2011-05-08

Zbret fundbarkut tim ëmbël....


Suzana Zisi e lindur në Vlore ne 1967, është diplomuar për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe ne Elbasan ne 1990. Prej vitit 1990 deri në 2000, ka prezantuar krijimtarinë e saj në faqet e gazetave letrare të kohës.

Boton vëllimin e parë poetik “E bardha ështe pak” në 2004. Libri u prit mirë nga kritika dhe lexuesit. Ai u përzgjodh ne 5 vëllimet poetike më të mira nga Juria e Konkursit Kombëtar “Penda e artë” 2005.

Në 2006, botohet vëllimi i dytë poetik “Imazhet kanë ftohtë” me parathënie të kritikut dhe studiuesit të mirënjohur kosovar, Agim Vinca.






Në librin e saj të pare, Suzana, prezanton një botë të veçantë poetike, nëpërmjet një ndjeshmerie filozofike dhe universale moderniste, e cila e shpalos trajtën e saj, përmes metaforave dhe simboleve individuale. Këtë metaforë dhe simbolikë, autorja e ngre në një shkallë më të lartë në frymëzimin dhe ligjërimin poetik të librit të dytë, ç’ka ka sjellë jo vetem modernizimin e imazhit poetik, por edhe një pjekuri më të madhe në vleresimin dhe materializimin e ideve dhe dukurive të jetës dhe botës shpirtërore. Janë duke pritur radhën e botimit, 3 libra, një roman, një vëllim poetik dhe një përmbledhje me proza të shkurtra.”

Në vitin 2009, ka botuar në Athinë (Greqi), në Shtëpinë Botuese ODISSEAS, vëllimin poetik "ΣΤΙΣ ΕΡΗΜΟΥΣ ΤΗΣ ΣΙΩΠΗΣ".

Në vitin 2011, ka botuar në Shtëpinë Botuese "OMBRA GVG" - Tiranë, vëllimin poetik "TE JESH...FJALE".

Ka botuar një cikël poetik në revistën prestigjoze franceze "Le capital des mots", gjithashtu ka botuar disa poezi në revista sllovene dhe kroate.
______

