Gjatë qëndrimit në Tiranë, kafenë e mëngjesit preferon ta pijë në të njëjtin lokal për çdo ditë. E dalloj menjëherë sapo ngjit shkallët, sepse veshja klasike me kostum, kravatë dhe kapele “republikë’ nuk “mungon’ në asnjë dalje të gazetarit, kineastit e poetit Kolec Traboini. Afrohet dhe me frymën që i mbahet kërkon ndjesë, pasi është vonuar 20 minuta nga orari i caktuar. “Më vonoi orëndreqësi”: thotë teksa vendos orën në dorën e majtë dhe ulet nxitimthi. “Edhe pse nuk banoj në këtë zonë vij çdo ditë këtu, sepse është një vend i qetë e të jep mundësinë të bisedosh gjatë me miqtë, por ecja më shërben edhe për shëndetin ” vazhdon më tej, ndërkohë që hedh në kafe sheqerin që nxjerr nga xhepi i xhaketës.
Kolec Traboini ka lindur në vitin 1953 në qytetin e Shkodrës. Fëmijëria, të cilën ai e konsideron si periudhën më të rëndësishme të njeriut, nuk qe aspak e lehtë për të. Fati e solli që po njësoj si i ati të mbetej jetim në moshën pesë vjeçare. ” Pas vdekjes së tim eti, nëna u martua sërish dhe më braktisi. Mua më çuan në jetimore ku jetova për disa vjet. Nga aty më mori e u kujdes për mua deri sa mbylli sytë dada ime Katrinë, që edhe pse me dije e kulturë italiane ishte me karakter shqiptar. E doja shumë dadën time”, tregon ai teksa flet me adhurim për figurën e saj. Katrina Skanjeti ishte gruaja e dytë e babait të tij dhe njëkohësisht edhe e bija e motrës Tone dhe mbesa e piktorit të njohur shqiptar Kol Idromeno. Pavarësisht vështirësive që kaloi në fëmijëri gjatë së cilës edhe punonte, në këtë periudhë vetëm dhjetë vjeç Kolec Traboini filloi të kultivonte pasionin për leximin e shkrimin. ” Të gjitha lekët që fitoja nga punët e mia të vogla i shpenzoja tek libraria pranë shtëpisë në lagjen Badër. Përveç librave për fëmijë fillova të lexoja edhe romane e madje të shkruaja dhe poezitë e para të cilat i recitoja me zë të lartë tek dritarja e dhomës sime”, tregon ai duke qeshur.
Në formimin e tij arsimor ndryshoi disa shkolla tetëvjeçare e të mesme. “Kam qenë elektron i lirë i vogël”: thotë duke buzëqeshur. Pas përfundimit të shkollës pedagogjike në Tiranë ,në vitin 1971 aftësia dhe stili i veçantë në të shkruar e ndihmojnë të fitonte konkursin i cili i dha të drejtën e ndjekjes së gazetarisë në “Universitetin e Tiranës ,ku edhe u diplomua në vitin 1975.”Na thanë që duhej të ndiqnim një ngjarje dhe për katër orë të shkruanim një reportazh e kur emri im u shpall fitues mendova se ishte rastësia ajo që më kish sjellë në atë shkollë”, thotë ai. Mirëpo ajo çka për të u duk si një rastësi në fillim rezultoi të ishte diçka më tepër se aq vite më vonë. ” Studiuesi Abaz Hoxha duke lexuar gazetat e vjetra të vitit 1910 zbuloi se edhe im atë kishte qenë gazetar, duke qenë se shumë artikuj të botuar në gazetat e kohës mbanin emrin e tij, kurse unë më në fund i dhashë përgjigje pyetjes se çfarë më kishte shtyrë drejt gazetarisë, e kisha në gen!”, vazhdon duke treguar më tej.
Ishte në vitin e dytë të shkollës së lartë, kur botoi librin e tij të parë “Petalet e bajames së hidhur’, i cili u vlerësua me çmimin inkurajues në Konkursin Kombëtar të Letërsisë dhe Arteve.
Pas përfundimit të studimeve universitare Kolec Traboini u caktua gazetar në Gazetën e Krujës, por nuk mundi të punojë asnjë ditë të vetme aty, sepse vendimi u ndryshua dhe ai u emërua redaktor skenarist në Kinostudion “Shqipëria e Re”, ku punoi për 16 vjet. “Edhe në fitimin e këtij vendi pune më ndihmoi një shkrim që unë kisha bërë për filmin Krevati i Perandorit. Kinostudio ishte në kulmet e saj, pasi në këtë periudhë prodhohej një film në javë, një çmenduri e vërtetë. Kjo çoi në zgjerim të redaksive dhe mua më deshën atje”, tregon ai. Çmimet nuk i munguan edhe në fushën e filmit. Në vitin 1976 fitoi çmim të parë për filmin dokumentarë “Asdreni’, kurse në vitin 1990 për filmin “Kështjella e këngëve’. Po në këtë vit “Dëshmi nga Barleti” me skenar të tij u vlerësua si filmi më i mirë. Me çmime janë shoqëruar edhe filma të tjerë të tij, si: “Kolë Idromeno” e “Hasan Prishtina”, ndërsa të fundit e fitoi në vitin 2014 me filmin dokumentar me metrazh të shkurtër “Djali me kitarë’ kushtuar shokut të tij të fëmijërisë Skënder Daja i cili u pushkatua në moshën 21 vjeçare gjatë regjimit komunist.
