2022-04-30

Rreth 120 produkte ushqimore shqiptare shkaktojnë kancer

 Nëse konsumoni produkte shqiptare si gjalpi, qumështi, fasulet, vaji, uji, frutat e thata, vera, të prodhuara që nga fushat e Korçës e deri në lartësitë e Kukësit, nuk jeni të sigurtë për shëndetin tuaj.

Kanceri i mëlçisë, sëmundjet e sistemit imunitar dhe ato të veshkave mund të jenë pasojat që mund të keni në afatgjatë.

E gjithë kjo gjëmë shkaktohet nga një lëndë pesticide e njohur si Lindan, që është përdorur në bujqësi në vitet e fundit të komunizmit por që i ka rrezistuar kushteve atmosferike dhe është parhapur përmes prodhimeve të tokës, ujrave që rrejedhin përmes saj dhe faktorëve të tjerë natyrorë dhe atmosferikë. Ky është thelbi i një investigimi serioz dhe të thelluar që ka bërë agjensia BIRN.

Artikulli i referohet një studimi tre vjeçar të kryer në Fakultetin e shkencave të natyrës nga Profesor Aurel Nuro dhe kandidatja për doktorane Oljana Pine, që përmbledh periudhën 2014-2016. Ai ka konfirmuar gjurmë lindani në 120 mostra produktesh të ndryshme ushqimore nga i gjithë vendi. Studimi ka konfirmuar gjurmë të lindanit thuajse në të gjitha mostrat e analizuara, të marra në të gjithë territorin e vendit që nga Korça e deri në Kukës.

“Ai është element kimik pa ngjyrë dhe erë karakteristike, i patretshëm në ujë dhe me qëndrueshmëri të lartë kundrejt ujit, dritës dhe ajrit. Ka veti të përhapet në shtresat tokësore me ujrat e reshjeve apo ato të përdorura për vaditje. Është i qëndrueshëm në mjedis dhe është i bioakumulueshëm në zinxhirin ushqimor si nga bimët ashtu dhe kafshët, madje dhe në mikroorganizma” thuhet në artikull.

Sipas kimistit Aurel Nuro ndonëse nuk mund të përcaktohet se pas sa kohësh përdorimi i ushqimeve me këto përbërës mund të japin efekt, është e sigurt që ato komplikojnë shëndetin “Janë prokancerogjen shumë efektivë, kanë qëndrueshmëri shumë të lartë, shkaktojnë deformime gjenetike që mund të çojnë në tumore, ndikojnë tek gjëndrat endokrine, shkaktojnë probleme në riprodhim” thotë ai.

Sipas artikullit kjo lënë të cilën natyra e absorbon me tepër vështirësi, është përdorur tërësisht në bujqësinë komuniste në vitet ’80. Fillimisht ajo importohej nga jashtë dhe më pas filloi të prodhohej në vend, në Porto Romano të Durrësit me përbërës edhe me të rrezikshëm dhe me efekte më të forta.

Efektet e shumta anësore të tyre kanë bërë që Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe FAO ta ndalojnë përdorimin. Prania e kësaj lënde në prodhimet e buqve shqiptarë i ka bërë shpeshherë të ndaluara eksportet e tyre drejt tregut europian.