Kolec Palok Traboini ]] Lindi në Shkodër më 14 shkurt 1946, i biri i Palok Traboinit, arsimtar, publicist dhe sekretar i Dedë Gjo Lulit, flamurtar në Deçiq. Koleci ngeli jetim në moshë të vogël, jetoi për disa vite në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër. Me dekret presidencial nr.10653, më 15.11. 2017, Kolec Traboinit ju akordua titulli “Mjeshtër i Madh”.
Kolec Traboini alias Ilir Dradani
Shkollimi dhe Karriera
Traboini ka ndjekur për dy vjet shkollën Pedagogjike "Ndrec Ndue Gjoka" në Tiranë. Pas kryerjes së shërbimit ushtarak në Tropojë, ka punuar rreth 4 vjet në Kombinatin e Drurit në Shkodër. Më pas ka vazhduar studimet në Universitetin e Tiranës, dega Gazetari. Gjatë kohës që ishte student botoi librin me tregime "Petalet e bajames së hidhur" 1973, që u vlerësua me çmim inkurajues në konkursin Kombëtar të Letërsisë dhe Arteve.
Pas mbarimit të studimeve është emëruar redaktor-skenarist në Kinostudio, Tiranë, ku punoi 16 vjet ndërsa për një dekadë drejtoi redaksinë e filmit dokumentar. Është fitues i kupave për filmat dokumentarë në dy festivale kombëtare të filmit shqiptar: "Asdreni" 1976, "Kështjella e këngëve" 1990. Filmi "Dëshmi nga Barleti" [3] me skenar e regji të K. Traboinit u vlerësua si filmi më i mirë i Kinostudios për 1990. Eshtë autor i mjaft filmave të vlerësuar si "Kol Idromeno", "Hasan Prishtina", etj si dhe filmit dokumentar "Djaloshi me kitarë" 2014 për Martirin e Demokracisë Skender Daja (1950-1973). K.T. është skenarist edhe i disa filmave vizatimorë ndër të cilët "Portreti" me regjisor Artan Maku, "Simfonia e pyllit" me regjisor Xhovalin Delia dhe "Pushëbardhi në spital" me regjisor Vlash Droboniku.
Kontributet demokratike
Situaten e krijuar në 1990 e priti me entuziazëm dhe mori pjesë gjallërisht në veprimtarinë demokratike. Në 16 janar 1991 boton në Gazetën "RD" shkrimin "Vlera e simboleve kombëtare", ku kërkonte hapur heqjen e yllit komunist nga flamuri kombëtar, po në këtë kohë nis dhe organizon tubimin e krijuesve dhe intelektualëve të Tiranës në përkrahje të zhvillimeve demokratike që u kthye në një demostratë të fuqishme antikomuniste.
Jeta në mërgim
Traboini u largua nga Shqipëria në shkurt të vitit 1991 dhe u vendos si emigrant jo legal në Athinë. Kjo gjendje pasigurie nuk e pengoi atë që me 10 prill 1993, të krijonte e të shpërndante ndër emigrantë, të parën gazetë në gjuhën shqipe në Greqi “Egnatia“[2]. Në Greqi bashkëpunoi me presidentin e arvanitasve të Greqisë, studiuesin e publiçistin Aristidh Kola[3](1944-2000). Në gusht 1995, K.T. me status legal emigroi në SHBA dhe u vendos në qytetin e Bostonit. Gjatë viteve të jetës si emigrant në Athinë botoi tre libra: “Balada e largësive“,“Rapsodi ushtore“, “Gjurmë në histori“. Ndërsa kur ishte në Amerikë shkroi e botoi “Katërkëndëshi i mundimeve“ (prozë 2000), “Mos vdis dashuri“(poezi, Tiranë 2002), “Nokturn“(lirika 2004), “E vërteta përvëluese e Aristidh Kolias“(esè 2005), “ Requiem për një gjethe“(poezi 2005), “Lufta e Maleve-Palok Traboini“(esè historike 2006), "Trinia ime“(lirika 2006), “Bukuri shkodrane“(esè 2007)[4], “Koha e prostitutave“(lirika&etyde 2007) si dhe "Itaka grua"(lirika 2008). Për veprimtarinë poetike dhe esèistike është vlerësuar me çmimin e përvitshëm letrar “Pena e Artë-Kadmus 2008”[5] nga Klubi i Shkrimtarëve “Drita“ Athinë. Në vitin 1994 Kolec Traboini është pranuar anëtar i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, me qendër në Bruksel, ndërsa në nëntor 2001 nga Kongresi i Lidhjes Shqiptare në Botë mbajtur në Prizren, është zgjedhur anëtar i këshillit drejtues të LSHB. Nga viti 2010 Traboini, në krijimtari të lire me statusin e shqiptaro-amerikanit, jeton në mes të Tiranës dhe Bostonit.
