2011-03-07

Bisedë me ish mësuesin e burgosur për 24 vjet rresht, tepelenasin e nderuar z.Daut Gumeni




...Nuk e dëshmojnë dot atë që kanë parë, sepse kanë parë aq përçudnime të racës njerëzore, sa nuk flasin dot.” pohon gjatë bisedës, Z.Gumeni.

   Bisedoi Kozeta Zylo


            Në prag të festës kombëtare te 7 Marsit, sot po sjellë pranë jush një nga mësuesit e persekutuar të regjimit diktatorial z.Daut Gumeni, i cili u arrestua në moshën e rinisë dhe vuajti dënimin më makabër për 24 vjet rresht, deri në vitet 90, vit ku po frynin erërat e demokracisë dhe shumë të burgosur u liruan nga prangat e diktaturës.  Eshtë poeti që shkruajti me zemrën e cila rri e qesh me dritë loti, fatin e bën vetë i zoti…
Duke biseduar me dhimbje me ish mesuesin e burgosur tepelenas z.Gumeni do t’i lutesha parlamentarëve shqiptarë që nëvendin tim të caktohej dhe një ditë: ”Dita e mësuesëve të persekutuar...” në nderim të tyre, ata meritojnë më shumë se kaq...
Z.Gumeni është shkrimtar, përkthyes, publicist, analist, diplomat.
Disa nga botimet e tij janë:

Botimet:
           -      ”Legjendë Lirie” 1993-vëllim me poezi
           -      ”Kënga e Zezakut të Bardhë” 1994-vellim me poezi
           -       ”Vallja e Etjes” 1996 – vellim me poezi
           -       ”Udha e Endrrës” 1998 – vëllim me poezi
           -       ”Mulliri i harruar”, tregime,  2007

-Përkthimet:
    
         ”Epoka e Ekstremeve”    (“I Rrëmbyeri Shekulli i Njezete”)-
                        nga Erik HOBSBAUM
         ”Udha drejt Skllaverisë” – nga Fridrich HAYEK

        ”Mendime mbi Revolucionin Francez”2007,nga Edmund BURKE
                         
       ”Mbrëmje në pyjet me bore” –2007, përmbledhje poetike –përkthime
           nga poezia botërore                                           
       ”Në kërkim të kuptimit të jetës”, V.FRANKL, 2007
       “Si veprohet në një projekt shkencor” J.BELL, 2008


Z. Gumeni, kur jeni arrestuar dhe cilat ishin motivet e arrestit?

Pasi ndjekja e Sigurimit m’u bë aq e hapët dhe nuk dukej rrugë tjetër, u nisa të arratisesha dhe përfundimisht u arrestova në kufi më 27 qershor 1967, tok me kushëriun tim, të ndjerin Dervish Gumeni. Nje nga arsyet qe e bëri më të ngutshme këtë kuturisje, ishte se e mora vesh që shkrimet e mia qenë konrtrolluar dhe raportuar nga të ngarkuarit e Degës së Brendshme.
Dihej pastaj se ku përfundoje me denoncime për shkrime të tilla kundër regjimit të kohës.

Kam dëgjuar se ju kanë bërë një “gjyq të hapur” në Tepelenë dhe dëshmitarët e atij gjyqi, njëri prej tyre 83-vjeçari B.Gjoni, thotë se keni mbajtur një qëndrim burrëror, si e kujtoni atë ditë të kobshme?

