2014-08-27

Skender Mustafi-Si ta vjedh një artikull/punim shkencor?

Nga elementet karakteristike që has çdo ditë nëpër media qofshin ato tradicionale gazeta, televizioni e radio, ose moderne si ato elektronike të formave të ndryshme janë vjedhja e materialeve, ose “trajtimi” i çështjeve shkencore pa mos pasur nevojë për shfrytëzimin e referencave.
Të arsyetoj këtë gjendje si pasojë e mosinformimit ose pamundësisë për informim është disi poshtëruese për mua si trajtues i kësaj tematike, në një kohë në të cilën çdo i dyti pretendon të e njohë gjuhën angleze “ujë”. Andaj, s’më mbetet tjetër vetëm të pohoj se vjedhësit e materialeve, të njohur si plagjiatorë, nuk janë të interesuar të punojnë artikuj shkencorë në një kohë që kanë nevojë të mbushin programet e tyre me ato, kështu që thjeshtë i vjedhin ato.
Ajo që në këtë rast duhet të kini parasysh, të nderuar hajna, është që efekti përfundimtar i aktit tuaj duhet të përfundojë me mos kapje, gjë që është shumë e vështirë në ditët e sodit. Pra, duhet të gjeni rrugë që në fund punimi të figuroj i juaji dhe të mbetet i juaji përgjithmonë.
E ka vjedhur pa fije turpi gazeta "Studenti" e Universitetit të Tiranë
E ka vjedhur pa fije turpi gazeta “Studenti” e Universitetit të Tiranë. Autor i artikullit Skender Mustafi, burimi Fjalaime.ch
Në vazhdim do të paraqesim disa nga karakteristikat kryesore që ju duhet pasuar për të arritur efektin përfundimtarë pozitiv për ju:
  • Karakteri – fillimisht ju duhet të keni karakter shumë të dobët ose të prishur në atë masë që të mohoni mundin dhe punën e të tjerëve që me një ftohtësi të plotë të përvetësoni punën.
  • Edukimi – nuk është patjetër të mos jeni i edukuar, me rëndësi është edukimi juaj nuk ka arritur efektin e duhur
  • Motivimi – ju duhet të motivoni veten më shumë drejt vjedhjes se sa drejt punës me karakter shkencorë, kështu që nuk keni nevojë të mësoni gjëra të reja dhe të mbushni kokën tuaj me shkencë kur ka kush bënë këtë për ju.
  • Autoritetet – para vjedhjes së punimit duhet të mundoheni pakë duke analizuar personalitetin dhe historinë e autoritetit i cili u kërkon punimin. Nëse autoriteti është vetë hajn, atëherë jeni përputhur dhe nuk keni nevojë të mërziteni. Mirëpo sukses mund të keni edhe nëse autoriteti ka edukim të vjedhur gjë që e bënë aq të mençur sa të lidhë këpucët e veta dhe nuk duhet të frikoheni nga kapaciteti shkencorë i tij.
  • Gjuha – varësisht nga autoriteti, madje edhe nëse jeni ju, ju nuk keni nevojë të mundoheni të përktheni që të vidhni, por mund të vidhni nga shqipja sepse dert nuk do të keni
  • Këmbëngulësia - është një element që duhet trajnuar në qoftë se plani nuk u shkon si duhet, pra ju duhet përpiluar strategji për vetëmbrojtje duke sulmuar autorët e punimeve dhe duke i nënçmuar ata për reagimet e tyre për një punim shkencor. Madje strategjia më e mirë është që ju t’i përkujtoni ata se ju i keni llogaritur si njerëz të mençur në një kohë që ata nuk ju lënë rehat me punën tuaj.

Suksese në vjedhje!

Skender Mustafi-Si të shkruaj një letër motivimi?



Letra e motivimit ose ndryshe njohur edhe si letra e interesit, është letra e cila u dërgohet organeve tek të cilat jeni të interesuar për të aplikuar për një vend pune ose për edukim të mëtejshëm.

Letra e motivimit është letër personale, ajo në fjalë të shkurta paraqet motivet tuaja, interesin rreth vendit të ofruar (të punës ose për edukim) si dhe “këmbënguljen” tuaj për të “zënë” atë vend të caktuar.

Letra e motivimit duhet të jetë unike dhe e pa përsëritshme pavarësisht se mund të ndodhë që ju të aplikoni në një vend të njëjtë për dy çështje të ndryshme (psh. për dy vende të ndryshme pune.

Karakteristikat e formatit të letrës
Në vazhdim do të shtjellojmë më në detaje karakteristikat kryesore të pamjes së një letre të motivimit:

Adresat – Adresa e aplikuesit me të dhënat për kontaktim dhe adresa e pranuesit me të dhënat për kontaktim janë nga karakteristikat fizike që duhet pasur parasysh gjatë përpilimit të letrave të motivimit. Këto të dhëna duhet radhitur varësisht nga stili i përdorur në një vend të caktuar ose në një gjuhë të caktuar, por ajo që është e përbashkët është se këto të dhëna vendosen në kokë të letrës.
Titulli i letrës - Titulli i cili i vendoset letrës së motivimit është specifik. Në titull bën pjesë titulli për vendin për të cilin ju aplikoni. Shembull, nëse ofruesi i një vendi pune ka përdorur titullin “Koordinues projektesh në sektorin IT”, atëherë ju patjetër duhet që këtë titull të e përdorni në titullin tuaj. Kjo tregon përgjigjen tuaj direkt nda një kërkese të bërë direkt. Në këtë rast përgjigja juaj, titulli i letrës së motivimit do të ishte: “Aplikim për vendin e hapur “Koordinues projektesh në sektorin IT””.
Përmbajtja - Të e kini parasysh që letrën e motivimit të e bëni të plotë, por të shkurtër. Brendia e letrës suaj le të arrij jo më shumë se 80-90 fjalë të shpërndara në tri tërësi: Hyrje, Ju dhe Motivimi, dhe Përfundimi.
Hyrja e letrës - Hyrja e letrës duhet të fillojë me përshëndetje e cila duhet, mundësisht, të mos jetë e përgjithshme, por personale.
Hyrje e përgjithshme: Të nderuar zonja dhe zotërinjë nga kompania X,
Hyrje personale: I nderuar zotëri Mbiemri,
Patjetër duhet të kërkoni person të caktuar i cili është përgjegjës për të interesuarit për vendin e caktuar, ose ju aplikoni spontanisht për një vend të caktuar atëherë kërkoni udhëheqësi e resurseve njerëzore të kompanisë (shkollës, universitetit) ose një të punësuar të cilin ju e shihni si person i mundshëm për këtë detyre.

Qasja personale krijon kontakt personal.

Hyrjes i takon edhe paragrafi i parë që mund të përmbaj një ose dy fjali, varësisht nga lloji i qasjes, vendi ose gjuha në të cilën e shkruani letrën.

- Në vendet tona, ku një letër motivimi shkruhet në gjuhën shqipe, preferohet që ky paragraf të posedojë dy fjali ku një informon ofruesin se ku keni marrë informatën për vendin e lirë dhe përmes fjalisë së dytë konfirmoni interesimin tuaj për këtë vend.