Esetë, publicistika dhe shkrime të tjera
Padyshim se eseistika është pjesë e pandarë e krijimtarisë së Traboinit si shkrimtar. Atë e lëvroi më së shumti në vitet e emigracionit në Greqi me botimet e shumta në gazetën “Egnatia”. Por edhe me pas ka botuar shumë shkrime në gazetat shqiptare në Amerike si në “Illyria” dhe “Dielli” në New York, në botimin në format të vogël “Lajmëtari i Bostonit” që nxirrte vetë, por edhe në gazetat e Tiranës. Është për tu shënuar se Traboini zbulon në Boston një fotografi të Faik Konicës ne familjen e Sotir Panit nga Dardha, të cilën e botoi për herë të parë në libri me ese “Bukuri Shkodrane” Boston-Tiranë 2007, ISBN 978-99943-53-48-4.
Traboini me shkrimin “Eliza shqiptare e Hollivudit” botuar në vitin 2000 në revistën “Klan” dhe gazetën “Bota sot” bën të njohur për herë të para origjinën shqiptare të artistes së filmit Eliza Dushku, në një shkrim të vitit 2005 bën të njohur me një shkrim për origjinën shqiptare të njërit nga personalitetet më të mëdha të televizionit në Amerikë Regis Filbi, i cili në një emision “Edhe unë jam shqiptar” shkrim i botuar së pari në gazetën “Illyria”, 6-8 dhjetor 2005. Një seri e gjatë shkrimesh i kushtohen shkrimtareve dhe artistëve si Kol Idromeno, Frederik Reshpja, Zef Zorba, Ndoc Gjetja, Drita Çomo, Edison Gjergo, Shen Maksimi shqiptar nga Arta, Martin Gjoka e tjerë.
Një vend të veçantë zënë shkrimet e Traboinit për jetën ne emigracion, shqiptarët e Greqisë, Amerikës,, eset për Aristidh Kolën në dy libra “ E vërteta drithëruese e Aristidh Kolës” Boston-Tiranë 2005 si dhe libri “Aristidh Kola” për jetën e veprat e arvanitasit të madh, Pantheon Books 2014. Ndër librat me ese “Gjurmë në histori” 1999, “Lufta e Maleve” 2006, “Bukuri shkodrane 2007,“Zhgënjimi i Ambasadorit Amerikan” 2012, “Libohovitët e Amerikës”, histori dhe tradita 2017, “Miti i Hotit” 2017 e tjerë.
Poezia e Traboinit, bashkudhëtare në rrugët e mërgimit
Eshtë një letrar premtues, me tregime të botuara në shtypin e kohës të cilat janë pritur mirë nga kritika duke fituar çmim kombëtar për librin e tij të parë me tregime “Petalet e bajames së hidhur” botuar në vitin 1973 kur ishte ende student. Në vitin 1985 përpiqet të debutojë me një libër me lirika, por recensentët e panë se nuk ishte në frymën e kohës ndaj e këshilluan ta ripunonte për ta sjellë më afër motiveve aktuale. Traboini zgjodhi rrugë tjetër, librin e dogji dhe megjithëse shkroi poezi për sirtar, nuk tentoi më të botonte libra. Pas vitit 1990, me shkuarjen në mërgim krahas punës me gazetën “Egnatia”, mbresat e jetës prej emigranti nisi ti hidhte në vargje. Ne vitin 1995 përgatit dhe boton librin “Balada e largësive” me poezi të 32 krijuesve emigrantë duke përfshirë dhe poezitë e veta. Antologjia u prit shumë mirë nga emigrantët. Madje për të shkroi dhe botoi në revistën “Arvanon” studiuesi arvanitas Aristidh Kola “Ana tjetër e medaljes së emigracionit shqiptar” ku nder te tjera shkruan “...Krijimtari e shkruar ne ato kushte që vetëm ata emigrantët mund ti përshkruajnë me ato ndjenja poetike dhe të japin vepra që prekin zemrën tonë”( Revista “Arvanon” nr.1, f.30, janar-mars 1998, Athinë), ndërsa shkrimtari grek Kostas Valeta botoi një shënim kritik entuziast në revistën e televizionit