(Dy kryeshovinistët rusë
- Putini dhe Medvedjevi - kërkojnë ta zhdukin fare nga harta Ukrainën, si shtet
i pavarur dhe sovran).
Sulmi i Rusisë fashiste
kundër Ukrainës nuk ishte absolutisht një tekë e rastit e klikës kriminale
ruse, me në krye Putinin. Ai sulm ka parahistorinë e vet, me një shtrirje
kohore prej gati 20 vjetësh. Në vitin 2005, Putini i qe drejtuar parlamenti rus
me një mesazh të posaçëm, në të cilin shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik e pati
karakterizuar si “katastrofën” më të madhe gjeopolitike të shekullit të kaluar.
Rolin e “vajtores” për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, Putini, në vitet në vijim,
vazhdoi ta luajë jo vetëm para publikut rus, por edhe para opinionit ndërkombëtar.
Keqardhjen e tij të thellë për atë “katastrofë”, Putini ia pati shprehur në një
intervistë edhe kinoregjisorit, skenaristit dhe producentit të njohur amerikan,
Oliver Stoun (Oliver Stone - 1946).
Shtatë muaj para sulmit të
24 shkurtit 2024, Putini pati shkruar një artikull të gjatë, me titull “Për
unitetin historik të rusëve dhe të ukrainasve”, në botuar në sajtin e
Kremlinit dhe në faqen e internetit “tass” të datës 12 korrik 2021.
Artikulli fillon me paragrafin në vijim:
“Para
pak kohësh, gjatë emisionit “Linja direkt”, kur po i përgjigjesha pyetjes për
marrëdhëniet ruso-ukrainase, theksova se rusët dhe ukrainasit janë një popull,
janë një e tërë. Këto fjalë nuk janë detyrim ndaj ndonjë konjukture të caktuar
ose ndaj rrethanave të tanishme politike. Këtë e kam thënë jo një herë, kjo është
bindja ime”.
Dhe
në vazhdim, Putini, duke iu përmbajtur praktikës së vet të njohur të
mashtrimeve politike, futet thellë në historinë mesjetare, për të “vërtetuar”
se rusët dhe ukrainasit qenkan “një popull”.
Në kundërshtim me
mashtrimet e Putinit, ja çfarë ka deklaruar një analist ukrainas:
“Marrëdhëniet
e tendosura mes ukrainasve dhe rusëve kanë qenë të përhershme. Ato nuk janë
krijuar sot, ato shkojnë larg, e kanë zanafillën që nga kohët e Rusës Kieviane
(me toponimin Rusa nënkuptohet emërtimi historik i tokave të sllavëve
lindorë dhe të shtetit që qe krijuar atje në shekujt e mesjetës - E.Y.), kur princët rusë që gjoja i përkisnin
së njëjtës etni, thereshin me njëri-tjetrin që si e si të hidhnin në dorë
fronin e Kievit. Megjithatë, nuk kemi ndër mend të futemi thellë në histori. Do
ta fillojmë nga viti 1618, kur hetmani
(komandant i trupave kozake, - E.Y.)
