2013-07-09

ÇFARË DO TË NDODHTE ME NJË SHOQËRI TË PAKORRUPTUAR



“Out of touch” është një film që po përgatitet të jetë premierë në vjeshtë dhe që mban si autor kineastin dhe regjisorin Andi Deliana. Ngjarjet zhvillohen hipotetikisht në vitin 2012, ndërsa autori mëton që qëllimi është për të treguar se “kemi të bëjmë me një shoqëri të korruptuar deri në qelizë”

Nga Arben Lagreta

Rreth një vit pas lajmërimit edhe në disa media shqiptare të projektit të filmit të tij të ri “Out of touch” (“Shkëputje nga realiteti’), kineasti dhe regjisori Andi Deliana ndodhet në njëfarë mënyre fizikisht dhe virtualisht ndërmjet Nju Jorkut dhe Tiranës. Pasioni, këmbëngulje përpara vështirësive të paparashikuara të hasura në “fshatin” tonë ku vjet, në vjeshtë, u bënë edhe xhirimet, si dhe përzgjedhja edhe në minutën e fundit e ndonjë prej aktorëve të këtij filmi, tashmë kanë mbetur pas. Andi ndodhej përkohësisht në Tiranë, për tu rikthyer aty përsëri gjatë pushimeve, si dhe në vjeshtë kur do të organizohet edhe premiera e filmit të tij. Tashmë 7 muaj pas përfundimit me sukses të xhirimeve në Tiranë të filmit të tij si regjisor, skenarist dhe drejtor, Deliana duket më i qetë dhe më i mbushur profesionalisht. I mësuar edhe me “huqet’ dhe me të papriturat profesionale që hasi në Shqipëri, Andi flet më i çliruar dhe me optimizëm për paraqitjen dinjitoze të filmit të tij në tregun ndërkombëtar …

Ç’mund të na thoni në lidhje me procesin aktual në të cilin ndodhet filmi pas fazës së xhirimeve të tij vjeshtën e kaluar në Tiranë?
“Xhirimet mbaruan vjet në fund të nëntorit dhe tani filmi ndodhet në procesin përfundimtar të montazhit në Los Anxhelos. Montazhieri aktual i tij është Randy Vandegrift që është edhe një ndër producentët kryesorë të filmit. Besoj se në fillim të vjeshtës filmi do të jetë gati për premiere në Tiranë, New York, Los Angeles dhe më pas edhe në vende të tjera”.

Cili është sipas jush mesazhi që “Out of touch”përcjell te publiku shqiptar dhe më gjerë?
“Në këtë film unë kam hedhur një hipotezë, bazuar në një shoqëri problematike si e sotmja, ku vlerat janë kthyer në antivlera dhe e anasjella. Dhe konkretisht; Ç’farë do të ndodhte sikur në Shqipëri të vinte në pushtet një qeveri e pakorruptuar? A do të mund të rregulloheshin gjërat? Këtë hipotezë unë e vërtetoj me antitezën se gjërat nuk do të shkonin dhe aq mirë. Do të vazhdonte kaosi dhe mbase edhe më tepër akoma. Ngjarjet në film zhvillohen në vitin 2012, pra në një të ardhme të afërt dhe në vend ka fituar zgjedhjet një mazhorancë e re, as e majtë as e djathtë por një koalicion i qendrës, siç e kam quajtur unë dhe që në të vërtetë nuk ekziston në Shqipëri dhe që ka krijuar edhe qeverinë e paprovuar ndonjëherë. Tani pyetja shtrohet; Po tani që qeveria është e pastër dhe e pakorruptueshme a do të përmirësojë gjërat? A do të korruptohet tashmë qytetari i thjeshtë meqë qeveria është e ndershme? Po jetesa e qytetarëve a do të përmirësohet? Përgjigja që unë jap në film është se fajin nuk e ka vetëm qeveria por sigurisht edhe popullata. Në një farë mënyrë çdo qeveri meriton popullatën që ka. Pra kemi të bëjmë me një shoqëri të korruptuar deri në qelizë, që është familja. Unë këtë besoj”.

