28 Gusht 2024
Dalin të dhëna të forta dy vite pas vdekjes së Kastriot Myftarajt, si u mbyll me shpejtësi dosja duke lënë dëshmitarë dhe prova të rëndësishme jashtë hetimit, gazetari i njohur mund të jetë helmuar nga shoku i tij i ngushtë, ja rrëfimi “bombastik” i mikut të tij Kastriot Myftarajt
Gazetari i njohur dhe drejtuesi i emisionit “Ju Flet Moska”, Kastriot Myftaraj ka ndërruar jetë në moshën 60 vjeçare në 7 korrik të vitit 2022. Në njoftimin e dhënë për mediat ditën e ngjarjes, policia bënte të ditur se Myftaraj është hedhur nga kati i katërt i banesës ku jetonte në zonën e “Ali Demit” në Tiranë. Por miq dhe të afërm të të ndjerit, ngrenë hije dyshime mbi vetëvrasjen e analistit dy vite pas vdekjes së tij.
Njëri prej tyre është avokati i njohur, Kastriot Frashëri, i cili si mik i Kastriot Myftarajt tregon versionin e tij mbi këtë ngjarje të rëndë. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Frashëri ngre habinë se si u mbyll me shpejtësi dosja e vdekjes së gazetarit Myftaraj, duke lënë dëshmitarë dhe prova të rëndësishme jashtë hetimit.
-Zoti Frashëri, u bën dy vjet që gazetari i njohur dhe miku juaj Kastriot Myftaraj është ndarë nga jeta. Si e përshkruani rolin dhe ndikimin e Kastriotit në shoqërinë dhe jetën publike? Çfarë e bëri atë të veçantë në sytë tuaj dhe të të tjerëve?
Është e vërtetë që Kastriot Myftaraj kishte një rol të veçantë në debatin publik shqiptar. Ai ishte prezent në shoqërinë shqiptare përmes shkrimeve të ndryshme, analizave, të cilat kapnin një sferë të gjerë që nga çështje të aktualitetit, problematika në lidhje me korrupsionin e deri në analiza të thella gjeopolitike të cilat janë të denja për institucione kërkimore e qendra të kërkimit shkencor ose me çështje të politikës ose të gjeopolitikës në përgjithësi.
Kastrioti u nda nga jeta në mënyrë më tragjike të mundshme dhe fare të papritur ku askush nuk e mendonte pasi siç dhe sot është bërë e njohur, ai u diagnostikua me një sëmundje të pashërueshme e si duket ajo e nxiti, pasi është çështje e brendshme e sëmundjes, e cila jep një gjendje suçide, siç kam folur dhe me mjek të ndryshëm në lidhje me këtë ngjarje. Tashmë kanë kaluar dy vite nga kjo ngjarje dhe Kastrioti i mungon jetës shqiptare, për shkak dhe të problematikës e problemeve të shumta që ka sot në lidhje me keqqeverisjen, çështjet e korrupsionit e shumë çështje të tjera ku në analizat e tija kanë dalë siç i ka pas parashikuar Kastrioti.
Nëse Kastrioti do të ishte sot gjallë, shumë nga këto gjëra nga këto ngjarje sot e çështje që përplasen në dyert e drejtësisë, në SPAK në lidhje me aferat e ndryshme të ministrave e zyrtarëve të kabinetit qeveritar apo të institucioneve të pushteteve të tjera, do të ishin në qendër të vëmendjes. Kjo e bën Kastriotin të veçantë por ndonjëherë e tepronte dhe në analizat e tija të cilat unë dhe i flisja pasi mendoj se nuk duhet të ishte me një gjuhë aq të ashpër sa Kastrioti ishte i tillë ku nuk e pranonte t’i flisje. Unë si mik i tij kisha ndikim te ai dhe shumë njerëz më thonin që t’i flisja pas teprisë që ai bënte në analiza.
-Ju përmendnit asokohe se e keni parë të pamundur që Kastrioti të kishte kryer vetëvrasje. A mund të na japësh më shumë detaje për arsyet që ju bëjnë të besoni se nuk është një vetëvrasje?
Unë jam një mik i tij dhe nga ana tjetër jam dhe një profesionist i ligjit pasi jam avokat. Unë kam parë nga tërësia e dinamikës së ngjarjes si ndodhi, nga rrethanat e vendit ku ndodhi dhe sot pas dy vitesh vijon të ngjall debate si çështje. Shpesh ende më thonë njerëz që i takoj më thotë se nuk na besohet si ngjarje, as mua e as nënës së tij. Unë në cilësinë e avokatit dhe mikut të tij, kam parë dosjen e hetimit të bërë nga ana e policisë, e cila shkoi në Prokurori, por disa gjëra aty çedonin dhe pse kam parë që aty ka patur një punë jo disi profesionale, por ajo që nuk më ka pëlqyer ka të bëj me cilësinë e dobët profesionale të Policisë Gjyqësore, që janë hetimet paraprake ku merren deklarata të paqarta ose mungonin, duke lënë shtigje e si e tillë duke mos dhënë një tablo apo një imazh të qartë të asaj që ka ndodhur.
