ShKRUAN : REXHEP SHAHU
Në
emisionin Dosje të hapura të RTSH, të vitit 2021, kushtuar Ministrit të
mbrojtjes të Kosovës, Ahmet Krasniqi, vrarë në pritë në Tiranë natën e 21
shtatorit 1998, Fatos Klosi fyen e nënçmon vrazhdë “kosovarët”, i ndan në
shqiptarë e kosovarë, flet me nënvlerësim për kosovarët e FARK-ut e të qeverisë
Bukoshi dhe i shet heroj kosovarët e LPK
e të UÇK.
(https://www.youtube.com/ëatch?v=68pyxz8njZ8&ab_channel=RTSH-)
Më erdhi
shumë keq dhe u trishtova se pse duhet të ndodhë kjo gjë dy dekada pas lufte
për Kosovën. Pse duhet të flasë ashtu një njeri që ka qenë dikush në këtë vend,
profesor fizike në universitet, kryetar i sherbimit sekret të vendit. Pse duhet
ta bëjë pis edhe Kosovën me atë lloj ligjërimi të ndotur me urrejtje. Unë e kam
parë shpesh, se ai të del pothuaj përnatë ekraneve e përditë gazetave dhe flet
për gjithë gjërat e botës, por nuk ia kam vu re kur bën gjithologji për punët e
brendëshme të Shqipërisë. Më trishtoi me përçmimin, shpërfilljen e
nënvleresimin ndaj kosovarëve, sikur kosovarët janë të huaj, janë diçka e diku
tjetër e ai Klosi është më i zgjedhuri për t’ua bërë gjyqin atyre kosovarëve… U
ndjeva keq që ka njerëz të tillë.
Flet për
“kosovarët” e punët e Kosovës si për gjëra të rëndomta që nuk i sheh as i ndjen
si të tijat por të huaja, të atyre kosovarëve…
Shfaqet
si çelësi i sekreteve të botës, si pjesa e padukshme e ajzbergut, si copë e
madhe diamanti, sikur ai e ka mbrojtë Kosovën, ia ka sjellë lirinë, sikur është
arkitekti i sherbimit sekret të Kosovës, që i ka në grusht lidhjet me partnerët,
CIA e gjithë sherbimet e vendeve aleate e përralla me iranianë e arabë sikur ai
është gardiani i sekreteve e lirisë së Kosovës.
Fatos
Klosi në ligjërimin e tij në dokumentar, me gjithë redaktimet e krehjet…, ka
nënçmim, për kosovarët edhe pse thonë se
servilët e tij e kanë shpallë veteran të luftës në Kosovë, për turpin e tyre,
nëse është e vertetë.
Klosi
thotë si me mllef se, “Ministria e mbrojtjes e Kosovës kishte shumë objekte në
Shqipëri në atë kohë. (Duket që Klosi ka deshpërim për këtë gjë, nuk i vjen
mirë, nuk e përshëndet një gjë të tillë…). Ishte një pjesë e kësaj ushtrie që
kryesisht përbëhej nga oficerë, nuk kishte ushtarë… (zgërdhihet këtu Klosi kur
i thotë këto fjalë), oficerë të paguar nga qeveria e Kosovës, oficerë që kishin
qenë oficerë të ushtrisë jugosllave që kishin mbaruar nëpër akademitë
jugosllave dhe që po përgatiteshin për t’u futur në Kosovë, por mesa dukesh
asnjëherë nuk kishin ndërmend të hyjnë... Një ushtri vetem me oficerë nuk
funksionon…”
Klosi
flet edhe si ekspert ushtrie këtu dhe ndoshta nga Klosi ka burue ajo urrejtja
kundër oficerëve të Kosovës se janë shkollue në akademitë jugosllave, se janë
titista siç është Klosi enverist, kur gjithë shqiptarët e Kosovës janë
shkolluar në shkolla jugosllave se kanë jetuar 87 vjet, gati një shekull nën
Jugosllavi… dhe nuk janë shkolluar as në Tiranë as në Rusi. Janë shkolluar në
Beograd, në Zagreb e Lubjanë…
Sipas
Klosit është turp të jesh oficer i Kosovës, i shkolluar në Akademitë jugosllave
dhe nuk është turp të jesh pedagog fizike i universitetit të Enver Hoxhës të
cilin e caktuan në krye të Shqipërisë jugosllavët, serbët, as nuk është turp të
bëhesh shef i shërbimit sekret të shtetit pa pasë lidhje me atë shkencë e
disiplinë apo teknologjinë moderne të informacionit.
