Libër që trajton trashëgiminë e pasur kulturore të trevës së Ulqinit

 


Libri “Busulla e artë ” i autorit Gazmend Çitakut i shkruar jo në tavolinën e tij të punës por në ecje e sipër anekënd fshatrave të Ulqinit dhe në brendësinë e qytetit, hedh dritë për shumë objekte nga trashëgimia e jonë historike dhe kombëtare

Qani Osmani

Libri “Busulla e artë” i autorit Gazmend Çitaku, brenda kopertinave të tij, përmban një lëndë të gjërë hulumtuese, studiuese dhe mbi të gjitha një të kaluar të bjerrur hullive të gjata e të largëta historike. Kjo e kaluar e largët e nënqiellit tonë, në të cilin frymojmë, ëndërrojmë dhe hulumtojmë të kaluarën tonë, nuk mund të na bëjë të rehatshëm kur të mirret parasysh e tërë pesha e rëndë e atyre fiseve dyndësish, që kaluan nëpër të kaluarën tonë duke na lënë kështu siç jemi, të copëtuar e me shumë kufi në mes vëllezërve të një gjaku, të një historie, të një të kaluare e cila nuk qe lehtë por e dhimbshme, pasojat e së cilës nuk mund t’i heqim për shekuj me radhë.
Leximi është veprim pasionant, sepse ngjall dhe rikujton të kaluarën, duke e mbajtur të fortë e të lidhur me historinë e vet, me fitoret dhe humbjet duke i nxjerrë në log të vërtetat historike dhe gjetjen e rrugëve për të shpëtuar çka është e mundshme ose për të ruajtur dhe gjetur atë që ka mbetur, për të kujtuar të kaluarën ose të fshehtën të cilës duhet t’i besojmë.
Të gjitha këto mu kujtuan duke shfletuar këtë libër, në dorëshkrim të Gazmend Çitakut, të cilën autori e titulloi “Busulla e artë ” dhe natyrisht më frymëzoi fuqishëm për të ecur gjurmëve të gjetjeve të shumta të një lënde të paeksploruar nga dora e sigurtë e për ta nxjerrë në pah, pa konotacion negativ, pa pasë pretendim të përvetësoj atë që nuk është për ta përvetësuar, atë që historikisht nuk është e fushës së krijuesve autoktonë, por e një dore të një njeriu hulumtues e humanitar i përmasave të gjeniut popullor. Ky është autori Gazmend Çitaku, i cili për ta bërë libër, grumbulloi lëndë të bollshme të klasifikuar në katër kapituj.

Marrë në përgjithësi, libri “Busulla e artë”, përbën një kontribut të dalluar të autorit në hulumtimin dhe studimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore kombëtare. Botimi i këtij libri do ta pasurojë literaturën shqiptare në Mal të Zi, dhe më gjerë për të zgjuar kureshtjen e studiuesve të rinj për t’u marrë me aspekte të tjera të kësaj problematike


