rrezen për të shkruar faqen e jetës,
shkojnë e ngjyejnë te bataku politik,
të nxijnë shpirtin, të shkarravitin vetveten!...

Të nxijnë qiellin ku na shohin kontinentet...

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...