Nga Kostaq Duka
Nëse
shikon me vëmendje rrugën e botimeve të prozatorit korçar, tashmë të
njohur Kristaq Turtulli vë re se tashmë nga dalja para lexuesit të
librit të parë, novelës "Nëna" në vitin 1981 e deri më sot kanë kaluar
30 vjet. Kristaqi kur trokiti në dyert e rënda të prozës i pohonte vetes
por edhe ne miqve të tij se këto dyer do ti hapte tej e tej duke mos
mbetur një pasionant i thjeshtë i letërsisë , poezisë e prozës por një
krijues që lexuesve do tu flase jo me zë minor por me zë të plotë. Pas
novelës "Nëna" ai do ti përkushtohej me seriozitet letërsisë për fëmijë
duke na sjellë në vitin 1988 vëllimin me tregime "Aventurat e arushit
topik" në vitin 1988 dhe pas një viti më 1989 vëllimin " zogjtë" ku veç
tregimeve përfshihej edhe një novelë. Letërsia për fëmijë u mirëprit
nga lexuesit, u vlerësua nga kritika e kohës dhe meritoi çmime
vlerësuese. Në këtë rrugë në vitin 1989 nxorri novelën "Ana" E
megjithatë një ëndërr e madhe do të lindëte e do të bëhej shtysë e
fortë për një punë më me pretendime krijuese. Ai donte të shpaloste
aftësitë e tij si prozator në arkitekturën dhe ndërtimin e
"kështjellës" së prozës, romanin.
Dhe
ja 7 vjet pas noveles Ana, brenda dy vitesh ai nxjerr dy romane " Hija e
ariut" dhe " Hani me dy porta ". Ky i fundit, pa dritën e botimit dhe
në gjuhën angleze në SHBA në vitin 2009 duke u vlerësuar si
një arritje e shënuar e autorit edhe nga të huaj. Këto romane si të
thuash u bënë platformë për ngjitje të mëtejshme në gjininë e
romanit duke sjellë vepra të reja me tematikë të ndryshme si "Ç'është
jeta e një njeriu" 2003, "Vetmia e zërave" 2007, "Dëgjo floriri im"
2009 , "Në trenin e linjës 16" 2010. Në gjuhën angleze përveç romanit
"Hanit me dy porta" " The inn with two doors" ka botuar dhe novelën për
fëmijë "Friends".
Rruga e romancierit Kristaq Turtulli, tashmë është e hapur. Në këtë
rrugë një ndërmarrje e guximëshme dhe pretenduese. Tani në vitin e
15-të si romancier ai porsa ka dhënë për lexuesit romanin " Syri i
dritës" që është pjesa e parë e trilogjisë " Hidhësia e puthjes" . Pjesa
e parë do të pasohet edhe nga "Tulipani i Koresë" dhe " Në rrugët e
Greqisë"
Siç shihet edhe nga vetë titujt e romaneve që përbëjnë këtë trilogji
autori e sheh fatin e personazheve në një hartë të madhe gjeografike. "
Syri i Ritës" zë fill me të ashtuquajturin fshat të ri socialist
Hoxharë qe siç thotë autori u ndërtua "nxitimthi brenda dy javësh në
buzë të ish kënetes me ca parafabrikate si kërpudha të bardha pas
shiut". Më tej do te fokusohet në qytetin juglindor, ku lexuesi e ndjen
se ka të bëjë me Korçën, dhe do sjellë ngjyrime e motive nga bregdeti,
diku pranë amfiteatrit të Butrintit e për një kohë lexuesi do të ecë
edhe shkretëtirës në Egjypt dhe rrugëve e kafeneve të Kajros. Sikurse
edhe në romanet e mëparëshëm edhe në "Syri i Ritës" autori merret me
fatin e njeriut, kryesisht të dramave e tragjedive të tij.
