Sipas të gjitha gjasave, partitë politike shqiptare për gabimin trashanik të katër viteve më parë, të cilat përkundër 18 mandateve ia “falën” kryetarin e komunës DPS-së, u penalizuan nga vetë votuesi shqiptar, sepse formimi i pushtetit vendor nga partitë politike shqiptare kësaj radhe është vetëm teorikisht i mundur. Kështu, në vend të evoluimit të interesit për të votuar shqip, këto zgjedhje treguan se partitë politike shqiptare nuk janë më faktor kryesor për formimin e pushtetit vendor në Ulqin. Pra, për partitë shqiptare këto zgjedhje sollën defaktorizimin e tyre apo së paku fillimin e tij
Zgjedhjet e fundit lokale në Komunën e Ulqinit (27 mars 2022) nuk sollën asgjë të re për qytetarët e kësaj komune, përveçse zhgënjimin e radhës. Asnjë parti politike apo koalicion nuk ka arritur të fitojë shumicën e nevojshme për të krijuar dhe udhëhequr pushtetin vendor në katër vitet e ardhshme. Më e dhimbshme se kjo është defaktorizimi i partive shqiptare në këto zgjedhje, të shoqëruara me parregullsi të shumta, korrupsion dhe si rrjedhojë keqpërdorimi i radhës i votuesit nuk pati të ndalur. Vërtet këto zgjedhje u mbajtën në kushtet e krizës ekonomike, rritjes enorme të çmimeve të artikujve kryesorë të shportës mujore të qytetarëve, në një atmosferë të populizmit dhe krizës qeveritare të filluar shumë muaj më parë. Të gjitha këto dukuri negative i ndihmuan “manipuluesit zgjedhorë” që mos ta lënë zanatin e vjetër – “blerjen e votës”, por ta avancojnë atë edhe më shumë.
Po çka është “blerja e votës”?!
S’është tjetër veçse një veprim djallëzor ndaj integritetit, moralit, vlerave dhe respektit të njeriut të ndershëm dhe të lirë, ose thënë ndryshe blerje-shitje me para e integritetit familjar në këmbim të zgjidhjes momentale të ndonjë halli momental të qytetarit hallexhi, por jo vetëm atij. Përfitues i “blerjes së votës” në këto zgjedhje nuk ishte vetëm qytetari hallexhi, por kushdo qoftë që ia kishte qejfi paranë. Ky matrapazllëk i ndyrë u bë modë, askush më nuk fliste për integritetin, moralin e lëre më për patriotizmin, në këtë rast shqiptar. Flitej vetëm për shumën e ofruar, e cila bëhej më joshëse e natyrisht më e madhe sa vinte e afrohej dita e zgjedhjeve, gjegjësisht oferta rritej në momentin që një parti politike shihte partinë tjetër më të avancuar në këtë korrupsion politik e si pasojë në rast të mosveprimit rrezikohej. Dikush thonte “të mjerët qytetarë, ç’i gjeti” e të tjerët thërrisnin: “luaj nafakë, luaj”! Sidoqoftë, zgjedhjet lokale të 27 marsit në Ulqin mund të ishin çdo gjë, por zgjedhje të lira e të ndershme jo!
Bashkëpunimi me DPS-në, zhgënjim i shqiptarëve
Jo të gjithë votuesit ranë pre e këtij matrapazllëku. Zhgënjimin e tyre ose mospajtimin me këtë formë të veprimit të partive politike e shprehën me injorimin e të drejtës së vet qytetare për të zgjedhur, ose me qenë i zgjedhur në organet përfaqësuese të pushtetit vendor. Ky pohim vërtetohet me pjesëmarrjen e vogël të qytetarëve në zgjedhje, vetëm 57.33% të votuesve dolën në zgjedhje.