Dhe nga ana e Policisë Gjyqësore, dëshmitë që janë marrë nga dëshmitarët okular, janë pyetje të thata ku janë marrë vetëm përgjigje me po ose jo, duke mos u thelluar më tej. Gjatë kohës së hetimit unë nuk mund të isha avokat i tij, por nga hetimet rezulton se vrasja nuk mund të ketë ndodhur nga persona të tretë e si e tillë e çoi në Prokurori për ta mbyllur si çështje. Unë dhashë një deklaratë para Oficerit të Policisë Gjyqësore për momentet e para që kam mbërritur në banesën e tij apo bisedat e fundit, e si e tillë nuk mund të isha avokati i familjes së tij. Ndaj u zgjodh një tjetër avokat e nga ana tjetër dhe nëna e tij nuk kishte më fuqi që ta ndiqte më si çështje. Sakaq, nëna e tij vijon të ketë dyshime të tjera në lidhje me këtë çështje duke ia atribuuar për një shokun e Kastriotit, i cili rrinte shpesh me të.
E ëma dyshon se ai mund t’i ketë dhënë ndonjë gjë për të pirë, sepse thotë se ka ardhur nga një drekë me të, fill një javë pasi të jepte shenjat e para të sëmundjes si të fikët e më pas e dërguam në spital. E nga ana tjetër u bë ekzaminimi, ku Kastrioti ma ka thënë vetë informacionin ku Policia i ka kërkuar spitalit fletën e kartelës së tij. Por dhe vetë Kastrioti më tha që në skaner janë identifikuar dy masa tumorale në kokë. Por për ta përcaktuar këtë, ai u bë gati madje që të hynte në sallën e operacionit, por në një moment i thirri mendjes dhe iu kishte thënë mjekëve se unë si mund të futem në sallë operimi pa patur një biopsi të kësaj mase dhe nuk hyri në operim.
-Çfarë ndodhi konkretisht në momentin e ngjarjes dhe cilat janë informacionet që keni mbledhur që përforcojnë këtë qëndrim tuajin?
Unë sapo kam shkuar në banesën e tij kam dhënë një deklaratë për oficerin e Policisë Gjyqësore se në cilat rrethana e njihja Kastriotin, por për të gjithë ne dukej e pamundur sa i përket pjesës së parë që ky njeri me këtë karakter shumë të fortë e guxim të lartë të bëj këtë akt. Por nga ana tjetër, kam pyetur mjek të huaj se simptomat e sëmundjes tumorale të japin një gjendje suçide që sëmundja jep fuqinë dhe sigurinë nga ana e brendshme. Si ngjarje më duket shumë intriguese, por në rrethana të tjera unë kam komunikuar me mjek e me të ëmën e tij, ku e telefonoj dhe sot e gjithmonë më përsërit faktin si ndodhi ngjarja dhe ku shpreh dhe merakun e saj.
-Ndërkohë nëna e Kastriot Myftarajt akuzonte shokun që e shoqëronte për vdekjen e gazetarit të njohur. Keni një koment dhe sa qëndrojnë këto akuza?
Unë atë e njoh dhe e di miqësinë që ka patur e sikundër Kastrioti shoqërohet edhe me persona të tjerë. Mua vetë nuk më besohet për këtë, unë kam biseduar personalisht për këtë gjë dhe me shokun e tij, por më pas dhe rrethanat si mos ardhja e atij në ceremoninë e varrimit e kjo gjë bëri përshtypje dhe te të tjerët. E nga ana tjetër kishte publikuar një shkrim denigrues ndaj tij e për të cilin dhe e ëma e Kastriotit nuk e fal, pasi ka dhe shumë gjëra të pavërteta me origjinën e tij e duke e bërë Kastriotin dhe të sëmurë.
Unë personalisht nuk e besoj që ai të ketë gisht në këtë pjesë por mesa di, nuk ma ha mendja që mund të jetë ky qëndrim mund të jetë mbajtur në Gjykatë, sepse një çështje që ishte nën hetim, çohet në Gjykatë për ta mbyllur. E ndërkohë thuhet se edhe Gjykatës i është thënë për dyshimet ndaj shokut të tij, por nga ana tjetër duhej të merrej një deklaratë, por unë nuk e di t’i jetë marr një dëshmi.
-Si e vlerësoni reagimin e policisë dhe institucioneve të tjera në lidhje me këtë çështje? A mendoni se ka pasur mangësi në hetim apo trajtim të ngjarjes?