ynë lavdimadh Sahajdaçni (1582-1622), së bashku me zaporozhasit e vet të
lavdishëm, i kalli datën Rusisë dhe për pak sa nuk pushtoi Moskën. Unë mendoj
se pikërisht që asokohe rusët i kanë marr zët ukrainasit. Dhe kjo është e
kuptueshme: moskovitët asokohe i mbushën pantallonat. Mandej pasoi beteja në
afërsi të Konotopit (qytet i krahinës Sumskaja në verilindje të Ukrainës - E.Y.), kur një tjetër hetman i shquar,
Vigovski (1608-1659) u dha dërrmën trupave cariste. Kanë pas qarkulluar llafe
asokohe se cari rus kaq keq i paskej mbushur pantallonat, saqë ia kishte
mbathur nga Moska, nga frika se mos kozakët do të shkonin për të hedhur në dorë
shpirtin e tij mëkatar. Paskëtaj kanë qenë jo të pakta betejat e ukrainasve në
aleancë herë me polakët, herë me turqit, herë me suedezët, herë me gjermanët
kundër rusëve. Prandaj nuk pinë ujë hipokrizitë dhe rrëfenjat me përralla për
“miqësinë shekullore mes popujve vëllezër”, sepse, në të vërtetë, nuk ka pas
ekzistuar kurrfarë miqësie. Sepse ata, me të cilët ju gjoja keni pasur miqësi,
nuk kanë qenë ukrainas dhe djalli e merr vesh se kush kanë qenë ata, sepse
ukrainasit e vërtetë asnjëherë nuk hynin në marrëdhënie miqësore me ata që iu
kanë bërë të liga. Po, po! Dhe nuk është nevoja të shtrembëroni turinjtë dhe
t’i hapni sytë kokërdhok nga qielli. Ju menduakeni se treqind vjet bashkëjetesë
në një shtet të vetëm kanë qenë periudhë idilike fund e krye, se, demek,
ukrainasit dhe rusët kanë jetuar në paqe dhe në lumturi? Por ne, ukrainasit,
nuk jemi të këtij mendimi. Ne e mbajmë mend shumë mirë sesi carët tuaj, bashkë
me careshat tuaja, ndalonin përdorimin e gjuhës sonë, se si ata po e shfarosnin
vetvetësinë (identitetin) tonë, duke mos lejuar përdorimin e emërtimit
“Ukraina” (që do të thotë krahinë kufitare dhe që në fundin e shek XVIII rusët
filluan ta quanin “Rusia e Vogël” - E.Y.)
dhe “ukrainas”, duke i zëvendësuar ato me emërtimet idiote “Rusia e Vogël” dhe
“rus i vogël”; se si sundimtarët tuaj i torturonin me armën e urisë
stërgjyshërit tanë dhe i vrisnin për të vetmen arsye se ata donin të jetonin të
lirë në shtetin e tyre të pavarur… Prandaj, në qoftë se dëshironi që ukrainasit
të mos ju urrejnë më, në qoftë se keni qejf ta ktheni atë që nuk ka pas
ekzistuar kurrë, ja se çfarë duhet të bëni: cari juaj i gjithë Rusisë, Vovoçka
Putin, le të vijë në Kiev, të kalojë në Sheshin Meidan (ukrainasit e quajnë
Maidan, fjalë kjo me prejardhje nga persishtja që emërton çdolloj mjedisi të
hapur, parku apo sheshi në tërësi - E.Y.),
të bjerë në gjunjë dhe, në emër të të gjithë popullit rus, t’i kërkojë ndjesë
popullit ukrainas… Pastaj le të shporret nga toka jonë e shenjtë. Dhe, në ikje
e sipër, le të ndalet në çdo qytet, në çdo fshat dhe të kërkojë ndjesë për të
gjitha ato të liga që carët, perandorët dhe sekretarët e përgjithshëm kanë bërë
në tokën e Ukrainës!” (Citohet sipas: Vadim Gontarenko. “Pse ukrainasit kanë urrejtje
për rusët”. Faqja e internetit “UAINFO”.
22 shkurt 2014).
Kur mbarova së lexuari këtë
analizë interesante, menjëherë më erdhi ndër mend një strofë mjaft kuptimplote
nga një poezi e poetit të shquar kombëtar ukrainas, Taras Shevçenko (1814-1861), të cilin perandori Nikollai I (1796-1855), për përmbajtjen e poemës “Ëndrra”, e pati ndëshkuar rëndë, duke e degdisur në stepat e
humbura të Kazakistanit dhe të Kirkizisë për kryerjen e shërbimit ushtarak:
Brune, bëni qejfin
tuaj,
Por jo me moskalë*,
Se moskalët janë të
huaj,
Kanë për t’ju tallë.