“Për ne
nuk ishte ndonjë shqetësim, vijon të thotë Klosi. I vetmi shqetësim që kishim
ishte se ata njerëz nga ato kampet ku ishin, qoftë në Mamurras a në Kavajë,
Karpen, shpesh e shpesh me uniforma të UÇK që ata s’ishin UÇK (Klosi duhet ta
caktonte kush ç’ka ishin, kush ishte titist e kush enverist) dilnin nëpër
Tiranë, (Tirana duhej ishte më shumë e Klosit se sa e çdo shqiptari të Kosovës,
Klosi nuk u lejon hise në Tiranë shqiptarëve të Kosovës…), e kishin me qejf të
dukeshin që jemi kosovarë (nënqesh dhe zgjat a-në te fjala kosovarë), jemi të
UÇK… dhe këto i patëm thënë, që normalisht UÇK operon në Kosovë, nuk mund të
ketë ushtarë të veshur me uniformë nëpër Tiranë, prandaj mos na i krijoni këto
probleme…”
Ata
njerëz të UÇK që rrinin me Klosin e me Milon e me zyrtarë të tjerë socialistë,
ata lejoheshin “të luftonin” nëpër Durrës e Tiranë me Klosin e nuk kishte
nevojë që ata të luftonin në Kosovë… Klosin e shqetësonte ose edhe e trembte
mbase ndonjë situatë e mundshme që mund të krijonin trupat speciale të Kosovës
që stërviteshin në Karpen të Kavajës në ambiente private. Të gjitha ambientet
ku janë stërvitë trupat e Kosovës kanë qenë ambiente private jo shtetërore dhe
u është paguar qiraja pronarëve të tyre.
Klosi
kishte dy standarte për UÇK, ca i puthte e ca i pështynte sipas ligjërimit të
tij në dokumentarin e Noljan Loles.
Klosin,
sa e lexoj unë rrëfimin e tij nervoz me përqeshje e zgërdhirje, e shqetësonte
shqiptari i Kosovës në Tiranë, nuk e donte, nuk e duronte shqiptarin e Kosovës
në Tiranë. Klosi mendon se shqiptari mallakastriot ka më shumë hise në Tiranë
se gjakovari… drenicaku, llapjani apo i shqiptari i Gjilanit. Edhe ata
shqiptarë të Kosovës që i lëpiheshin dhe e quanin si zot ai i nënqeshte, i
nënçmonte, i ironizonte. Disa nga ata donin më shumë Klosin se vëllezërit e
tyre… Sa më shumë që ata e adhuronin aq më shumë ai i nënçmonte. Duke parë
emisionin mendoja se më shumë e njoh unë Hondurasin se sa e njeh Fatos Klosi
Kosovën…
Klosi nuk
thotë të vertetën kur thotë se pjesa e kësaj ushtrie të Kosovës (është fjala
për trupat e FARK-ut) përbëhej nga oficerë e nuk kishin ushtarë. Vetem në
Kukës, në dy qendra stërvitje, në Kolsh e në Kalimash kjo ushtria e Kosovës
kishte ushtarë disa herë më shumë se sa kishte divizioni i Kukësit në Kukës, pa
llogaritë sa ushtarë kishte në kampet e stërvitjes në Tropojë, Mamurras apo
Karpen ku ishin trupat më speciale të Kosovës, që nuk di pse e shqetësonin dhe
e frikësonin Klosin...
