Në kortezhin e poetëve, që s’janë midis nesh, por që kanë lënë gjurmë të pa shlyera në vend dhe në kohë me përvojën, përjetimet dhe shtegtimet e tyre kreative e poetike, janë shumë autorë. Ata bëhen dëshmi jete të traditës sonë, për të na kthyer kujtesën nga harresa në magjinë e shkathtësive të fjalës së bukur. Ata janë vula vlerash kohore, pa të cilët nuk rrugëton e tashmja dhe e ardhmja jonë. Në këto gjurmë veprimesh e sakrificash rrezaton në praninë e pasardhësve me testamentin e vargjeve dhe “këngëve pa djallëzi” edhe liriku, Mustafa Laçi. Ai mbetet poeti i fiksuar në kujtesën tonë me përzgjedhjen e fjalëve të shartuara e kultivuara me kujdes nga koha në kohë në rrashtën e jetës. Guximi dhe mundi i tij për të ndryshuar diçka nga koha dhe jeta, ka gdhendur testamentin veprimtarisë së tij me peshën e mendimit dhe veprimit kreativ për një jetë dhe të ardhme më të mirë e më të bagatshme. Sfondit poetik të kësaj ane i ka lënë katër përmbledhje poetike. “Ngjyra e shikimit”, “Këngë pa djallëzi”, “Kafka djebëroshe”, “Vjersha”. Këto janë katër shtylla poetike që ngrejë lartë piramidën lirike portretizuese të këtij poeti të traditës sonë. Vargjet e veta Mustafa Laçi fillon t’i botoj që nga viti 1955 nëpër të gjitha gazetat dhe revistat e kohës. Por kurorëzimi i këtyre poezive, si tërësi të veçanta nëpër vëllime poetike, do të shëmbëllej më vonë në “Flakën e vëllazërimit” në vitin 1972, kur boton veprën e parë “Ngjyra e shikimit”, i cili shikim poetik e artistik, më vonë do të marrë përmasë hapësire të kthjellët kreative të nxitjes, të motivimit, në rrugëtimin e vrullshëm poetik edhe më të hovshëm. Përmbledhjen me poezi “Këngë pa djallëzi” do ta botojë më 1977. Kurse në vitin 1981 boton vëllimin poetik më të frymëzuar “Kafka gjelbëroshe”, madje pas vdekjes nga dorëshkrimet e mbetura nëpër fletore e notesa, do të përfshihen në një vëllim poetik edhe disa poezi me titull “Vjersha” në vitin 1984. Shkroi relativisht pak, ngase jetoi shku.
Në këtë rast të rikujtimit të poetit mund të themi, se për të treguar individualitet, një krijues, nuk është numri i vëllimeve, por cilësia e saj artistike. Janë shumë faktor për ta bërë një poet të pa harruar në kujtesën tonë. Por më kryesorja është stili dhe veçantia e shprehjes dhe vokacioni autokton i emocionit që përdor një krijues gjatë jetës kreative të tij. Ky kushtëzim gjithsesi se e ka përfshirë edhe poezinë e poetit në fjalë si individualitet i veçantë në ligjërimin poetik të kohës. Edhe atëherë kur ngjishemi me elemente të prozës poetike, te ky poet, shfaqen elemente ritmike të brendshme brenda tekstor. Janë poezi të frymëzuara mirë me shprehje dhe gjuhë poetike moderne. Nëpër disa vargje hasen metafora të goditura dhe të gjetura mjaft mirë. Poeti ka kujdes në përzgjedhjen e temave dhe motiveve, edhe pse nëpër disa poezi e poema sintezë shpalohet fryma e realizmit revolucionar, të cilat tema i kanë trajtuar edhe poet të tjerë të gjeneratës së tij, por te ky poet, nëse lexojmë midis rreshtave, hasim një emocion dhe porosi të veçantë që tregon autoktoninë e frymëzimit individual. Pos frymës revolucionare ka edhe poezi erotike e refleksive e sociale, që evokojnë të kaluarën dhe rininë e poetit nëpër kohë. Simfonia e zërit të tij poetik ende tingëllon