Shqipëria nuk ia del të jetë në finalen e “Eurovisionit”
Shqipëria është përshëndetur me “Eurovisionin” sivjet qysh në natën e parë gjysmëfinale. Ronela Hajati me këngën “Sekret” në Torino nuk ia ka dalë të shkojë më tej. Ajo e ka hapur garën evropiane të këngës me një performancë, e cila të paktën në rrjete sociale është kritikuar goxha.
Janë 17 shtete që kanë garuar në natën e parë gjysmëfinale e prej tyre 10 kanë shkuar në finalen që do të mbahet të shtunën. Zvicra, Armenia, Islanda, Lituania, Portugalia, Norvegjia, Greqia, Ukraina, Moldavia e Holanda do të jenë në shoun e madh të finales. Përfaqësuesja e Shqipërisë, Ronela Hajati, është kritikuar qysh prej kur kënga e interpretuar prej saj u zgjodh që të përfaqësojë shtetin ballkanik në festivalin evropian të këngës. E të mërkurën mbrëma, kur u hap edicioni i 66-të i “Eurovisionit”, Hajati është kritikuar edhe për paraqitjen e saj sa i përket veshjes. Shqiptarët që jetojnë në Shqipëri nuk kanë pasur të drejtë vote nëpërmjet porosive elektronike.
Kësisoj Shqipëria vazhdon të mbajë rekordin e përfaqësuar me Rona Nishliun në vitin 2012. Ajo me këngën “Suus” qe radhitur në vendin e pestë. Në top-10, Shqipëria hyri edhe në vitin 2017 e përfaqësuar nga Lindita Halimi me këngën “World”.
Shqipëria për herë të parë mori pjesë në garën e njohur evropiane të këngës “Eurovision” në vitin 2004. Atë vit u përfaqësua nga Anjeza Shahini me këngën “The Image of you” (Imazhi yt), me të cilën zuri vendin e shtatë. Kjo pozitë mbeti më e larta që arriti deri në vitin 2012.
Tërthorazi, edhe Kosova do të jetë në festivalin kryesor të këngës në Evropë. Rruga deri atje është “gjetur” nëpërmjet Qipros. Artistja greke Andromache do të përfaqësojë Qipron me këngën “Ela” (Eja). Duke u bazuar në melodi tradicionale, ekipi i ka dhënë frymë moderne krejt projektit, ku këngëtarja e famshme greke i këndon dashurisë. Kënga është realizuar nga një grup kompozitorësh të njohur, ku udhëheqës është Alex Papaconstantinou dhe bashkëpunëtorë: Arash, Eyelar Mirzazadeh, Fatjon Miftari, Filloreta Raci-Fifi, Geraldo Sandell, Giorgos Papadopoulos, Robert Uhlmann, Viktor Svensson dhe Yll Limani. Tre prej tyre janë shqiptarë. Melodia e këngës është bazuar në instrumentalin e Fatjon Miftarajt. Përveç kësaj, mjeshtri i gjeneratës së re të muziktarëve në Kosovë është edhe producent i këngës.
Në edicionin e sivjetmë të festivalit i është mohuar e drejta e pjesëmarrjes Federatës Ruse. Unioni i Transmetuesve Evropianë, që e organizon “Eurovisionin”, ka vendosur sanksione kundër shtetit rus. Shkak për këtë vendim është bërë lufta që Rusia po bën në Ukrainë. Vendimi i EBU-së është marrë veç dy ditë pasi ka nisur invazioni ushtarak, më 24 shkurt. Vitin e kaluar grupi italian “Måneskin” me këngën “Zitti e buoni” u shpall fitues.
E sa i përket Kosovës, shteti më i ri i Evropës nuk mund të përfaqësohet në këtë festival. Sipas Statutit të tanishëm për anëtarësim të Rrjetit të Transmetuesve Evropianë (EBU), i cili organizon festivalin, vetëm shtetet të cilat janë anëtare në ITU (Rrjeti Ndërkombëtar i Telekomunikacionit) ose Këshillit të Evropës mund të bëhen anëtare në EBU dhe të marrin pjesë në “Eurovision”. Që Kosova ta arrijë këtë, RTK-ja duhet të jetë anëtare me të drejta të plota në EBU. Në vitin 2018, EBU-ja nisi një mocion për të votuar për anëtarësimin e plotë të RTK-së për vitin 2019, por që nuk kaloi në Asamblenë e Përgjithshme. Një mocion online si presion që Kosova të marrë pjesë qe bërë edhe vitin e kaluar.