kombëtar grek. Libri pati jehonë edhe në shtypin shqiptar në atdhe. Në vitin 2002 Traboini përmbledh në një vëllim gjitha poezitë që kishte shkruar në Greqi dhe Amerikë në librin me titull “Mos vdis dashuri” për të cilin u folën e shkruan fjalët më të mira në komunitetin shqiptar në Amerikë. Shkrimtari Naum Prifti shkruan “ Stili origjinal dhe gjuha e bukur artistike, ja shtojnë meritat vëllimit. “Mos vdis dashuri” është një autoportret i shkëlqyer poetik i mendimeve dhe ndjenjave që ka përjetuar autori në këtë çerek shekulli të trazuar.” Poetja Zhuljana Jorganxhi shkruan “ Tek poezitë si “Flokëarta e burgjeve”, “Hirushja” dhe “Dilemat e Bardit” vargu rrjedh me një ritëm të brendshëm dhe figurat megjithëse ndjekin njëra-tjetrën nuk i marrin frymën poezisë, por përkundrazi janë si xhevahire të një gjerdani të bukur”. Shkrimtari Spiro Gjikondi shkruan “Herë ndjenjat, herë mendimet, e herë-herë mënyra e ndërtimit të figurave të befasojnë... Ajo që më bën të kujtoj Carl Sundberg kur lexoj poezitë (e Traboinit), më duket një koncept i njëjtë i poezisë si gjini, do të thosha, koncepti estetik.”Poezia e Traboinit nuk ka të reshtur, në 2004 boton vëllimin poetik “Nokturn” në të cilin përjetimet shoqërohen me mendime të thella, poezia bëhet më e komplikuar, ka larmi tematike dhe stilistike, gjithnjë e më shumë shfaqet mendimi metaforik brenda qelizës së krijimit. Vëllimi “ Requiem për një gjethe” sjell një pasuri motivesh me poezi mbresëlënëse. Pastaj do të vijnë “Trinia ime” 2006, “Koha e Prostitutave” 2007, “Itaka grua” 2008 e në vazhdim “E kam Atdheun tek porta” 2013, “Fajin e ka Hekuba” 2014, “Orakujt kanë zbritur në ferr” poemë 2015, “Odeon” 2016, “Ofeli” 2019, “Zogjtë e Arlingtonit” 2020. Në portalin shqiptar "Zemra shqiptare" Kolec Tarboini apo Kolë Shkodrani përdor nofkën Ilir Dradani.
Një kohë ky e editonte edhe portalin Grafoprint.
Disa mendime për poezinë e Traboinit
Poezia e Kolec Traboinit ( vëllimi “Itaka grua”)është porsi eshkë që në pikëpjekje me lexuesin ndez një zjarr të hidhur por joshës, të dhimbshëm dhe ngrohës, intensiteti dhe kohëzgjatja e të cilit varet nga substanca dhe kapaciteti marrës i këtij të fundit. Heroi lirik është në dialog të përhershëm (me lexuesin model) kurse thërrmijat autobiografike aty-këtu vijnë si tablo kujtimesh dhe janë shumë të rëndësishme për ta kuptuar emocionin themelor motivues....E kam ditur se Kolec Traboini e shkruan bukur poezinë e dashurisë. Me të lexuar dorëshkrimin “Orakujt kanë zbritur në ferr“, u binda se ai e “qan” edhe poezinë satirike. Këto vargje janë më shumë sesa thjesht satirike. Është lirikë polemike par exellance. / Koha Javore Nr. 657 f. 19, Podgorice 9 prill 2015, Anton Gojçaj.
-Ajo që më shtyu të veçoj në shkrimin tim është detaji që gjendet në mënyrën e paraqitjes së poezisë nga Traboini. Veç vlerave që mbart ajo, veç vlerave origjinale poetike, poezia e Traboinit shkon tek syri i lexuesit e stolisur, dhe jo e mbingarkuar, e zbukuruar për të nusëruar, jo e masakruar, e peneluar me një shije dhe një dashuri të cilën një njeri i dashuruar hershëm me artin mund ta bëjë. Natyrshëm, poezia e Traboinit kërkon vëmendje më të madhe, dhe këtë me kënaqësi duhet t’ia përkushtojmë. / Fatmir Terziu, shkrimtar, Londër.
