Ukraina ndërpret kalimin e gazit rus drejt Evropës në një nga pikat e tranzitit

 




Ukraina ndërpreu sot kalimin e gazit rus drejt Evropës, nga një prej pikave të saj të tranzitit.

Ndikimi praktik në Evropë nuk është ende i qartë. Operatori ukrainas i tubacioneve të gazit tha se gazi do të dërgohej drejt një pike tjetër tranziti dhe sipas analistëve furnizimi me gaz nuk do të preket.

Por firma shtetërore ruse e gazit, Gazprom, tha se sasia e gazit që po shkon në Evropë pas ndërprerjes është 25 përqind më pak se një ditë më parë. Gazi rus shkon në Evropë edhe përmes tubacioneve të tjera.

Vendimi i Ukrainës është simbolikisht i rëndësishëm, pasi kjo është hera e parë që Ukraina ndërpret një pjesë të gazit, që kalon nga territori i saj dhe ndodh në një kohë, që Bashkimi Evropian po synon të ulë vartësinë nga lëndët energjitike ruse, duke eliminuar importin e qymyrit dhe në një të ardhme edhe të naftës ruse. Gazi është më i komplikuar për shkak të sasisë së madhe që përdor Evropa, si dhe të sfidave teknike për ta siguruar atë nga burime të tjera.

Ndërkohë Presidenti Volodymyr Zelensky tha se ushtria ukrainase i ka zmbrapsur forcat ruse nga 4 fshatra në afërsi të Kharkivit, qyteti i dytë më i madh i vendit dhe jetik për ofensivën ruse në rajonin e Donbasit.

Zyrtarët ukrainas ndihen më optimistë për zhvillimet në fushë-betejë. Ministri i Jashtëm Dmytro Kubela tha në një intervistë dje për gazetën Financial Times se Ukraina mund t’i zmbrapsë forcat ruse përtej pozicioneve që ato kishin para 11 javësh kur filloi sulmi. Por komentet e tij mund të pasqyrojnë më tepër ambiciet politike sesa realitetin në terren.

Forcat ruse kanë përparuar në Donbas dhe kontrollojnë tani më shumë territor se sa para fillimit të luftës. Por qëndrimi i tij nënvizon se si Ukraina ka arritur ta pengojë me sukses ushtrinë shumë më të madhe dhe më të armatosur ruse.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)