Shembull:

Gjatë kërkimit në internet në www.faqen-ku-keni-gjetur-ofertën.com gjeta se ju ofroni vend pune si “Titulli i vendit të punës ashtu siç është shkruar nga ofruesit”. Me këtë letër, unë aplikoj (shpreh interesin tim) për vendin që ju ofroni.

Vini re: Nëse letrën e shkruani në gjuhë të huaj atëherë preferohet që të mos shkruhet burimi se nga keni kuptuar se ofrohet vendi i lirë i punës, përveç nëse mendoni se ajo informatë do të ndikojë tek pranuesi i aplikacionit tuaj. Kjo do të ishte psh. nëse e keni kontaktuar përmes telefonit, ose në një takim personal fillimisht dhe pastaj u ka kërkuar aplikacion, pra tanimë veç keni një lloj lidhje komunikimi dhe një informatë e tillë i përkujton pranuesit të aplikacionit se ju keni kontakt me të.

Ju dhe Motivimi - Në këtë pjesë shkurt dhe qartë prezantoni veten tuaj, shpalosni elementin që u motivon ju që të aplikoni në vendin e caktuar të punës dhe shpalosni qëndrimin tuaj rreth rrjedhave në të ardhmen (“lavdëroheni me aftësitë tuaja”).
Shembull:

Ky vend pune është shumë tërheqës për mua (me qasje ndaj së ardhmes, vizion për të ardhmen etj.) pasi që (nëse nuk keni përvojë në atë drejtim atëherë shkruani llojin e edukimit ose të njohurive të cilat i kemi për atë vend të caktuar pune) pesë vitet e kaluara kam vepruar si koordinues projektesh në një kompani për zhvillimin e projekteve financiare.

Nëse pozita e caktuar kërkon aftësi të caktuara të cilat janë bazë ose shumë të rëndësishme atëherë në një fjali i përmblidhni ato aftësi dhe njohuri që keni (pavarësisht se ato i keni të radhitura në CV).

Shembull:

Unë mendoj ….

Unë kam bindjen se duke kombinuar njohuritë dhe përvojën që kam me mundësitë që ju ofroni në kompaninë tuaj ju do të fitoni zgjidhjen e vërtetë për hapësirë të cilën keni nevojë. (… duke kombinuar aftësitë e mia dhe stafin tuaj me synime për të ardhmen ju do të keni zgjidhjen më të përshtatshme për vendin që keni nevojë.)

Përfundimi - Dhe në fund e përmbyllni letrën duke shprehur kënaqësinë tuaj për përgjigjen që ata do të dërgonin rreth aplikimit tuaj.
Shembull:

Me shumë kënaqësi pres përgjigjen tuaj dhe ndjej kënaqësi për tu takuar sa më shpejtë në një intervistë nga ana juaj.

Përshëndetje të sinqerta,
Filan Fisteku

Bashkangjitur:
1. Curriculim Vitae
2. Emri i dokumentit të bashkangjitur
3. Emri i certifikatës së bashkangjitur
4. ….

VINI RE: Nëse ju postoni një letër motivimi përmes mjeteve elektronike atëherë titulli i postës duhet të jetë njëjtë sikur titulli i letrës së motivimit dhe përmbajtja po ajo përmbajtje që nënkupton atë se ajo letër është letër motivimi dhe titujt e dokumenteve duhen të jenë të njëjtë sikur tek bashkëngjitja. Si dhe preferohet që letra e motivimit të bashkëngjitet dhe në formë dokumenti (pra PDF)

Skender Mustafi-Si të shkruaj hyrjen e një punimi shkencor?

Hyrja e një punimi është njëra nga tri pjesët kryesore promovuese të punimit tuaj kërkimor, përkrah abstraktit dhe përfundimit. Shpesh herë mentorët profesorët/kërkues shkencorë kërkojnë që kërkimin që ju ose ata propozojnë të e shpalosni përmes hyrjes, Kështu ata kuptojnë përmbajtjen dhe mënyrën se si ju do ta shtjelloni temën që po propozoni për kërkim ose kuptojnë se sa dhe si e keni kuptuar temën që u është ofruar për kërkim. Për më tepër, hyrja është nga pjesët e para që lexohet nga të interesuarit për të lexuar temën që do të shtjelloni. Nëse përmbajtja nuk është domethënëse, tërheqëse dhe e plotë në kuptimin e vetë atëherë lexuesi nuk lexon punimin sepse nuk është tërhequr nga përmbajtja ose pasi që nuk ka arritur të shohë se çka në të vërtetë ofron punimi.
Pra, përmbajtja është pjesë e rëndësishme e punimin dhe duhet shtjelluar me shumë vëmendje. Nëse nuk e keni kuptuar temën e propozuar për nga mentori (qoftë profesor ose kërkues shkencorë)  atëherë më mirë pyesni mentorin tuaj për çështjet të cilat u janë të mjegulluara. Sidoqoftë, edhe nëse mendoni se e keni kuptuar temën, pasi që të keni shkruar hyrjen i dërgoni atë mentorit tuaj dhe kërkoni të e shqyrtojë dhe të japë qëndrimin dhe sugjerimet e tij. Në këtë mënyrë ju do ta kuptoni temën më mirë dhe kërkesat e mentorit tuaj. Sidoqoftë në fund të fundit nëse tema është me karakter kërkimor-edukativ atëherë fjalën e fundit e ka mentori, pra i plotësoni kërkesat dhe “dëshirat” e tij duke shkruar temën që ai kërkon (kuptohet duke u bazuar në fakte dhe duke sjellë argumente nga kërkimi juaj, por kjo realizohet në vetë temën).
Kur ta shkruaj?Hyrja shkruhet akoma para se të fillohet të shkruhet tema. Madje edhe para se të përpilohet struktura e përmbajtjes, pasi që me hyrje propozohet tema e cila do të shtjellohet.
Si ta shkruaj?
Kjo varet nga mentori dhe tema.
Nëse tema është e shkurtër që mbuton 7-10 faqe A4, atëherë hyrja është zakonisht një kapitull me një ose dy paragrafë.
Nëse shkruani temë të gjatë ose tezë për Master (që mbulon 80-120 faqe) dhe mentori kërkon hyrje konkrete pa hyrë edhe në sqarime më të vogla dhe tema pason një hipotezë e cila ka argumente të qarta, atëherë e shkruani në një kapitull me rreth 70% – 100% të një faqeje A4 me font Calibri 11 (Calibri është fonti standard tek versionet e reja të Microsoft Word).
Nëse tema është më e komplikuar duke shqyrtuar disa nën-hipoteza dhe mentori kërkon një hyrje më të qartë atëherë mund të e zgjeroni hyrjen duke e kaluar në 2-3 faqe A4 me të njëjtin font. Në këtë rast hyrjen mund të e ndani në disa nën-kapituj duke e bërë të qartë, të lehtë për të përcjellë, atraktive dhe të këndshme për lexim. Shembull: Nën-kapitujt mund të radhiten si vijon: Prapavija e temës kërkimore, Shpalosja e problemit, Qasja kërkimore.
Vini Re: Shembulli është vetëm si ilustrim, nuk nënkupton se duhet përcjellë po në të njëjtë formë.
Sa e gjatë duhet të jetë?
Siç përmendëm më sipër varet nga tema, nëse është e shkurtër atëherë në një ose dy paragrafë me rreth dhjetë fjali, kurse nëse është më e gjatë nga 1 deri në 3 faqe. Kini kujdes që edhe nëse hyrja zgjatet, zgjatja të realizohet me kujdes duke mos humbur kuptimin e hyrjes dhe duke ruajtur atraktivitetin për lexuesin.
Çka duhet të shkruaj?Hyrja duhet pasuar një shtrirje logjike e cila mbulon elementet kërkimore dhe problematikën e temës në tërësi. Pavarësisht shkruhet hyrje e shkurtë apo e gjatë, ajo duhet përmbajtur të gjitha elementet. Elementet kryesore të cilat duhet trajtuar në hyrje janë:
  1. Prezantimi i temës
    1. Hyrje në temë përmes paraqitjes së gjendjes së përgjithshme në sferën që tema mbulon.
  2. Paraqitja e idesë kërkimore dhe shpalosja e problemit kërkimor (shpalosja e tezës)
    1. Të metat nga gjendja e paraqitur zakonisht janë motivim për përmirësim, pra shkurt paraqisni se ajo gjendje ose ai problem i caktuar u motivon të realizoni kërkimin në këtë punim.
    2. Shpalosni tezën tuaj rreth problematikës që do të kërkohet…
    3. Paraqisni pyetjen/t kërkimore…
    4. Shpalosni: Çfarë po kërkoni?
    5. Shpalosni: Çka po tentoni të sillni në dritë përmes këtij kërkimi?
  3. Si do të realizoni kërkimi?
    1. Prezantoni metodën kërkimore të cilën vlerësoni të e shfrytëzoni kërkimin…
    2. Shpalosni mjetet të cilat vlerësoni të i shfrytëzoni për të realizuar kërkimin…
    3. Jepni një përshkrim të shkurtër të “vijës” kërkimore e cila do të paraqitet në punimin tuaj. Pra, përshkruani rrjedhshëm se si kapitujt të ndërlidhur mes vete do të shtjellojnë problematikën dhe do tu shpien në përfundim.
 Efekti i hyrjes…
Elementet e mësipërm nuk janë statik, ata mund të kombinohen dhe mund të radhiten sipas nevojës dhe dëshirës, por duhet mbajtur mënd efektin e hyrjes: Informative, Efektive, Atraktive, Shkencore, e Këndshme për lexim. I gjithë funksioni i hyrjes është që lexuesin të informojë rreth asajë se çfar problemi është hasur nga ju, çka u ka motivuar që të shtjelloni atë problem, çka do të shtjelloni në këtë punim, cilat metoda kërkimore do t’i shfrytëzoni për të realoziar këkimin dhe si do të rrjedhë procedura kërkimore. Dhe efekti i përgjithshëm është që hyrja të jetë shkak që lexuesi të mos largohet pas leximit të gjysmës së saj ose pas leximit të polotë të saj, por që ai të nxitet që të lexojë kërkimin e plotë.