Gati një vit pas sulmit të
24 shkurtit, Putini i dha në Moskë një intervistë gazetarit të njohur amerikan Taker
Karlson (Tucker Carlson - 1969), themelues i videoplatformës “Tucker
Carlson Network”. Nuk dihet me saktësi nëse Karlsoni kishte qenë vetë i
interesuar për t’ia marrë atë intervistë Putinit, apo Putini e pati ftuar
paraprakisht për t’i dhënë një intervistë të tillë. Sidoqoftë, një gjë është e
qartë: Karlsoni njihet si simpatizant i thekur i Donald Trampit dhe ky njihet
mirë si simpatizant i Putinit.
Një
gazetar dhe shkrimtar anglez shkruan:
“Në
dhjetor (2015 - E.Y.), disa muaj para se Trampi të
propozohej nga partia republikane si kandidat për president, Putini e pati
quajtur “njeri të ndritur, të talentuar,
pa as dyshimin më të vogël…”. Trampi, nga ana e vet, u shpreh për Putinin
me simpati, duke e quajtur “udhëheqës të
fortë”, me të cilin do të dëshironte të kishte marrëdhënie shumë të mira…
Mjetet ruse të informimit masiv janë kryesisht në mbështetje të Trampit, i
cili, në financimin e bizneseve të veta me pasuri të paluajtshme,
tradicionalisht, vazhdon t’i var shpresat te paratë ruse” (Citohet sipas: Julian Borger. “Nuk ka dyshim që Putini përkrah Trampin”. Faqja e internetit e
gazetës “The Guardian”. 26 korrik
2016).
Në
intervistën që i dha gazetarit Karlson, të botuar në gazetën “Komsomolskaja
pravda” më 08 shkurt 2023, Putini, për të justifikuar edhe para opinionit
publik amerikan sulmin fashist kundë Ukrainës të një viti më parë, i parashtroi
atij të njëjtat mashtrime, si edhe në artikullin e lartpërmendur të 12 korrikut
2021.
Mashtrimet e Putinit ishim me të vërtetë skanaloze.
Mosreagimi i gazetarit ndaj atyre mashtrimeve, e nxori edhe shumë më tepër në
pah mjerimin e tij, si një përfaqësues i një mjeti amerikan të informimit masiv
pa formim intelektual. Në vend që të reagonte, duke i hedhur poshtë ato mashtrime,
gazetari jo vetëm që pohonte me kokë për çdo gjë, por madje arriti deri aty,
saqë i krehu bishtin Putinit me shprehjen “dijet tuaja janë
enciklopedike”!!!
Kur Putini deklaroi se “rusët dhe ukrainasit janë
një popull”, Karlsoni heshti si mumje, në vend që të reagonte me pyetjen:
“Nëse qenkan një popull, atëherë ata qenkan një etni
dhe paskan një gjuhë të përbashkët, apo jo?”.
Një pyetje të tillë mund t’ia bënte Putinit për ta zënë
“mat” vetëm një gazetar me përgatitje enciklopedike, por jo Karlsoni gjysmak
nga formimi intelektual dhe profesional në raport me historinë e marrëdhënieve
të Rusisë me Ukrainën. Sepse gjuha është treguesi dhe themeli i identitetit
kombëtar. Si tepër e ndjeshme ndaj dukurive të sociumit (kolektiv, mori njerëzisht
që karakterizohen nga përbashkësia e jetës shoqërore, ekonomike dhe kulturore),
gjuha pasqyron veçoritë karakteristike për çdo nivel shoqëror dhe shërben si
tregues i statusit social të individit. Si fenomen sociokulturor, gjuha paraqitet si faktor
i identitetit kombëtar. Pozicioni gjeografik, nuncat politike dhe zhvillimi
historik kanë bërë që, në kohën e tanishme, gjuha ruse të dallohet dukshëm nga