Për zhgënjimin e qytetarëve nga qeverisja 30-vjeçare e DPS-së është folur, diskutuar e shkruar shumë e shumë herë. Nga ajo qeverisje është botërisht e ditur, trojet shqiptare ishin dhe mbeten vendet ekonomikisht më të pazhvilluara në Mal të Zi, përkundër resurseve të mëdha natyrore që sigurojnë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Pra, shqiptarët në Mal të Zi në aspektin zhvillimor ishin “non grata” të kësaj qeverie.
Instalimi i pluralizmit politik në Mal të Zi ngjalli te shqiptarët shpresën për një zhvillim më të shpejtë ekonomik e për një barazi politike të pranueshme. Por, si kalonin vitet kulti i lidershipit dhe interesat personale të tyre u fuqizuan aq shumë sa votuesi u shndërrua në “ushtarë” besnikë të tyre! Interesat personale u vendosën mbi interesat e përgjithshme të zhvillimit ekonomik. Filloi një epokë e mbizotërimit të volumit mbi cilësinë. U bë modë punësimi i paligjshëm, lulëzonte nepotizmi, asfalti e poçat elektrikë dilnin si kërpudhat pas shiut, me kriter e pa kriter, keqpërdorimi i mjeteve financiare nga udhëheqësit lokalë dhe bashkëpunëtorët e tyre u bë dukuri e përditshme. Në këtë mënyrë edhe partitë politike shqiptare, sidomos nga viti 2007 e këndej, u bënë joshëse për votuesin shqiptar. Dhe vërtet votuesit shqiptarë të të gjitha këtyre viteve, votuan shqip. Por ç’e do kur lidershipi i tyre pas përfundimit të zgjedheve, pa zbardhur drita, shkonte në Podgoricë, tek “i madhi” për të bërë koalicion me DPS-në, edhe pse partitë politike shqiptare e kishin shumicën për krijimin e pushtetit vendor pa DPS-në. Kështu, vite me radhë lidershipi dhe interesxhinjtë e tyre e tjetërsonin vullnetin e votuesit besnik të tyre. Integriteti i qytetarit u bë “për pesë pare”. Natyrisht, përsëri zhgënjim dhe si pasojë e këtyre veprimeve dhe zhgënjimeve, besimi i shqiptarëve ndaj partive të tyre po zbehet gjithnjë e më shumë.
Fillimi i defaktorizimit të partive shqiptare
Zgjedhjet e fundit lokale në Ulqin karakterizohen me populizmin dhe fuqizimin e partisë politike URA, e cila përveç lidershipit të saj nuk mund të radhitet si parti politike shqiptare. Shumë shqiptarë u radhiten në krahun e kësaj partie politike e në mesin e tyre edhe dy parti politike shqiptare – PD-ja dhe ASH-ja, e cila deri në këto zgjedhje nuk ishte faktorizuar në Ulqin. Populizmi apo besimi te lidershipi i URA-s bëri që asaj t’i bashkohen edhe dy parti politike qytetare – PSD-ja dhe SD-ja dhe kështu me moton “Fillimi i Ri” u krijua një konglomerat apo bashkim mekanik partish të spektreve të ndryshme politike. Pritshmëria ishte e madhe saqë ky konglomerat pretendonte të merrte shumicën dhe të krijonte pushtetin vendor në Ulqin. Por, nuk ndodhi kështu. Ata morën vetëm 14 mandate këshilltarësh, nga të cilët URA vetëm 5 mandate, PD 5 mandate, ASH 1 mandat e të tjerët 3 mandate. Arsyet e këtij dështimi janë të shumta dhe ia vlen të analizohen! Gjithsesi ky numër i mandateve na lë të kuptojmë se ka pasur rrjedhje të votave nga partitë shqiptare në “Fillimin e Ri”, sidomos nga “Forca”, e cila është partia e vetme shqiptare që garoi e vetme dhe fitoi vetëm 5 mandate. Që shqiptarët të mos mbesin krejtësisht të zhgenjyer u kujdes koalicioni i vetëm shqiptar “UDSH – LD në MZ”, të cilët fituan 6 mandate dhe mund të cilësohen lirisht si fitues moral të këtyre zgjedhjeve. Kësaj radhe, sipas të gjitha gjasave, partitë politike shqiptare për gabimin trashanik të katër viteve më parë, të cilat përkundër 18 mandateve ia “falën” kryetarin e komunës DPS-së, u penalizuan nga vetë votuesi shqiptar, sepse rasti për formimin e pushtetit vendor nga partitë politike shqiptare është vetëm teorikisht i mundur. Kështu, në vend të evoluimit të interesit për të votuar shqip, këto zgjedhje treguan se partitë politike shqiptare nuk janë më faktor kryesor për formimin e pushtetit vendor në Ulqin. Pra, për partitë shqiptare këto zgjedhje sollën defaktorizimin e tyre apo së paku fillimin e tij.