Oficerat
e Kosovës natyrisht që paguheshin nga qeveria e Kosovës për punën që bënin, siç
paguhej vetë Klosi nga qeveria e Shqipërisë (nuk e di a paguhej me ndonjë
honorar nga Koosva, nuk di gjë për këtë gjë). Ata oficerë të Kosovës kishin
lënë punët dhe familjet nëpër botë dhe ishin bashkangjitë luftës por nuk kishin
lënë ngrënien e bukës, pirjen e ujit, nuk kishin lënë ushqimin. Klosi firmoste
dietat e tij veç rrogës dhe nuk harronte kurrë të merrte shpërblimet… Ndërsa
oficerët e Kosovës nuk duhej të merrnin asnjë lloj rroge, ata dhe familjet e
tyre duhej të hanin bar…
Por duhet
pyetur mirë e duhen parë borderotë legale e të fshehta të Kosovës të UÇK, të
Ministrisë së mbrojtjes të Kosovës nëse paguheshin nga dy herë oficerë,
nënoficerë e kuadro të Shqipërisë që angazhoheshin me punë e probleme të luftës
për Kosovën…
UÇK - në,
thotë Klosi e njihja mirë dhe e dija se ata po luftonin në Kosovë. Ku Klos,
kush, ku po luftonte... kush ta tha… Po këto ushtarë e oficerë të FARK – ut që
hynin në Kosovë a bënin atje mbrëmje vallëzimi me serbët, bënin kurvëri e
hajni, apo luftonin, Klos? Ligjërim përçarës.
Klosi
thotë se Ahmet Krasniqi nuk ishte emëruar ministër. Klosi e LPK i dinin
sekretet e punët e Kosovës. Po Klosi nuk thotë si është e mundur që Ministrin
Krasniqi ta dëgjonin mijëra njerëz, oficerë (se nuk kishte ushtarë…), të
krijonte struktura ushtarake, të kishte fuqi të lëvronte shuma të mëdha parash,
miliona marka edhe pjesës tjetër të UÇK që Klosi e njihte mirë…. Këto para ia
jepte qeveria Bukoshi me firmën e Bukoshit. Si është e mundur Klos. Një njeri
jo ministër si mund të vepronte kështu me autoritet ministri, të negoconte me
të gjithë palët, të udhëhiqte çdo operacion, të firmoste, urdhëronte e lëvronte
miliona dojçmarka gjermane institucionalisht, fonde të qeverisë.
Po të
shohësh portretin e Fatos Klosit duke u ngërdheshë e zvarritë fjalët në dokumentar
të mbulon trishtimi, merr inat gjithë shtetin shqiptar e zyrtarët e tij.
Ndërsa po
flas për Fatos Klosin si kreu i shërbimit sekret të Shqipërisë në vitet 1998 –
1999, që flet pa dashuri e shpirt për punët e Kosovës të cilën nuk e sheh si
pjesë tonën por si të huaj, si “problem kosovar”, si punë kosovarësh, më
shfaqet përballë tij ish shefi i dikurshëm e shërbimit sekret të vendit, Irakli
Koçollari.
Nuk kam
ngelë unë të gjykoj a amnistoj askënd e asgjë për veprimtarinë e tyre, por unë
mund të tregoj një histori të rrallë, mbresëlënëse.
Rastësish
në Akademinë e Shkencave në Tiranë ne 2021 njoha ish kryetarin e shërbimit
sekret të Shqipërisë, Irakli Koçollarin, sot akademik, dikur edhe diplomat në
Greqi e në rininë e tij, në kohën e demostratave të 1981 në Kosovë, oficer
zbulimi a sigurimi në Kukës.
I thashë
duke qeshë në kafe, si s’më ke njohur kur ke qenë në Kukës që të më bëje spiun
që të bëja karierë në Tiranë këto vite
që jam pa punë…
Duke i
dhënë librin “Shtatë fletore” me 5548 vargje të poetit të varur Havzi Nela që
kam përgatitë dhe botuar unë, po i tregoja si kuriozitet se Havziu i ka
kushtuar më shumë se dymijë vargje Kosovës dhe demonstatave të 1981 në Kosovë,
si askush deri sot nga poetët shqiptarë.
Kam
kaluar muaj të tërë në majen e malit të Pushtrikut ato kohë protestash të 1981,
më rrëfeu Irakliu. Kosova protestonte, ne rrinim roje në kufi…
E kujtoj
se sa e tensionuar ka qenë situata atë pranverë të 1981. E besoja për çfarë
fliste Irakliu pasi unë banoja në fshat në Bardhoc afër kufirit me Kosovën, në
atë kohë i sapokthyer nga Durrësi ku kisha bërë shkollën e mesme. Por ne e
përjetonim atë që ndodhte në Kosovë se në familje flitej gjithë kohën për
Kosovën, ne ishim pjesë e Kosovës…
Nga ato
protesta e nga ajo kohë kam kujtimin më të bukur të jetës, vijoi Irakliu, në
Kukës më lindi fëmija i parë, vajzë dhe ia vura emrin Prishtinë…
Hapa sytë
si për ti thënë ma përsërit edhe njëherë se nuk di a e dëgjova mirë…
Vajza
jote, fëmija yt i parë, ka emrin Prishtinë…?!