Ndoshta e keni fjalën për dënimin e dytë, që më dhanë në vitin 1970, kur arrestuan dhe vëllain tim, të ndjerin Izet Gumeni. Nuk qe një ditë, por dy ditë gjyq dhe ishte organizuar të zhvillohej me ftesa nga pushteti i kohës, ndoshta për të bërë një shembull që duhet të trembte, si ata që qenë kundër regjimit edhe besnikët e tij. Madje  nisur nga ajo mënyrë organizimi, më duket se ai lloj gjyqi “shëmbullor” synonte të trembte më shumë pasuesit e regjimit se kundërshtarët e tij aq të heshtur e aq të rralluar nga dhuna shtetërore, që po hynte në dekadën e saj të tretë.
Nuk e di sesi e mbajnë mend ata që qenë thjesht spektatorë të asaj maskarade, që më dënoi për herë të dytë sepse duhej bërë sa më i besueshëm dënimi që po i jepnin vëllait tim të madh, për një akuzë që ishte dënuar dikur nga po i njëjti regjim. Prandaj dhe them se ridënimi im dhe i kushëriut, Dervishit, ishte më tepër për të bërë sa më bindës një dënim absurd ndaj tim vëllai, Izetit.
Përsa i përket qëndrimit tim, do të ishte më mirë që për atë gjë të pyeteshin pjesëmarrësit e shfaqjes dhë jo unë vetë. Fakt është që atë qëndrim ma kanë përmendur të gjitha strukturat e regjimit gjatë vuajtjes së dënimit dhe ma kanë sjellë gjithnjë si një “provë”se isha “një armik i betuar i pushetit popullor” – për të cituar gjuhën e drunjtë të asaj kohe të rëndë, kur populli ishte trembur aq shumë nga lemeritë e dhunës shtetërore sa dukej sikur, tok me kurajon qytetare, kishte humbur dhe arsyen.
Sa për të lehtësuar disi humorin e lexuesve tuaj të nderuar, po ju them një fakt tepër të çuditshëm, që më ka ndodhur këto vitet e fundit:
Ish-prokurori i atij gjyqi më ka dërguar të fala e madje më ka uruar dhe shëndet e jetë të gjatë, sipas tij, si “kudërshtari më dinjitoz që paska dënuar në karierën e tij të gjatë prej prokurori komunist”…
Sa për vete time, mund t’ju pohoj me krenari se kam njohur të dënuar politikë nga të cilët kam mësuar të qëndroj më këmbë e të qëndroj gjithnjë me të mirën në zemër, po aq sa më kanë mësuar për këtë gjë dhe prindërit e mi të mirë. Më duket se një shkrimtar i njohur Italian, që bëri disa vjet burg në kampet naziste, e ka thënë më mirë se cilët janë dëshmitarët e vërtetë të atij ferri.
Nëse mund të them përafërsisht përcaktimin e tij, do të ishte ky:”Të gjithë ne që flasim për atë ferr, më duket se nuk jemi dëshmitarët e vërtetë. Ata që e prekën me dorë Gorgonën, mbetën aty përjetë. Ata që bëjnë sot zhurmë të madhe për atë kohë, nuk janë dëshmitarë të besueshëm, sepse e kanë shkrehur çarkun me bisht…Por as ca të paktë që nuk patën ndihmën e bishtit, sikundër jam dhe unë, nuk e dëshmojnë dot atë që kanë parë, sepse kanë parë aq përçudnime të racës njerëzore, sa nuk flasin dot.”…

Në takimin që patëm në Tiranë, ju më përmëndët Çelo Arrëzën, ish-komandant i burgut, dhe unë u impresionova për cilësitë e tij të vyera të përshkruara aq realisht nga ju. A mund të më thoni diçka për të?

Kam pasur dhe kam bindjen se vlerat njerëzore janë aq të fuqishme e universale, sa nuk bëhen dot pronë vetëm e një pale. Këtë bindje ma bëjnë përherë e më më të fortë dhe shembuj burrërie si ai i Çelo Arrëzës, ish-komandanti im i kampit të përqëndrimit të Spaçit.
Më arrestuan për herë të dytë, sepse kishin arrestuar vëllain tim të madh, Izetin, sikurse kishin arrestuar përsëdyti edhe kushëriun tim, Dervishin, që uroj për të dy bashkë të prehen në paqe!
Po ecnim përroit të Rrepsit me gazin e zi të arrestimeve, që kish dërguar Sigurimi. Dy shoqëruesit e mi nga Hetuesia e Përgjithshme më kishin lidhur mirë dhe gazi i zi po ecte sikur të digjte jo vetëm benzinën por edhe gëzimin e kuadrove të “armës më të dashur të popullit e të Partisë”, ngaqë kishin arrestuar dhe një armik më shumë. Befas na del përpara gazi i komandant Çelos dhe ai u kërkoi hetuesve të ndalonin. Pas një diskutimi me zhargonin e atij dikasteri, njëri nga hetuesit i ra shoferit në krah që të ndalonte dhe ai ndaloi gazin e zi.
Dëgjoja të bërtiturat e kolonelit plak dhe m’u duk vetja në një botë tjetër, Në një botë ku njeriu është thejsht njeri dhe ku për të mbetur njeri nuk ka nevojë për tjetër gjë, veç vetëdijes për të qenë njeri edhe në ditë të rënda.
“Ku e shpini djali?- po bërtiste koloneli  arrëzjot – E kam njeriun më të mirë në 1200 burra, çfarë ka bërë djali që e merrni prapë e unë nuk di gjë? Ç’jam unë, more batakçinj, që vini e më merrni njeriun në mes të ditës pa më thënë gjë fare? Nuk jam dhe unë i këtij pushteti e i kësaj partie? Çfarë ka bërë djali?”…
Nuk do ta harroj dot kurrë atë britmë të kolonelit plak, me të cilin nuk kisha folur as kur vinte në frontin e galerisë për inspektim. Dhe nuk kisha folur se, duke qenë të dy tepelenas, nuk doja që spiunët e shumtë ta denonconin dhe komandant Çelon për “zbutje të luftës së klasave”…
Ja pse kolonel Çelo Arrëza më kujton gjithmonë markezin Lantenak të Viktor Hygoit…