Skender Mustafi-Si të shkruaj abstraktin e një punimi shkencor?

Abstrakti është pjesa e parë e cila vije tek një punim pavarësisht nëse është i shkurtër apo i gjatë (pra punim seminari ose thellë shkencor si teza e diplomës për beçelor (bachelor ose mastër). Është pjesa e cila i mundëson lexuesit të lidhet nga jeta e tij reale në temën e trajtuar në punim. Thjeshtë, shpesh herë nga kjo pjesë varet nëse lexuesi kalon më tej për të lexuar temën apo jo, do të zhgënjehet lexuesi në fund apo jo.
Abstrakti paraqitet i pari në punim megjithatë shkruhet pas  përfundimit të punimit. Abstrakti është një hyrje para hyrjes e cila tregon se çfarë është kërkuar dhe çfarë është arritur në punimin tuaj kërkimor.Në këtë pjesë ju paraqisni hipotezën tuaj dhe të arriturat tuaja në tendencën për të vërtetuar atë. Kjo pjesë duhet të jetë e shkurtë, e qartë dhe tërheqëse. Nëse nuk arrin këto synime atëherë ka dështuar së prezantuari punimin në tërësi.
Kur ta shkruaj?
Abstraktin mund të e shkruani edhe pa e shkruar punimin (kuptohet për veten tuaj). Në këtë rast është udhërrëfyes se si mendoni të e zhvilloni punimin edhe pse nuk duhet të bini në grackën e të shkuarit pas abstraktit sepse ju duhet të pasoni argumentet të cilat do t’i ndeshni gjatë kërkimit. Pastaj mund të e ndryshoni gjatë zhvillimit të punimit që gjithnjë të u jetë në ndihmë si udhërrëfyes. Abstrakti i cili i bashkëngjitet punimit është ai i cili shkruhet pasi të keni përfunduar së paku 80% të punimin dhe tanimë  e keni të qartë idenë dhe përfundimin e tij logjik. Fundja, nga përvoja e them, meqë punimi duke përfshirë abstraktin dorëzohen së bashku atëherë pasi të e keni kryer punimin lexojeni edhe njëherë dhe pastaj lexojeni abstraktin për të shqyrtuar nëse keni lëshuar diç apo keni shkruar diç të tepërt.
Sa i gjatë duhet të jetë?Shkurt! Nëse punimi është deri më dhjetë faqe, atëherë abstrakti le të jetë një paragraf me 5-6 fjali. Nëse punimi është shkencor i përmasave të temës së diplomës dmth 60-80-120 faqesh, atëherë abstrakti le të arrijë 3/4 e faqes (duke mbetur pjesa e fundit për fjalët kyçe.). Në sugjerime të ndryshme nga ekspertë të ndryshëm sugjerohet një madhësi nga 100 deri më 300 fjalë.
Vini Re: Ndonjëherë gjatësia e abstraktit përcaktohet nga mentori apo institucioni përgjegjës, kështu që duhet t’i përmbaheni kërkesave të tyre.
Përbërja!
Abstrakti është mini tema e juaj. E tërë tema është në atë pjesë. Shkurt-e-shqip, si thotë populli. Pra, abstrakti shkruhet me fjalë të thjeshta duke iu ikur termeve shkencore që kanë të bëjnë me temë sa më shumë që është e mundur dhe duke mos përdorur shkurtesa. Në fjalë të tjera abstrakti shpalos problemin dhe zgjidhjen në një rrjedhë të kuptueshme dhe të shkurtër.
Nga pjesët që duhet abstrakti të i ngërthejë dhe pyetjet të cilave duhet përgjigjur janë:
  • Motivimi juaj/ shpalosja e problemit
    • Përse është me rëndësi të trajtohet ky problem?
    • Çfarë boshllëku shkencor, teorik ose praktik kërkimi juaj plotëson?
    • Përse e realizon këtë kërkim?
  • Qasja e problemit
    • Si realizuar kërkimin?
    • Çfarë hapa ndërmorët që të realizoni kërkimin (psh. krahasuar punime shkencore, ose krahasuar produkte, ose realizuar intervista, ose kombinuar taktika te ndryshme kërkimore etj.)
  • Rezultatet e arritura
    • Çka arritët në problemin e shtjelluar?
    • Pati sukses kërkimi juaj për të arritur rezultate pozitive?
    • Arritët rezultate negative?
    • Çfarë mësuar, përpiluat, zbuluar gjatë këtij kërkimi?
    • Çfarë nënkuptojnë të arriturat tuaja?
  • Përfundimi
    • Cilat janë të arriturat më të mëdha të kërkimit tuaj?
    • Çka nga boshllëku/ Në çfarë mase mbulojnë boshllëkun të arriturat tuaja shkencore.
Vini Re: Shënimet e mësipërme janë sugjerime ndihmuese dhe jo strukturë e cila duhet pasuar pikë për pikë. Ju duhet përshtatur sugjerimet me punën tuaj të realizuar dhe problemin e trajtuar.