gjuha ukrainase. Fjala vjen, shkronja “e” ndryshe shqiptohet në
rusisht, ndryshe në ukrainisht. Tregues thelbësor i ndryshimeve gjuhësore është
leksiku. Leksiku i ukrainishtes ka më shumë ngjashmëri me disa gjuhë
europianolindore, sesa me rusishten. Kështu, vihen re 23 tipare të përbashkëta
të ukrainishtes, të polonishtes dhe të sllovakishtes, kurse me rusishten vetëm
11 tipare. Dhe një gjë të tillë e vërteton leksiku më së miri. Rusishtja dallon
thelbësisht nga ukrainishtja edhe për arsye se në këtë të fundit përdoret rasa
thirrore. Për arsye të rregullit të kombinimit, sipas të cilit tinguj zanorë
ose bashkëtingëllorë në ukrainisht nuk përdoren njëri pas tjetrit, kjo gjuhë
konsiderohet më melodike se rusishtja. Sigurisht që dallimet mes rusishtes dhe
ukrainishtes janë shumë më të mëdhaja. Kryesorja është që këto janë dy gjuhë të
ndryshme, në të cilat janë ndjekur rrugë të ndryshme zhvillimi, çka do të thotë
se janë gjuhë më vete, secila me veçoritë e saj. Prandaj deklarata e Putinit,
sipas të cilit “rusët dhe ukrainasit janë një popull”, është një gënjeshtër
me bisht, një mashtrin i kulluar, me të cilin ai ka për qëllim të justifikojë
sulmin fashist të 24 shkurtit 2022, sulm ky që e kanë përkrahur dhe vazhdojnë
ta përkrahin shumica dërrmuese e popullit rus dhe kisha shoviniste ruse. Në mjetet e informimit
masiv është dhënë informacioni në vijim:
“Sot, më 20 gusht 2024, në
Ukrainë qe marrë një vendim historik. Parlamenti ndaloi me ligj
veprimtarinë e kishës ruse në Ukrainë. Parlamenti aprovoi ligjin”. (Citohet sipas: “Kishën
ruse e ndaluan në Ukrainë. Parlamenti aprovoi ligjin”. Faqja e internetit “my.novini”.
20 gusht 2024).
Ndërkohë, duhet theksuar
se qëndrimi shovinist i Rusisë fashiste ndaj Ukrainës, nuk përmblidhet vetëm në
pikëpamjet e kryekriminelit Putin. Ai qëndrim, dy vjet pas sulmit të 24
shkurtit 2024, zbulohet fare lakuriq në figurën e një tjetër kryekrimineli rus,
siç është Dhimitër Medvedjevi. Putini dhe Medvedjevi kanë vite që njihen si “Loli
dhe Coli” i Kremlinit, duke ndërruar disa herë me njëri-tjetrin postin e
presidentit dhe të kryeministrit. Në këndvështrimin e Medvedjevit, Ukraina
duhet të zhduket fare nga harta si shtet i pavarur dhe sovran.
Instituti
i studimit të luftës (Institute for the Study of War - ISW) është
një qendër analitike amerikane, të cilën, në vitin 2007, e ka themeluar
Zonja Kimberli Kagan (Kimberly Kagan - 1972), historiane
ushtarake amerikane, presidente e institutit në fjalë. Ky institut kryen
studime në fushën e mbrojtjes dhe të çëshjeve ndërkombëtare. Informacioni i këtij
instituti hedh dritë mbi synimet e vërteta fashiste të Kremlinit ndaj Ukrainës:
“Paqja
për Rusinë do të thotë fundi i Ukrainës, si shtet i pavarur dhe sovran në çfarëdolloj
kufijsh: më 14 mars këtë e pohoi haptazi ish-presidenti i Federatës Ruse Dhimitër
Medvedjevi, pasi parashtroi të ashtuqujturën “formulë ruse të paqes”, një
formujlë kjo e egër dhe e paapelueshme. Për këtë bëhet fjalë në një parashikim
të ri të Institutit të studimit të luftës.
