Kardiologët invazivë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nuk po pranojnë të kthehen në repartin e Kardiologjisë duke e kundërshtuar vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për ndryshimin e statutit të QKUK-së.
Në fillim të prillit, MSH-ja kishte nënshkruar një vendim përmes së cilit ka kthyer shërbimin e Kardiologjisë Invazive në Klinikën e Kardiologjisë përmes ndryshimit të statutit.
Florin Shefqeti, përfaqësues ligjor i kardiologëve invazivë, ka thënë se problemet e kardiologëve nuk janë fillestare dhe se kanë filluar qysh moti.
“Ne i kemi drejtuar kryeministrit, nuk kemi pranuar përgjigje, jemi drejtuar edhe në Kushtetuese ku kemi kërkuar masë të përkohshme, shtyrje të ekzekutimit të këtij vendimi. Janë 10 kardiologë, dy gjenden në pushim pa pagesë. Nënkupton se të gjithë kardiologët që janë në punë janë të një qëndrimi”
Sipas tij, vendimi ka të bëjë me tendenca për prishje të rendit.
“Secili prej tyre dhe të klinikave të tjera ka kontratë të punës me klinikën përkatëse, kryen detyrat në kuadër të përgatitjes tij dhe ata kardiologë të tjerë nuk janë të gatshëm të kryejnë intervenime invazive ato që i kryejnë kardiologët aktualë. Atje ka orar të punës dhe listë të pritjes dhe punë jashtë orarit që bëhet nga këta kardiologë. E para, është qëllimi që të prishet rendi dhe puna e mirë që është duke u kryer. Ekziston një tendencë ku ne kemi pasur përfaqësim edhe të doktorëve të tjerë, ku është heqë puna pas orarit dhe vikendeve dhe tash në listë të pritjes dhe CT dhe rezonanca magnetike kemi me muaj të tërë”, ka thënë ai.
Shefqeti emëroi Bordin e SHSKUK-së si fajtor të këtij vendimi.
“Sipas deklarimeve nga kardiologët është qëllimi që të krijohet një kontroll edhe në raport me kthimin e gjendjes, i atyre që e kanë bërë, që del të jetë bordi, sepse Bordi i SHSKUK e ka nxjerrë një iniciativë legjislative që vetëm një nen e ndryshon dhe pretendon ta ndryshojë statutin. Sipas asaj që kemi, përmes kësaj tentohet të kthehet sistemi i kaluar i rekomandimit nga ana e 3 mjekëve për intervenim në institucion privat ose jashtë vendit”, ka shtuar ai.
Ai sqaroi pse nuk mund të funksionojnë kardiologët invazivë në kardiologji.
“Përfaqësues nga kjo klinikë kanë deklaruar që u duhen minimum 6 muaj për t’u trajnuar për të kryer operime intervente. Secili kardiolog invazivë punën e kryen nën rrezatime X që janë të dëmshme për shëndetin dhe kanë orar të kufizuar të punës sipas ligjit. Nëse me këtë formë të ndërhyrjes pretendohet të vazhdohet, secili kardiolog invaziv nuk do kryejë detyra përveç orarit të punës. Ata kanë mbajtur kujdestari”.
Shefqeti shtoi se bashkimi i këtyre klinikave e pengon punën për shkak të mungesës së përgatitjes së kardiokirurgëve tjerë, për shkak të paqartësive të shfrytëzimit sepse janë dy salla që përdoret dhe kthimit të sistemit ku do të vendoset rekomandimi për intervenim në institucione privat apo zgjerim të listës së pritjes”.
“Klinika e kardiologjisë do vendosë rreth trajtimit të pacientit. Kujdesi ndaj pacientit do të largohet prej gjenezës ku kryhet intervenimi në një funksion më të lartë”.