-Vëllimi poetik “Mos vdis dashuri” nuk është asgjë tjetër veç se një kopje e rregjistrimeve jetësore në hapësirën e bardhë të shpirtit të Kolec Traboinit. Në dy anët e peshores së drejtësisë së tij poetike gjenden të ekuilibruara dashuria për botën dhe shqetësimi qytetarë për kohën që jetojmë. Koncepti filozofik i autorit shtrihet përtej dhimbjes që krijoi gjuha e politikës moderne. Për të universi nuk është perfekt dhe kjo joperfektësi rritet në një laborator tepër të komplikuar njerëzor. / Gjek Marinaj, Dallas USA, 20 Janar, 2002
Një hulli e bukur, e ndjerë , befasuese sa spirituale aq dhe jetësore përplot nerv problematik. Një nga arsyet që na pelqen poezia e Traboinit është se ai nuk e kërkon atë , ajo vjen dhe ai s’mund ti rezistojë ngasjes hyjnore. E shoh pezull midis qiellit dhe tokës në një përpjekje për të përzierë blunë divine të qiellit me kafen e errët të dherave me heronj, dështakë dhe të vdekur. Dhe kjo kryhet natyrshëm, pa sforcim, me lirizëm, gjetje tronditëse , figura të kthjellëta si ozoni pas shiut. Ajo që të bën veçanërisht përshtypje është thjeshtësia. Traboini di të komunikojë me emocion. Le mbresë. Kuturisem të zbuloj gjendjen e tij shpirtërore aspak të favorshme për atë si individ, por të lakmueshëm si poet. Roland Gjoza, New York, 9 dhjetor 2007
Vellimi poetik i Kolec Traboinit i ngjan nje deti plot tallaze, ku shperthejne fortunate e shpirtit, ku lengon nje zemer e ndjeshme, qe vuan bashke me atdheun. Ne kufijte e ketij shkrimi eshte gati e pamundur qe te sjellim zberthimin e çdo njeres prej 88 poezive qe permban libri. Kenaqesia dhe kersheria shuhen duke lexuar librin. / Gazeta “Illyria”, New York nr.1184 Tetor 2002 D. Greca
Kolec Traboin është një mjeshtër i rimës. Lehtësia me të cilën e funksionalizon estetikisht rimën, por edhe figurat tingëlluese dhe përsëritëse, frazeologjinë shqipe, janë mahnitëse."Koha javore" Podgoricë, 6 shkurt 2014, nr. 602,
Kolec Traboini vjen me poezi, mjaft elegant, ndërsa shpirti i madh dhe i bukur i poetit, shpalos të gjithë materialin e tij./ Gazeta “Shqiptarja.com”Online Tiranë 15 shkurt 2014
...Lexohen me një frymë...Përmes poezive vizatohet me një elegancë të hollë dhe tepër i spikatur, portreti i tij, bota e tij, ëndrrat e tij dhe gjithçka që përmbart në të tërën poeti Kolec Traboini./ Gazeta"Telegraf" Tiranë 3 prill 2014 f. 19. Vllasova Musta
Shqipërime poetike
Në Athinë, K.P. Traboini nisi të merret dhe me shqipërime të pjesshme. Kështu ai përktheu për faqet e gazetës “Egnatia” tregimin “Billi” i shkrimtares amerikane Zona Geil, përktheu dhe botoi gjithashtu një fragment nga libri “Dashuria dhe demonë të tjerë” të Gabriel Garcia Markez. Ndërsa në poezi shqipëroi krijime nga Kostis Pallamas, Odisea Elitis, Jorgos Seferis dhe Angelos Sikilianos. Edhe gjatë qëndrimit në Amerikë, që u bë atdheu i tij i dytë, nga pasioni për njohjen e krijimtarisë së poetëve amerikanë, por edhe nga bota, herë, pas here shqipëronte poezi. Kur u bënë një sasi e madhe autorësh të shqipëruar, Traboini vendosi ti botonte e si rezultat i kësaj pune shumëvjeçare dolën në drite librat “Charles Bukovski” 160 poezi në 280 faqe, Pantheon Books 2019, ISBN 978-9928-4-455-6;“World Poetika” 100 autorë nga bota në 280 faqe, Pantheon Books 2019, ISBN 978-9928-04-460-0; “American Poetica” 77 autore nga USA, 260 faqe, Pantheon Books 2020, ISBN 978-9928-04-601-7, si dhe “Emily Brontë & 100 poetë nga bota”, që është vazhdimi i botimit voluminoz World Poetica , 280 faqe, Pantheon Books, ISBN 978-9928-04-658-1. Padyshim ky aspekt i punës për shqipërimet e mbi 200 poetëve më të shquar nga bota e pasuron gamen e krijimtarisë së Traboinit dhe pasionit të tij për poezinë nga e cila nuk u nda kurrë. Deri në vitin 2020 Traboini ka botuar gjithsej 37 libra, nga këto 16 libra me krijimet e veta poetike.
Tituj të veprave
F.Bruqi