Skender Mustafi-Si të shkruaj përfundimin e një punimi shkencor?

Mos mendoni se keni përfunduar me punimin kërkimor. E di që kjo tingëllon vrazhdë megjithatë ju akoma nuk jeni në një gjendje për tu kënaqur me “frytin” tuaj. Mentorët shpesh janë të çuditshëm sa i përket punimeve kërkimore. Ju mund të e keni takuar mentorin tuaj disa herë për konsultime gjatë realizimit të punimit kërkimor, megjithatë mos mendoni se jeni mirëkuptuar tërësisht. Pra, ju duhet të jepni tani maksimumin tuaj që tërë mundin që keni dhënë për realizimin e punimit të e bëni me vlerë. Thjeshtë, kjo është sikur ju prodhoni një çokollatë shumë të shijshme, përfundimi i punimit tuaj është mbështjellësi i cili ka funksion mbrojtës dhe reklamues. Nëse ju nuk arrini të e realizoni këtë pjesë me shumë kujdes dhe me shumë respekt atëherë tregtimi i produktit tuaj ka dështuar. Ju keni dështuar.
Merreni me seriozitet përfundimin e punimit tuaj. Mentorët shpesh janë të koklavitur nga përshkrimet tuaja rreth asaj se çfarë jeni duke bërë me “temën e tij” kështu që ata “lodhen” nga sqarimet tuaja dhe presin përfundimin për të kuptuar se keni vajtur ju. Mos keni merak rreth rezultateve sepse ato mund të jenë të ndryshme nga ato që i pret mentori, megjithatë ajo nuk është me rëndësi sepse ju keni realizuar kërkim shkencor dhe të arriturat bazohen në argumente të cilat as mentori nuk mund të i mposhtë. Me pak fjalë, përfundimi është kajmaku i punës suaj nga i cili mund të përfitoni shumë.
Kur ta shkruaj?
Përfundimi shkruhet në fund. Një përfundim, varësisht nga lloji i kërkimit, mund të shkruhet edhe në fillim të punës kërkimore megjithatë në ndërkohë duhet të shqyrtohet dhe përshtatet varësisht nga nevoja. Punimet për të cilat mund të shkruhet një përfundim i cili u nevojitet si udhërrëfyes janë punimet të cilat testojnë vërtetësinë e një problematike të caktuar.
Sa të shkruaj?
Nëse punimi është i shkurtër 6-7 faqesh, atëherë përfundimi kaplon diku 1/3 deri më gjysmë faqe. Nëse punimi është në përmasa më të mëdha siç janë punimet e diplomës me rreth 80-120 faqe, atëherë përfundimi mund të jetë një deri në dy faqe i gjatë. Ndodh që mentori të u kërkojë një gjatësi të caktuar (për arsye të ndryshme), ju duhet të keni kujdes që në këtë rast të mos bini preh e tentimit për të shkruar përfundim të gjatë duke harruar synimin e përfundimit. Pra, përqendrohuni në të shkruarit e përfundimit dhe pasi që të keni shkruar atë sipas sugjerimeve të ndryshme dhe duke përfshirë të gjithë elementet atëherë mund të e rishqyrtoni dhe të e zgjeroni në një masë të caktuar duke mos i humbur shkëlqimin dhe qartësinë.
Si ta shkruaj?
Përfundimi i punimit tuaj duhet të luaj rolin e një udhërrëfyesi i cili përmbledh atë që është shkruar në punim dhe e lidh atë me realitetin, kështu lexuesi i cili tanimë ka lexuar punimin dhe arrin tek përfundimi mund që me pak fjalë të i rikthehet punimit dhe njëkohësisht të shohë vlerën e tij në jetën reale. Madje punimi juaj duhet të e nxis lexuesin të mendojë rreth të arriturave tuaja në punim të cilat shtynë kërkime tjera në fushën e caktuar kërkimore. Njëkohësisht përfundimi duhet të jetë i qartë që për një profesionist në temën që ju trajtoni të jetë e mundshme që përmes përfundimit të kuptojë vlerën e punimit dhe të nxitet që të lexojë punimin për të kuptuar detajet rreth mënyrës së realizimit të kërkimit dhe grumbullimin e ndërlidhjen e të arriturave tuaja.
Çfarë duhet të përmbajë dhe çfarë jo përfundimi?
Më poshtë po u sugjeroj elementet kryesore pa të cilat përfundimi i punimit do të ishte i gjymtë. Radhitja, ndërlidhja dhe ndikimi i elementeve varet plotësisht nga mënyra ruaj e të shkruarit dhe nga tema që keni trajtuar.
  1. Paraqisni tezën tuaj
  2. Paraqisni të arriturat në problematikën e caktuar
  3. Realizoni një sintezë të asaj që keni shkruar në punim. Kini kujdes që të mos realizoni një përmbledhje duke kaluar në pikat kyçe dhe duke përsëritur ato.
  4. Mos shtoni argumente të reja të cilat nuk i keni trajtuar në temë – pavarësisht sa atraktive janë ato.
  5. Flisni mbi ndikimin e kërkimit tuaj në jetën e përditshme, në teknologjinë ose biznesin varësisht nga tema juaj.
  6. Paraqisni idetë tuaja rreth zhvillimeve në të ardhmen lidhur me temën e trajtuar.
  7. Mos shfrytëzoni referenca ose citate sepse ato u marrin hapësirë dhe përfundimi është fjala juaj dhe jo e të tjerëve. Në këtë pjesë ju keni mundësi të shpreheni (duke u bazuar nga ajo që keni mësuar gjatë realizimit të kërkimit), të shpalosni idetë tuaja rreth çështjes së trajtuar.
  8. Për të shqyrtuar nëse  argumentet i keni radhitur qartë luani lojën “E çka?”. Pra për çdo fjali pyesni veten “E çka?” dhe shihni nëse u jeni përgjigjur fjalive në një rrjedhë të pranueshme dhe të bazuar në argumentet e trajtuara në punim.

