(Republikë, krahinë, apo sido që ta quajnë, Kosova vërtetë do të jetë Shqipëri, sepse ashtu e do edhe Zoti!)
Mjaftë kritikues të qëllimshëm tendencioz, apo (pseudo) intelektual të lajthitur “modernist”, të cilët bashkimin e dëshiruar të shqiptarëve e shohin në Evropën e Bashkuar, pas disa deklarimeve të fundit të ish presidentit të Shqipërisë, Alfred Mojsiu, se “Kosova është vetëm një krahinë e Shqipërisë”, të gjithë ata këtë herë, në opinionet e tyre reaguese, ngarendin të thirren në tendenciozitetin ofendues të kësaj deklarate që i bëhet dinjitetit shtetëror dhe integritetit territorial të shtetit ahtisarian dhe multietnik të Kosovës. Bile-bile, disa prej tyre, shkojnë aq larg, saqë kuptimin e saj e ngjasojnë sikur me qëndrimin zyrtarë të Serbisë, se Kosova kinse është krahinë e pandashme e integritetit territorial të saj.
Fatkeqësisht,
kësi biçim (b)analistësh gazetaresk, kemi pasur në çdo kohë dhe me
bollëk. Sa herë që nga ndonjë autoritet me ndikim aktualizohej në
opinion çështje e bashkimit të trojeve shqiptarëve, me analizat dhe
reagimet e tyre verbuese, degraduese, aspak vizionare dhe tërësisht
antikombëtare në këtë drejtim, prezenca kujdestare e tyre vërehej kudo, e
posaçërisht në disa medie me politika te ngjashme redaktuese.
Duke u mbështetur në funksionimin e përhershëm dhe të pacenueshëm të ligjit të të kundërtave, i
cili si proces vepron kudo në natyrë, këto kundërshtimet e tyre ndaj
kësaj kauze, unë do t’i konsideroja vetëm si një tarafi tjetër i poleve
antagoniste të këtij ligji në veprim, nga i cili fërkim, patjetër do të
lirohet nxehtësia. Nxehtësia si reagim emocional i shumicës së dominuar,
e cila detyrimisht në fund të këtij procesi, do ta prodhoj “produktin e
ri” të shumëpritur final. Andaj, në këtë drejtim, aspak nuk kanë
rëndësi çfarëdo qëndrime (pseudo)intelektuale të disa
individëve patologjikisht të verbuar nga politikat ditore, e, as ato të
atyre ekstremistëve të padjallëzuar nacionalist shqiptar se, qysh nesër,
pas 6 muajve,1 viti, apo diçka të ngjashëm si shpejtë, do ta kemi një
Shqipëri të Bashkuar Natyrale. Kryesore për ne është se fërkimi ka
filluar kaherë dhe nxehtësia si efekt po lirohet. Në këtë fazë
progresive si proces, shumë me rëndësi është që të arrihet DETABUIZIMI i
bindjes sonë të gabuar kolektive e cila në formë të frikës së prodhuar
nga dhuna e ushtruar afatgjate dhe përmes marketingut të sofistikuar
politik të armiqve tanë, është rrënjosur thellë në nënvetëdijen tonë
kolektive si mohim. Kohën e fundit, nga armiqtë tanë të
brendshëm dhe ndërkombëtar, si “anti-dampingu” më i rrezikshëm në këtë
drejtim, me sukses po na lansohet ajo ide iluzore, kinse ky bashkim i
yni gjithëshqiptar, do të realizohet tek në Evropian e Bashkuar?!
Rreth deklaratës së z. Alfret Mojsiut
E, çfarë mëkati, pra, na paska bërë me këtë deklaratë z. Alfred Mojsiu,.?
Pa dashur që në
detale të merrem me faktet të shumta teorike dhe praktike që edhe më
tepër do ta favorizojnë këtë thënien e tij pompoze se “Kosova është
vetëm një krahinë e Shqipërisë”, unë këtu si argument të fuqishëm do ta
kisha përmendur vetëm një detal të rëndësishëm dhe të pamohueshëm
historik:
Që nga viti
1912, kuvendi i Vlorës dhe Qeveria e Përkohshme që doli prej tij nga
përbërja deleguese përfaqësohej nga të gjitha trojet shqiptare, duk
përfshirë edhe ato që ishin të pushtuara nga ushtritë e vendeve
ballkanike që i dha këtij kuvendi karakterin e një Asambleje
mbarëshqiptare. Më 4 dhjetorë të po këtij viti historik, kur u zgjodh
Qeveria e Përkohshme e Ismail Qemalit, midis 63 delegatëve të të gjitha
viseve (krahinave) shqiptare, 16 ishin nga krahina e Kosovës, nga
kryeqendra e saj e Shkupi dhe nga qytetet tjera, ndërsa 7 ishin nga
Çamëria. Po kështu në Qeverinë e Vlorës, përveç Isa Boletinit, i cili,
ndonëse nuk kishte asnjë postë shtetëror, ishte një nga bashkëpunëtorët
më të ngushtë të Ismail Qemalit, bënin pjesë edhe personalitetet tjera
nga Kosova dhe krahinat tjera të pushtuara shqiptare, si Vehbi Dibra
(Agolli) me cilësinë e kryetarit të Pleqërisë, Mehmet pashë Derralla,
ministër i mbrojtjes dhe Hasan Prishtina që ishte caktuar si ministër i
Bujqësisë. Në Pleqësinë e Kuvendit të Shqipërisë, më vonë, përpos Vehbi
Agollit, nga Kosova dhe krahinat tjera shqiptare u zgjodhën edhe 3
anëtarë të tjerë, Bedri Pejani, Sali Gjuka dhe Ajdin Draga.
Pra, në atë kohë
të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë (28.11.1912), të gjithë këta
63 delegatë, nuk përfaqësonin ndonjë territor administrativ-politik të
veçantë, por vise dhe krahina të banuara me popullatë shqiptare të cilët
në mes veti i lidh gjaku, gjuha dhe kultura e përbashkët.
Edhe pse debati rreth kësaj deklarate të z. Mojsiut ende vazhdon, nga ana tjetër, Këshilli
drejtues i Institutit Albanologjik të Prishtinës, me motivacionin se
është figurë e rëndësishme e integrimeve mbarëshqiptare, i dëshmuar për
angazhimin konstruktiv në kohën sa ishte president dhe angazhimin e
vazhdueshëm për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare, ish-
presidentin e Shqipërisë, Alfred Moisiu, ka shpallur anëtar nderi të
këtij Instituti.
Nuk thotë kotë
populli se, “Tupani bie për ata që kanë veshë”, e kush sot i ka ato në
terezi, le të tentoj së paku “të dëgjoj” sa më mirë. E, sa për “të
kuptoj” sa më drejtë, mbase kjo për shumicën do të vije tek më vonë
Krejt në fund, pa marr parasysh a dëshiron dikush ta pranoj këtë realitet apo jo, rrugë
e jona e realizimit të bashkimit kombëtar, veç ka nisur kaherë.
Republikë, krahinë, apo sido që ta quajnë, Kosova vërtetë do të jetë
Shqipëri, sepse ashtu e do edhe Zoti!