nëpër kujtesën tonë, si jehonë lirie nga çasti në çast. Ajo është “gjuhë shpendi” që mban gravitacionin e tokës dhe qiellit mu në rrashtën e jetës. Edhe pse kanë kaluar shumë kohë, që poeti nuk është midis nesh, por në panteonin e kujtesës sonë frymojnë lirikat e çiltërta, veprat, të cilat mbeten të salduara si peng kujtimi në ne, si dhe në traditën tonë, qe e bëjnë poetin të gjallë e të pavdekshëm. Andaj jemi të detyruar që këtë plejadë poetësh(nga koshienca e profesionit që kemi), që fizikisht nuk janë në mesin tonë, t’i rikujtojmë, t’i ngjallim artistikisht, të bashkëjetojmë në këto çaste, nga respekti fisnik, për punën dhe dromcat poetike që na kanë lënë, në përmbushjen e kulturës së shoqërisë si dhe kultivimit të artit poetik, në margjinat e veçanta të plejadës së kohës në përgjithësi. Ata do të mbeten si xixa stralli në kurorën letrare të traditës sonë të kësaj ane. Edhe pse poeti Mustafa Laçi nuk ka lënë më shumë se katër vëllime poetike, por ato mjaftojnë për të treguar talentin dhe unin poetik të tij. Temat dhe motivet e larmishme që ka përdorur në ngjeshjen e këtij brumi poetik të kapshëm e të larmishëm e bëjnë poezinë e tij të paharruar. Jetoi dhe përjetoi vështirësi të mëdha në një kohë kur shkollimi dhe ngritja intelektuale ishte e kufizuar, por, megjithatë, nëpër ato të gjitha pengesa e kufizime, ku mungonte liria e vërtetë e fjalës, syri zogut lirik kërkonte hapësira veprimi për dije, për ta shpërndarë “jehonën e këngës,, për ta formuar portretin e vet modest në imazhin e këtij nën qielli të letërsisë së kësaj ane. Madje mëtimi i kësaj figure poetike në skenën artistike letrare të vargëzimit shëmbëllen vrullshëm në frymëzimet nga niveli artistik që ka. Ritmi dhe shprehjet gjuhës së përdorur, ngjyrat dhe imazhet e larmishme, formojnë koloritin e vargjeve, të cilat në vete shprehin veçantinë dhe emocionet e poetit. Frymëzimet dhe meditimet janë të shumta në poezinë e Laçit, ato herë janë të koduara në ritëm e formë e herë janë të derdhura lirshëm pa kufizime metrike e ritmike, madje pa një formë të matur, por të sintakzuara rrjedhshëm në prozë poetike. Poeti përdorur me sens simbolikën, që është tipike për poezinë e tij, për të fshehur kuptimin e drejtpërdrejtë, gjatë ligjërimit poetik.
Mustafa Laçi qëndron midis tradicionales dhe modernes. Ai ngjesh në frymëmarrjen poetike të tij simbolin, si mjet figurativ shprehës, që fsheh në vete kuptimin e drejtpërdrejtët të poezisë. Madje ai ato i përmbush me tonin gjakun revolucionar dhe bëhet një poet i angazhuar për kohën kur jetoi dhe veproi. Poezia e tij është e lidhur me jetë e njeriut dhe vendin. Toka tij është oaza kuptimore ku prehet “kafka gjelbëroshe” e fisit dhe farefisit, madje ajo është trualli që fsheh në thellësitë e saj aromën e djersëve, gjakut të babait, si dhe burrërinë e individit, malësorit me përmasa tradicionale. Është tokë që nuk braktiset nga kafka e salduar për trualli. Intuita, motivet, ndjenja dhe imazhet e shumta të jetës së tij, si dhe stili i veçantë i të shprehurit ngërthejnë në tërësinë e vokabularit poetik elemente artistike, që e nxit lexuesin të manovroj edhe më tej nëpër ato dromca poetike si diçka e arrirë, e veçantë. Përveç emocionit dhe frymës revolucionare, nëpër këto vargje saldohet, qëndiset