2011-03-06

Cikël poetik nga Rraif Gashi




Rraif Gashi lindi  më 20.03.1961 në fshatin Meshinë, Malësia e Gallapit, komuna e Dardanës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe në Tygjec, ndërsa shkollën e mesme në Dardanë. 

Studimet e filluara në Prishtinë iu ndërprenë në vitin 1981, për shkak të angazhimeve në rezistencën kombëtare kundër okupimit serb. Me shkrime letrare filloi të merret qysh si nxënës i shkollës së mesme.

 Kryesisht shkruan poezi e herë pas herë edhe prozë. Disa herë është shpërblyer në konkursin letrar tradicional që e organizojnë komuna e Dardanës dhe klubi letrar “Nositi”, në kuadër të manifestimeve multikulturore “Lulëkuqet e Prillit”.

Punon në MPB në Prishtinë në sektorin e Furnizimit(Logjistikë të MPB)

Veprat letrare:
1. “Çiltërsia prej qelqi”, 2005,
2. “Mollë e egër”, 2008,
3. “Ecje nëpër etje”, 2010.

Etj.

Jeton dhe vepron në Prishtinë.

KUSH...

Thepa të larta
ngreh në Evropën plakë
gjithmonë rrugë pa krye
kohët erdhën e shkuan
shtëpi me kalem s`ndërtuam

aty u mpreh shpata
për kokën e Sutës së vogël
aty u fik drita
e ti gjete të reja
në epokat trishtuese


AH GURI IM

Pështjellim i terratisur
Derdh ecje në etje
Kalorësi i lakmisë
Qeshet në udhëtimin e pafund
As emër
As shenjë

Shushullima e mpirë
Vargon gdhendjen e gurit tim


NUMRI I SHPRESËS

Një llambë neoni
mundohet të na ndriçojë

Pranë neonit telefoni
ku mund të thërras
numrin e lajmit numrin e shpresës
alo alo alo
numër i netëve të pakaluara

Këtu në këtë varr refugjatësh
e dhunuar
qan lumturia


THE SE IKE

Mesditë pa dritë
dhe si ike natë pa ne

The se ike
pa lindur dita
nata pa të parë
..................
The se do të kthehesh
ballëlartë
o ëndrra ime
baladë e gjatë


99 NËNAT

Në afërsinë kurbetçare
lumenjtë u tërbuan
orteku vinte nga kodra
...................
Hipa në kalë të bardhë
i menduar si në përralla
nesër çka do të vijë
... ...............
Dreqi doli në majë të kodrës
piu qumështin e mushkës së vogël
u vendos në prag të vatrës


MOLLË E EGËR

Çdo ditë
Pa dritë
Erë të vdekurish
Pluhur i njëjtë
Një përsëritje tokësore

Çdo natë
Terr i gjatë
Me nga një a dy të ngratë
I larë a i palarë
Po shkon
Vetëm me një lot


BRICAKU

Gur i bardhë bricak
Llavë vullkani të mbuloi
tërmetet t`i lëkundën themelet
e sot e shumë shekuj
balt nuk u bëre

Gur i bardhë bricak
zjarri të dogji në çdo dekadë
nuk u fike as sot
as sot e shumë mot
gjaku i derdhur
në bricak të kaliti

Gur i bardhë bricak
u fërkove
u tkurre
u thërmove
kurrë nuk u fundose
as sot
as shumë mot
baltë nuk u bëre
qëndro gur i bardhë
bricak


MAJA E PLISIT

Mbrëmje qielli kuqëloi
dielli perëndoi
nata afrohej
të gjithë do të  flinin
një lenë e lisit ra
në maje të plisit

Engjëjt bien të pushojnë
lojëra lozin vetëm djallëzitë
lindja e keqe po vjen
mushka do të pjellë
një lenë e lisit ra
në maje të plisit

Kur ka hënë
huti diç do të hajë
një lakuriq nate
me lëkurë të hollë
me sa më pak zorrë
një lenë e lisit ra
në maje të plisit

Baba plisbardhi
tashti luhet zjarri
vdekjet kurrë s`do t`i numërojnë
ilirikumi në zjarr
kurrë më lena e lisit
në maje të plisit


BARDHËZA IME

I gëzuar ta prita lindjen dritë
pa gëzim simbol trimërie
Bardhëz ike
të prita me ditë e shkoi një vit
ike pa kthim Bardhëza ime
unë babai yt ta pres rritën
edhe fustan të kam blerë

Pse
pse shkove
Bardhëza ime
sot një vit
365 ditë të zeza

E imja Bardhëz
je bërë e madhe
9 gusht 1992
shkrumb në jetë
sorkadhe


20 MARS

Po afrohet dita e madhe
një kasollë po bie
e flakë po digjet
hi në të u bëfsha
hiç s`e kam dert

atë ditë kur aroma
e lules së parë të vijë
e dimrit lamtumirë t`i themi
ikjen do ta kemi
edhe unë bashkë me ty 20 mars

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...