Skender Mustafi-Si të shkruaj një punim kërkimor/shkencor

Punimet kërkimore ose shpesh të njohura si punimet shkencore ose në shumë universitete tona edhe si punime seminarike janë punime të cilat studiojnë një problematikë të caktuar të një fushe studimore. Punime të këtilla mund të kërkohen nga institucione të ndryshme si organizata, kompani, universitete etj. Punimet e kërkuara nga institucione jashtë universitare janë punime profesionale të cilat kërkohet të punohen nga profesionistë të fushave të caktuara për interesa specifike të paracaktuara nga institucionet përkatëse. Në anën tjetër punimet kërkimore të kërkuara nga bartës të lëndëve të ndryshme gjatë studimeve (BcS ose McS) janë punime edukativo-studimore në të cilat raste studentët realizojnë punimet, kurse mbikëqyrësit kontrollojnë punën dhe ofrojnë sugjerime për përmirësim.

Llojet

Punimet kërkimore janë unik, të pa përsëritshëm. Përndryshe, në raste të përsëritjes kemi të bëjmë me ripunim ose me plagjiaturë. Përkundër asaj që punimet janë unikë dhe të pa përsëritshëm, ata kanë një pjesë ose të tërë strukturën e tyre të ngjashme përmes së cilës mund të identifikohen lehtë pjesët kyçe.

Punime me strukturë të hapur

Nga stilet më të përhapura të realizimit të punimeve është ajo e punimeve me strukturë pjesërisht të ngjashme ku punimet kanë këto pjesë nga struktura të cilat janë të ngjashme:
* Abstrakti - shkruhet pas përfundimit të punimit d.m.th. edhe pas së shkruarit të Përfundimit. Në abstrakt duhet përfshirë çështjet: përse merremi me problemin, cili është problemi, si u zgjodh problemi, cilat janë pyetjet dhe cili është përfundimi.

* Fjalët kyçe – termet specifike të cilat i përkasin temës dhe janë përdorur dhe definuar në punim.

* Hyrja - flet mbi prapavijën e problemit, synimet e punimit dhe përmbledhje të shkurtë të strukturës së punimit

* Struktura studimore/kërkimore - është pjesa kryesore e punimit pasi që në të paraqitet problemi studimor, metodat kërkimore dhe rezultatet e arritura kërkimore. E gjithë kjo pjesë paraqet një strukturë e cila në vete (përmes kapitujve dhe nënkapitujve) logjikisht ka një hyrje, një trup dhe një të arritur. Hyrja në këtë rast paraqet mbledhjen e të dhënave/informatave/studimeve ekzistuese mbi temën e caktuar, trupi nënkupton analizën e të dhënave të mbledhura në hyrje dhe të arritura janë përfundimet që arrihen mbi elemente të veçanta që janë shtyllë e studimit në përgjithësi si dhe në të përfshihet vlerësimi juaj si studiues i problemit. Në pjesën e fundit arrihen dy lloj rezultatesh: të kuptuarit e literaturës ekzistuese dhe përgjigjes së pyetjes/pyetjeve studimore përmes sajë dhe arritja e konkluzioneve dhe dhënia e gjykimeve ose zgjedhjeve tuaja mbi problematikën e studiuar.

* Përfundimi - përmbledhje e të arriturave në nën-temat e punimit në një përfundim të përgjithshëm.

*Referencat - stili i referimit zakonisht caktohet nga institucioni për të cilin realizohet punimi, edhe universitetet zakonisht përcjellin një stil të caktuar të referimit.

Ky është modeli më i përhapur shkencor i strukturimit të punimeve. Kjo lloj strukture lehtëson edhe grumbullimin e punimeve nga programe të ndryshme kompjuterike bazuar në elementet “fikse” të strukturës.

Punime me strukturë të paracaktuar

Stil tjetër i realizimit të punimeve që është më pak i përhapur, por që promovohet nga institucione të ndryshme është ai i realizimit të punimeve me strukturë të njëjtë. Institucionet përkatëse përcaktojnë strukturën të cilën secili kërkues duhet përcjellë gjatë realizimit të punimit kërkimor. Një ndër projektet e këtilla mbështetet në Zvicër nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara në St. Gallen i emëruar “eXperience”. Ky stil i realizimit të punimeve kërkimore lehtëson krahasimin e punimeve të ndryshme kërkimore në fusha të njëjta dhe të ndryshme të kërkimit si dhe rritë afërsinë e studiuesve me gjendjen aktuale të organizatave të studiuara.

Qasja

Lloji i punimit zakonisht përcakton edhe mënyrën e qasjes së studimit të çështjes dhe realizimit të punimit. Nëse struktura është e hapur atëherë studimi duhet qasur në mënyrë të hapur dhe nëse struktura është e paracaktuar atëherë kërkimi duhet pasuar strukturën dhe elementet e sajë.

Meqë në të shumtën e rasteve kemi të bëjmë me punime me strukturë të hapur atëherë më shumë do të thellohemi në këtë lloj punimesh.

Qasja ndaj punimeve me strukturë të hapur nuk duhet ndikuar nga kjo, le ta quajmë, parastrukturë e cila u paraqit më sipër. Elementet e mësipërme të parastrukturës duhet shkruar pas përfundimit të studimit të problemit të punimit. Punimi duhet përcjellë një vi caktuar studimore e cila vetë organizohet dhe vetvetiu shpalos elementet e strukturës. Paracaktimi i një strukture e cila do të përcillet më vonë për realizimin e punimi sa është ndihmues aq është edhe dëmtues pasi që e fut në korniza të caktuara kërkimin dhe nuk e le të lirë të zhvillohet sipas rezultateve të arritura të kërkimit.

Problematika
Një problematikë që dita ditës po bëhet më e madhe është e drejta e autorësisë së punimit ose pjesëve të tij. Kërkuesi duhet pasur parasysh këtë element dhe me përqëndrimin më të madh të mundshëm të përcjell burimet tek të cilat bazohet për mbledhjen e informacioneve. Vërja në pah e citimeve, përfundimeve të arritura nga të tjerët, figurave dhe tabelave të ndryshme është kyçe në realizimin e punimeve kërkimore. Nëse fjalë, gjykime, figura ose tabela të caktuara merren nga të tjerët dhe nuk referohen atëherë kjo njihet si plagjiaturë dhe varësisht nga institucioni dënohen. Në shumicën e institucioneve edukative perëndimore gjetja e elementeve të qarta plagjiature pason largimin e studentit nga programi studimor.

Marrja me referimin e burimeve të informacionit në punime mund të lehtësohet duke përdorur programe të caktuara kompjuterike të cilët sinkronizojnë referencat dhe lejojnë bashkëpunimin mes pjesëmarrësve të ndryshëm në projekt.

Pa autorësia
Akoma në një numër të caktuar institucionesh në listën e realizuesve të punimeve kërkimore radhiten edhe bartës të institucioneve ose persona të cilët kanë realizuar një pjesë minimale të punimit (ndoshta 1%) ose vetëm janë paraqitur në fillim si pjesëtar të grupit punues. Këta persona nuk janë pjesë e projektit për punim kërkimor dhe duhet larguar nga lista e autorësisë. Kultura e mbështetjes dhe mbrojtjes së personave të tillë është e gabuar dhe jo shkencore, ata duhet paralajmëruar dhe larguar nga lista e autorësisë së punimit. Mbikëqyrësi nuk është pjesë e listës së autorëve, ai është përgjegjës për mbikëqyrjen e projektit dhe dhënien e sugjerimeve dhe pikave mbështetëse për orientim megjithatë kjo nuk e bën pjestar në realizim të projektit dhe autorë të tij.