Në prag të ditës së 7 Marsit, si ish-mësues, por që diktatura nuk ju la ta ushtronit këtë profesion sepse ju burgosi, çfarë do të kujtonit nga koha që shërbyet në atë profesion?

Kanë qenë ditët më të bukura dhe më të shpërblyera të jetës sime. Them më të bukura, se nxënësit i kam dashur dhe, kur janë të bidnur që i do, nxënësit janë aq zemërgjerë sa të falin dhe mangësitë që mund të kesh si profesionist i ri. Por, kur them që janë ditët më të shperblyera, dua t’i falënderoj ish-nxënësit e mi kudo që janë dhe t’i falënderoj më gjithë zemër për dy dhurata të papritura që më kanë bërë me atë bujari që e kanë vetëm njerëzit e moshës së tyre, njerëzit që nuk kanë pasur ende kohë të mendojnë dhe keq për të tjerët.
Dhurata e parë më erdhi prej tyre pikërisht në prag të 7 Marsit të viti 1967. Edhe në shkollën e mesme të bashkuar (siç quhej atëherë) të Tepelenës kishte plasur një zell i madh midis mësuesve për “të zbatuar direktivat e Partisë pëmbi revolucionarizimin e shkollës” në bazë të njëfarë “trekëndëshi” që e futi në trekëndësh procesin e natyrshëm mësimor dhe nisi rrënimin e shkollës së mirëfilltë.
Ishte gazeta e tretë e Partisë që shkurante kundër meje me emër e me mbiemër, por këtë herë shumë më egër e më hapët, duke më akuzuar se isha “kundër revolucionarizimit të shkollës dhe mësimeve të shokut Enver”… Ishte një rrufe që nuk linte asnjë dyshim se po vinin rrotull të më bënin “mish për autoburgun”…
Kolektivi nisi mbledhjet e gjata për të analizuar artikullin e shkruar me pseudonim nga një aktivist i tacibaove, por edhe një përgjigje timen që e vara në këndin e gazetës së mësuesve, ku i kërkoja pseudonimit të dilte hapur e të dëshmonte se ku i kish dëgjuar ato për të cilat më akuzonte në gazetë. Se sado që nuk kishte njeri normal ta donte vërtet atë lloj regjimi, prapë nuk mund të të shkonte ndër mend që të luftoje hapur me Partinë dhe “udhëheqësin që ndriçonte botën”, por që kishte harruar të ndizte një qiri për lirinë dhe për njeriun në vendin e tij…
Ditën e dytë të mbledhjeve të gjata të gjimnazit, mbledhje që u bënë gazi i qytezës, nën derën e sallës së mësuesve filluan të hidheshin ca fletë letre ku shkruhej me atë thjeshtësinë e nxënësve:”Jemi me professor Dautin!”
U detyrova të shkoja nëpër kalsa në një pushim të mbledhjes së pambaruar dhe t’u kërkoja nxënësve të mi të mos hidhnin më nga ato letra nën derën e sallës së mësuesve dhe i falënderoj që më dëgjuan, sikurse nuk do ta harroj kurrë atë dhuratë të papritur që më bënë ata nxënës në ditë aq të vështira për mua.
Kurse dhuratën e dytë nxënsit ma bënë po aq të bukur e po aq të papritur: Në dy ditët e gjyqit të dytë në Tepelenë, pavarësisht nga të gjitha format që përdori pushteti i kohës për t’i bindur që të ngriheshin e të flisnin në gjyq kundër ish-mësuesit, tashmë “armik të betuar të popullit, të pushtetit e të Partisë”, nuk pati asnjë që ta dëgjonte atë kërkesë të regjimit. Dhe ndoshta nuk pati, jo se e kuptonin që ish-mësuesi i tyre kishte të drejtë, pasi midis atyre nxënsve të mirë kishte dhe fëmijë kolonelësh të Repartit të Ndjekjes e të Degës së Punëvë të Brendshme, por se e dinin mirë që mësuesi i tyre i matematikës i kishte dashur dhe i kishte dashur jo vetëm nxënës të mirë por dhe njerëz të mirë.

