2013-06-12

HYRJA NË ART NUK ËSHTË IKJE





Daut DEMAKU

Shëtitja artistike nëpër ndonjë vepër letrare nuk është domosdoshmërisht analizë, madje nuk është e domosdoshme të jetë as studim, por më shumë është dhe mund të jetë një bashkëbisedim i heshtur, një ese i pazëshëm, një invokacion gjatë rileximit e të rikujtimit të një krijuesi e një krijimtarie. Invokacioni nuk është nisje nga rrënja, as nga trupi fizik e raportet e tij me jashtësinë, nuk është madje as qëndrim i gjatë në bulbërinë e lulëzimit, pra të pjesës së bukur që quhet art, por është një pikëtakim me aromën e lules. Pikëtakimi i zërit të brendshëm – të pazëshëm me heshtjen mortore të germave, në shëtitjen apo rileximin artistik, domosdoshmërisht prodhon përjetimin invokativ që prodhon përjetimin gjatë këtij ritakimi. Proza e Mehmet Kajtazit është krijuar në kohën e turbulencave të mëdha, atyre dallgëve shqetësuese politike e ekzistenciale që shtriheshin në dilemën hamletiane të asaj të njohurës: të jesh apo të mos jesh, që nuk preknin apo që nuk rrënon vetëm aromën e lules, që nuk e thyenin butësinë e lules, por që tronditnin tërë trupin fizik, madje edhe vetë rrënjën e jetës. Nëse duam që këtë ta themi edhe më saktë e më prekshëm: kjo prozë u krijua në valën e lëvizjeve idhnake të pllakave tektonike të qenies sonë kombëtare. Përbrenda këtyre tronditjeve dëshpëruese dhe shpresëdhënëse, hyrja në art, në njërën anë kishte kuptim e hyrjes në shpresë dhe, në anën tjetër, kishte kuptimin e harrimit, një ikje artistike nga realiteti brutal. Këto dy elemente: hyrja në shpresë dhe ikja nga realiteti brutal kanë qenë, janë dhe do të mbesin dy ekstreme skajore që përbëhen nga zjarri krijues. Flaka e këtij zjarri – në njërën anë - është sikur dielli i pranverës, që edhe thermisë më të vogël të dheut i jep jetë e gjallëri, e mbushë me lëngun e këndshëm dhe erëmirë të jetës në shpresë. Por, në anën tjetër, flaka e këtij zjarri është edhe shumë e pamëshirshme dhe djeg e bën shkrumb e hi tokën reale nën këmbët e njeriut. Të jetosh me këmbë mbi prush dhe me kokë në freskinë e qiellit, pra të bësh jetë në majat idhnake të dy ekstremeve skajore dhe, në këto kushte të krijosh art, të ndërtosh kredon e gjallimit, nuk është vetëm mjeshtri, por kjo është dhe duhet të jetë: mjeshtëria e krijimit të mjeshtërisë. Në romanet “Ndezja e shiut” dhe “Për një diell tjetër”, Mehmet Kajtazi sikur prek lehtësisht, ama njëmend lehtësisht, aq lehtësisht sa prekja e tij ngjason me një pupël pëllumbi - mbi fjalët që mbushin ajrinë tokësore, të thënat e të bëmat e vijës horizontale, jetësore të përditshmërisë idhnake e rrënimtare dhe, këto të thëna e këto të bëma, lëvizin me shpejtësinë e dritës kah vija tjetër – ajo vija e aromës që di të ngrihet e të shpërndahet vetëm në lartësi, pra në vijën vertikale, do të thotë - në atë vijë që di të ecë vetëm në hapësirën e kaltërsisë së pafundme qiellore. Filozofia e krijimit ndërtohet mbi dy këmbët e fuqishme që kanë emrin: çka thuhet dhe qysh thuhet! Çka thuhet është preteksti artistik, konstrukti, skeleti që mban veprën. Qysh thuhet është mjeshtëria e ndërtimit, e thënies. Të gjitha lëvizjet të tjera estetike janë dhe kanë vlerë, por këto dy postulate përbëjnë dy këmbët e fuqishme mbi të cilat bën jetë një vepër letrare. Kur rilexohet proza e Mehmet Kajtazit, që të dy këto elemente sikur rebelohen dhe bëjnë përpjekje të jenë të paqena. Ajo e famshmja “çka thuhet” sikur merr krah dhe të ikën nga dora, të le në vetmi dhe të mashtron e sikur të thotë: kot më kërkon