Nën çadër, mund të lexosh vjedhurazi dhjetëra tituj librash të cilët të intrigojnë. Ka edhe nga ata që, kush e di që kur i ke lexuar (sa mirë të vjen që ia mban mend historinë atij libri fije për pe), por ka edhe tituj që do të doje t’i lexoje me një frymë. Propozimet e këtij sezoni janë të ndryshme, por ato që vërtet nuk duhet t’ju mungojnë i sjell për Class drejtuesja e shtëpisë botuese “Pegi”, Loreta Berhami.

 

“Posta”, romani i parë i Charles Bukowski-t, një ish-nëpunësi të rëndomtë poste, u botua më 1971 dhe tronditi fort Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Siç do të ndodhte për pothuajse gjithë prozën e tij, protagonisti është alteregoja legjendare e Bukoëski-t, Henri Çinaski. i lindur dështak, me një profesion pa rrugëdalje, i cili nuk i jep asnjë kënaqësi personale e megjithatë, me mjaft vetëdije sa për të dalluar absurditetin e situatës së tij, Çinaski është emblema e njeriut të zakonshëm.

 

"Historia e vajzës së humbur" është vëllimi i katërt dhe i fundit i "Mikeshës gjeniale", sagës që e ngriti autoren në shkallën e një prej shkrimtareve më të mira në botë. Në këtë sagë rrëfehet historia e një miqësie midis dy grave, pole vërtet të kundërta të së njëjtës forcë. Ato takohen dhe përplasen, ndikojnë mbi njëra-tjetrën, largohen e sërish gjenden, zilepsen dhe admirojnë shoshoqen. Ky vëllim i katërt dhe i fundit përmbyll një vepër letrare jashtëzakonisht pjellore dhe frymëzuese, një vepër e pranuar ndërkombëtarisht si një prej më të mirave të kohës sonë.

 

A mund të matet lumturia? Rreth kësaj pyetjeje është ndërtuar romani “Indeksi mesatar i lumturisë” i shkrimtarit portugez David Machado. Ky roman trajton çështjen e vjetër të lumturisë, të arsyeve për të qenë të lumtur dhe hedh pikëpyetje mbi rolin e arritjeve e të sukseseve, ato që botërisht njihen dhe quhen të tilla, në jetën tonë.

 

“Dashuria mbi gjithçka” është titulli i parë i koleksionit Fluturëzat. Ky koleksion do të përmbajë romane të lehtë dhe të ëmbël, për të rinjtë e të rejat që kanë ende kohë të ëndërrojnë e të përhumben pak përmes rreshtave të dashurisë. “Dashuria mbi gjithçka” është një histori dashurie ngacmuese për të na kujtuar emocionet e fshehura, por jo të harruara, të drithërimave të para.

 

Te “Gruaja e togerit frëng”, Çarls Smithson, një i ri në prag martese dhe me një pozitë shoqërore për t'u pasur zili, njihet krejt rastësisht me Sara Udrafin, teksa ajo vështron detin, e vetmuar. Që në faqen e parë, është tejet e qartë, që rrugët e Çarlsit dhe Sarës do të puqen. Një histori magjepsëse që vë në lojë, me shumë delikatesë, paragjykimet e personazheve dhe të vetë lexuesit.


Prihstinë,5.9.2022.