Interneti është mjet i cili nuk u lë rehat edhe nëse ju jeni lepur, i butë, por u vije pas gjatë secilit veprim tuajit. K

Interneti nuk është një foshnje të cilën ju mund të e ledhatoni si të doni, të e ushqeni si të doni, të i bërtisni si të doni dhe në fund të ndaheni i/e kënaqur si të doni. Interneti është një trung i madh manaferre, i cili ka fruta dhe gjemba në të. Ju duhet të përcaktoni rrugëtimin tuaj nëpër internet, mënyrën e shfrytëzimit të tij për veten tuaj dhe mënyrën e shfrytëzimit të tij për të ndërvepruar me të tjerët si në jetën private ashtu edhe në jetën publike. Ju mund të merrni frute manaferrash të u jepni të tjerëve ose mund të merrni gjemba dhe të i thumboni të tjerët. Fundi-fundit përgjegjësia, herët ose vonë, bie mbi ju.

Për më tepër, interneti është mjet i cili nuk u lë rehat edhe nëse ju jeni lepur, i butë, por u vije pas gjatë secilit veprim tuajit. Kështu që mase e nevojshme është të keni kujdes gjatë dhënies dhe marrjes së informacioneve, si dhe gjatë komunikimit në përgjithësi në internet.

Në vitin 2012, vetëm në SHBA u vodhën 12.6 milion kartela identiteti (Bob S., 2013), kurse në gjithë botën numri i të dhënave të kartelave të vjedhura bankare në 7 vitet e fundit, edhe atë vetën nga pesë kriminelë interneti, ishte 160 milion (Augenstein S., 2013 & Süddeutsche Zeitung GmbH, 2013) . Numri i të dhënave të vjedhura nga individë të ndryshëm në shumicën e vendeve të botës e të Evropës madje është gjithnjë në rritje (FICO, 2013). Ajo që neve në këtë rast më së shumti na intereson është mashtrimi i drejtpërdrejtë i joni nga ana e përdoruesve tjerë të internetit.



Më poshtë do të sjellim listën e tentimeve më të përhapura për mashtrim dhe mënyrën e mbrojtjes nga ato.

Puno nga shtëpia – problemet e zhvillimit ekonomik të ngadalshëm në vendet në zhvillim dhe stagnimi i përsëritur ekonomik në vendet e zhvilluara ka bërë paraqitjen e sistemeve të reja të punësimit ku në pah vijnë kompanitë e ndërmjetësimit të cilat për leverdi ekonomike merren me menaxhimin e fuqisë punëtore për kompani të caktuara ose edhe ofrojnë kompani me mandate të përkohshme. Ekzistimi real i këtyre kompanive ka mundësuar paraqitjen e hijeve të tyre në internet ku mashtruesit në emër të ndërmjetësimit ofrojnë vende pune me mundësi të ndryshme, madje edhe fitim parash pa punuar fare. Këto oferta pune me orar të plotë ose me orar të shkurtuar e madje edhe ma punuar fare kërkojnë angazhimin e “të interesuarve“ në forma të ndryshme të cilat u fusin në listën e të mashtruarve, sepse në fund të fundit nuk keni fituar asgjë, e që janë: mbushja e pyetësorëve të ndryshëm me të cilin veprim hyni në listë për të fituar diç me vlerë, klikimi mbi reklama ku fitoni dhe ju me ato klikime, shitja e produkteve e shërbimeve miqve tuaj për të marrë pjesë në atë fitim dhe ju, futja e të dhënave tuaja private në formularët e „punësimit“, hapja e kontove të zbrazëta bankare dhe dhënia e të dhënave ofruesve të „vendit të punës“ ku ata përdorin konton tuaj për të „larë“ paratë, përdorimi i emrit dhe adresës suaj për të dërguar postë/paket nga një në adresa tjera.
Si të mbroheni: Nëse oferta e cila u bëhet u duket shumë e mirë për të qenë e vërtetë dhe ofruesi është i pa njohur, atëherë e lini fare sepse është mashtrim.
Keni fituar loto – në vlerë prej 1 milion €, na i dërgoni të dhënat tuaja për të plotësuar aktin e transferimit të parave. Kjo është nga ofertat më të vjetra që mbaj mend, bashkë me „mashtrimin nigerian“. Këtë lloj mashtrimi e mbaj mend të e kem hasur që gjatë viteve 1998-1999. Për vendet e zhvilluara duket të është një mashtrim jashtë mode, por për vendet në zhvillim është në pikë të vëmendjes. Njerëzit regjistrohen thuajse çdo ditë nëpër faqe të ndryshme për veprimet të ndryshme dhe pranojnë letra informimi e ndër to vijnë dhe ato si kjo, ku ju keni fituar loto, akoma pa mbushur fletën (fjalë ironie). Kështu që lajthitja juaj fillon që në momentin që ju klikoni mbi nyjën, nëse ka, dhe dërguesi i asaj porosie kupton se pas asaj IP adrese ka një njeri kurioz të cilit edhe më pas duhet t’i dërgojmë posta kurioze, pastaj vazhdon me atë që ju i shkruani dërguesit një letër se çfarë të bëni për të konfirmuar të fituarit e lotos, më tej vazhdon me dërgimin e të dhënave tuaja, duke shkuar tek më e keqja mund të vije situata që ju duhet të paguani veprimet administrative të transferimit të parave si dhe tatimin e fitimit. Pasi të keni paguar, nëse vije deri tek kjo, atëherë e kuptoni se u ka kapur flaka që nuk shuhet dot. Atëherë, keni fituar vërtetë loto.
Si të mbroheni: Mos luani loto, edhe ashtu është në thelb mashtrim. Nëse pranoni një postë të tillë elektronike dhe ju e dini që nuk keni luajtur loto asnjëherë ose së paku këtë muaj, atëherë griseni dhe mos klikoni askund e as mos u përgjigjni. Nëse keni luajtur, atëherë vërtetoni nëse posta është e kompanisë ku keni luajtur. Nëse në postë shkruan që keni fituar mbi 1 milion € ose $, griseni postën sepse tek ne askush nuk jep 1 milion në loto.