LIRIKË E PEIZAZHIT SHPIRTËROR

Nga Agim Vinca

Vargut të poeteshave shqiptare të kohës sonë po i shtohen nga dita në ditë emra të rinj. Suzana Zisi, është pa dyshim një nga këta emra. Pas botimit të librit të saj të parë, E bardha është pak (2004), Suzana del para lexuesve me librin e saj të dytë Imazhet kanë ftohtë, që e shpalos në mënyrë akoma më të plotë e më të nuancuar botën e saj poetike. Shikuar nga pikëpamja e qëndrimit që mban ndaj jetës, njeriut dhe vetes poezia e Suzana Zisit do të mund të karakterizohej si poezi e peziazhit shpirtëror.
Shpalimi i botës komplekse shpirtërore të njeriut, të femrës në veçanti, depërtimi në labirintin e dëshirave, ëndrrave, shpresave, dilemave dhe shqetësimeve të subjektit lirik, është një veçori e përgjithshme e kësaj poezie. Ky pozicion, sa soditës, aq edhe refleksiv, e përcakton në masë të madhe edhe strukturën ritmike dhe figurative të kësaj poezie.
I përbërë nga rreth njëqind poezi, vëllimi poetik Imazhet kanë ftohtë ndahet në tre cikle: Ëndrra në pjatën e mungesës…, Lulevjeshte dhe Metafora e diellit. Edhe pse nga pikëpamja e ligjërimit poetik libri ka një unitet të theksuar artistik, megjithatë bie në sy fakti se derisa në ciklin e parë mbizotërojnë motivet që lidhen me dehumanizimin dhe tjetërsimin e njeriut në kohën tonë (peziazhi urban, imazhet gri, ftohtësia dhe mungesa sugjerojnë pikërisht këtë emocion), në dy ciklet e tjera ndeshim një atmosferë disi më të butë e më subtile, pra kemi të bëjmë me një lirikë tipike femërore, nocion ky që në këtë rast nuk ka kurrfarë konotacionesh negative. Përkundrazi. Imazhet e rënda e dramatike të ciklit të parë, ku poetesha i referohet shpesh mitologjisë antike e biblike (Adami, Eva, Zoti, djalli, Krishti, Zeusi, Pandora, Prometeu, Narcisi, Dionisi etj.), por edhe realitetit bashkëkohor, e ku nuk mungojë herë-herë as vizionet apokaliptike, zëvendësohen në dy ciklet vijuese nga një ndjeshmëri më e butë lirike e intime, ku figura qendrore dalin lulevjeshta dhe dielli, që shfaqen që në titujt e cikleve.
Dashuria është një lajtmotiv i poezisë së Suzana Zisit. Këtë ndjenjë kaq të thellë dhe motiv të lashtë poetik autorja e këtij libri arrin ta trajtojë me një ndjeshmëri të hollë lirike e shprehje moderne poetike. Në disa nga vjershat më të bukura të librit, çfarë janë, fjala vjen, Në ëndrrën time, Fillim-fundi im, Pëshpërimë etj. ndjenja e dashurisë merr përmasa kozmike. Në lojën magjike të dashurisë hyjnë: dielli, qielli, yjet, retë, shiu… Është një “valle”, që ta kujton pak a shumë vallen eterike lasgushiane, por e luajtur ndryshe, me mjete të tjera e tingëllim të ri dhe në tjetër kohë gjithsesi.
Suzana Zisi është krijuese që e zotëron mirë ritmin, figurën, fjalën, rimën dhe ngjyrimin stilistik, predispozitë kjo pa të cilën askush s’është bërë poet në këtë botë. Është për t’u përshëndetur gjithashtu fakti që elementet fundamentale të poezisë (rimën, ritmin, metaforën etj.) ajo i vë në shërbim të mendimit poetik. Fjala dhe ideja në vargun e saj janë në harmoni të plotë.
Unë jam pëshpërimë,
e stinës së ndezur.
Dehem duke pirë, honeve të trillit…
Ndërsa ti i ndrojtur
i derdh lulevjeshte,
Kupës së praruar me mushtin e pyllit…
thuhet në vjershën Musht i lulevjeshtës, ndërsa vjersha Vjeshtë … Mëngjes hapet e mbyllet me vargjet:
Vjeshtë…
Mëngjes…
Pi të trishtën mjegull, në vend të kafesë….
Muza poetike e Suzana Zisit ndërton “mure marrëzie”. Absurdi dhe rebelimi nuk janë të panjohura për të, por në aurën e saj mbizotërojnë dashuria dhe humanizmi. Poeti, sipas Suzanës, i ngjan një zogu fantastik që “çukit simbole” dhe “ftillon metafora”, duke mbështjellë gjithçka me “rima e asociacione”.
Zogjtë e malit çukisin simbole,
Metaforat, ftillohen deteve me shkumë,
Tkurren vargjet, shkretëtirave të heshtjes,
Jam unë...
Të mbështjell me rima dhe asosiacione.
Tretem
e detit shkumë,
e qiellit, re…
Ashtu e përgjakur, nderem mbi lëkurën tënde,
Dhe duke pëshpëritur: “Je imi Diell…”
Fle…
Një nga poezitë e librit në fjalë titullohet Ty që po më lexon tani… Është e qartë se poetesha jonë, si çdo krijues tjetër, dëshiron të komunikojë me lexuesin e saj hipotetik, me atë të cilit ia dedikon vargjet e saj dhe ia detyron frymëzimin. Me çiltërsi e modesti autorja shpreh dëshirën e saj që të krijojë një varg që “shpirtin ta ngroh”, me një ritëm që t’i ngjajë “lëkundjes së valëve”; një varg që të përçojë dritë në shpirtin e njeriut e të gdhendë një varkëzë me emrin “fjalë”, për të përfunduar:
Dhe ti,
i ulur brenda saj,
Nëse do ndihesh i gëzuar,
Ëmbël do më pëshpërisësh:
“Është shpirti yt, duhet lexuar…”.
Është shpirti i poeteshës, që flet me afsh e mall. Është një pëshpërimë që duhet dëgjuar; një libër që duhet lexuar.




TË JESH…


Të jesh,
Duhet të të prekin,
Që të vërtetojnë hipotezën e rënies dhe ringritjes…

Të qeshësh nëse do mundësh,
Mes rrudhave të thella të pritjes,
Duke rrëzuar jargë të lashta dhimbjesh,
Stuhi, përpëlitjesh.

Të jesh,
Do të thotë të vjellësh rininë nga goja e pleqërisë,
Kujtimeve të trishta të rrëmosh.

