2013-05-21

Gumeni rrëfen çerekshekullin në qelitë e burgut



“Dudaj” boton kujtimet e ish-të dënuarit politik.
Ditët e një të burgosuri dhe ngjarjet e mëdha politike në “Shënime nga Shkolla e Partisë”


Daut Gumeni
Daut Gumeni ka kaluar vitet më të bukura në burg. Hyri 24-vjeçar dhe doli kur i kish kaluar të 50-at. Kaq shumë vite që i kaloi nga njëri burg në tjetrin, brenda qelive të ftohta dhe telave me gjemba, ku gjithsesi gjallonte një mikrokozmos me personazhet dhe historitë e veta, më së shumti të dhimbshme, por ku nuk mungonte edhe ndonjë buzëqeshje apo dashamirësi e shprehur nën zë. Pasi kanë kaluar 22 vjet që kurse u lirua nga burgu, bashkë me të gjithë të burgosurit e tjerë politikë, Daut Gumeni sjell për lexuesin librin “Shënime nga Shkolla e Partisë” (Pesë tablo që mund të shihen edhe si një roman). Janë rrëfime burgu, por të shkruara nga dora e një letrari ato e tejkalojnë tregimin dokumentar. Libri, të cilin ai ia dedikon “Mëmës dhe motrës  që vuajtën edhe burgjet e mia”, vjen për lexuesin nga shtëpia botuese “Dudaj”, e cila organizon sot në orën 18:00, në hotel “Tirana” promovimin e kësaj vepre. “Këtu do të mundohem të rrëfej për ju një pjesë të gjatë të asaj jete të thurur mbase më shumë me fillin e hekurt të telave me gjemba, sesa me atë fillin e lehtë artistik, që është gjithnjë i nevojshëm për ta bërë leximin tuaj më pak të lodhshëm e, mbase, edhe për t’i dhënë asaj, jetës në Shkollën e Partisë, edhe një fije jetë më shumë. Të rendim pak tok nëpër terr pas bukureve… Po rastisi që dikush mund të shohë shumë ngjashmëri me ndonjë nga personazhet e këtyre shënimeve, nuk kam ç’t’i bëj unë që ne vdekatarët ngjajmë me njëri-tjetrin. Madje, thonë se secili prej nesh ka në këtë botë dhe sozinë e vet…”, shkruan Gumeni në parathënien e librit të tij. Kush ka dalë nga ai ferr, e di fare mirë se përse flet autori dhe nuk e ka të vështirë të identifikohet me atë të burgosurin që flet në dyshemenë e ftohtë të qelisë, me duart e shtrënguara me pranga, që dëgjon këngën monotone dhe të sharat e vazhdueshme të gardianit të burgut, që Gumeni e quan “Shkolla e Partisë” dhe kërcënimet dhe grushtin e hetuesit apo punonjësit të Sigurimit. Por, edhe për ata që e kanë vetëm me të dëgjuar, përshkrimet e autorit janë aq të qarta dhe të ngjeshura me histori, saqë vështirë të mos imagjinosh atë zbritje në ferr dhe daljen prej tij pas një çerekshekulli. Ç’ndodhte në ato vende të frikshme dhe si komentoheshin ngjarjet e mëdha politike që ndodhnin në “botën” jashtë telave me gjemba, kongreset, eliminimet e “grupeve armiqësore”, deri te vetëvrasja e Mehmet Shehut dhe vdekja e Enver Hoxhës.


Nga libri





Kopertina e librit:
“Shënime nga Shkolla e Partisë”
i Daut Gumenit, botimet “Dudaj”
Në mbrëmje

Të burgosurit po diskutonin ende lajmin që kishte dhënë Radio-Tirana në emisionin e atij mëngjesi: “Sot u botuan në Danimarkë vëllimi nr… i veprave të shokut Enver Hoxha dhe vëllimi i parë i veprave të shokut Mehmet Shehu”…

- E hëngri!

- U duk që në protokollin e kongresit.

- E shoqja e kryeministrit nuk qe fare në presidium.

- Mos ia fut kot! Tani që nisi t’i botojë edhe “veprat”, paska vendosur ta ndërrojë trashëgimtarin…

- Ka vendosur t’i ndërrojë jetën!

- Po pse nxorën tërë ato fjalë sikur po i jepte në dorë edhe partinë?

- Që ta vinte në gjumë më mirë.

- Është usta për kurthe i biri i mulla Halilit.

- Djali i bukur i Gjylos, thuaj më mirë.

Befas, të burgosurit shtangën dhe e prenë fjalën. Lajmet e orës tetë të mbrëmjes nisën me një njoftim të papritur:

“Pas një krize nervore, anëtari i Byrosë Politike dhe kryeministër i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, Mehmet Shehu, vrau veten”…

Si të mos mjaftonte ai njoftim i thatë, si për një roje vreshti, ku nuk i thuhej as fjala zyrtare “shoku”, që kishte zënë me kohë vendin e fjalës “zotëri”, programi me muzikë popullore që nisi menjëherë pas lajmit të vdekjes së kryeministrit, tregonte haptazi se këtë radhë nuk kishim të bënim me “një shok më pakë e me një amanet më shumë”, por bëhej fjalë për larje hesapesh në luftën për trashëgimin e pushtetit.

