2013-03-10

Filozofia paqësore e Ibrahim Rugovë



Edita Kuçi-Ukaj

Në Ballkanin e trazuar, me një të kaluar historike të është karakterizuar nga marrëdhënie të tensionuara ndëretnike, në fund të shek. XX u krijua lëvizje e para paqësore, që sfidoj një nga regjimet me të dhunshme të këtij shekulli, regjimin e Sllobodan Milloshevicit. Ishte kjo filozofia politike që ndoqi Ibrahim Rugova, lideri me të cilin u mishërua një popull i tërë përgjatë një dekade. Bota e demokratike, perëndimi dhe qendrat e mëdha politike, u mahniten nga kjo filozofi politike dhe nga ky kurs i ri politikë, i panjohur për Ballkanin.
Mirëpo, çfarë është në esencë koncepti jodhunës apo filozofia paqësore e rezistencës politike?
Në dijet e ndryshme për politikën jo dhunore, jepen vlerësime dhe gjykime të ndryshme për konceptet e jodhunës, për metodat dhe për efektet që mund të arrihen me këtë. Në të vërtetë, koncepti jo- dhunor, në përgjithësi përfshin një sistem politik kryesisht ku preferohet teoria humane, filozofike dhe praktikat e politikës morale-zbatimi i jo-dhunës si metodë për rezistencë politike. Jo-dhuna, si një metodë politike, zhvillohet si rezistencë kundër dhunës. Ndërkaq, në shumë raste të mirënjohura ndërkombëtare, kjo metodë e rezistencës politike, ka rezultuar me suksese të evidencuara. Po shkoqisim disa mendime të mëposhtme që tregojnë se çfarë thoshte njëri nga figurat me të rëndësishme të filozofisë paqësore, Gandi: "Jo-dhuna, është forca më e madhe në dispozicion të njerëzve. Ajo është më e fortë se arma më e madhe e shkatërrimit të hartuar nga zgjuarsia e njeriut. Shkatërrimi nuk është ligji i njerëzve. Njeriu jeton lirisht me gatishmërinë e tij për vdekje, nëse është nevoja, në duart e vëllait të tij, kurrë duke e vrarë. Çdo vrasje apo plagosje të tjera, nuk ka rëndësi për çfarë arsye, të kryera ose të shkaktuar në një tjetër është një krim kundër njerëzimit”. Mendimtarët e ndryshëm që e promovojnë jo-dhunën si argument për zgjidhje paqësore të problemeve të caktuara, thonë se dhuna nuk mund të pranohet si mjet, nga fakti se paqja nuk mund të arrihet duke përdorur dhunë. Përdorimi i jo-dhunës ka luajtur një rol të madh në disa ndryshime sociale, të tilla si ndryshimet në ku kanë qenë aktiv Gandhi, Mandela dhe King. Problemi politikë i Kosovës, tani i përket të kaluarës, ndërsa çështja e Kosovës në vetvete ka një të kaluar dramatike në hartën e quajtur Ballkan, apo Europa juglindore, që unë preferoj ta quaj.
Sipas autorit suedez Karlsson, janë dy dallime mes përdorimit të jo dhunës, që janë, jo dhuna praktike dhe jo dhuna principiele. Gandhi e bëri dallimin mes atyre që ishin për jo dhunën si besim dhe ata që e praktikonin si politik. Mund edhe të ndahet edhe në strategji reformiste dhe strategji revolucionare, që nënkupton: strategjia reformiste e ka për qëllim qëllimet e afërta dhe mundohet të reformojë sistemin, ndërsa strategjia revolucionare ka për qëllim ndryshimin strukturor të sistemit dhe për këtë arsye ka horizont kohorë të gjatë. Këtu, mund të bëjmë dallimin mes strategjisë paqësore të Gandhit, ku ai përdori strategjinë revolucionare kurse strategjia paqësore e Rugovës bëri zgjedhjen për strategjinë revolucionare. Kishte dallime të mëdha mes