Autori në mënyrën e vet që po shkon drejt një profilizimi origjinal,
zhbiron në shpirtin njerëzor, unin e subkoshiencën. Ai thellohet në
motivet psikologjike, në të fshehtat e shpirtit njerëzor, butësinë e
egërsinë, urrejtjen e dashurinë. Sigurisht rreth 40 personazhet kryesore
e të dorës së dytë që veprojnë në roman u përkasin kategorive të
caktuara sociale, janë pjesë e mjedisit social por për autorin pak
rëndësi ka shpalosja e tablove të përgjithëshme, masive të shoqërisë,
plagët e vërteta të saj, shpjegimi i shkaqeve etj.Syri i tij, thellohet
në individët dhe marrëdheniet mes tyre, duke i dhënë rolin e një sfondi
ambientit social. Lexuesi faqe pas faqe ndjek fatin e personazheve nëpërmjet situatave me dramacitet.
Një dashuri që shndrrohet shpejt në tragjedi. Genti Tanushi djaloshi
nga jugu dhe Dile Oka shtatderdhur nga fshatrat e malësisë bien në
dashuri duke qënë të dy vullnetarë në Hoxharë. Fryt i kësaj dashurie
Rezearta. Mes tyre një i tretë, një
i ri nga bregdeti. Marrëdhëniet tronditen. Kulmi arrin kur Genti bëhet
deshmitar i tradhëtisë së gruas së vet. Një fund tragjik i çiftit.
Hedhja më pas në dallgët e jetës e Rezeartës e cila pëson fatin e hidhur
të jetimes.
Në
këtë pjesë të parë të Trilogjisë, Rezearta është heroi kryesor i
romanit. Do ta shohim atë në mjediset, përshkruar me tone të errëta të
shtëpisë së fëmijës, në mes përbuzjes e keqtrajtimit. I vetmi ngushëllim
ishte pylli dhe lëndinat pranë. Ngjarje të shumta do ta shoqëronin,
rritjen e kësaj vajze disi të egër nga vetë rrethanat por që trashëgonte
bukurinë e nënës së vet. Humb vajzërinë, në një aventurë të ndjellë si
pa dashur me rojtarin e pyllit e shohim më tej në kërkim të një
mbështetjeje njerëzore në krahët e një peshkatari të martuar por me grua
të paralizuar, nxjerr mësime nga jeta dhe vetpërmbahet deri në
ekstrem, lakmohet nga zyrtarë të pështirë por nuk bie më në kthetra, u
tregon vendin vajzave me moral të shthurur duke kërkuar pavarësi e
dinjitet. Fati i Rezeartës bashkohet me fatin e Mane Memës edhe ky
mbetur jetim në moshë të vogël e rritur me dashuri prej nëne të vërtetë
nga Rita, gruaja e dytë e babait të tij ish fotografit Jetnor me nofkën
Lecka. Në momentin e ndarjes nga jeta Rita i beson Manes syrin
artificial prej fildishi, që me shumë mundime e kishte sjellë babai i
saj tutje nga Egjypti i largët. Peripecitë e gjetjes së syrit zënë një
vend jo të vogël në roman.
Siç e përmendëm në roman ndërthuren në veprime një galeri e madhe
personazhesh. Merita e Kristaqit është që çdonjëri prej tyre ka profilin
e vet pak a shumë origjinal, çka krijon kontraste e ngjyrime të forta.
Kështu veç Rezeartës, Mane Memës,Ritës, Jetnor Leckës, Koçi Trokos,
Fredo Gjolit zilepunues babai i Ritës shohim të vizatuara bukur edhe
personazhe si përgjegjësja e turnit në shtëpinë e femijës Eli Begolli,
roja i konviktit të shkollës profesionale në bregdet Nebiu, përgjegjësi i
ofiçinës së parkut të tregtisë Lame Zdrypi, Rehita, plaka në Kajro që i
fali Fredos copën prej fildishi etj.
Rezearta së fundi gjeti strehën e ngrohtë familjare në shtëpinë e
vjetër të Mane Memës. A do të jetë e bukur jeta e tyre ? Këtë sigurisht
do ta mësojmë në pjesët në vazhdim të trilogjisë " Hidhësia e puthjes",
në romanet që vijojnë "Tulipani i Koresë" dhe "Në rrugët e Greqisë"