T’i këndosh kufomës tënde psalme biblike.

Të jesh,
Do të thotë: Të harrosh.



KATARSIS


U ktheva në foshnjërinë e botës sonë.
Femrat e pyllit, ua blatuan foshnjat perëndive.
U shenjtëruam ne.
Gjyshet, u qëndisën rrobat nipërve me kuaj ere,
mbetën pa atdhe…
Meshkujt, u vunë zgjedhën grave dhe i dërguan në arë.
Zoti,
shkroi në librin e shenjtë se duhej vënë pak drejtësi…
Djalli,
i shtrirë mbi re, dërgoi shi.
Ne,
si gaforret,
të larë nga mëkatet,

Rendim në Ardhmëri…!

JAM I YTI…


Jam i yti...
Pëshpëritje që kaloi prej gojës,
mushkërisë,
kërthizës,
deri në fundbarkun tim.
Ish zgjim i vdekur shekuj më parë.
I dashurisë - rikthim.
“Jam i yti”,
ulërin dëshira për ta shuar flakën me zjarr.
Etjendezur, përpëlitesha në tëndin përqafim...
“Jam i yti?”
Jo!
Ti, nuk je veç Dielli im...
Rrezelëshuar, harlisur mbi ankthin - mallkim.
“Unë jam i yti...”
Ish ëndërr, makth, lojë e syve blu.
Zbret fundbarkut tim ëmbël.
Dhe, si klithmë lëshohet qiejve të tu.


I PANJOHURI IM...


Duke u ndriçuar prej hënës kemishëverdhë,
Ti, pikturon me sharrat dhëmbëmprehta të vjeshtës,
Të mundshmin takim
Me mua.
Lastarët e blertë të pranverës,
që ende nuk është konfiguruar në kohë,
marrin shkëlqimin e metaltë të pritjes tënde,
Që,
natën,
verdhacukja anemike e shndërron në ankth,
derdhur hapësirave,
……………krrelat e flokëve të pafaj të
…………………………….vogëlushes fantazisë sime,
Të cilën,
dëshira jote, e kaplon me dhunë,
dhe e tret në gjirin e ngrohtë të saj.
Ti, “i panjohuri” im i paduruar,
Të kaftën e syve,
prej filxhanit me lëngun e së njëjtes ngjyrë,
………………………………...........…ma përplas në fytyrë.
Dhe, jo më kot…
Ndërsa honeve të thella të mallit,
……………………........zgjat duart e më kërkon.
Lagesh i tëri në dy pika lot.
Krejt natyrshëm kupton se
Hëna,
në garderobën time e vodhi këmishën e verdhë.
Ti
Duke pikturuar dhunshëm
………….....……….të mundshmin takim me mua,
Kohën dhe hapësirën mallkon,
Fsheh penelat dhe ngjyrat e çmendura të fantazisë,
Nën lëkurën e zbehtë të mospërfilljes…
Padurimisht,
Ankthin e ditënetëve të pritjes, derdh,
Në oqeanin e pafund të dashurisë…


APOKALIPS...

Rrathëve të ngatërruar të heshtjes,
të xheloztat dridhma dashurie, enden.
Duke u vetëvrarë çdo natë,
......................nderur telave të një burgu.
Vetmia,
heshturazi gërmon të sajin varr.
Të roztat ndjesi pëshpërijnë këtu.
E postojnë dridhmën e ylbertë, te sytë
në të zbehtat agime mollësh,
ku Adamët,
përditë,
puthin të njëjtën Evë, me zjarr.
Ti,
duke përtypur të lagështën ëndërr,
Doruntinash e përplas “Konstantinin”
............................vetëvrarë skutave pa dritë
Dhe rend drejt meje,
metaforë e hiperbolizuar puthjesh të rrumbullakosura buzësh,
lagur burimesh të kristalta periferish.
Ku Muzat mbyten në oqeane të çmendura vibrimesh.
Fundbarkut,
ku Zeusi përzgjedh ujshëm, Perënditë…


Kushtuar E.D.

Me një gotë vere të kuqe të vjetër,
duke përtypur ëmbël poezi,
syçkat të ndrijnë si yje nate.
Ty.

Të kanë rënë dy rima nëpër buzë,
Eja të t’i fshij.

MEMORIAL…


U shpirtëruat këtu,
ju të për - humburat e mia,
të diku - treturit e mi.

