Me rastin e riatdhesimit të eshtrave të rilindësit dom Nikollë Kaçorri, në katedralen e Shën Luçisë në Durrës është mbajtur një meshë, ku ka marrë pjesë edhe kryeministri Sali berisha dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Dom Nikollë Kaçorri ishte një ndër personalitetet që firmosi pavarësinë e Shqipërisë, nënkryetar i qeverisë së Vlorës dhe protagonist kryesor i zhvillimeve kulturore dhe politike me peshë kombëtare. Ai ishte pjesëmarrës edhe në Kongresin e Manastirit, ku u përcaktua alfabeti i gjuhës shqipe.
Eshtrat e tij u kthyen në atdhe pas 94 vjetësh. Gjatë fjalës së tij, Berisha shprehu nderimin dhe mirënjohjen e tij ndaj Dom Nikollë Kaçorrit. "Ai u përket atyre burrave, të cilët dhanë për këtë komb dhe për këtë vend, më shumë se kushdo tjetër, dhanë për mëvetësinë, lirinë, dinjitetin e tyre. Imzot Nikoll Kaçorri, shndërroi dioqezën e tij jo vetëm në një kështjellë besimi tek Krishti dhe zoti, por në një kështjellë besimi të pathyeshëm, tek flamuri dhe Shqipëri. Asgjë nuk ishte e rastësi, sepse ky qytet, mijëra vjeçar u përzgjodh për tu valëvitur flamuri i pavarësisë, kjo sepse flamuri kishte këtu flamurtarin e pamposhtur, kishte këtu Dom Nikoll Kaçorrin".
Berisha e quajti dom Nikollë Kaçorrin arkitektin e qeverisë së parë të shtetit shqiptar të pavarur. "Themeluesi i pavarësisë dhe kryesuesi i qeverisë së parë së bashku me Ismail Qemalin, do të detyrohej të largohej të mërgonte në Vjenë. Atje i ra një sëmundje e rëndë, thuhet se ishte kancer, por atë nuk e mposhti kanceri. Më të rëndë se kancerin, më të rëndë se çdo gjë, ai kishte brengën e madhe për kombin dhe vendin. Shqiptarët në 2/3 e tyre lëngonin të pushtuar nga fuqia armike të tyre. Dhe jo se ata nuk luftuan, ata luftuan për bashkimin e trojeve të tyre, për bashkimin e kombit të tyre, por sepse fuqitë më të mëdha ushtarake të botës u përdorën barbarish kundër tyre në mënyrë që fqinjët të mund të vendosnin pushtetin e tyre".
Në vijim të fjalës së tij, Berisha shtoi: "Bashibozukë, mercenarë, antishqiptarë, nën flamurin rroftë baba poshtë shkaba, do ta zhysnin vendin në kaos. Shqipëria do të hynte në një përpëlitje tjetër të madhe, për t'i shpëtuar ambicieve lakmitare, lakmive të papërmbajtura të fqinjëve për copëtimin e saj, ndaj dhe një nga themeluesit kryesorë i pavarësisë vdiq me një brengë të madhe për vendin e tij".
Kryeministri u shpreh krenar për faktin s Dom Nikollë Kaçorri sot kthehet "në një vend, i cili është vend anëtar i NATO-s ashtu siç edhe e kishte projektuar ai".
"Sot kthehet i lumtur në tokën e tij, sepse shqiptarët janë të lirë, sepse Kosova është e lirë, sepse shqiptarët kudo janë të lirë. Natyrisht, sot na del para ndonjë Haxhi Qamil, sërish bërtet rroftë baba, por këto janë don kishotër të historisë. Hapin tonë, vullnetin tonë, vendosmërinë tonë për të ecur drejt Europës, nuk do të mund ta pengojë asgjë. Dom Nikoll Kaçorri është një burim frymëzim i madh për Shqipërinë dhe shqiptarët në këtë rrugë", përfundoi ai.