Po,
Prishtinë e ka emrin, qeshi lehtë Irakliu…
Irakli
Koçollari, një baba i ri, nga Zagoria e Gjirokastrës, oficer sigurimi a zbulimi
i shtetit komunist shqiptar, i sapo dalë nga shkolla, që ato muaj të
demostratave të Kosovës të vitit 1981 ruante në kufi në malin e Pushtrikut të
Hasit, fëmijës së tij të parë, vajzës së tij të parë, ia vë emrin Prishtinë..!
Mbeta pa
tekst si i thonë fjalës. Më erdhi turp pa shkak pasi shpesh bëhemi spektatorë
në raste akuzash e përfoljesh qoftë me shaka e gjysmë shakaje ndaj njerzve të
ndryshëm duke dëgjuar t’i thonë dikujt grek, dikujt serb, dikujt shka dhe
gjykojmë bardh e zi në jetë kur në fakt jeta ka më shumë ngjyra e nuanca se sa
mendon e din njeriu…
Më shumë
se e mrekullueshme kjo që dëgjova. Çfarë lidhje me Kosovën!
Nuk e ka
urdhëruar as nxitur partia as shteti as sigurimi i shtetit komunist këtë djalë
njëzet vjeç nga fshatrat e Zagorisë së Gjirokastrës që fëmijës së tij të parë,
vajzës së tij të parë, t’ia vendosë emrin e kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë.
Prishtina atëhere ishte gjak, dhimbje, mall, Atdhe, Kosovë, ishte gjysma jonë e
munguar. Këtë Irakli Koçollari e shkruan në fëmijën e tij, në identitetin e tij
pasi e sheh Kosovën jo të huaj, por pjesë të tij, pjesë të shpirtit të tij.
Ndërsa
Irakliu fliste për vajzën e tij me emrin e bukur Prishtinë e për Kosovën, mua
më përfytyrohej Qazim Bllaca, i Suharekës, ish kryetari i parë i Bashkisë së
Prizrenit, deputet në parlamentin shqiptar, njëri nga shtatë themeluesit e
Lidhjes së dytë shqiptare të Prizrenit, ish zevendës ministër i punëve botore
në qeverinë e Rexhep Mitrvicës në Tiranë, i dënuar me 31 vite burg e internim
nga regjimi i Enver Hoxhës, i cili mbijetoi në burgun e Tiranës nga ushqimet që
ia sillnin në burg dy vjet rrjesht, një ditë njëri e një ditë tjetri, Skënder
Gega prej Gjirokastre dhe Muhedin Dino nga Libohova. Ose Avni Bejkova prej
Erseke e Xhafer Butka prej Kolonje që ndanë për vite me radhë kafshatën e gojës
me Qazim Bllacën në burgun e Burrelit ku mbijetonin 38 të burgosur në 40 metër
katrore kaush…
Nuk po
flas më shumë e më tej, le të jetë çfarë të dojë Irakli Koçollari, shiks,
operativ, sigurims, kryetar sherbimi, diplomat, akademik, kryetar akademie, por
ka një shekull distancë, është një mijë vjet dritë larg Fatos Klosit sa u përket
raporteve e lidhjeve të tyre shpirtërore me Kosovën, dashurinë për Kosovën e
për “ata kosovarët që fryheshin një çikë…, që vdisnin për tu dukur me uniformë
e me armë udhëve të Tiranës… pjesë të një ushtrie që kryesisht përbëhej nga
oficerë, nuk kishte ushtarë (zgërdhihet), oficerë të paguar nga qeveria e
Kosovës, oficerë që kishin qenë oficerë të ushtrisë jugosllave që kishin
mbaruar nëpër akademitë jugosllave dhe që po përgatiteshin për t’u futur në
Kosovë por mesa dukesh asnjëherë nuk kishin ndërmend të hyjnë. Një ushtri vetem
me oficerë nuk funksionon…”.
Ku ta
kishte atë luks Kosova që të kishte aq shumë oficerë sa thotë Klosi i tmerruar
prej oficerëve të Kosovës që i dukej se mburreshin me uniforma UÇK-je nëpër
Tiranë…
Urrejta,
përgojimi e nënçmimi nuk ka brirë.