Si e parashikoni ecjen në treg të filmit tuaj? Dhe ku mendoni ju se ky film do të pritej më mirë, në tregun Evropian apo në Amerikë?
“Me të mbaruar krejtësisht filmi, me kontaktet që kemi do të mundohemi që të jemi më pranë një tregu filmash zhanri, sepse ky film është i tillë. Normalisht tregje të tillë janë të shtrirë në Amerikë dhe në Evropë. Ky lloj tregu është më atraktiv për ne me produktin tonë. Aktualisht kemi kontakte me distributor në Amerikë dhe Evropë. Ata na e kanë kërkuar filmin që ta shikojnë sapo të jetë gati. Pra kemi bërë deri tani këto bisedime paraprake me këta distributorë të cilët mund të jenë të interesuar për blerjen e filmit. Ndërsa për pjesën e dytë të pyetjes, unë besoj se filmi do të tërheqë më tepër publikun evropian por edhe atë kanadez. Pra fus këtu edhe Kanadanë si një hibrid ndërmjet Evropës dhe Amerikës përsa i përket mënyrës së jetesës ashtu edhe kritikës kinematografike në veçanti. Por jemi të mirëpritur edhe në tregun amerikan të filmit sepse tashmë e kemi provuar dhe kemi kontaktuar siç ju shpjegova më lart. Në Amerikë ne do të hyjmë tek seksioni i filmave internacionalë. Ky është parashikim dhe qëllim. Se çfarë do të arrijmë këtë do ta tregojë rezultati final”.

Kush janë “lojtarët” dhe faktorët kryesorë që bënë të mundur realizimin e këtij filmi?
“Një ndër financimet kryesore të filmit është realizuar nga Qendra Kombëtare Kinematografike Shqiptare. Po kështu filmi ka fituar një donacion edhe nga Organizata “South East European Cinema Network” . Kjo është një organizatë e 11 shteteve ballkanike në të cilën bën pjesë edhe Shqipëria, e cila financon dhe ndihmon projekte të tilla të shteteve pjesëmarrëse. Kjo organizatë mund të na ndihmojë edhe në shpërndarjen e filmit në Ballkan. Ndër investuesit kryesorë janë edhe producentët e mi në SHBA, Randy Vandegrift që është edhe montazhieri i filmit, si dhe Peter Orphanos. Ndihmë subvencioni dhe teknike gjatë realizimit të filmit kemi pasur në Shqipëri nga Kube Studio e Erfort Kukes si dhe Blendi Kalivaçi, që është një ndër producentët e TV BBF. Unë përveç regjisori dhe drejtor i këtij filmi jam edhe skenarist së bashku me Enkel Demin”.

Le të vijmë tani tek aktorët kryesorë që luajnë në “Out of touch” apo “Shkeputje nga realiteti”. Mbaj mend se qysh vjet gjatë xhirimeve më keni pohuar se keni zëvendësuar një pjesë të mirë të artistëve të parashikuar për arsye të ndryshme.. Diçka konkrete për lexuesin…
“Disa nga aktorët e parashikuar në film nuk morën pjesë. Kanë qenë planifikuar Adem Karagaj i Maqedonisë, Olta Gixhari, Eljona Thomaraj, Lulzim Zeqja etj të cilët kanë një farë eksperience dhe njihen. Në vend të tyre kanë hyrë aktorë të tjerë. Arsyet e zëvendësimit kanë qenë nga më të ndryshmet. Mund t’ju them psh. Se Ademi ka qenë shumë i zënë, Olta Gixhari ishte një opsion por rastisi që edhe ajo ka pasur një impenjim te sajën në një film tjetër. Arsye të ngjashme ka pasur edhe Lulzim Zeqja e kështu me radhë...Aktorët që kanë interpretuar në rolet kryesore janë Gentjan Zenelaj, Laert Vasili, Rozi Kostani, Kastriot Hasa, Elidon Alikaj, Esmeralda Stafa, etj. Kanë luajtur edhe aktorë nga trevat shqiptare si nga Kosova Shaban Gashi, nga Maqedonia Sefedin Shabani dhe Xhevdet Jasharaj, nga SHBA ka ardhur Kastriot Hasa I cili luan aktualisht në televizione lokale në Los Anxhelos si dhe në disa filma në Hollivud. Nga Greqia ka qenë Laert Vasili i cili punon atje prej vitesh në teatër dhe televizion ndërsa nga Suedia, Arban Përlala që është faktikisht këngëtar repi dhe i njohur si i tillë në Greqi dhe në Shqipëri. Ndërsa një aktore e huaj në këtë fil ishte Tatjana Cyotuba e cila është greko-moldave”.