Faqet e takimeve personale – janë popullarizuar fillimisht në vendet e zhvilluara si nevojë për njoftimin e njerëzve mes veti nga pamundësia për të gjetur partnerë për jetë. Tek ne shqiptarët është bërë shumë e njohur kjo sferë pothuajse për të gjitha moshat e meshkujve, e madje edhe të femrave të cilët në të shumtën e rasteve i shfrytëzojnë për aventura. Me gjithë seriozitetin e kompanive që ofrojnë këto shërbime mund të vërehen tre lloj mashtruesish të cilët gjuajnë „gjahun“ në mënyrë të vazhdueshme për të përfituar financiarisht në mënyrë direkt ose indirekte. Tre llojet kryesore të mashtrimeve janë: 1) anëtarët mashtrues të cilët mashtrojnë anëtarët tjerë, 2) faqet të cilat deklarohen si falas dhe ofrojnë shërbime falas e që u detyrojnë të paguani pas abonimit dhe 3) faqet të cilat u vjedhin të dhënat anëtarëve dhe ua shesin palëve tjera të interesuara për ato të dhëna.
Si të mbroheni: Mos u regjistroni në faqe të tilla, por kërkoni shkues. Meqë keni vendosur të regjistroheni, atëherë shihni mirë nëse shërbimi është falas dhe informohuni në internet rreth faqes në të cilën dëshironi të regjistroheni, se si përdoruesit nëpër botë vlerësojnë atë faqe. Nëse tanimë jeni regjistruar, mos u dërgoni para personave të pa njohur, edhe nëse u ofrojnë biznese të levërdishme, ose edhe nëse u qajnë hallin se macja u ka vdekur nga infarkti në zemër. Thjeshtë mos lëshoni zemër tek fjalët të cilat në fund nuk përfundojnë me pikë por me para.
mashtrim email

Mashtrimi nigerian/419/Nevojitet ndihma juaj – përfshinë një mori lloje të teksteve që dërgohen nëpër posta private. Kërkon ndihmë ndonjë princ, bankier, posedues kompanie, menaxher, politikan. Të gjithë këta që kërkojnë ndihmë nuk duan asgjë financiarisht nga ju sepse këta tanimë janë të pasur, por u nevojitet ndihmë që pasurinë e tyre te e transferojnë nga vendlindja e tyre në një vend të sigurt. Kështu që atyre u nevojiten të dhënat tuaja si dhe kontoja bankare ose mbase herë pas here nëse fillohet diskutimi me ata kërkojnë edhe një mbështetje të vogël (2000-3000€) për të realizuar disa veprime meqë paratë që do të dërohen në konton tuaj njëherë për njëherë janë të bllokuara. Juve do tu dërgohen 1 milion €. Këto posta njihen si mashtrimi nigerian sepse në kohën e paraqitjes së parë të këtyre postave kërkohej „ndihmë“ nga banorët nigerian për të transferuar paratë e tyre nga shteti i tyre i korruptuar, nga kriza në vend. Mashtrimet aso kohe kishin arritur kulmin nga që njerëzit tregonin solidaritet dhe ndihmonin nigerianët (në fakt ishin mashtruesit që mblidhnin paratë) të zgjidhnin problemet e tyre.
Si të mbroheni: Këto posta edhe nëse i lexoni, MOS klikoni në asnjë nyje, MOS dërgoni të dhënat tuaja askujt, MOS dërgoni informacionet bankare, MOS kontaktoni personin që u ka shkruar këtë postë meqë i tërë procesi është mashtrim për të marrë informacionet tuaja ose edhe para.

Produkte mjekësore – faqet e internetit dhe porositë që bëjnë marketing të produkteve mjekësore kanë barë për çdo sëmundje, madje edhe për ato që mjekësia serioze akoma nuk ka përgjigje. Mjeku online ka një mur diploma dhe është ekspert i disa sëmundjeve i cili u sugjeron barëra dhe terapinë e caktuar. Në internet qarkullojnë qindra barëra kundër rënies së flokëve, kundër plakjes, kundër sëmundjeve të lëkurës, kundër trashjes, etj. etj. Dhe përsëri kemi aq shumë tullacë, pleq e njerëz me lëkurë të sëmurë ose të infektuar. Kryesore në këtë fushë është se reagimi i medikamenteve është shumë i shpejtë, sa çelë e mbyllë sytë ju ia keni arritur qëllimit.
Si të mbroheni: Shkoni te mjeku. Nëse keni probleme, atëherë konsultoni mjekun dhe i lini sugjerimet në internet. Ka shumë faqe sugjerimesh të cilat janë me vlerë të madhe për të realizuar veprime në internet, për të riparuar kompjuterin, automobilin e të tjera, por shëndeti është diç e nivelit tjetër. Shëndetin tuaj mund të e vlerësojë mjeku i cili merret personalisht me ju.

Faqe të falsifikuara zyrtare – është një sferë e besimit ndaj institucioneve që në këtë pikë vihet në krye. Shumë posta elektronike dërgohen në emër të kompanive, institucioneve serioze e madje edhe në emër të shtetit. Porositë në posta të tilla zakonisht janë serioze dhe përmbajnë nyje ku ju për informim të mëtutjeshëm duhet të klikoni, ose posta elektronike ku ju duhet të përgjigjeni. Porosi të tilla shpërndahen më miliona tek përdoruesit të cilët kanë konto tek faqet e njohura si Facebook, Twitter, Linkedin, Pinterest e të tjera. Të gjitha porositë vijnë nga një postë e këtyre kompanive e në fakt janë porosi mashtrimi të dërguara nga mashtruesit. Postat elektronike zakonisht këto porosi drejtpërdrejtë i dërgojnë në shportë hedhurinash, së paku këtë e bën pa asnjë problem Gmail.
Si të mbroheni: Fillimisht nëse ju nuk keni kontaktuar ndonjë kompani, institucion privat ose ndonjë institute të shtetit, atëherë kur ju arrin ndonjë porosi e tillë duhet të e lexoni me kujdes. Kontrolloni postën e dërguesit, që zakonisht është „origjinale“, pastaj tekstin dhe në fund edhe nyjat e bashkëngjitura ose postën ku duhet të përgjigjeni. Nyjat mund të i kontrolloni duke ofruar miun mbi nyje pa e klikuar ose përmes instalimit të softuerit për shfletues WOT. Sa i përket postës ku duhet të përgjigjeni, është e thjeshtë, nëse ajo postë nuk është e njëjta sikur ajo që u ka shkruar, ose nëse ajo post nuk është e së njëjtës kompani, atëherë mos u përgjigjni. Është mashtrim. Shembull: Nëse pranoni një postë nga kontakt@fjalaime.ch dhe në tekst u thuhet të përgjigjeni tek filani.fisteku@gmail.com, atëherë ky është mashtrim. Nëse nuk keni njohuri të mjaftueshme rreth mbrojtjes nga interneti dhe postat mos i lexoni porositë të cilat posta juaj i ka dërguar drejtpërsëdrejti në shportën e hedhurinave.

Softuerë me nën-softuerë – është një sistem shumë i marketingut kohëve të fundit. Nëse instaloni softuer falas, i cili ndodh të është shumë i mirë për nevojat tuaja të caktuar, shpesh herë ndodhë që pas instalimit të tij diç nuk është në rregull me kompjuterin tuaj, ose kur të shihni në desktop ju nuk keni instaluar një, por më shumë se një softuer. Madje në disa raste instalohen softuer të cilët nuk e dini që i keni instaluar e që punojnë në prapavijë. Mbledhin të dhëna nga veprimet tuaja, e skena më e keqe është ajo e mbledhjes së të dhënave bankare që shpie drejt plaçkitjes suaj financiare.
Si të mbroheni: Mos instaloni softuerë nga burime të pa njohura. Fillimisht informohuni, në internet, mbi softuerët që doni t’i instaloni, pastaj i instaloni ato. Nëse instaloni softuerë falas, ose me kod të hapur, atëherë MOS klikoni next.. next… next, por secilin hap e shihni me kujdes se nuk bëhet name nëse instalimi u zgjatë edhe një minutë më tepër.