Kolec Traboini qe mjaft aktiv edhe në situatën e krijuar në vitet ’90. Ishte i pari që botoi një shkrim tek Gazeta” Rilindja Demokratike” me titull’ Vlera e simboleve kombëtare”, ku kërkonte heqjen e yllit komunist nga flamur kombëtar, si dhe organizoi tubimin e parë të intelektualëve shqiptarë që më vonë u kthye në një demonstratë antikomuniste.
U largua nga Shqipëria në 28 shkurt të vitit 1991 dhe vendoset si emigrant i jashtëligjshëm në Athinë. Vitet e emigracionit në Greqi i kujton si më të vështirat e jetës së tij. Me thjeshtësinë që e karakterizon, si dhe emocionin në tregimin e ngjarjeve, ai nuk ka aspak komplekse teksa tregon për të gjitha punët e shumta që ndërroi për të siguruar të ardhura për familjen. “Ironia e fatit për mua ishte se edhe pse isha një gazetar i diplomuar në Shqipëri, në Athinë përfundova duke punuar si pastrues në agjencinë e lajmeve Reuters”,tregon duke qeshur.
Megjithatë të qenit emigrant i jashtëligjshëm dhe vështirësitë ekonomike nuk e penguan që në 10 prill të vitit 1993 të botonte gazetën “Egnatia” e cila ishte gazeta e parë shqip botuar në Greqi dhe e vetmja e emigracioneve që ndodheshin aty. “Arsyeja kryesore që më shtyu për botimin e kësaj gazete ishte të tregoja se shqiptarët nuk ishin ata që grekët thoshin se ishim, pasi kam parë shqiptarë të lidhur me zinxhirë si skllevër e të tjerë që përndiqeshin me kamera live dhe me policë si të ishin kafshë, por doja edhe të krijoja një urë lidhëse midis shqiptarëve në Shqipëri dhe atyre emigrantë në Greqi”. Gazetën e prodhonte dhe shpërndante po vetë me çantë në sheshin “Omonia”, ku mblidheshin shqiptarët e madje arriti ta sillte edhe në Shqipëri. “Vetëm për palosjen e saj më ndihmonin bashkëshortja dhe dy fëmijët pasi aty ku e shtypja gazetën nuk kishim mjetet përkatëse që realizojnë këtë gjë”, tregon ai. Gjatë qëndrimit në shtetin Helen botoi edhe tri libra mes të cilëve “Balada e largësive’. Libri I cili gjithashtu ishte I pari në gjuhën shqipe ishte një përmbledhje e poezive të emigrantëve botuar në Gazetën “Egnantia’.
Në vitin 1995 ai vendoset në Shtetet e Bashkuara të Amerikës së bashku me familjen e tij. Edhe këtu ai u përpoq t’u ofronte emigrantëve shqiptar një panoramë se çfarë ndodhte në Shqipëri. Koles Traboini filloi të botonte buletinin ” Lajmëtari I Shqipërisë” të cilën e shpërndante në kishë ku edhe mblidheshin më tepër shqiptarë. ” Shqiptarët e Amerikës ishin të interesuar rreth ngjarjeve që ndodhnin këtu në vitet 1995, 1996-të. Kjo ishte arsyeja që më shtyu për qarkullimin e këtij buletini”, thotë ai. Që nga viti 1995 Kolec Traboini e ndan jetën midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë. Në vitin 2000 ai fiton edhe nënshtetësinë amerikane. “Numri 16-të është numër fat për mua, 16-të vjet punë në kinostudio dhe 16 vjet nënshtetas amerikan”: thotë duke qeshur.
Në karrierën e tij tridimensionale midis gazetarit, kineastit dhe poetit ai zgjedh këtë të fundit. “Poezia është e vetmja që më lejon të shpreh plotësisht atë që ndjej dhe nuk më lejon të vdes më gojën kyçur”, thotë ai . Si gazetar Kolec Traboini numëron rreth 100 artikuj të botuara në gazeta të ndryshme, por për të cilat nuk është paguar asnjëherë. Edhe pse ka dyzetë vjet që mban profesionin e gazetarit ai nuk ka nënshkruar në asnjë bordero dhe nuk ka marrë asnjë pagë si gazetar. Kurse si shkrimtar Kolec Traboini numëron deri më sot 25 libra të botuar që janë ese, shkrime publicistike dhe poezi. Megjithatë në karrierën e tij tridimensionale midis gazetarit, kineastit e poetit ai zgjedh këtë të fundit. ” Poezia është e vetmja që më lejon të shpreh plotësisht atë që ndjej dhe nuk më lejon të vdes më gojën kyçur”, thotë ai. Pena e Kolec Traboinnit vazhdon të jetë endë aktive, pasi ai vazhdon ende të botojë shkrime të tijat në gazeta dhe së shpejti do të botojë një libër me poezi që është një përmbledhje e poezive më të mira të tij.