Zëvendëskryetari
i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dhimitër Medvedjevi, ka botuar një thirrje të
hollësishme për shfarosjen e plotë të shtetit ukrainas dhe gëlltitjen e tij nga
Federata Ruse, duke e quajtur këtë plan “formula e paqes ruse”. Analistet e ISW theksojnë se kërkesat e Medvedjevit nuk janë të
reja, ato përfaqësojnë më shumë synimet e vërteta të Kremlinit ndaj Ukrainës,
synime këto, të cilat nuk hapin shteg për bisedime me tjetër qëllim, përveç parashtrimit
të kushteve konkrete për kapitullimin e plotë të Ukrainës. Që në fillim të
“planit paqësor”, të shtruar prej tij, Medvedjevi e hedh poshtë sovranitetin e
Ukrainës, duke e qujajtur atë “ish” vend dhe duke e vendosur në thonjëza toponimin
“Ukrainë”. Më poshtë, Medvedjevi ka parashtruar shtatë pika të “formulës së
paqes”, sipas tij, të cilën ai, në një mënyrë tallëse plot mllef, e ka quajtur
“të qetë”, “realiste”, “humane” dhe “të butë”. Ja çfarë parashikohet
konkretisht në ato shtatë pika:
1.
Pranimi nga ana e Ukrainës i disfatës ushtarake, kapitullimi i plotë dhe pa
kushte i Ukrainës dhe “demilitarizimi” i plotë.
2. Pranimi
nga ana e krejt bashkësisë ndërkombëtare i “karakterit nazist” të Ukrainës,
shoqëruar me “denazifikimin” e autoritetit ukrainas.
3. Deklaratë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për
zhveshjen e Ukrainës nga statusi i shtetit të saj sovran, në përputhje me të
drejtën ndërkombëtare, si edhe deklarata
se çdo shteti-trashëgimtar të Ukrainës do t’i ndalohet të rreshtohet në çfarëdo
aleancash ushtarake, pa pëlqimin e Rusisë.
4. Dorëheqja
e të gjitha organeve kushtetuese të pushtetit të Ukrainës dhe zhvillimi i menjëhershëm
i zgjedhjeve parlamentare për një “parlament të përkohshëm”.
5.
Pagesa e reparacioneve Rusisë nga pala ukrainase.
6.
Pranimi zyrtarisht nga ana e “parlamenti të përkohshm” (që gjoja do të zgjidhet
pas dorëheqjes së pushtetit të tanishëm të Ukrainës) i faktit që krejt
territori i Ukrainës është pjesë e Rusisë dhe aprovimi i aktit të “ribashkimit
të Ukrainës me Federatën Ruse” dhe përfshirjes së saj në të.
7. Shpërndarja e këtij
“parlamenti të përkohshëm” dhe njohja nga ana e Organizatësë së Kombeve të
Bashkuara e “ribashkimit” të Ukrainës me Rusinë...” (Citohet sipas: “Kapitullimi
i Ukrainës në shtatë pika. Që nga fillimi i sulmit, Medvedjevi i ka sqaruar
shumë më qartë synimet e vërteta të Federatës Ruse në luftë: ç’do të thotë
kjo?” Faqja e internetit “New Voice”. 15 mars 2024).
Ky qëndrim prej sllavi i popullit rus, të cilit s’i bëjnë kurrfarë
përshtypjesh krimet barbare të ushtarëve të tij kundër popullsisë civile në
Ukrainë, shkatërrimet me raketa të pallateve të banimit, të objekteve të artit
dhe të kulturës dhe përgjithësisht të infrastrukturës në atë vend, më solli
ndër mend një shprehje mjaft kuptimplote të arkitektit amerikan Frank Lloid Rait (Frank Lloyd Wright - 1867-1959), të vlerësuar si krijues të “arkitekturës organike”. Ajo shprehje i shkon mjaft për shtat
natyrës së marrëdhënieve të kryekriminelit Putin me popullin e vet. Ai ka thënë:
“Madhështia e një despoti e ka
burimin jo në vlerat e tij personale, por në poshtërimin e turmës që e
rrethon”.