Pas disa valleve të kënduara, ku daullja ngrihej mbi të gjitha veglat, radioja dha një kaba me gërnetë e pastaj e mbylli programin me një këngë labe, që të bënte të mbuloje kokën me batanije:

Dolëm të parët në botë,

I ramë armikut në kokë…

- Tani na vranë! – tha me zë të dridhur e me fytyrë të zbardhur Kanakari.

- Ç’thua? Mblidhe veten, se nuk e kanë me ne. Ky përbënte pengesën më të madhe në udhën e trashëgimtarit dhe u hoq pengesa kryesore. Dhe aq! Të tjerët janë pesha të lehta.

- Po ti, ç’pate, o dora jonë? Nuk kishe të haje, nuk kishe të pije apo nuk të rrinte makina pas bythës? Ç’pate ti, o dora jonë? Tani u dhie puna! – tha Bejto Demi duke iu drejtuar altoparlantit….

- Po vjen në pushtet brezi i dytë i të zgjedhurve të mareshal Titos, – tha me trishtim Laba.

- Ç’hyn Titoja me diktaturën e Tiranës? – ia priti Kanakari.

- Nxënës të Titos janë dhe shumica e vendimmarrësve komunistë të Tiranës, apo nuk e pranon që Titon e kanë trajnerin e parë, siç e kanë pasur për 40 vjet mbështetjen e tyre kryesore? Ti vetë thua që nuk bëhet politikë me dy lekë gazetë…

- Mos do të më thuash se edhe dallëndyshet u mblodhën me tufa atë mëngjes, që të na njoftonin vdekjen e Titos? Nuk bëhet politikë me hamendje! Politika bazohet në fakte e jo në përralla me mareshalë e me dallëndyshe. Unë të them që tani jemi më të rrezikuar se kurrë, ti më tregon përralla me mbret! – vijoi Kanakari i trembur keq.

- Ajo që po të them unë, është një përrallë e gjatë me mareshal. Uroj ta kem gabim, siç thua ti, por ca fakte sikur tregojnë që këtë vend e kanë dashur gjithmonë nën diktaturë, pavarësisht nga boja e nga emri i saj në atë gazetën dylekëshe. E kanë dashur diktaturë Shqipërinë, për t’ia penguar zhvillimin e natyrshëm. Dhe na kanë vënë kësulën e radhës, na kanë caktuar gjithnjë ata komandantët tanë të gjatë, të marrë e të regjistruar si myslimanë… Komandantët tanë mercenarë, që kanë ndjekur gjithnjë politikën e skllavërimit të Shqipërisë me boshtin Veri-Jug dhe nuk kanë ndjekur kurrë boshtin Lindje-Perëndim, që i mbron më mirë interesat tanë kombëtarë. Nuk kanë ndjekur kurrë boshtin e aleancave që u përpoq të ndiqte diplomati më i madh i historisë së re shqiptare, themeluesi i shtetit modern shqiptar, Ismail Qemal Vlora. Prandaj dhe nuk e lanë të ecte më tej në atë udhë. Sikurse nuk e lanë as Mit’hat Frashërin dhe as të tjerët pas tyre. Ndoshta edhe këtë hanxharin e diktatorit e hoqën qafe se mund të mos ketë qenë aq i besuar i atyre, që e mbajnë Shqipërinë të mbërthyer në boshtin Veri-Jug.

- Tani po më lodh kot me matematikën tënde! Politika nuk bëhet as me përralla me mareshalë e as me boshtet kartezianë. Politika është verb!

- Që politika është e verbër në vende të verbra, këtu ke plotësisht të drejtë – tha Laba dhe e lanë bisedën duke mbetur secili në të vetën.

Dhomat e ngushta

U sajuan nga ndryshimi i tretë në burgun e Burrelit. Ato merrnin vetëm nga dhjetë vetë. Tetë të burgosur shtroheshin në dhogat e njërës anë të murit dhe, në anën tjetër, vendoseshin në radhë për së gjati shtrojat e dy të tjerëve mbi një si punë shtrati me dhoga, që lejonte të hapej dera lirshëm.

Ndryshimi i tretë në burgun e Burrelit kishte ndodhur ngaqë pati ndryshuar banesë edhe diktatori i plakur, i lodhur nga zullumet e veta e i sëmurë rëndë. Dhe ishte përcjellë me një zi të gjatë, që ndihmonte fuqizimin e shpejtë të trashëgimtarit të caktuar me kohë prej vetë diktatorit. Ishte përcjellë nën një shi të butë prilli, sikur dhe moti po përpiqej ashtu të lante disi gjurmët e përgjakura të krimeve të rënda, që kishte lënë për së gjalli diktatori i vdekur. Madje thanë sikur kishte dhënë frymë që më datën nëntë prill, por e shtynë me shiringa edhe dy ditë të tjera, për të mos përkuar dhe vdekja e tij me vdekjen e Zogut. Se, edhe në ditët e një zie të mbajtur me urdhër e pa urdhër nga një popull i tërë, prapë nuk mund të priteshin fare pësh-pëshet e njerëzve të trembur.