Cila është e reja që ka sjellë zbatimi në terren i projektit të këtij këtij filmi?
“E reja që ka sjellë ky projekt është në disa aspekte; kështu ka të reja në mënyrën e aktrimit, në punën me aktorët, në punën me kameran. Them se kemi një estetikë krejt të re në ndërtimin e ngjarjes, narracionin e filmit, si dhe në montazhin e filmit. Këto janë të reja që kanë të bëjnë direkt me projektin e këtij filmi, ndryshe nga filmat që janë realizuar më parë në vend. Me pak fjalë, në Shqipëri vijon të punohet në filma me një narracion linear, pra kemi një histori ku lëvizet nga ngjarja A tek ajo B, C e kështu me radhë duke ndjekur kronologjinë e ditëve dhe muajve të skenarit. Kurse ne lëvizim shumë në kohë duke filluar pasdite, në mëngjes, mbrëmje, prapë kthim mbrapa. Thyhet kështu linja kohore, në thelb ngjarja. Përsa i përket aktrimit mund të them se më shumë se gjysma e aktorëve që luajnë janë amatorë, pra nuk janë aktorë por njerëz që janë përzgjedhur nga rruga apo kanë ardhur me dëshirë në audicion edhe pa luajtur më parë në ndonjë film tjetër. Unë i kam përzgjedhur duke i parë në film si tipa. Kam punuar shumë me ta sepse kam besuar se ata do të më sillnin personazhin që unë kërkoja. Kjo metodë është shumë praktike dhe unë jam bazuar në metodën e një kineasti dhe themeluesi të një teatri të veçantë në Francë pas viteve ’70 I cili quhet Antonin Artho. Ai themeloi teatrin dhe metodën e vet të punës me aktorët që kërkonin të ishin sa më realë, sa më pranë realitetit. Pra, në bazë të kësaj metode duhet te gjesh një aktor që të ngjajë si personalitet me personazhin tënd. Unë me këtë rast pata edhe aktorë amatorë që ngjanin shumë pikërisht me personazhet që kërkoja unë dhe natyrisht kishin edhe talent. Prandaj edhe i thirra, bashkëpunova me ta dhe i futa në film. Ndërsa përsa i përket punës me kameran jemi munduar që të punojmë me thyerjen e aksit 180 gradë si dhe duke shfrytëzuar shumë plane me disa ndryshime të tjera teknike të cilat sjellin një risi sikur kjo ngjarje që tregohet në film është e parë nga lart. Kemi përdorur shumë herë helikopterin duke xhiruar plane të mëdha të qytetit si pauza temporal ndërmjet skenave. Këtë e kemi bërë me qëllim që ta ngremë shumë lart ndërgjegjen e shikuesit, pra për ta parë këtë si një film që nuk e prek direkt atë. Pra ndonëse ngjarje të rënda si ato të filmit ndodhin përditë në Tiranë me tentojmë për të mos paragjykuar popullatë, si për t’i thënë: “Ja se c’po ndodh në këtë film. Pavarësisht se ngjan me juve ne po tregojmë një ngjarje tjetër. Kurse në montazh sjellim prapë një risi që ka të bëjë me kinemanë modern, montazhin jolinear i cili është përdorur shumë në vitet ‘2000 dhe në vijim. Eshtë një metodë e re pune në montazh. Unë kam studiuar për “Kinema-Autor” në Kanada, pra nuk kam bërë një kinema të thjeshtë me një personazh. Përkundrazi këtu kemi 4 personazhe që përzihen me njëri-tjetrin brenda harkut kohor të një dite dhe kjo përzierje tregon një narracion jolinear”.
Në mbyllje diçka për planet tuaja të së ardhmes së afërme…
“Aktualisht po punoj për një projekt tjetër filmi me metrazh të gjatë të cilit po i mbyll skenarin. Pra jam skenarist. Skenari bazohet në romanin e Fatos Kongolit “Tek porta e Shën Pjetrit”. Titulli i filmit është “Tirana blu” dhe regjisor është Spartak Pecani. Tjetër, është biseduar me producentin në Los Anxhelos dhe me një bashkëpunëtor në Greqi për të bërë një film tjetër ku unë do të jem skenarist, regjisor dhe bashkëproducent. Ky film do të jetë tipik zhanri ku përzihet thriller me gangster. Eshtë historia e 4 shokëve shqiptarë, emigrantë në SHBA, që janë përzier me jetën e errët që bëjnë njerëzit në Bronks. Ata i përkasin një klani mafiozësh në këtë zonë dhe vetë janë gangster të nivelit të ulët. Filmi do të zhvillohet krejt në anglisht dhe do të xhirohet në pjesën më të madhe në SHBA, konkretisht në Bronks të New Yorkut dhe vetëm për pak në Greqi. Meqë 4 personazhet kryesore përfaqësojnë 4 shokë shqiptarë do të ketë vetëm ndonjë përzierje të vogël në shqip. Një pjesë e buxhetit më është premtuar që tani nga producenti dhe nga një person tjetër që do të investojë dhe brenda vitit do të kërkoj edhe financimin e pjesës tjetër të filmit për xhirimet që do të bëjmë në SHBA. Besoj se kaq të dhëna janë të mjaftueshme për dy projektet e mësipërme. Vazhdimin dhe detajet për dy projektet e mësipërme le t’ia lëmë kohës…”.