Honeve të ditës së parë të krijimit,
humbellave të së fundit frymë,
frymëroni…herezi…

Frëngjive të mia në oazet e syve,
pragjeve të shpirtit u fashitët lotëve,
bërë det në shtratin e orgjive.

Mbytem,
vdes,
gjalloj, aty
lavde u thur Perëndive…

Rropullive u qepem, kacavjerrë si gjarpër,
për të thithur helmin, gjuhës së munguar.

Kafshimet e ujkonjës së urisë,
kthinave të pangopësisë, harruar.

Gdhendur shpateve të thepisur të besës,
rastis të përballem me të përbalturin, Konstantinin tim.

Statujë majë kalit,
ngrirë udhëve të “rregullave të panjohura të lojës”,

duke iu përvjedhur kalendarëve,
thur gërsheta fijet e gjelbra të shpresës,
Duke shthurur penjtë e pangjyrë te harrimit.

Rrënjëzuar në shtatin e memorialit të padukshëm,
endur dhimbshëm tezgjahut të kohës.


JAM SHEKUJ LARG…MË PRIT


Po fluturoj drejt teje,
më prit.
Rrugën, nuk e di por ji i duruar.
Hijen tënde, e shoh gjithandej.
Sytë, dritë, miliona kilometrash kanë lëshuar.
Nuk e dije?
Unë, për ty jam në jetë.
Që pa lindur,
nisa rrugëtimin në mijëra forma shndërruar.
U bëra Evë për të lindur më parë njerëzimin,
e më pas,
për të të kërkuar.
Nuk e dije?
Plagët e këmbëve m’i lëpijnë gjarpërinjtë.
Krahët,
thyer dritareve të mbyllura, pikojnë…
Derë s’ka.
Unë rend përtej kohës.
Hapësirat kam sfiduar,
motër-zanat më përçmojnë…
Zeusi, volli vullkane.
Pandora e hapi të mallkuarën kuti.
E fshehta ime pikon, pikon…
Gjithkush e di.
Imazhe të gënjeshtërta më verbojnë.
Mijëra diej, më shfaqen si sy.
Unë dua të tutë…
Po vij.
Sa pak,
fare pak,
një copëz jete kërkoj.
Nëse derën nuk do të ma hapësh,
Një vend te pragu, s’meritoj?
E sheh?
Mbërrita.
Edhe pse e verbër, shoh dritë.
Hape derën!
Jam shekuj larg.
Do vij patjetër,
më prit.
Më prit…!



Don Zhuani...


Endesh
si hije,
Mes ecejakesh
të pasosura…
Dashnor
i përjetshëm.
Tragjik
i shekujve.
Ti.
Donzhuani
shqiptar
i legjendave.
Ti.
Fantazma
ironike
e netëve…!
Kostandin!
“Vëlla”
i përbaltur.
Pse
frikë
patën?
Pse
s’thanë
të vërtetën?
Që,
Doruntainat,
ti,
i ndërrroje
përditë.
Pse
e përçudnuan
kështu
legjendën?
Pse
mbyllën
sytë?
Shkatërron
dhe rilind.
Shuan
dhe ndez,
Ëndërrat
e vajzave,
të prera
në mes...!
Herë – copa balte
tragjike,
lëshon.
Herë – ar – eliksir dashurie.
Herë Doruntinën – princeshë,
përqafon.
Herë,
i frikshëm,
shfaqesh
si hije.
Qëndron
statujë,
mes jetës
dhe varrit.
Dhe,
stepesh!
Të hysh,
a,të dalësh?
Të rendësh ,
mes territ
dhe
skandalit,
a,
hapin,
gjëkundi,
ta ndalësh?
Kostandin!
Don Zhuani im, shqiptar.
Oqeane lotësh
mblodhe,
në altarët
e pritjes.
Pasione pa fund
ndeze.
Shojte,
zjarre
tragjikë.
Me alibinë- satirë
të Ngritjes,
nga,
i yti
varr,
alegorik…!
Endesh
fantazmë,
mes,
ecejakesh
të panumërta...
Dashnor
i përjetshëm.
“Vëlla”!!!
Ah,
sikur...!
Doruntinat
e dhimbjes,
nuk vdesin.
Rilindin,
nga brinjët
e tua…
Si
Eva,
nga Adami,
dikur …!!!

Përgatiti për Floripress:Flori Bruqi

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...