Nga elementet karakteristike që has çdo ditë nëpër media qofshin ato tradicionale gazeta, televizioni e radio, ose moderne si ato elektronike të formave të ndryshme janë vjedhja e materialeve, ose “trajtimi” i çështjeve shkencore pa mos pasur nevojë për shfrytëzimin e referencave.
Të arsyetoj këtë gjendje si pasojë e mosinformimit ose pamundësisë për informim është disi poshtëruese për mua si trajtues i kësaj tematike, në një kohë në të cilën çdo i dyti pretendon të e njohë gjuhën angleze “ujë”. Andaj, s’më mbetet tjetër vetëm të pohoj se vjedhësit e materialeve, të njohur si plagjiatorë, nuk janë të interesuar të punojnë artikuj shkencorë në një kohë që kanë nevojë të mbushin programet e tyre me ato, kështu që thjeshtë i vjedhin ato.
Ajo që në këtë rast duhet të kini parasysh, të nderuar hajna, është që efekti përfundimtar i aktit tuaj duhet të përfundojë me mos kapje, gjë që është shumë e vështirë në ditët e sodit. Pra, duhet të gjeni rrugë që në fund punimi të figuroj i juaji dhe të mbetet i juaji përgjithmonë.
Në vazhdim do të paraqesim disa nga karakteristikat kryesore që ju duhet pasuar për të arritur efektin përfundimtarë pozitiv për ju:
- Karakteri – fillimisht ju duhet të keni karakter shumë të dobët ose të prishur në atë masë që të mohoni mundin dhe punën e të tjerëve që me një ftohtësi të plotë të përvetësoni punën.
- Edukimi – nuk është patjetër të mos jeni i edukuar, me rëndësi është edukimi juaj nuk ka arritur efektin e duhur
- Motivimi – ju duhet të motivoni veten më shumë drejt vjedhjes se sa drejt punës me karakter shkencorë, kështu që nuk keni nevojë të mësoni gjëra të reja dhe të mbushni kokën tuaj me shkencë kur ka kush bënë këtë për ju.
- Autoritetet – para vjedhjes së punimit duhet të mundoheni pakë duke analizuar personalitetin dhe historinë e autoritetit i cili u kërkon punimin. Nëse autoriteti është vetë hajn, atëherë jeni përputhur dhe nuk keni nevojë të mërziteni. Mirëpo sukses mund të keni edhe nëse autoriteti ka edukim të vjedhur gjë që e bënë aq të mençur sa të lidhë këpucët e veta dhe nuk duhet të frikoheni nga kapaciteti shkencorë i tij.
- Gjuha – varësisht nga autoriteti, madje edhe nëse jeni ju, ju nuk keni nevojë të mundoheni të përktheni që të vidhni, por mund të vidhni nga shqipja sepse dert nuk do të keni
- Këmbëngulësia - është një element që duhet trajnuar në qoftë se plani nuk u shkon si duhet, pra ju duhet përpiluar strategji për vetëmbrojtje duke sulmuar autorët e punimeve dhe duke i nënçmuar ata për reagimet e tyre për një punim shkencor. Madje strategjia më e mirë është që ju t’i përkujtoni ata se ju i keni llogaritur si njerëz të mençur në një kohë që ata nuk ju lënë rehat me punën tuaj.
Suksese në vjedhje!