From: Vedat Shehu <ved_shehu@yahoo.com>

To: "Sterkala@yahoogroups.com" <Sterkala@yahoogroups.com>
Sent: Friday, 12 July 2013, 3:50

Subject: Re: [Sterkala] ÇFARË DO TË NDODHTE ME NJË SHOQËRI TË PAKORRUPTUAR

Sipas mendimit tim, idea e filmit, qe  gjoja shoqeria shqiptare nuk mund te permiresohet nga pushtetaret e ligjeve, te drejtesise dhe organeve ndeshkuse ne mbrojtje te drejtesise, sepse eshte e qelbur ne qelizen e saj, eshte rrenjesisht ccnjerezore. Familja ka rolin e vet, por familja primitive me pronen, truallin, shtepine, macen, qenin, qete, mushken apo qerene transportit apo kalin ne vent te veture se sotme, u zevendsua me familjen e apartamenteve dhe me forcen e kraheve dhe te mendjes. Kjo u arrit, pikerisht, prej autoritetit dhe fuqisee qe fiton dhe mbart organizimi i shtetit modern industrial dhe i industrializimit te bujqesise. Kete e arriteen dhe e bene pushtetaret, qofshin te zgjedhur apo te pazgjedhur. Familja e sotme, ne se nuk i ka ato qe i ka pas siguruar me pronen apo kapitalin e vet, kerkon, nga ky shtet modern i industrializuar apo ne industrializim e siper, para lirise sigurimin e dy gjerave jetike: pune tama dhe mbrojtje tamam. Keto ne asnje shtet te botes familja nuk i siguron vete. Familja, pa prone pa kapitale, ka te siguruara nga vetia vetem aftesine gjenruese. Prandaj pergjegjesia eshte inkluzivisht e atyre qe marrin ne dore shtetin, perpilojne ligjet, organizojne zbatimin e ligjeve dhe mbrojne familjen nga ata qe shkelin ligjet. Vetem politikanet kapadai kane kurdisur dhe perhapur idene "Jemi bashke-vuajtes dhe bashke-fajtor" dhe se "faji eshte i popullit qe nuk e do demokracine dhe ne nuk ia japim me zorre", apo "populli shqiptar nuk eshte mesuar me demokraci". Pyetja pse s'eshte mesuar, kur demokracia eshte shtet juridik qe e formon dhe e zbaton shteti? Pergjigja:  Politikes se keqe, i takon te justifikohet se gjoja s'eshte e keqe politika dhe ushtrimi mashtrues i saj ne drejtimin e shtetit, por populli eshte i pakomandueshem dhe i korruptuar.
Prof.Dr.Vedat Shehu 

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...