strategjisë paqësore të Gnadhit dhe të Rugovës, sipas autorit shqiptar, Naser Aliu “Gandhi bënte një politikë aktive dhe sakrifikuese: sfidonte përditë pushtuesin. Rugova i ikte konfrontimit direkt me shtetin serb: ai ishte idealist... besonte se liria mund të arrihet edhe me humanizëm.” Ndër të tjera, autori thotë se Rugova nuk e preki Serbinë në ekonomi, ashtu siç kishte bërë Gandhi me Anglinë dhe në kundërshtim me Gandhin që zgjodhi presionin nga rruga, ky parapëlqente institucionin që të arrihej qëllimi. Ndërkaq sipas autorit Enver Bytycit, ka dallime mes rezistencës paqësore të Gandhit dhe Rugovës, sepse së pari shteti i Serbisë ishte shumë herë më i egër dhe i dhunshëm kundër shqiptarëve sesa mbretëria e Britanisë së Madhe si kolonizator e Indisë. Rugova nuk kishte thirrur asnjëherë për dhunë siç kishte bërë Gandhi. Gjithë kjo mund të kuptohet se pushtuesi serbë ishte me i egër dhe më i pamëshirshëm dhe kishte për qëllime ta shfarojë popullin shqiptar. Për dallim nga rastet e Gandhit, Mandeles dhe Luther Kingut, të cilët kishin probleme të natyrave tjera, por jo të shfarosjes, Presidenti Rugova u ballafaque me tendencën e shfarosjes. ”Rugova nuk kishte predikuar të gjitha elementet gandhiste të rezistencës paqësore, por në ndryshim nga ai nuk kishte nxitur demonstrata masive si në Indi, nuk kishte këmbëngulur edhe në dhunën si instrument të arritjes së lirisë, siç kishte ndodhur me Mandelen e Martin Luther Kingun. Kjo thjesht për shkak të egërsisë së regjimit të Beogradit dhe ruajtjes fizike të bashkëkombëseve të tij.”-shkruan E. Bytyqi. Por, Rugova u krahasua edhe me Vaclav Havelin, mirëpo Çekosllovakia kishte vetëm problemin e demokracisë, ndërsa Kosova përveç mungesën e demokracisë, kishte edhe problemin e ekzistencës nacionale, rrezikun nga shfarosja dhe tensionin e gjatë të akumuluar ndëretnik.
Është e vështirë të kuptojmë sot sesi shqiptarët vendosën të ndjek një rezistencë paqësore, ndaj një politike hegjemoniste, e cila kishte treguar brutalitetin dhe agresivitetin e pashembullt me rastin e Sllovenisë, Kroacisë dhe me vonë Bosnjës. Si motivohet atëherë kjo rezistencë politike që ndoqën shqiptarët e Kosovës? Autorë të shumtë që janë marrë më këtë periudhë, nuk arrijnë në ndonjë konkluzion të qartë për fillesën e kësaj rezistence. Disi kjo çështje vazhdon të mbetet një mister politikë. Në një kohë kur regjimi serb ishte shumë i organizuar, shqiptarët e Kosovës mrekullueshëm filluan të bëjnë pajtimin kombëtar, të prir nga i mençuri dhe urti Anton Çetta, pastaj filluan ndërtimin e institucioneve paralele dhe kështu e internacionalizuan çështjen e Kosovës në planin ndërkombëtar. Në gjithë këtë histori, ishte personaliteti i Rugovës, ai që ndërlidhi segmentet e ndryshme dhe u bë model i besueshëm vendor dhe ndërkombëtar në këtë filozofi. Ai, i pajisur me një dije të konsoliduar kulturore dhe letrare, duke e njohur mirë traditën e kombit të tij, bëri një kthesë vendimtare në historinë e shqiptarëve në përgjithësi dhe të Kosovës në veçanti. Ai vetëdijshëm bëri “kombinimin e fuqisë së Papës dhe fuqisë moral të Nënë Terezës” dhe kjo “ishte një gjetje e mrekullueshme për kohën dhe hapësirën, në të cilën ndodhej Kosova“- vlerëson Enver Bytiqi.