Fatos
Klosat nuk e bëjnë dot “close” Kosovën.
Ka kohë
që e urdhëroj veten me heshtë, por nganjëherë nuk më dëgjon vetja, më del vetja
prej vetes.
*****
Rexhep Shahu është poet i njohur. Rexhep Shahu u lind në vitin 1960 në Bardhoc të Lumës, mes Kukësit e Prizrenit. Fëmijërinë e kaloi në breg të Drinit të Bardhë me Pikëllimin në shpinë e Pashtrikun në sy, aty, në mesin e dheut, ku pajtohen e bëhen një dy Drinat, i Bardhi dhe i Ziu dhe rendin bashkë me ëndrrat e tyre drejt detit.
Në Durrës kreu shkollën e mesme teknike-mekanike. Atje u mëkua me det dhe lau ëndrrat në të. Universitetin për letërsi e kreu në Shkodër.
Ka provuar gjithfarë lloj punësh e profesionesh në fusha e male me bujq e blegtorë, kosëtarë e korrës gruri... Ka jetuar me mineral kërkuesit, minatorët, vagonistët, ka punuar si motorist e xhenerik, ka bërë sekretarin në prokurori, shpesh duke u dridhur për fatet e të tjerëve, ka qenë drejtues kulture, tregtar, ka themeluar një kompani ndërtimi, ka punuar gazetar në Radio Kukësi, në Radio Tirana, në Top Albania Radio e në organe të shumta shtypi të Tiranës e Prishtinës, zëdhënës në Qarkun e Kukësit, zëdhënës shtypi në Ministrinë ë Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Tiranë, më pas drejtues i sektorit të Informacionit Bujqësor në këtë Ministri.
Ka drejtuar si kryeredaktor revistën kulturore “Dy Drina”, revistën për fëmijë “Kallz”, organe këto të Qendrës Kulturore “Dy Drina”, të përkohshmen “Gazeta e Kukësit” dhe shtatë vite edhe revistën kombëtare “Bujqësia Shqiptare”, organ i Ministrisë së Bujqësisë, Tiranë.Tani eshte Botues dhe Kryeredaktor i illz, reviste letrare e Tiranes.
Rexhep Shahu ka botuar keto libra :
1. MALI I HËNËS - vëllim poetik (Tiranë, 1998);
2. BREGU I BRENGËS - vëllim poetik (Prizren, 2000);
3. MISIONI PËR PAQEN - publicistikë, krizes së Kosovës 1998-1999 (Tiranë, 2001);
4. BLLACA – (monografi) – 2002;
5. MARSI I MINAVE – publicistike, për ngjarjet e Kosovë 1998-2000 (Tiranë, 2006);
6. LIS I VETËM NË FUSHË - Vëllim poetik, (Tiranë, 2011);
7. APOLOGJI PER UDHEN E KOMBIT - Publicistike (Tirane, 2012);
8. QYTETI I LUTJEVE – Poezi, Tirane 2014;
9. BUKEN TONE TE PERDITSHME, publicistike, (Tirane, 2014);
10. ISMAIL RAKA – SYTË E LIRISË – Monografi per heroin e Kaçanikut, (Tirane 2014);
11. KJO VERË MËRZIE – Vellim poetik, (Tiranë, 2015);
12. KU ISHE TI HERO - Publicistikë, Tiranë, 2016;
13. SHKRIMTARËT PËR HAVZI NELËN - SHPIRTI I LIRË I LUMËS, - Përgatitës, Tiranë, 2018;
14. HAVZI NELA – SHTATË FLETORE, Vepra e plotë me 5548 vargje, - Përgatitës, Tiranë,2018;
15. BISEDË ME HAVZI NELËN, - Publicistikë, Tiranë, 2019;
16. FALEMINDERIT DOKTOR ALUSHANI, - Rrefime, Tiranë, 2020;
17. DITA E GJASHTË, - Poezi, Tiranë, 2020;
18. RRAHMAN ZEQIRAJ – NJE STATUJE KUJTIMESH, monografi, Tiranë, 2020
Rexhep Shahu është kryetar i Klubit të Poezisë, organizatë Kulture që synon të mbledhë bashkë gjithë poetët shqiptarë në hapësirën e tyre dhe në diasporë.