Pasi e kishte lënë vendin pa ushtri, duke siguruar trashëgimtarin nga ndonjë grusht ushtarak, diktatori i qe kthyer krasitjes së thellë të shërbëtorëve të tij më besnikë në organet e punëve të brendshme. Dy ministrat e Brendshëm të kohëve të fundit qenë përfshirë në “tablonë sinoptike” të diktatorit mbi “komplotet e zbuluara nga partia” – se nuk e lejonte “modestia” të thoshte se të gjitha komplotet qenë zbuluar nga ai vetë. Dhe ata dy ministrat e tij të brendshëm qenë dërguar në botën tjetër, në radhë pas kryeministrit, që paskësh qenë “poliagjent” dhe “partia e paskësh ditur me kohë”, por e kishte falur, deri sa të bindej edhe “populli i lirë e sovran,që kishte në dorë pushtetin”…

Pasi “populli u kishte dhënë dënimin e merituar” të gjithë atyre që për 40 vjet të tërë kishin qenë “shtylla e çeliktë e partisë” e pasi diktatori kishte ikur i përcjellë nëpër shi nga populli i tij i qullur më shumë se i helmuar, trashëgimtari kishte nisur udhëtimin e tij nëpër Shqipëri, për t’u njohur si i pari i vendit.

- “Ahmet Shqarri” shkoi edhe në Jug! – tha ato ditë Gugusllavi, duke shtuar edhe një pseudonim tjetër për bisedat që nuk duheshin kuptuar nga ata që dëgjonin për të raportuar. Dhe komentatori i njohur sportiv u bë ashtu padashje një mbrojtës i të burgosurve nga biruca, kur bisedonin për trashëgimtarin e pushtetit…

Në njërën nga ato ditë, Labon e thirrën në komandë. Kishte ardhur nga Tirana dikush, që sikur i vinte turp të thoshte pse e kishte bërë tërë atë rrugë të lodhshme.

- Ke kaq vjet e nuk na ke bërë asnjë kërkesë, të paktën për t’u transferuar në një kamp, se u kalbe në Burrel, o burrë! Si ka mundësi të jesh kaq i helmuar nga armiqësia me pushtetin popullor, edhe pas gati njëzet vjetëve në burgun e Burrelit? – po bënte të habiturin i dërguari i Tiranës, që i vinte rëndë të thoshte edhe se ç’punë bënte.

- Mbase nuk e keni keq. Por jo se kam helmuar veten. Thonë se janë përpjekur të më helmojnë. Madje me një dozë që do të ngordhte edhe kalin, sipas vetë atij që keni paguar me vite për ato lloj “vepra bamirësie” – iu përgjigj Laba.

- Për kë e ka fjalën kështu? – e pyeti operativin i dërguari i qendrës.

- Ka dalë në pension me kohë. Ka punuar gjatë këtu si mjek ushtarak dhe doemos që ka dhe legjendime rreth punës së tij – qeshi operativi me pohimin e të burgosurit.

- Po sikur babanë të ta kenë vrarë ata kriminelët komplotistë që morën dënimin e merituar? – e pyeti duke dalë befas në arsyen pse kishte ardhur i dërguari i ministrisë.

- Nuk kam dyshuar ndonjëherë se ata që e vranë tim atë, janë kriminelë.

- Po pra, janë kriminelë si Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu me shokë! Ata e kanë vrarë edhe babanë tënd! – u gjallërua i dërguari i qendrës.

- Shpejt qenkeni kujtuar që ata janë vrasës! Si nuk kujtoheni që ata janë vrarë edhe për vete në luftën për pushtet e mua nuk më duhet fare as t’i përmend tani që kanë vdekur? Se ata nuk e njihnin as babanë tim e aq më pak të më njihnin mua. Se babanë tim e shokët e tij të shumtë i ka vrarë ai që vrau edhe sejmenët e tij, kur nuk i hynin më në punë. Ata që sapo numërove zotrote. Ata qenë e mbetën vetëm shërbëtorët e tij në krime, por autori përgjegjës është gjithnjë ai vetë! Paske ardhur nga Tirana të më tregosh se e kanë fajin hanxharët e jo kasapi? Dhe tani, po nuk keni gjë tjetër për të më thënë, bëni mirë të më ktheni në dhomë – i tha Laba, sepse nuk e kishte më qetësinë e fillimit të bisedës.

- Me këtë qenka e kotë edhe mirësjellja! Edhe biseda me këtë qenka ashtu si thonë shkodranët: “Fol me ty e rruj ve!”. Kthejeni në dhomë këtë gjuhëhidhur! Hiqeni shpejt, që të mos kthej mendje e ta dërgoj në birucë! Ky qenka helm i gjallë! – u ngrit nga tryeza me fytyrë të mrrolur keq i dërguari i ministrisë….

Përgatiti: ALMA MILE

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...