Jo-dhuna u bë identitet shqiptar
Në fillimet e saj, nuk ishte realiste të besohej se politika e jo-dhunës mund të veprojë si rezistencë kundër regjimit serb. Filloi lufta në Kroaci dhe në Bosnjë dhe asnjë prej partive në Jugosllavi s’ kishte përdorur mjete demokratike për të arritur zgjidhje për problemet e ngritura. Në fillim të viteve 1990, shqiptarët e Kosovës ishin skeptik në lidhje me politikën e jo-dhunës: nuk menduan se do të përballin kundër regjimit agresiv serb. Presidenti kroat Franjo Tuxhman ofrojë ndihmë nëse Kosova do të hynte ne luftë, dhe të hapin një front të dytë në luftë në Kroaci. Shqiptarët, megjithatë, e dinin se nuk ishin të fortë ushtarakisht, dhe gjithashtu kishte popullsi më pak se Kroacia. Në këtë situatë të tensionuar, Ibrahim Rugova tha se: "praktikat e jo-dhunës në këtë situatë korrespondojnë në një aspekt të karakterit tonë, një traditë me durim dhe maturi në fytyrë e të gjithë dominimit ... Me anë të kësaj rezistence aktive, të bazuar mbi jo-dhunën dhe solidaritetin, ne e " gjetëm " veten. Sot, ne kemi arritur të prek këtë pikë të Shpirtit të popullit shqiptar ". Pra, ishte përdorimi jo-dhunor, një mënyrë për të treguar se shqiptaret ishin të ndryshëm nga fqinjët e tjerë, se ai ishte i qetë dhe dëshironte paqe. Duke u përballuar me një kundërshtar të fortë si Serbia, i cili provokojë luftë, politika e jo-dhunës, ishte një mundësi për të mbijetuar. Ajo u mbështet në solidaritetin social dhe shpresonte të kishin aleatët jashtë Kosovës, për shembull, në Evropën Perëndimore, në vend se drejtpërdrejt të përballet populli me ushtrinë më të fuqishme të Jugosllavisë. Jo-dhuna ishte një strategji të vetë imponuar dhe si mënyrë më e mirë, më pragmatike dhe reagim më efektiv kundër planit agresionit serb, thotë Howard Clark, dhe në fakt mund të jetë, sepse përndryshe Kosova do të humbte shumë dhe ndoshta, nuk do të merrte ndihmën që kanë marrë nga bashkësia ndërkombëtare në vitin 1999.
Në traditën shqiptare, do të ishte vështirë të pranohej kjo formë e rezistencës, e quajtur jo-dhunë, nëse nuk ishte shpërnda njohuria dhe arsimimi në shkolla gjatë viteve 1900. Ky shkollim kishte rezultuar në shumë njerëz intelektual në vitet e fundit. Brez i Rugovës, ishin të arsimuar, kishin një përvojë intelektuale dhe kishin një mendim modern.
Jetesimi i jo-dhunës ishte bërë pjesë e shqiptarëve "modern", dhe mblodhi së bashku të rinj e të vjetër, për ta shmangur një tragjedi. Mendimi i Rugovës në këtë sens ishte: "Ne kemi mësuar se jo-dhuna është preferencë moderne europiane”. U bë në një mënyrë moderne të ushtrohet jo-dhuna, sepse të jesh tolerant dhe paqësor, është ajo që Europa ishte dhe çfarë ajo synonte në vitet e saj të integrimeve. Por, gjithashtu strategjia politike e jo-dhunës, ishte kritikuar shpesh nga opozita shqiptare, të tillë si Veton Surroi (Botues dhe gazetar i njohur, më vonë udhëheqës i Partisë Parlamentare), Adem Demaçi (i burgosur politik për 25 vjet dhe aktivist i njohur) dhe Shkëlzen Maliqi (gazetar i njohur politik). Ndërkaq tonet kritike u përshkallëzuan sidomos pas një periudhe të gjatë të vuajtjeve dhe për shkak se asgjë nuk u përmirësua që nga u fut politika jo-dhunore.
Karakteri i lëvizjes jodhunore s’ ishte vetëm taktike, por edhe principial. Së pari, idetë e opozitës demokratike në perëndimin europian, rezultonin nga një bazë intelektuale. Rugova qe ishte atëherë kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Veton Surroi, kryetar i Unionit jugosllav për iniciativë demokratike, mbajtën shumë mitingje në 1988 the 1989 dhe organizuan peticionin “për demokraci kundër dhunës”, duke mbledh 400,000 nënshkrime. Ideja e sistemit paralel, të njohura si institucione paralele pati influencë nga intelektualet e Europës qendrore, posaçërisht Solidariteti Polak. Së dyti, ishte dëshira e shqiptarëve që të tregojnë që nuk janë primitiv dhe të pacivilizuar, ashtu siç propagandonte dhe portretizonte Serbia.
(Pjesë nga një studim më i gjatë)

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...