Dhe me të vërtetë, turmat e
popullit rus janë aq të poshtëruara nga kryedespoti i Kremlinit, saqë të
kujtojnë bujkrobërit e çifligarëve që përshkruan shkrimtari Nikollaj Gogoli
(1809-1852) në romanin e famshëm “Frymë të vdekura”. Por, në të njëjtën
kohë, ato turma janë kaq të indoktrinuara me frymën e shovinizmit rusomadh, saqë
janë bërë mbështetje e fuqishme e klikës fashiste të Kremlinit për pushtime
territoresh të huaja. Ky indoktrinim ka traditë të kahershme në Rusinë cariste
dhe ka ardhur e është bërë shumë më tepër agresiv, sidomos gjatë sundimit të
Pjetrit I (1672-1725), Ekaterinës II (1929-1796), Leninit (1870-1924), Stalinit
(1878-1953) dhe Putinit (1952). Pikërisht pesha e rëndë e këtij indoktrinimi të
fuqishëm shovinist, ka bërë që turmat ruse të ditëve tona të mos ndiejnë
kurrfarë shqetësimi nga vrasja e më shumë se 600 mijë ushtarëve dhe oficerëve
rusë në Ukrainë që prej sulmit fashist të 24 shkurtit të vitit 2022. Domosdo,
ato turma të verbra ruse, mbartëse të psikologjisë prej sklavi brez pas brezi,
e kanë më të shtrenjtë pushtimin e territoreve të huaja, sesa jetën e bijve të
tyre. Ato turma prisnin me ngazëllim se ushtria fashiste ruse do të pritej me
lule në rrugët e Kievit, ashtu si turmat pararendëse ishin të bindura se
ushtria sovjetike, pas sulmit fashist kundër Finlandës më 30 nëntor 1939, do ta
festonte fitoren nëpër rrugët e Helsinkit me rastin e ditëlindjes së Stalinit më
21 dhjetor. Po ashtu, turmat e verbëra të popullit rus prisnin se pas sulmit
fashist që ushtria sovjetike ndërmori kundër Afganistanit më 24 dhjetor 1979,
ajo do të pritej me lule nëpër rrugët e Kabulit. Por, për arsye të forcës
mitike të atij popullit të vogël finlandez, ushtria fashiste sovjetike e pagoi
atë sulm me 127 mijë ushtarë dhe oficerë të vrarë, të ngrirë në dëborë dhe të
zhdukur pa lënë gjurmë, kurse sulmin
kundër Afganistanit e shleu me 30 mijë të vrarë dhe 60 mijë të sakatuar.
Pra, luftërat agresive, Rusia fashiste i ka përfunduar me turp. Me siguri që
edhe lufta agresive kundër Ukrainës ka për të përfunduar me turp për Rusinë. Më
këtë luftë, klika fashiste e Kremlinit dhe shumica dërrmuese e populit
shovinist rus, shpresonin se, duke pushtuar Ukrainën, të cilën ëndërrojnë ta
zhdukin nga harta si shtet të pavarur dhe sovran, dhe duke e ribashkuar përfundimisht
me Federatën Ruse, do të çliroheshin një
herë e mirë nga smira dhe xhelozia që i ka brejtur pa pushim ndaj Ukrainës pas
shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991. Ajo smirë dhe xhelozi i ka bërë
krerët e Kremlinit dhe pjesën më të madhe të popullit rus, të mos e pranojnë të
vërtetën historike që Ukraina është djepi i kulturës sllavianolindore dhe Kievi
kryeqendra e saj. Sepse Kievi është themeluar në vitin 482, kurse Moska - 665
vjet më vonë, në vitin 1147. Edhe Moskën e pati themeluar princi ukrainas Juri
Dollgoruki (1090-1157).
Lexuesve të nderuar iu
rekomandoj të ndjekin në youtub materialin me titull “Video allegedly shows captured Russian soldiers in Kursk”, në mënyrë që të shikojnë se në ç’derexhe janë katandisur ushtarët e ushtrisë “së dytë në botë”!
Kaliforni, 22 gusht 2024
-----------------------------------
*moskal - nofkë
përbuzëse që u qe ngjitur rusëve shekuj më parë në Ukrainë dhe në Bjellorusi.