Mashtrimet në Facebook – janë bërë më të njohurat kohëve të fundit dhe kanë bombarduar edhe përdoruesit shqiptarë me të madhe. Profilet e njerëzve “serioz” e të atyre mistrecëve stërmbushen me postime e foto të llojeve të ndryshme. Ato s’janë pjellë e tyre, por pjellë e kuriozitetit të tyre për t’i pare “zogun” Tunës. “Ekspertët“ e mashtrimeve në internet shfrytëzojnë kuriozitetin e njerëzve për të depërtuar më tej në mbledhjen e të dhënave tuaja, instalimin e softuerëve të ndryshëm në kompjuterin tuaj, instalimin e viruseve, të mini-softuerëve të cilët mbledhin të dhënat tuaja, shfrytëzimin e IP adresës suaj për nevoja të tyre, si dhe plaçkitjen tuaj. Ata shfrytëzojnë çdo mënyrë për tu bërë veprues, qoftë ajo përmes të kënaqurit tuaj ose përmes nxitjes së ndjenjës së keqardhjes. Tani janë ndryshimet politiko shoqërore në vendet islame që shfrytëzojnë manipuluesit, që në mesin e ofruesve të lajmeve të shtojnë edhe rrënjë manipulimi përmes së cilëve realizojnë fitimet e tyre. Ndër format më të përhapura në Facebook janë : 1) shih këtë video (fillimisht bëje “Like”, pastaj mund të e shohësh), 2) s’po më besohet çfarë pashë, 3) shih kush ka vizituar profilin tuaj, 4) këtë ua ka dërguar filani, 5) nëse i jepni “like” i ndihmoni, 6) ndihmoni me pak para se ka kancer, 7) luani lojën pa pagesë, 8) testoni IQ tuaj, 9) u përgjigja për ty, 10) edhe ti je në foto, 11) bashkohu në këtë grup/faqe për të bërë peticion të shpëtojmë …, 12) nxitje për kontakt seksual/takime personale.
Si të mbroheni: Kini kujdes nga faqet dhe porositë e pa njohura qoftë edhe nëse u vijnë nga miqtë tuaj. Shumica nuk e kanë idenë se çfarë janë duke bërë dhe vetëm klikojnë nëpër nyje. Mos t’u mbysë edhe juve kurioziteti siç i mbytë plotë. Nëse e keni bërë “Like” një faqe të tillë, largohuni sepse ata vazhdimisht dërgojnë porosi të tilla. Shteti, feja, populli nuk ndihmohen me “LIKE”, por me veprime konkrete. Nëse kërkohet ndihmë atëherë duhet të vërtetoni personalitetin e kërkuesit, përndryshe të largoheni dhe të mos klikoni mbi ato nyje. Të gjithë titujt „interesat“ janë mashtrime. Mendo, gjithnjë kur sheh një titull interesant, ngacmues, është mashtrim, mashtrim, mashtrim. Kapakun ia vë nëse kjo nyje kërkon të e pëlqeni faqen (të e bëni LIKE). Kur e shihni këtë porosi i thoni JO dhe largohuni nga ajo faqe.

Mashtrimet ne eBay – janë bërë të përditshme meqë tregu është i madh dhe tregtuesit janë në nivel ndërkombëtarë. Pa keqkuptime eBay është një treg i pasur, por unë preferoj tregje lokale, brenda një shteti të caktuar. Unë kam paguar për mashtrues në eBay. Shumë njerëz gjithashtu kanë paguar në eBay produkte dhe asnjëherë nuk kanë pranuar ato produkte. Zakonisht produktet që shiten nga larg me çmim normal, por me kosto të ulëta dërgimi dhe produktet me çmime shumë të ulëta janë produkte që i ofrojnë mashtruesit qoftë në kualitet qoftë edhe vetëm të u rrëmbejnë paratë. Mashtrime tjera të ngjashme janë blerja e produkteve të ngjashme një të mirë e një të prishur. Mashtruesi blen produktin tuaj dhe një të prishur si ai dhe pastaj kërkon t’i ktheni paratë meqë produkti është prishur gjatë dërgimit, përndryshe do u votojë negativisht dhe eBay u mbyll llogarinë. Ju i ktheni paratë, ai u kthen produktin e prishur dhe mban tuajin i cili në të vërtetë është në rregull. Mashtrim tjetër i njohur është në hapësirën e shitjes së veturave ku ofrohen vetura me çmim të caktuar me një depozitë të caktuar të cilin mund të e paguani që shitësi i veturës të mos e shesë veturën pa shkuar ju të e shihni. Ky është mashtrim. Pagesa e depozitit është plaçkitje që nuk mund të e ktheni më, meqë shitësit e tillë zakonisht as që e posedojnë veturën. Lloji i tretë i mashtrimit në eBay është për shfrytëzuesit e shpeshtë. Nëse keni rënë preh e një përcjelljeje të aktiviteteve në eBay, atëherë mashtruesit do të shfrytëzojnë rastin të u dërgojnë porosi në postën tuaj duke u njoftuar se keni llogari të pa paguar në eBay të cilën duhet të e paguani brenda një afati të caktuar. Ky është mashtrim, por porosia mund të duket komplet e stilit origjinal që eBay u dërgon në raste të zakonshme.
Si të mbroheni: Gjatë shitjes së produktit shkruani që akti i shitjes merr fund me shitjen dhe nuk ka kthim të produktit ose sugjeroni që blerësi të blejë sigurim nga ndonjë kompani për mbrojtjen e produktit. Gjatë pagesës dhe pas pagesës së produkteve keni kujdes se kujt i paguani, si i paguani dhe kujt keni mbetur pa paguar që të mos u paguani mashtruesve.

Nxitje të keqardhjes – janë rezultat i shumë ndodhive në botën e cila na prekë shpirtërisht. Fëmijë të vrarë, gra të përdhunuara, burra të masakruar, jetimë. Uri kudo, skamje sa të duash, mashtrim sa të duash. Kjo është situatë e frytshme për mashtruesit të cilët u dërgojnë posta ku përshkruajnë ngjarje të dhimbshme të cilat mund t’i zbusni nëse ndihmoni me një sasi të caktuar monetare. Fundja nëse nuk keni mundësi financiare, atëherë shpërndani këtë porosi. Në këtë rast ju jeni bërë pjesë e zinxhirit mashtrues ku nuk përfitoni asgjë, por nga vullneti i mirë ndihmoni mashtruesit.
Si të mbroheni: Mos dërgoni para përmes internetit, sepse ata që kanë aq halle nuk kanë kohë të rrinë në internet dhe të dërgojnë porosi anë e kënd botës. Nëse u vije keq për një ngjarje të caktuar, mund të përçyrreni pak, të i fshini lotët dhe të e grisni porosinë, por mos ua dërgoni miqve tuaj. Nëse ua doni të mirën miqve tuaj, mos u thoni se nëse nuk e shpërndajnë këtë porosi do u ndodh diç e keqe ose s’janë njerëz të mirë sepse në këtë rast ju jeni ai i keqi që ndihmon të keqen.