se unë nuk jam këtu... Ndërkaq, ajo tjetra: “Qysh thuhet” sikur tallet me lexuesin e thotë: kot më kërkon se unë herë jam e herë nuk jam... Lexuesi që është mësuar të ecën me lehtësi nëpër cektinën krijuese do ta ndjej lëvizjen dhe ecjen e lehtë, por pikërisht në lehtësinë e lëvizjes do të përballet me lojën e rebeluar e të qenit e të mos qenit, dhe, pikërisht këtu realizohet ajo sinteza e këndshme: e ikjes dhe kthimit, e zhdukjes dhe ndërtimit. Jeta është lojë. Arti është mjeshtëria e lojës. Loja zhvillohet në tokë, por mjeshtëria e lojës prek lartësinë. Nuk udhëtohet kot në univers, por udhëtimi në univers e ka kuptimin e kthimit në shtëpi. Kjo është mjeshtëria e lojës. Pjesa nuk është tërësia, por tërësia pa pjesën – nuk është e plotë... Njëra pa tjetrën nuk janë as nuk mund të jenë. Sepse: një pikë ujë është H20, dhe të gjitha burimet, lumenjtë, detet dhe oqeanet janë sikur një pikë uji - prapë: H2O. Nëse fillohet udhëtimi për djegien e shiut, kush do ta besoj këtë figurë: shiu nuk digjet as në ëndërr! Por kur zjarri i vijës horizontale është aq idhnak, zjarr që ngrihet e djeg me aq ashpërsi, athua do të këtë shi të qetë? Sado që toka në tërësi është vetëm një pjesë, apo më saktë: një thermi e universit, zjarri në atë thermi, sado i vogël e i imtë të jetë, sado i padukshëm në vogëlsinë e tij, prapë do të prodhojë dridhje e shqetësime që burojnë nga një thermi edhe më e imtë e thermisë tjetër që, me gjuhën e përditshmërisë njerëzore - quhet zemër e njeriut! Disi në të njëjtën rrugë – nga një pikë vese në oqean dhe nga oqeani në një pikë vesë – vazhdon rrugëtimi i prozës, do të thosha më të dendur e më të pjekur, që hyn nën ombrellën e titullit “Për një diell tjetër”. Njësoj siç nuk digjet shiu as në ëndërr, nuk formësohet as figura e diellit tjetër, por vlimi i pjesës, zjarri përvëlues i thermisë, merr funksionin e xixës në depo të barotit... Të tjerat që ndodhin mund t’i kuptojë e qartësojë secila mendje. Mënyra e leximit dhe rileximit duhet të qartësohet në tërësi. Është e ditur se nuk është çdo mënyrë – mënyrë gjithëpërfshirëse. Pse? Sepse: ngjyra e barit është e gjelbër, por është e gjelbër vetëm për syrin që sheh e lexon jashtësinë. Athua, është ngjyra e barit vetëm e gjelbër? Le të ndalemi pak dhe të mendojmë për mënyrën e vështrimit: çfarë ngjyre do të ketë bari kur vështrohet nga të dashuruarit, çfarë ngjyre do të ketë kur vështrohet nga njeriun që rënkon prej dhembjeve, apo: çfarë ngjyre do të këtë kur barin e vështron fëmija apo plaku? Mos dallojnë këto ngjyra apo edhe më tutje bari vazhdon ta ketë ngjyrën e gjelbër. Them se jo. Bari ka ngjyrë të gjelbër, është e vërtetë, por mënyra e vështrimit përcakton këndin dhe thellësinë e të cilat më vonë dëshmojnë se brenda një ngjyre të gjelbër bëjnë jetë mijëra e mijëra nuanca të të njëjtës ngjyrë, që, prapë, duket e njëjtë dhe nuk është e njëjtë. Këtu gjendet madhështia e artit, subjektivja e komunikimit me vlerën, individualja e leximit dhe rileximit. Privilegjin e rileximit do ta kenë të gjitha brezat, ata që jetojnë sot me ne, ata që nesër do të jetojnë pa ne, por besoj e shpresoj, edhe të mëvonshmit që do të vijnë. Le të kënaqen, brezat që vijnë, me veprat që mbesin, sepse njerëzit janë material shpenzues të jetës, kurse veprat që mbesin – janë material ndërtues dhe fisnikërues të botës. Kështu jeta i jep jetës dhe ky ligj vepron me apo pa dashjen tonë. Atyre që lënë vepra për rilexim, atyre u takon përulja jonë.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...