Skip to main content

Libra për lexim gjatë verës në plazhë

 

    Pushimet dhe plazhin, nuk mund ta nisësh asnjëherë pa të paktën një libër me vete. Duke bërë valixhen, shumica nga ne vihet shpesh në dilemë edhe për librat që do të marrë me vete. Veç të gjithë aksesorëve të domosdoshëm, bashkë me trendet e rrobave të banjës, në valixhe duhet të ketë patjetër hapësirë edhe për librat dhe titujt e rinj.

Nën çadër, mund të lexosh vjedhurazi dhjetëra tituj librash të cilët të intrigojnë. Ka edhe nga ata që, kush e di që kur i ke lexuar (sa mirë të vjen që ia mban mend historinë atij libri fije për pe), por ka edhe tituj që do të doje t’i lexoje me një frymë. Propozimet e këtij sezoni janë të ndryshme, por ato që vërtet nuk duhet t’ju mungojnë i sjell për Class drejtuesja e shtëpisë botuese “Pegi”, Loreta Berhami.

 

“Posta”, romani i parë i Charles Bukowski-t, një ish-nëpunësi të rëndomtë poste, u botua më 1971 dhe tronditi fort Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Siç do të ndodhte për pothuajse gjithë prozën e tij, protagonisti është alteregoja legjendare e Bukoëski-t, Henri Çinaski. i lindur dështak, me një profesion pa rrugëdalje, i cili nuk i jep asnjë kënaqësi personale e megjithatë, me mjaft vetëdije sa për të dalluar absurditetin e situatës së tij, Çinaski është emblema e njeriut të zakonshëm.

 

"Historia e vajzës së humbur" është vëllimi i katërt dhe i fundit i "Mikeshës gjeniale", sagës që e ngriti autoren në shkallën e një prej shkrimtareve më të mira në botë. Në këtë sagë rrëfehet historia e një miqësie midis dy grave, pole vërtet të kundërta të së njëjtës forcë. Ato takohen dhe përplasen, ndikojnë mbi njëra-tjetrën, largohen e sërish gjenden, zilepsen dhe admirojnë shoshoqen. Ky vëllim i katërt dhe i fundit përmbyll një vepër letrare jashtëzakonisht pjellore dhe frymëzuese, një vepër e pranuar ndërkombëtarisht si një prej më të mirave të kohës sonë.

 

A mund të matet lumturia? Rreth kësaj pyetjeje është ndërtuar romani “Indeksi mesatar i lumturisë” i shkrimtarit portugez David Machado. Ky roman trajton çështjen e vjetër të lumturisë, të arsyeve për të qenë të lumtur dhe hedh pikëpyetje mbi rolin e arritjeve e të sukseseve, ato që botërisht njihen dhe quhen të tilla, në jetën tonë.

 

“Dashuria mbi gjithçka” është titulli i parë i koleksionit Fluturëzat. Ky koleksion do të përmbajë romane të lehtë dhe të ëmbël, për të rinjtë e të rejat që kanë ende kohë të ëndërrojnë e të përhumben pak përmes rreshtave të dashurisë. “Dashuria mbi gjithçka” është një histori dashurie ngacmuese për të na kujtuar emocionet e fshehura, por jo të harruara, të drithërimave të para.

 

Te “Gruaja e togerit frëng”, Çarls Smithson, një i ri në prag martese dhe me një pozitë shoqërore për t'u pasur zili, njihet krejt rastësisht me Sara Udrafin, teksa ajo vështron detin, e vetmuar. Që në faqen e parë, është tejet e qartë, që rrugët e Çarlsit dhe Sarës do të puqen. Një histori magjepsëse që vë në lojë, me shumë delikatesë, paragjykimet e personazheve dhe të vetë lexuesit.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)