Shumë “opionistë apo analistë” kanë shprehur mendimin se përgjegjës për fillimin e defaktorizimit të partive politike shqiptare janë vetë partitë politike shqiptare dhe udhëheqësit e tyre si pasojë e mosreformimit të tyre. Po a është e gjitha kjo? Siç cekëm më herët, befasia më e këndshme e këtyre zgjedhjeve është koalicioni UDSH – LD në MZ dhe për çudi këto dy parti udhëhiqen nga persona që janë në ato parti në vende udhëheqëse, që nga fillimi i pluralizmit politik. “Forca” jo shumë kohë para zgjedhjeve ka zgjedhur kryetarin e ri, por ky ndërrim nuk u tregua i suksesshëm. PD-ja është e vetmja parti politike shqiptare që nga themelimi i saj udhëhiqet nga i njëjti person dhe si rrjedhojë fitoi më pak mandate se në zgjedhjet e kaluara.
Duke u nisur nga rrethanat e përmendura (korrupsioni ekonomik e politik, nepotizmi, keqpërdorimet etj.) dhe rezultatet e arritura të partive politike shqiptare, mendoj se problemi është shumë më i thellë se vetëm reformimi i partive politike shqiptare. Reformimi, rifreskimi dhe përshtatja e programeve dhe platformave politike të partive shqiptare është më se i nevojshëm.
Mali i Zi përballet me grupe të shumta të krimit të organizuar, me korrupsion të lartë politik dhe ekonomik dhe si pasojë ngecja në zhvillimin ekonomik të trojeve shqiptare është i prekshëm. Blerja e votës me para në këmbim të një vendi pune, ose për lakmitë personale të individëve të caktuar e poshtëron qytetarin e ndershëm dhe thellon pakënaqësinë mes qytetarëve. Kjo quhet krizë që për pasojë ka shkatërrimin e institucioneve demokratike shtetërore. Pra, kemi të bëjmë me shkatërrimin e sistemit, ndalimin e të cilit është dashur ta bëjë dhe duhet ta bënte shteti. Por, shteti nuk e ndaloi, përkundrazi e stimuloi. Shteti me mosveprimin e tij kundër këtyre dukurive të shëmtuara e shkatërroi edhe sistemin zgjedhor në përgjithësi.
Përgjegjësi në vazhdim e partive shqiptare
Ndaj, duke mos shfajësuar partitë politike shqiptare për konservatorizmin e tyre politik dhe përkrahjen e shabllonit të vjetër të udhëheqjes së partisë, është më se e qartë se problemi kryesor edhe për partitë shqiptare është shkatërrimi i institucioneve dhe sistemit demokratik në Mal të Zi. Kjo situatë edhe më shumë e bën të nevojshëm bashkëpunimin dhe bashkërendimin e veprimeve të partive politike shqiptare me qëllim të unifikimit të kërkesave të tyre legjitime. Mbetja në pozicionet e tanishme, ku çdo parti ruan fort pozicionet e veta, nuk çon gjëkundi përveçse në bërje realitet të defaktorizimit të elementit shqiptar në Mal të Zi.