edhe filozofia e jetës së kësaj ane dhe marrëdhëniet shoqërore kur veproi dhe jetoi poeti. Lirizmi i këtij poeti të grish në kultivimin nënvetëdijes kombëtare. Është një krijimtari që ka për taban traditën e letërsisë shqipe, ndërsa për nga forma e figuracioni shprehës ka teshat e një poezie moderne. Por thënë në përgjithësi poezitë e Mustafa Laçit përcjellin një mesazh të caktuar. Shumë vargje në vete rimojnë bukur dhe me gjeturi dhe me një spontanitet bindës të bëjnë për vete. Vëllimet poetike frymojnë një freski lirike, bëhen të këndshme gjatë të lexuarit, ku përmbajtja e saj figurative mbështjellët me një lehtësi të shprehjes së formës dhe ritmi të brendshëm. Uni lirik mban ngjyrat dhe koloritin e ndjenjës që shpërthen ngandonjëherë edhe me vrull të përmbajtur nga ngjarjet e kohës. Në këtë mënyrë ngjishet kredoja e poetit Mustafa Laçi, madje nga gjërat e imta sajon veprime të mëdha të unit lirik. Kështu, siguria e poetit me arsenalin e figurave dhe sintezave shkon më tej poezisë tradicionale, me të cilën shkathtësi poeti tregon, se ka njohuri dhe talent poetik.
Përshpejtimi i mekanizmave poetike, poetin e vë në rangun e poetëve bashkëkohorë, që dinë të manovrojnë me fjalën, me shprehjen dhe gjuhën e poezisë. Nga vëllimi në vëllim shihet një tempo e ngritjes artistike. Nga poezia e çiltër kalon në atë simbolike dhe kjo arrihet me siguri nga përvoja që ngjesh autori gjatë rrugëtimit të jetës së tij kreative. Kjo mënyrë e këngëtimit të grish në sensibilitet të ndjenjës lirike, ku syri dhe veshi përqendrohen në një ndjenjë e përgjërim të kujdesshëm.
Xhevahiret lirike të këtyre vargjeve të lënë mbresë evidente gjatë të lexuarit, madje ato të freskojnë bashkë me tingullin, theksin dhe ritmin magjik që shpalohen nëpër lëndinën poetike të veçantë të tij. Ndërmjet shumë vargjeve shpërthejnë shkëndija metaforash të goditura e që apelojnë dhe apostrofojnë fshehtësi dhe mjeshtëri kërkimi për një diell e dritë lirie të përgjithësuar për të gjithë. Një aromë malli jehon në lirikat e poetit kur evokon kujtesën nëpër frymëzimet erotike. Ndjenjat e tij me “me ngjyrë shikimi”, shtegtojnë nëpër stacionin e heshtur të dhimbjes dhe mallit, për të gjetur e hapur “dritare buzëqeshjes” për t’i “puthur dy petalet e kuqe me buzë zjarri” . Ja si thotë poeti nëpër disa vargje:
Të më thonin se të kanë mbyllur
në errësirë më të thellë se nata,
dhjetë gishtrijtë do t’i ndezja,
në vend të qirinjve-
do të të gjeja.
Të më thonin se të kanë ngjitur
në kupë të qiellit,
brinjtë do t’i shkallëzoja
do të të zbritja.
Të më thonin se të kanë fundosur
në fund të detit,
mbi mushkëritë kisha notuar
nga fundi i detit
do të shpëtoja.
Të më thonin se në shkretëtira
nga etja je duke vdekur,
dejt e gjakut i kisha këputur
etjen të të shuaj-
pse të dua.
Nëpër këto zinxhirë asociacionesh, paralelizmash e performancash metaforike përfshihet dhe zgjatet fryma poetike e Mustafa Laçit. Koloriti i gjithanshëm i vargjeve vezullon tërësinë poetike të poezisë së këtij poeti. Kështu vargjet e tij të përkujtojnë lirikat më të mira të poetëve më të mëdhenj të së kaluarës, e që mund të jenë shembull edhe për kohën tonë.
I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist
Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...