Nga shoqata e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, ju keni njohur kryetarin e saj, z, Dalan Luzaj në moshën e rinisë, cilat janë kujtimet me të?

Z.Dalan Luzaj e kam njohur kur ishte emëruar arsimtar i ri në zonën e Buzit (në mos gaboj) të Tepelenës. E kam njohur rastësisht në hotelin e vjetër të qytezës së Ali Pashës dhe mësova cili qe nga drejtori i atij hoteli, i cili e kishte lënë pa dhomë. Nuk se ishte aq i keq drejtori i vjetër i hotelit, por më tha gjithnjë me shaka: “Po ti, ballisti i Gusmarit, doemos që do bëhesh merak për atë të birin e komandantit të Ballit! Nuk ka vend hoteli i Partisë për ballistë?” Drejtori i vjetër doemos që po bënte shaka dhe djali simpatik i filozofit të madh shqiptar u regjistrua në një dhomë, pa e marrë vesh se një shok i tij vlonjat më pati thënë edhe që kishte mbetur pa dhomë edhe që ishte arsimtar i ri në Buz.
Nuk u takova më me Dalan Luzajn dhe u gëzova shumë kur mora përgjigje prej tij ca ditë më parë me një e-mail. I uroj shendet atij dhe vellait te tij Kujtimit që kam njohur në burg, i uroj gjithë të mirat atij dhe gjithë shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, sikurse uroj që të vijë dita të botohet e plotë vepra mdhore e filozofit tonë Isuf Luzajt, se është një vepër për të cilën ka shumë nevojë kultura jonë kombëtare.

Në kohën e demokracisë ju keni ushtruar dhe detyrën e diplomatit, cilat janë mbresat tuaja dhe a vazhdoni të keni lidhje me ambasadat ku punuat?

Kam punuar gati gjashtë vjet në diplomacinë e vendit tim dhe jam përpjekur të bëj më të mirën, pa mëtuar që të bëj malet bashkë. Mendoj se diplomacia jonë ka nevojë të madhe për profesionalizëm dhe përkushtim atdhetar, dy cilësi që më duket se vijon t’i dëmtojë militantizmi politik. Diplomacia më e mirë për Shqipërinë e tranzicionit të pambaruar, mbase do të ishte shtimi i investimeve të huaja dhe tok me to shtimi i miqve të Shqipërisë e të Kosovës së pavarur. Për më tepër mbase duhet të flasin diplomatët e karierës.

Ju jeni dhe shkrimtar i mirënjohur, dhe veprat më cilësore e më të bukura i shkruat brenda hekurave të burgut, si i realizuat ato?

Nuk e di sa i mirënjohur jam si shkrimtar dhe as sa të bukura janë për të tjerët ato që kam shkruar unë, por di mirë që letërsia ka qenë dhe mbetet një nga bukuritë e rralla të kësaj bote e që ma kanë bërë gjithnjë jetën më të durueshme, në mos jo gjithnjë më të bukur. Kam shkruar e shkruaj ende, por kohët e fundit më marrin më tepër kohë përkthimet. Mënyra sesi realizohen shkrimet, them se është e pandarë nga natyra e autorit, pavarësisht nga rrethanat ku shkruan. E bukura dhe e mira i kanë frymëzuar përherë të gjallët edhe në fund të ferrit. Mjafton të besosh me zemër tek e Bukura dhe tek e Mira.

Ju keni një poezi për figurën e madhe të kombit, për Ali Pashë Tepelenën, ju frymëzoi si tepelenas apo si shqiptar?