Unë kam patur fatin të njihem me materialin hetimor, por ka disa pikëpyetje që kanë të bëjnë me çështjen që mund ta lidh me Kastriotit por ka të bëj me të gjitha aspektin kombëtar që aspekti i hetimit lë për të dëshiruar. Nga aktet hetimore që janë bërë nga Policia, janë bërë pyetje të mira dhe profesionale drejtuar institucioneve të ndryshme. Ndërsa pjesë të tjera që kanë të bëjnë me veprimtarinë e oficerit të Policisë Gjyqësore, lënë shumë për të dëshiruar, siç kundër dhe e thash që është pyetur një dëshmitar okular por me pyetje shumë të thata e jo të thelluara.
Por ndërkohë mua më dukej e pamundur që Kastrioti të hidhej nga ballkoni nga një hapësirë aq e ngushtë. Por gjëja që më preu shpresat ishte kur pyeta një mjek të huaj për sëmundjen e më tha në rastet kur ka politraum (hedhja nga lartësitë), është e pamundur që akti i ekspertimit të vërtetojë të kundërtën. E mjeku më tha që si e tillë nuk mund të gjesh aktin e ekspertimit e si e tillë nuk ke si të nxjerrësh të dhëna e fakte pasi nuk ke asnjë lloj analize e ekspertët nuk kanë si të dalin në një përfundim. Por mjeku thekson se nga një politraumë nuk mund të thuash që të gjenden goditje apo shenja të tjera për të arritur në një konkluzion vlerësimi.
-Çfarë veprimesh konkrete keni kërkuar nga organet kompetente për të siguruar që kjo çështje të hetohet në mënyrë të drejtë dhe të plotë?
Unë këtë e bëra që në fillim, në momentin kur dhashë një deklaratë të oficeri i Policisë Gjyqësore ku dhe i orientova për hetimin se ku duhet të konsistonte krahas hetimeve të Policisë, që janë aspekte të cilat i ndihmojnë në rrethana se ku mundesh ta gjesh provën. Unë jam interesuar për të marrë fashikullin e dosjes së hetimit dhe ia vura në dispozicion familjes, nënës së tij për ta parë çështjen hetimore. Këtu mbaron roli im pasi nuk mund të jem avokati mbrojtës i familjes. Më pas i rekomandova nënës së Kastriotit që duhet gjetur një tjetër avokat dhe çështjen e mori një i njohur i Kastriotit, avokati Arben Llangozi.
Por ndërkohë kam dhe disa pyetje që nuk iu gjej dot përgjigje si dhe nga ana e nënës së tij më janë thënë që Kastrioti ka bërë disa lëvizje që mund të çoj në një planifikim, ku dhe i kam rekomanduar që të bënte scanpet, ekzaminim me et/ct në Turqi apo në Maqedoni e më tha që këto ekzaminime do i bëj jashtë shteti. Ndërkohë nëna e tij më thotë që Kastrioti kishte tërhequr disa para dhe i kishte lënë te motra e tij pasi i kishte thënë që janë për nënën e tij që të kujdesej gjatë kohës që ai do të ishte jashtë shtetit. Kjo tregon si një lloj parapërgatitje nga ana e Kastriotit dhe nga ana tjetër dha sigurinë që do e bënte scan pet/ct e nuk kishte as problemin financiar.
-Si e përshkruani reagimin e publikut dhe mediave në lidhje me këtë ngjarje? Si ndiheni për mënyrën se si është trajtuar ngjarja nga mediat dhe publikun?
Sigurisht media dhe publiku, unë e kam provuar vetë pasi më kanë thënë dhe me mijëra vetë e kanë përjetuar largimin e tij pasi shumë vetë më kanë thënë që shumë sikur të ishte gjallë Kastrioti pasi shumë gjëra që ka shkruajtur dhe analizuar, kanë dalë të vërteta dhe janë vërtetuar. Por nga ana tjetër, jo të gjitha mediat ishin dashamirëse me Kastriotin pasi njerëz të cilët janë të punësuar në media të cilat Kastrioti nuk ndante të njëjtat mendime dhe shumë prej tyre kanë qenë personazhe të analizave e kritikave të tija që nuk e kanë mirëpritur siç ishte rasti i kryebashkiakut Veliaj që tha në një deklaratë se ka njerëz që hidhen nga ballkoni.
Kastrioti nëse ka thënë diçka për Veliajn apo ndonjë personazh tjetër, gjërat kanë dalë në dritë dhe në momentin në të cilën ka fol vite më parë dhe koha i ka vërtetuar në vite më vonë. Unë iu kam thënë dhe shumë drejtuesve të mediave që kur njëri prej kolegëve të tyre, pronar media përballet me veprime inatçore të një pushteti, këto në vend se të bëjnë aleanca, këto fërkojnë barkun sepse u godit x person apo y-i por pa harruar se një ditë ato gurë do të hidhen ndaj tyre.
Intervistoi: Rigels Seliman