Policia e Tiranës ka informuar se në lidhje me aksidentin e rëndë të ditës së sotme në rrugën e Kavajës, është lokalizuar autori dhe më pas është bërë i mundur arrestimi dhe shoqërimi i tij në Komisariatit të Policisë Nr. 2, ngjarje e cila shoqërohet edhe me video.
Policia bën me dije se Ajas Sulejmani, është ndëshkuar 8 herë nga efektivet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, nga të cilat disa herë për shkelje të sinjalizimit rrugor, shkelje semafori dhe mospërdorim të rripit të sigurimit.
Gjithashtu, ky shtetas është ndëshkuar disa herë, me bllokues gomash, për shkak të parkimeve në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor në rrugët e kryeqytetit.
Po ky shtetas është shoqërur tre javë më parë në ambientet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, po me këtë automjet, për verifikim nga strukturat e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, dhe pasi është verifikuar, është proceduar për shkeljen e dispozitave të Kodit Rrugor.
Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Gazetarja Dorjana Bezat ka arritur të sigurojë për ‘Top Channel’, videon e momentit kur ndodhi aksidenti i sotëm në rrugën e ‘Kavajës’, ku 39-vjeçari Ajas Sulejmeni aksidentoi një çift me foshnjën e tyre.
Siç shihet edhe në video, makina ishte me shpejtësi të lartë teksa nuk ka frenuar aspak në vijat e bardha duke marrë përpara çiftin dhe foshnjën në karrocë e duke përfunduar në anësore të rrugës.
Pas aksidentit të rëndë, 39-vjeçari është larguar nga vendi i ngjarjes, duke braktisur në rrugë edhe mjetin e tij luksoz tip “‘Mercedes-Benz G-Class’ me targa gjermane ‘RPII63’.
Autori arriti të arratisej nga vendi i ngjarjes, ndërsa policia ka mundur të shoqërojë në komisariat të afërmin e tij, që ndodhej me të në mjet gjatë momentit të aksidentit.
Grupi hetimor po punon për kapjen e autorit dhe sqarimin e rrethanave të ngjarje
TCH.