Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vazhduar të kërkojë nga SPAK-u hetimin e ish-kryeministrit Sali Berisha. Sipas Ramës, tani janë bërë një vit që nga shpallja e Berishës “non-grata” dhe sekretari i Shtetit amerikan, Antony Blinken, e ka bërë të qartë se është detyra e institucioneve shqiptare që duhet të nxjerrin prova dhe jo DASH-i.
“Apo prisni Gjykatën e Parisit? U bë një vit dhe nuk kam fol fare, e gjithë PS-ja asnjë fjalë. Imagjinoni sikur të bëja deklarata.
Por s’kam folur asnjë fjalë. Por po bëhet një vit. A janë të vërteta këto? A janë të vërteta?
Mund të jenë thashetheme gazetash. Dhe unë jam i akuzuar se e kam bërë dosjen për non-graten me Sorosin dhe Blinkenin te një noter. Thonë që këtë e ka bërë Sorosi me atë të gjatin. Por këtë e thotë sekretari i Shtetit, i cili thotë se është detyrë e institucioneve për t’i gjetur provat. Kujt ia ka dhënë provat SHBA-ja?
SHBA-ja bën punën e tyre, jo tonën. Provat i takojnë drejtësisë”, ka thënë Rama të mërkurën.
Por kundërpërgjigja e prof.dr.Sali Berishës ishte e shpejtë.
Sali Berisha ka thënë se nëse merret si i pandehur do ta mbrojë të vërtetën, duke akuzuar Edvin Kristaq Ramën për skandale.
“Nëse merrem i pandehur do të mbroj të vërtetën. Unë do mbroj të vërtetën, vetëm të vërtetën, do ta zbatoj ligjin dhe vetëm ligjin në të gjithë jetën time. Shpërthimet e skandaleve kanë bërë që Edvin Kristaq Rama të humbasë arsyen, ka probleme psiqike, i trembur.
Vendi sot ka opozitë të vërtetë dhe kjo e tmerron Edvin Kristaq Ramën.
Opozita është në revolucion. Ne s’do pajtohemi kurrë me këtë plaçkitje të tmerrshme që do u bëhet shqiptarëve. Ne s’bëjmë presion te SPAK, ne u drejtohemi qytetarëve.
Ka shpikur ligjin e investitorëve strategjikë për të bërë ministrat investitorë strategjikë për t’u dhënë dhurata në prona publike. Dil përditë e mbaj fjalim për SPAK-un, por je i pashpresë. Asgjë s’na ndalon pa i dalë zot interesit të shqiptarëve”, ka thënë Berisha
Prof.dr.Sali Berisha është në rrugë të mirë për ta marrë sërish në dorë udhëheqjen e Partisë Demokratike.
Ai ka shpallur kandidaturën për kryetar në zgjedhjet që pritet të mbahen më 22 maj 2022. Sipas asaj që ka thënë Sali Berisha, nuk pritet të ketë kundërkandidat.