Ju vetë thoni se Ali Tepelena është një firgurë e madhe kombëtare, ndaj nuk ka nevojë të jesh doemos tepelenas për të shkruar për të dhe historinë shqiptare të kohës së tij. Nuk e di se kush mund të rreshtohej pas heroit tonë kombëtar, Skënderbeut të madh, të renditej si një figurë që të ketë lënë më tepër gjurmë në historinë shqiptare të kohës së vet. Ali Tepelena është ndoshta vërtet ashtu sikundër i thonë autorët e shumtë europianë të kohës së tij – një Bonopart Mysliman. Mjafton kaq, për të qëndruar i paharruar në faqet e historisë shqiptare e jo vetëm.

Cilat janë personalitetet e kulturës me të cilët ju mbanit lidhje gjatë jetës mizore të burgut?

Lidhjet me të gjallët përtej mureve të burgut, ishin të ndaluara në kohën e diktaturës komuniste shqiptare. Madje periodikisht (kur binte shi në Vietnam, për shembull…) ndalohej dhe komunikimi me personalitetet e ikur nga kjo jetë, sepse ndalonin shumicën e veprave të tyre.
Po doni të thoni për lidhjet me personalietet e burgosura nga regjimi, ata janë të shumtë dhe druaj se nuk i merr një intervistë e tillë, nuk i merr të paktën për nga madhështia dhe nga vetmohimi që tregonin në kërkim të lirisë. Sepse madhështorë qenë edhe ashtu të drobitur e në teshat e vjetëruara të burgut Patër Mushkalla e Sami Dangëllia, Dom Nikollë Mazreku e Niko Mali, Nesim Shehu e Patër Gegë Luma, Ahmet Hoxha e Marash Nika, Andrea Valera e Dom Simon Jubani, Skënder Alia e Ahmet Hoxha, Mihal Kikli e Zihni Dervishi, Dom Noc Nika e Kosta Dhimaleksi e Luan Koka me shokë të shumë, për të përmendur vetëm fare pak prej tyre, gjithnjë duke u kërkuar falje të gjithë atyre që nuk i përmenda, pasi të gjithë ata meritojnë shumë më tepër se përmendjen në një intervistë, sepse janë pjesë e historisë të një populli të tërë në luftë për liri e dinjitet njerëzor.

Keni menduar ndonjëherë të hidhni kandidaturën për deputet, që të mund t’i thoni mendimet tuaja e t’i ngrini problemet e vendit nga foltorja e Kuvendit?

E kam provuar një herë vetëm për t’u dalë borxhi qytetarëve të zonës sime dhe, duke qenë se nuk bëj pjesë në asnjë parti politike, mora vetëm “medaljen e bronzit”… Pa parti dhe pa mundësi monetare, në këtë tranziconin tonë të gjatë është e vështirë, në mos e pamundur, të zgjidhesh deputet.  Sepse ende politikës sonë të trazicionit nuk i është mbushur mendja të pranojë zgjedhje vërtet të lira e të ndershme. Më duket se nuk do të kem kohë të pres sa të pranojë politika jonë zgjedhjet e lira si gjithë bota demokratike, kështu që jam i shpëtuar nga telashet e deputetit. Kjo nuk do të thotë që do të hesht e nuk do të shkruaj më publicistikë. Mund të kem mjaft mungesa, si të gjithë të vdekshmit e kësaj bote, por detyrën e qytetarit e kam kryer mirë qysh kur kam njohur veten dhe nuk besoj ta braktis tani që po më troket pleqëria.

A mendoni se një ditë trojet shqiptare do të bashkohen në Shqipërinë etnike?

Mendoj se është gjëja më e natyrshme që mund të ndodhë. Madje mund dhe të kishte ndodhur me kohë, po qe se politika jonë do të kishte më tepër përkushtim atdhetar e jo vetëm pushtetar. Mbase do nxjerrë dhe një ligj që njerëzit e ngarkuar me detyra të larta shtetërore, duhet të jenë jo vetm vetë me kombësi e shtetësi shqiptare, por duhet të kenë dhe gratë e tyre më kombësi e me shtetësi shqiptare. Kur Bajroni thoshte se “në këto treva jeton raca më e bukur e botës”, nuk më duket aq e përligjur dhe ca më pak e matur martesa e drejtuesve tanë politikë me gra të huaja…

Tiranë, më 26.02.2011

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...