Rradhitja e lëndës së grumbulluar me një përkushtim hulumtuesish e gjetësisht të pasionuar, e ka bërë këtë libër një arkiv të rëndësishëm për arkeologjinë, etnologjinë e historinë e vendbanimeve, pa përjashtim të komuniteteve që e popullojnë, arealin e Komunës së Ulqinit, por edhe më gjërë. Secili kapitull ka përmbajtjen e vet të begatshme me elementet e komponuara mirë, rrjedhshëm dhe tërheqës për lexuesin, sepse e bartin atë nëpër fshehtësitë që i ka ruajtur vetëm nëntoka, ngase shumë nga ato që ishin mbi tokë i gllabëroi ana e zezë e historisë, të cilën e përbëjnë uzurpatorët, akulturorët, përkatësisht ata që krijojnë antivlera mbi vlera.
Edhe pse e kaluara jonë shumë herë është kontestuar nga armiqtë tanë duke tentuar që ta përvetësojnë historinë tonë dhe figurat më markante kombëtare, puna hulumtuese mbetet arma më e fortë në dorën e intelektualëve dhe hulumtuesve shqiptarë, armë të cilën autori Gazmend Çitaku e ka përdorur në mënyrën më të mirë të mundshme. Libri “Busulla e artë ” i autorit Gazmend Çitaku e shkruar jo në tavolinën e tij të punës, por në ecje të sipër anekënd fshatrave të Ulqinit dhe në brendësinë e qytetit, hedh dritë për shumë objekte nga trashigimia e jonë historike dhe kombëtare. Ky libër përveç të tjerave u shërben qytetarëve,por edhe intelektualëve për të dëshmuar prezencën shqiptare në këto troje shumë e shumë shekuj më parë, para se të vinin popuj të ndryshëm të cilët u vendosën në rajonin tonë dhe që padrejtësisht kërkojnë të përvetësojnë këto vlera të çmueshme. Duke i vënë në spikamë të gjitha objektet me vlerë të pakontestueshme kulturore dhe natyrore të rrethit të Ulqinit, autori edhe me fotografi na dëshmon për këto vlera dhe në një mënyrë duke i bërë të prekshme për të gjithë lexuesit e librit si dhe për të dëshmuar vazhdimësinë e jetës së shqiptarëve që nga kohërat e lashta parahistorike e pastaj nëpër të gjitha etapat historike, e deri në ditët e sotme.
Autori në përmbajtjen e këtij libri transmeton vlera të shkrimit dhe ruajtjes e kultivimit të trashigimisë kulturore nga shqiptarët e kësaj treve, andaj këtë libër duhet konsideruar si një vlerë të shtuar në studimet mbi trashëgiminë kulturore e natyrore e cila nuk duhet të lihet anash edhe nga ato historike. Rëndësia e këtij libri duhet parë edhe në një drejtim tjetër si në atë historik argumentues, me ç’rast autori përmes paraqitjes së trashëgimisë kulturore dhe natyrore, argumenton autenticitetin dhe kontunitetin e jetesës shqiptare në këtë trevë. Në këtë formë trashëgiminë e paraqet identike me atë të trevave shqiptare përreth dhe kështu dëshmohet lidhja e pandërprerë e kësaj treve me trungun shqiptar. Për trajtimin e këtyre çështjeve, autorit i është dashur të hulumtojë e trajtojë një shumësi të referencave burimore dhe në këtë formë edhe të dokumenteve arkivore. Përnga metodologjia, organizimi strukturor dhe problemet të cilat i nxjerr dhe i trajton libri, përmbushë në tërësi kriterin e një libri studimor.
Për faktin se Ulqini me vendbanimet përreth është një qytet i lashtë dhe turistik, shpresoj që ky libër i cili lexohet me një frymë duhet të përkthehet në gjuhët kryesore botërore me qëllimin e vetëm që edhe intelektualët e vendeve të ndryshme, si dhe opinioni i tyre publik të njihen më për së afërmi me vlerat kulturore dhe natyrore të Ulqinit.
Marrë në përgjithësi, libri “Busulla e artë”, përbën një kontribut të dalluar të autorit në hulumtimin dhe studimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore kombëtare. Botimi i këtij libri do ta pasurojë literaturën shqiptare në Mal të Zi, dhe më gjerë për të zgjuar kureshtjen e studiuesve të rinj për t’u marrë me aspekte të tjera të kësaj problematike.
Edhe pse ky është libri i parë i kësaj natyre, Gazmend Çitaku arriti të dëshmohet si një hulumtues dhe studiues i zellshëm, me një aftësi të veçantë të vëzhgimit, me një bazë metodologjike shkencore, gjuhë të pastër dhe të kuptueshme për çdo lexues. Andaj ky libër është i mirëseardhur për opinionin shqiptar në Mal të Zi, dhe më gjerë.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)